PËRQAFIM I FLLADIT DHE FLETËS

0
672

Lexim i librit të Idajet Jahaj, “Argjendarët e metaforës”.

Atdhe, kur fillon të mendojë Perëndia e shqiptarëve?
Fatos Arapi

Atdhe Geci Poezia shqipe zanafillën e vet e ka në antikë, në ishujt e Mesdheut shqiptar të Egjeut, Jonit dhe Adriatikut. Vlora e tokës, detit dhe diellit është një muzë e veçantë e gjaklindjes së poezisë shqipe. Vlonjati dhe vlonjatja edhe në antikë kanë qenë të bukur, të dashur, krijues. Dashuria është lindur bashkë me dheun, qiellin, yjet, detin, hënën, barin, lulet, ullirin, kumbullën dhe verën. Me dashurinë dhe frymën e saj janë krijuar argjendarët e fjalës së bukur dhe të metaforës.

Shqiptarët, duke qenë banorët e pare pas shkrirjes së akullnajave, nuk e patën të zorshme të shpërthenin frymën e së bukurës nga kraharori i përflakur i të dashuruarve. Atdhetari, poeti dhe studiuesi, Idajet Jahaj, banor i tokës së lashtë dhe modern të Arbërit, i bëri një gjetje të bukur, plorit me plis të studimit të tij, për dy miqtë poet të Vlorës së Thotit dhe të Zeusit, të poetëve të shquar të letërsisë sonë kombëtare, Ali Asllanit dhe Fatos Arapit.

Ç’krijim të bukur krijojnë dallgët e ndjenjave intime në shpirtin e poetit, Ali Asllani, shprehet Idajet Jahaj për vargun antologjik të Aliut, “Në gostinë e zotave”. Autori i lbrit, “Argjerndarët e metaforës”, poeti dhe studiuesi, Idajet Jahaj, me shumë përkushtim qëmëtoi dhe përzgjedhi posi një filigranistë i vërtetë metafarat e dy poetëve të mëdhenj shqiptar, Ali Asllanit dhe Fatos Arapit për të hapur rrugën e një Antologjie të Argjendarëve të Metaforës edhe për poetët e tjerë shqiptarë.

Libri i poetit dhe studiuesit, Idajet Jahaj, “Argjendarët e metaforës” është një prurje e re vlerëmadhe për letërsinë tonë të bukur. Gjuha kozmike e dy poetëve vlonjatë e tëra është e figurshme. Te Ali Asllani ka një metaforë gjithëbotërore. Vashë e dashurisë, shprehet Aliu, është “Gostia e Zotit në tokë”.

Në fakt Aliu ishte poet i madh i dashurisë dhe, i ndjenjave intime ndaj mrekullisë- vashë të dashurisë, shkruan Jahaj. Vargu poetik, që vasha e dashurisë është “Gostia e Zotit në tokë” është varg i florireve të rralla jo vetëm në metaforën e letërsisë shqipe por edhe në at´botërore. Ky varg antologjik i ardhë nga muza e mendjes dhe shpirtit të Aliut, është një krijim brilant i metaforës në letërsinë shqipe..

Vargun “art poetik” të Ali Asllanit: “Hënë e ngrënë bëhet prapë”, e kam lexuar shumë herë shprehet studiuesi, Jahaj.. Këtë varg poezi e kam memorizuar në fron të kujtesë shkruan Jahaj. Një djalë i kërkon vashës së dashurisë ta puthë, por ajo nuk e lejon diku tjetër, veçse në buzë, se “hënë e ngrënë bëhet prapë”! Sa figurë e ndritshme, e kulluar, e artë si hëna! Por edhe plotësisht e ngjashme me’të, me buzët e vashës që ndjekin ciklin e hënës!

Aty po,
Hënë e ngrënë bëhet prapë;
Bëj si di e bëj si do!

Ky varg magjik nuk më shqitet kurrë nga kujtesa. Buzët e vashës, dy gjysmë-hënëza! Ato djegin, dehin, vezullojnë dhe bëjnë dritë. Po, po, buzët e hënës së ngrënë janë buzët e vashës së dashurisë. Poezia e Ali Asllanit shprehet studiusi, Idajet Jahaj e tëra është argjend e art metafarash.

Janë bërë shumë studime për poezinë e tij të veçantë e të thellë; janë kapur shumë objekte vëzhgimi, por për imtësinë e detajeve, siç është simboli i lotit, nuk janë bërë. Ky detaj, i imtë në dukje, por i thellë në shprehje, është i veçantë për këtë poet. Ai e ka përdorur këtë emër, këtë objekt, këtë dukuri, si simbol të reflektimit e të përcjelljes së përjetimeve të tij, të ndjenjës së madhërishme të dashurisë. Ah, ky mall, ky mall i çmendur! Loti si “kryepajë”në poezinë e Aliut, reflekton të sotmen, por edhe kujtimet, gjurmët, motin e shkuar… të dashurisë. Dhe vazhdon:

… Lermëni t’ju qaj me lot,
Sepse femra del nga brinja-
Urdhëron i madhi zot!

Poetët thotë studiuesi Idajet Jahaj nuk kanë nevojë për përmendore. Vargjet e tyre janë vet përmendoret.
Faqehënë e faqediell, ah, ky vendi ynë me qiell!

Libri i poetit dhe studiuesit Idajet Jahaj,“Argjendarët e metaforës”, është si një “Zog zjarri”, për letërsinë tonë të bukur. Shkrimtari kombëtar Fatos Arapi në penën e studiuesit Idajet Jahaj, flet ashtu si flet dheu, deti dhe dielli. O t´i që ke rendur gjithnjë para vdekjes”-

Shqiptarët në këmbë e kalojnë
Akerontin e tyre prej gjaku!

Libri i poetit dhe studiuesit, Idajet Jahaj, “Argjendarë e metafarës”, lirisht mund të quhet “Art poetik”. Fuqia e metaforave të këtij libri shkon përtej largësisë dhe gjerësisë së kozmosit autokton shqiptar.
… U linda buzë-ngjyer me vdekje!

Ky togfjalësh metaforik tronditës, balzakian, dëshmon talentin e rrallë të poetit, Fatos Arapi.! Më pas, këtyre tablove të një realizmi tragjik, ai u shton edhe dy vargje të tjera, të thjeshta në ndërtimin e tyre, por me një domethënie të madhe:

Te shkalla e ministrisë,
Një atdhe i mërzisë!

Është nga ata dyvargësh që përflak shekullin me dramacitetin e vet. Me konçizitetin, thjeshtësinë dhe vizionin proverbial!
Fatos Arapi, shprehet studiuesi Jahaj, nuk ndoqi rrugën e disa poetëve të tjerë, shpesh herë të mëdhenj, të cilët i thurën lavde pushtetit që diktonte jetën në këtë vend! Nga ky absurditet ai shpëtoi. Dhe shpëtoi nga mrekullia që zgjodhi t’i shërbente vendit të vet, me militantizmin qytetar, kritik, duke rrënuar rrënuesit!

Te shkalla e fundit e ministrisë
Atdheu s’ngjitet dot!… Po ky
atdhe të ka mbetur, nuk ke ç’bën!

Sarkazëm të rrallë, therëse:

…Taka e sekretares- vula ministrore mbi ty!
Fjala “ty” është çdo njeri, është populli që dergjet në mërzi nga shtypja apo funksionimi i keq i shtetit. Këtë shtypje e pëson së pari njeriu i thjeshtë, e kjo është masa dërmuese e njerëzve. Pra, vula e takës së sekretares mbi kokat e këtyre njerëzve!!!

Poeti përsëri bën pyetje që nuk kërkojnë përgjigje, por reflektim: “Ku është ai, atdheu, hijerëndi, i pavdekshmi, i mençuri, i vuajturi, tragjiku?”
Dhe vijon: “I pikëlluari im? I papërsëritshmi, diellori i përzishëm”? Dufi i poetit gjëmon si një Vezuv për lëngatën. Pra, siç e shikojmë, këtu përplasen dy duhi ndjenjash: bukuria e atdheut, si krenari e ligjshme, ekzistenciale, e çdo banori të kësaj toke, dhe: kritika ndaj gjendjes së keqe të tij prej shkaktarëve. Më pas poeti shkruan vargun sublim:

“Në kraharorin e tij (atdheut) i futa zemrën time !

Për t’i dhënë pak jetë, gjak nga gjaku i tij. I tillë është poeti- misionar. Ky është mision heroi. Nuk ka lartësi më të madhe nga ky flijim. Poeti pyet;

“A filloi të mendojë perëndia e shqiptarëve?”

Atdheu ka sy të trishtuar. Dashuria e tij të çmend. Është buka e uritur. Nuk e ngop dot. Është ëndërr, ankth e shpresë e sfilitur. Varr i hapur! Njerëzit shkojnë një jetë drejt tij. Loti mbyt lotin fat-vrarë. Në një pikë loti lirinë e lind. Ai- i vogli, i vogli, hyjnori i pavdekshëm, …loti…”

Atdheu është dhembje, është dhembje,
Një prill i pikëlluar në shpirt;
Atdheu është kryqi, është kryqi,
E mban edhe të mban ty në shpirt.
Atdheu është toka e premtuar,

Kartolina Adriatike e Fatos Arapit shprehet studiuesi Jahaj, brenda ka një “Zog zjarri”. Ky “Zog zjarri” i Vlorës”, pi dritën e yjeve dhe të hënës në det, dritën e erërave dhe shtangë stuhitë kalimtare të kohërave.“Unë e Joni shkruan Fatosi, jemi rritur me njëri-tjetrin. Llogoraja lëshon valë malli”. Sigurisht, për të soditur si duhet këto magji, poetit i duhen dy palë sy: të tijët dhe të së dashurës. Ligjëron për këto vise: “Ti pengohesh nëpër fole yjesh, të zgjosh e të trembësh zogjtë qiellorë”. E gjithë kjo simfoni, i jehon në shpirt si dhimbje malli, kudo ku ku vete. Si në atë dyvargëshin e famshëm të bashkëqytetarit të tij të madh, Ali Asllanit:

E kudo që isha e kudo që jam,
Këng’ në buzë të kisha, lot në sy të kam!…

Dhe përqendrohet te pema e ullirit, si simbol i natyrës vlonjate. Tek ajo- e shenjta pemë, e shtrenjta pemë, poetikja pemë, me gjelbërim të përhershëm. Aq shumë e hedhur si vello e blertë në unazën rrethore të kodrave, në lugje, shpate e sheshe, sa që duket sikur ky dru hyjnor gishtin e parë të mbirjes e ka pasur këtu, në këtë bregdet magjik. Këto imazhe të përcjellin vargjet e ndritshme të Fatos Arapit, të cilët e simbolizojnë sa e sa herë ullirin, për qytetin e diellit e të valëve. Thotë me ngazëllim:

Vlorë, pa ullinj të gjelbër si mund të jesh Vlora?

Fatosi ka shumë thënie për veten e tij e për të gjithë poetët. Çfarë qenieje është poeti në racën njerëzore? Në jetën e popullit e të kombit të vet? Në elitat krijuese?

… Unë- bleta e tragjedisë sime,
mbledh pjalm
në çdo degë të shpirtit.

“Ç’janë poetët?- pyet Fatosi. Dhe përgjigjet: “Janë dritëza trishtimesh ndër gishtërinj”. Duket sikur gishtërinjtë e tyre janë lyer me varakun e hënës apo me fosfor xixëllonjash. A ky është cingari që “thithin” poetët dhe që u le shenja në gishta?!… Edhe një esencë fare e përlotshme:

Nga xhepat e gërryer të tyre
poetëve u rrëzohet vetvetja!

Një e vërtetë ngjethëse. Ky është fati i gjithë poetëve të botës: varfëria ! Ata janë pasanikët e letrave e të vargjeve, por jo të financës së xhepit! Poetë shprehet studiuesi Idajet Jahaj, janë “kushërinjtë” e Diogjenit?! Që me fener në dorë, në mes të ditës, midis njerëzve, kërkojnë NJERIUN ? Po, poetët e gjithë botës janë Diogjenë. Gjithmonë ura-lidhës midis së shkuarës dhe të ardhmes. Këto mendime vijnë ndër mend kur lexon aforizmat metaforikë të poetit Fatos Arapi.

Poetët shpejtojnë të vdesin e s’ dinë se ku !
Tragjedia është atdheu i vërtetë i poetëve !

Janë heronjtë apo viktimat e këtyre tragjedive? Ata shuhen ngadalë, ashtu si “qiriri” naimian. Por, më në fund, si një afrim tokësor i filozofisë ekzistencialiste, poeti jep fushqetën e përditshmërisë, por që lidhet me epokën:

“Kënga është atdheu qiellor i pavdekësisë së poetëve.

Poezia këngë, poezia varg, poezia vjrshë, janë ylberet figurativë, shtrëngatat romantike në pëlhurën poetikeata i flasin kohës, brezave, të shkuarës e të ardhmes.

Sikur qielli të ishte letër,
Edhe deti të ishte bojë…

Kjo poezi e madhe ka jehuar nëpër dekada. Poeti rezervon prushe të bukurisë letrare: “Krahët e mi- prej malli e ere/ u lidhën në qafën e saj/. Ajo, sikurse edhe qyteti i lindjes, janë për ‘të kujtime me erë portokallesh. Sytë e tu- dy liqene të menduar qiellorë”. Shpirt,

Si s’të desha pak më shumë!
Si s’të desha pak më tepër !
S’ ia fal kurrë un´ vetes.

Shqiptarët kanë humbur aq shumë në luftërat për liri, thotë ai në nëntekst, sa që e kanë kapërcyer “Akerontin prej gjaku”! Akeronti ishte lumi që merrte të vdekurit e kësaj jete e i çonte në bregun tjetër, në atë të vdekjes. Ishte i errët nga thellësia, por poeti këtu e bën “lumë prej gjaku për shqiptarët”! Figurë e mahnitshme. Cerberi, qeni roje në hyrje të Hadit (mitologji), e pyet poetin: “A filloi të mendojë Perëndia e shqiptarëve”? Edhe kjo pyetje rrëqeth. Të tilla figura përbëjnë atë që quhet “tmerr I bukur artistik”.

“Argjendarët e metaforës”, Ali Asllani dhe Fatos Arapi vërtetë janë shkrimtarë mëdhenj shprehet atdhetari, poeti dhe studiuesi Idajet Jahaj. Fatosi në një poezi të tij thotë; Ashtu si personazhi i famshëm i Hamletit të Shekspirit, i cili “bisedon” me një kafkë njeriu në duar, duke dhënë kështu mendimet e brengat të tij për shoqërinë, e cila ishte e mbarsur me prapësi. Fatosi thotë për veten:

“… Bisedoj me Fatosin !
Kërkoj veten e s’e gjej.
Eci me arkivolin tim mbi supe”…

Në këtë botë dyzimesh poeti parashikon vdekjen e tij, nënvizon tragjizmin, ndoshta të politikës, e cila, si kanibale, lufton e “ha” kundërshtarë, bashkë me lirinë e të drejtat e tjera të njeriut. “… I menduar, si t’i shërbej vetes? Si të shpëtojë vdekja prej meje ? Nëpër duar mbaj kafkën time”, ashtu si Hamleti ! Ky dyzim vërtitet edhe në “fatin e …fatit” ! “Ja vdekja ime. Merreni ! Do t’ ju duhet. Kapërcej ty e kapërcej veten”. E të tjera për “dy Fatosët”!…

Atdhe Geci, poet
Dortmund, Gjermani
19.03.2021