PËRPJEKJET E SHQIPTARËVE PËR UNISIMIN E ALFABETIT SHQIP

0
1952
Mësonjtorja, Korçë

Shkruan Prof. Zymer Mehani

1.
Motoja e rilindësve: “Pa shkrim të gjuhës shqipe s’do të ketë as Shqipëri”

Lëvizja për alfabetin dhe shkrimin shqip ka qenë pjesë përbërëse e përpjekjeve mbarëshekullore të kombit tonë, ka hasur në kundërshtime dhe qëndrime negative të armiqve tanë kombëtarë dhe ka çarë përpara duke pasur pishtarët e vet. Lufta për alfabetin dhe shkrimin shqip u ashpërsua sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare dhe pas saj.

Pas daljes në dritë të “Ëvetarit” të Naum Veqilharxhit (1844), lëvizja për alfabetin dhe shkrimin shqip u sulmuan përherë e më rreptë nga oborri osman dhe athino-fanaritët jo më si një dukuri gjuhësore, por si një dukuri politike. Konstandin Kristoforidhi, gjuhëtari ynë i njohur, do të lëshonte alarmin: “Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë Shqipëri ndë faqe të dheut, as nuk do të shënohet më emri shqiptar ndë kartë të botës”.

Përpjekjet e rilindësve për gjuhën shqipe, për shkollën shqipe, kishin si hallkë zgjidhjeje krijimin e një alfabeti shqip. Kërkesa kryesore ishte që ky alfabet t‘u përgjigjej karakteristikave të vetë gjuhës shqipe, veçorive të saj fonetike dhe atyre të shqiptimit.

2.
Gjurmët e para mbi përdorimin e alfabetit latin te shqiptarët Shkenca gjuhësore shqiptare ka pranuar faktin historik se gjuha shqipe është shkruar qysh herët dhe se janë përdorur disa lloje alfabetesh. Marin Barleti, në librin “Rrethimi i Shkodrës” (1504), thotë se kishte përdorur burime historike që flisnin për krijimin e Shkodrës të shkruara “në gjuhën e popullit”, pa përmendur se me ç‘lloj alfabeti ishin shkruar. Po të merret me mend se në ato burime ka qenë përdorur alfabeti latin, atëherë pohimi i dëshmitarit më të hershëm që njihet gjer sot për këtë çështje, francezit Gulielm Adae, i njohur me emrin Brokardus Monakus, është një provë e fortë e shkrimit të shqipes me shkronja latine qysh në lashtësi.

Gulielm Adae, në një kumtim latinisht të vitit 1332, shkruante se shqiptarët, sado që kishin “një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo e latinëve, në librat e tyre përdorin shkronjat latine”. Por nuk thotë në cilën mënyrë përdoreshin dhe prej sa kohe ishin në përdorim ato shkronja.

Gjurma e parë që haset mbi përdorimin e alfabetit latin në Shqipëri është e vitit 1462. Në këtë alfabet ka qenë shkruar e ashtuquajtura “Formulë e Pagëzimit”.

Mendohet se ky dorëshkrim shqip, me shkronja latine, është lënë prej dorës së Pal Ëngjëllit, kryepeshkopit të Ilirisë. Kryepeshkop Pal Ëngjëlli udhëzonte besnikët që t‘i pagëzonin vetë fëmijët e tyre, kur nuk kishin mundësi që t‘i shpinin nëpër kisha, duke përdorur shqip formulën që autori e shkruan kështu: “Unte‘ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit” (“Unë të pagëzoj në emër të Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë”.) Është dokumenti më i vjetër i gjuhës sonë, që dëshmon për përdorimin e alfabetit latin për shkrimin e shqipes. Këtë dokument e zbuloi historiani rumun, Nikola Jorga.

Burimi i dytë ku përdoret alfabeti latin në shkrimin e gjuhës shqipe është i vitit 1496 apo 1497. Ai ka qenë një fjalorth, në të cilin udhëtari Arnold von Harff, gjatë kalimit nëpër disa qytete bregdetare shqiptare, shënon numërorët themelorë nga njëshi deri në njëmijë; tetë fraza të ndryshme (përshëndetje, pyetje e zotime), si dhe njëzetegjashtë fjalë.

Me “Mesharin” (1555) e Gjon Buzukut shpaloset një fazë e re dhe më e gjerë e alfabetit shqip. Buzuku, edhe pse kryesisht përdori shkronjat e alfabetit latin, krijoi, përshtati apo huazoi edhe disa shenja a shkronja të një lloji tjetër, sepse shqipja ka më shumë tinguj e zëra se latinishtja.

Ndërtimi dhe cilësitë e veçanta të ABC-së të përdorura nga Buzuku janë trajtuar shkencërisht nga profesor Eqrem Çabej në transliterimin dhe transkriptimin e “Mesharit”.

Shkrimtari i dytë që përdori gjerësisht shkronjat e alfabetit latin në një vepër të plotë në gjuhën shqipe ka qenë Lekë Matrënga, që besohet se jetoi midis viteve 1560-1619. Ishte nga fshati Hora e Arbëreshëve, siç e quajnë arbëreshët, apo Piana dei Greçi, siç e quajnë italianët. Ndryshe nga Gjon Buzuku, Lekë Matrënga përdori vetëm shkronjat e alfabetit latino-italian.
Shkrimtarë të tjerë klerikë katolikë, si Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, e ndonjë tjetër, u përpoqën dhe e shkruan shqipen kryesisht me alfabetin latin, prandaj edhe alfabetet e tyre shëmbëllejnë ku më shumë e ku më pak më njëri-tjetrin.
Atdhetarët tanë të dijes dhe të kulturës i panë të papërshtatshme alfabetet e gjertanishme të ndërthurura me huazime të pjesshme nga alfabetet e gjuhëve të huaja, prandaj iu përveshën punës për ndërtimin e një ABC-je të veçantë të shqipes.

3.
“Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” e Stambollit Alfabetet e ndryshme për shkrimin e shqipes gjatë shekujve kanë qenë të shumta dhe të shumëllojshme. Ato u shtuan, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me programin politik e kulturor, u bë frymëzuesja e fuqishme për atdhetarët e ditur që të krijonin një alfabet shqip, të përshtatshëm dhe të lehtë për shqiptarët. Një vit e gjysmë pas themelimit të kësaj Lidhjeje, u ngrit në Stamboll “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”. Sipas një burimi të kohës përmenden si anëtarë të kësaj shoqërie Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto, Koto Nase Hoxhi; ndërsa një burim tjetër përmend edhe Zija dhe Ali Danishin nga Prishtina. Anastas Kulluriti shkruante:

“Vetëm me anën e shkronjave shqipe dhe të gjuhës amtare kanë për t‘u përhapur dritat e shkencës, kanë për të ndritur ditë të lumturisë dhe idetë e qytetërimit e të përparimit dhe në atdheun e shqiptarëve” . “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”, që njihet edhe si Komisioni i alfabetit, pranoi njëzëri alfabetin e Sami Frashërit. Rreth përkatësisë së shkronjave të kësaj ABC-je, burimet e ndryshme nuk janë të njëzëshme. Njëri prej tyre thotë se ai alfabet kishte 36 shkronja, ndër të cilat 26 ishin latine, 10 ishin të përbëra, të sendërzuara a të huajtura nga alfabeti grek, kurse një burim tjetër thotë se 25 prej shkronjave ishin latine, 6 sllave dhe 5 greke. Ky alfabet përbëhej pra nga 36 shkronja; nga këto 7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore.

Në gjysmën e dytë të vitit 1879, alfabeti i Samiut u përmblodh brenda një abetareje prej 136 faqesh, e cila u quajt “ALFABETARE E GJUHËS SHQIP”, që u botua në 20000 kopje dhe u shpërnda në gjithë Shqipërinë dhe në kolonitë shqiptare brenda dhe jashtë perandorisë osmane. Me Alfabetin e Samiut u botuan fletoret “Drita” e “Dituria”, librat e vëllezërve Frashëri dhe plot vepra e fletore të tjera. Kundër alfabetit së “Shoqërisë të të shtypurit të shkronjave shqip” u sulën në një front të përbashkët armiqësor që nga oborri osman, Patrikana e Fanarit dhe Papati i Romës, oborri carist rus, e deri te qeveritë frënge, greke, serbe, malazeze etj.

Nuk mbetën pas tyre as krerët e “Shoqërisë biblike britanike dhe për vendet e huaja”. Mirëpo përpjekjet e tyre dhe të gjithë armiqve të tjerë, dështuan. Shoqëria e shkronjave ishte shoqëria e parë kombëtare shqiptare në lëmin e penës shqiptare, “e para farë për një punë të tillë”, siç i shkruante Sotir Kolesë, Jani Vretoja.

4.
Shoqëritë “Bashkimi” (1899) dhe “Agimi” (1901) të Shkodrës Çështja e alfabetit, edhe pas shkatërrimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mbeti e gjallë. Përpjekjet vazhduan tek arbëreshët e Italisë dhe arianitasit në Greqi. Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX u dallua një shtim i vrullshëm i veprimeve për hartimin e një alfabeti me një bazë të gjerë kombëtare.
Kështu, më 1899, një grup atdhetarësh shkodranë, me Preng Doçin në krye, ngritën shoqërinë “Bashkimi” dhe krijuan një alfabet të posaçëm, të quajtur “Alfabeti i Bashkimit”. Ky alfabet u botua në librin “ABETARI”. Një grup tjetër shkodranësh të penës, me Ndre Mjedën në krye, në vitin 1901 krijoi shoqërinë “Agimi”; po në këtë vit Mjeda ndërtoi dhe përhapi një alfabet të ndryshëm nga ai i “Bashkimit”. Alfabeti në fjalë, sipas Justin Rrotës, u vu menjëherë në përdorim dhe zuri vend të parë.

5.
Kongresi i Manastirit (1908)
Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe u mbajt në Manastir më nëntor 1908. Ai kurorëzoi përpjekjet e shumë brezave atdhetarësh dhe njerëzve të penës. Thirrja e kongresit u prit me gëzim nga të gjithë, siç dëshmon Mihal Grameno në një reportazh të gjatë për këtë ngjarje historike: “Ah! Me sa gëzim dhe me sa padurim prisnim ditën e Kongresit të parë kombëtar, gëzimi dhe padurimi ishte në delegatët”. “Tubimi historik i Manastirit nuk ishte thjesht një mbledhje gjuhëtarësh, por një kongres kombëtar për çështjet më të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare”, shkruan Uran Butka. Në kongres morën pjesë 32 delegatë, që përfaqësonin 22 klube dhe shoqëri të ndryshme atdhetare e kulturore, brenda dhe jashtë vendit. Mihal Grameno përmend edhe Parashqevi Qirjazin, si e dërguara e shkollës së çupave të Korçës. Por Grameno shton se ishte e pranishme edhe Filomena A.

Bonati, mbesa e Pashko Vasës, e cila kishte shkuar me dëshirën e vet për të shoqëruar Parashqevi Qirjazin. Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh me vota të fshehta atdhetari i madh dhe erudit, Mit‘hat Frashëri, dhe si nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qirjazi. Mit‘hati atëherë ishte 28 vjeç dhe nuk kishte ardhur ende nga Selaniku kur u zgjodh në mungesë kryetar; u zgjodhën edhe tre shkrues: Hilë Mosi, Nyzet Vrioni e Thoma Avrami.

Ditën e tretë të punimeve të kongresit i cili vazhdoi deri më 22 nëntor, u zgjodh komisioni i alfabetit. Kryetar i Komisionit të Alfabetit u zgjodh poeti i shquar Gjergj Fishta; ndërsa anëtarë Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Bajo Topulli etj. Komisioni i Alfabetit u nda në 4 grupe dhe gjatë 3 ditëve rresht punuan veçmas, në mënyrë të pavarur. Grupet patën diskutime të ashpra për zgjedhjen e alfabetit të përbashkët. Debatet zgjatën aq sa u rrezikua edhe kompromisi. Por, me këmbënguljen e Mjedës, u arrit kompromisi historik.

Në procesverbalin e mbledhjes lexohet: “Te nesërmen nadje, para se të fillonim mbledhjen e komisionit, Dom Ndre Mjeda vajti te Mit‘hat Frashëri dhe i paraqiti këto dy alfabete. Zotnia, pas një diskutimi të shkurtër, mbeti i kënaqur dhe i tha t‘ia paraqiti vetë komisionit”. Mjeda ia paraqiti alternativat komisionit, ndërkohë që Luigj Gurakuqi zbuloi dërrasën e zezë ku ishte shkruar alfabeti.

Fishta shkoqiti se alfabeti i Stambollit është i mirë e mbi baza latine, por për të shtypurit e librave shqip ka vështirësi, ndaj duhet një alfabet thjesht latin.

6.
Përfundimet e arritura në Kongresin e Manastirit Më në fund u vendos të përdoreshin të dyja alfabetet paralelisht dhe pas dy vjetësh të mbahej një kongres tjetër në Janinë, i cili do të vendoste përfundimisht për alfabetin dhe ortografinë e gjuhës shqipe. Në fund, pas diskutimesh dhe polemikash të shumta, shkruan studiuesi Ibrahim D. Hoxha, grupet u mblodhën së bashku dhe vendosën të mbahej alfabeti i Shoqërisë së shkronjave “me nja dy ndryshime të vogla” dhe krahas saj një alfabet “krejt me germa latine, duke bashkuar dy shkronja për ata tinguj që kemi nevojë për gjuhën shqipe”.

Poshtë nënshkrimeve të anëtarëve të komisionit të posaçëm
shënohet: “Vendimin e Komisionit e pëlqyen të gjithë zotërinjtë delegatë, të cilët po e nënshkruajnë duke dhënë besën se kanë për ta mbajtur” (“Nëpër udhën e penës shqiptare”, 1984, f.2007).

“Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe” është ngjarja më e shënuar kombëtare në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. “Njësimi i alfabetit, shkruante Mithat Frashëri, është pema e parë e Kongresit. Por ka edhe një pemë tjatër, akoma më të madhe dhe më të bukur dhe kjo është bashkimi i shqiptarëve. Ish, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarët të ardhur nga veriu dhe jugu, nga lindja dhe nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë dhe toskë, të krishterë dhe muslimanë, hoxhë dhe priftër. Qoftë ky themeli i një bashkimi të përjetshëm të shqiptarëve”, përfundon Mithat Frashëri.