PËRQAFUAR ME BORËN

0
707
Vjollca Tiku Pasku

Vjollca Tiku Pasku

Nuk e di pse gjatë kësaj natë të trishtuar, dua të eci në dëborë. Ajo bie si copat e një fustani të bardhë dhe më pushton lehtë. Nuk kam frikë nga asnjë qenie e gjallë, apo frymë shpirtërore…Mërzitja ka pllakosur shpirtin tim. Fluturat e bardha bien dhe krijojnë një peshë të ftohtë nëpër pemë. Por më e madhe është pesha e trishtimit tim. Mund ta shkund me një shkop magjik të gjithë borën e rënë nëpër pisha, por nuk mund të shkund trishtimin nga degët e shpirtit. Ai bie pikë, pikë në formë lotësh dhe lotët bëhen njësh me borën.

Diku larg dëgjohet angullima e një ujku. Nuk e di në jam kaq e çmendur sa të vazhdoj udhën. Kam fuqi brenda vetvetes të zbut një ujk e ti qafoj një lule zemre, por nuk kam fuqi të ndryshoj diçka në këtë botë. Kam fuqi me një lopatë të çaj akullin, të gërmoj derisa të gjej dheun e ngrohtë, që të më zbutë akullin e gishtave, po nuk mund të gjej ngrohtësinë për të cilën kanë aq shumë nevojë njerëzit. Shumë shpirtra të tjerë mblidhen përreth meje… Çdo shpirt shpalos një jetë të kaluar në prush vuajtjesh. Valë, përleshje, ecje përballë erës së fortë… Rrymat e ajrit më përplasin në degët me maja, të thyera nga stuhia dhe plagët rrjedhin gjak…

Linja e fatit ngjyhet me dhimbjen e kuqe dhe formëson gjatë jetës atë vijë, që do të dëshiroja të ishte e bardhë. Përqafuar nga shpirtrat e tjerë, pres një dritë nga pasqyra e qelqtë, duke shpresuar për të hapur qepallat e një dielli të panjohur, por tepër të ëndërruar. Jemi shumë shpirtra që presim. Mos vallë atë dritë na e ka marrë qielli si ndëshkim? Unë e di që qielli ka shumë dashuri. Sa herë sytë tanë janë të dashuruar, ngrihen lart në drejtim të tij, ku megjithëse është errësirë ne shohim përtej …në dritë… Ndërsa kur nuk shohim në dritë… Në këtë natë dëbore, së bashku me zërat e tjerë, thërrasim fuqishëm drejt qiellit.

Do të doja qoftë për herë të parë në këtë botë, të prishja ekuilibrin monoton të krijimit. Prej shpirtrave tanë del një jehonë lutjeje: mulliri i kohës të mos harkojë errësirën. Jemi shumë që presim… Njëkohësisht errësira që ka mbuluar shumë shpirtra, të shkrumbohet nga fuqia e diellit. Çfarë drite vezulluese do krijonin të gjithë gurët e çmuar, sikur vetëm pak të kishin kurajën të zgjoheshin nga gjumi i errësirës. Sa shpirtra mbajnë një diamant të vogël brenda tyre.

Ja tani, për pak, rrezja e madhe shkrin ngjyrën e bardhë dhe dielli po fillon të zbulojë ngjyrat e fshehura. Mrekullia e natyrës u krye… Mbetet vetëm mrekullia që mund të bëjnë shpirtrat… Sot ka ardhur pranvera. Në çdo syth ndjej të qarat e foshnjave gjethe… Ndjej dëshirat e shndritshme të pemëve, ndjej ëndrrat e luleve, ashtu si ndjej ëndrrat e çdo shpirti që lind, për të gjetur çelësin e bravës së vjetër, të hapë një portën e re në jetë. Këto dëshira i shpresoj bashkë me shpirtrat e tjerë…

Braunschweig, Gjermani!

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar