E përgatiti Prof. Zymer Mehani
Meqë asnjë nga alfabetet e gjuhëve të tjera nuk u përshtatej plotësisht fonemave shqipe, kjo bëri që t’i nxisë dijetarët e shkrimtarët tanë që të nisin përpjekjet për të hartuar alfabete origjinale. Më i hershmi deri tani, njihet alfabeti i Theodhor Haxhifilipit, ndryshe i Dhaskal Todrit.
Është Kongresi i Manastirit ai që krijoi alfabetin e gjuhës sonë me kritere shkencore në harmoni me tingujt e shqipes. Deri atëherë qarkullonin një mori alfabetesh. Buzuku, Budi e Bogdani, shkrimtarët tanë të hershëm, i shkruan librat e parë shqip me alfabetin e latinishtes, por me kombinime ose shenja diakritike që t’i afroheshin gjuhës së folur. Sot ata mund të lexohen vetëm me ndihmën e transkriptimeve, apo transliterimeve. Formula e Pagëzimit e Pal Engjëllit, dokumenti më i vjetër i gjuhës shqipe, i zbuluar deri më sot, gjendet i shkruar me shkronja latine.
Historiku i alfabeteve për shkrimin e shqipes është i pasur dhe i larmishëm. Më shpesh u përdorën germa latine, e cila qe gjuha e kulturës dhe e akteve administrative për një kohë relativisht të gjatë, por krahas tyre u përdorën edhe shkronjat greke, madje dhe arabe. Bejtexhinjtë i shkruan veprat e tyre me shkronja arabe, duke hasur vështirësi të ndryshme, mbasi alfabeti arab shkruan vetëm bashkëtingëlloret.
Në fund të shek. XVIII, Dhaskal Todhri krijoi një alfabet për nevojat e përkthimeve të ungjijve dhe për korrespodencën personale. Nuk qe fort i përdorshëm për shkak të njësive të shumta grafike, por gjithsesi qe krejt origjinal. Naum Panajot Haxhi Bredhi nga Vithkuqi, ose Naum Veqilharxhi, hartoi Abetaren e parë (1835) dhe krahas saj edhe alfabetin përkatës me 33 shkronja. Më pas e vazhdojnë tragën arbëreshët Gjergj Guxeta, Kamarda, Zef Serembja e De Rada. Ata problemin e tingujve shqip e zgjidhnin me kombinime dyshkronjëshe të alfabetit italian. Vaso Pasha, guvernatori i Libanit, veç poemit patetik të njohur “Shqypnisë,” hartoi edhe një alfabet për t’iu përgjigjur nevoja kulturore.
Vetëm 8 germa janë ndryshe nga alfabeti që kemi sot. Revista “Besa” e Kajros, (1904) përdori një alfabet, të afërt me alfabetin e tanishëm, ku ndryshojnë vetëm tre shkronja. Konica që botoi revistën “Albania” 1897, Bruksel, përdori alfabetin latin, me disa ndryshime për tingujt e shqipes. Revista “Albania” lexohet edhe sot pa vështirësi nga çdo njeri që di shqip.
Fundi i shek. XIX shënon zhvillimin e vrullshëm të alfabeteve. Në atë kohë qarkullonin disa alfabete, sikurse i Stambollit, që nga 1879, i Jezuitëve, i Shoqërisë Bashkimi dhe i Agimit, po në Shkodër. Përpjekje e projekte për një alfabet të veçantë që të shprehte saktësisht tingujt e gjuhës sonë, bëjnë edhe arbëreshët, arvanitasit, edhe shqiptarët e Zarës.
Kongresi i Manastirit qe finalja e një rruge të gjatë e të spërdredhur për miratimin e një alfabeti modern. Njëjësimi i alfabeteve qe bërë nevojë e ditës për hir të zhvillimit të kulturës dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare. Nisma erdhi nga gazeta “Kombi” e Manastirit dhe komisioni i ngritur për këtë qëllim u dërgoi ftesa gjithë personaliteteve që mendonte se ishin në gjendje të jepnin ndihmesë për çështjen në fjalë, kjo sigurisht ndikoi që Manastirit t’i takonte nderi të priste përfaqësuesit nga krahina të largëta dhe nga kolonitë shqiptare.
Autoritetet zyrtare më të larta të vendit, sikurse Valiu dhe Kajmekami, për fat të mirë ishin shqiptarë dhe ata morën pjesë në punimet, u takuan me delegatët e dhanë pritje për ta.
Shpallja e Kushtetutës, (Hyrietit) nga Turqit e Rinj në korrik të atij viti, i ndihmoi shqiptarët të sanksiononin të drejtat e tyre legjitime. Xhonturqit kishin nevojë për përkrahjen e shqiptarëve, prandaj në muajt e parë u treguan tolerues.
Punimet e Kongresit filluan më 1 nëntor dhe vazhduan deri më 9 nëntor me kalendarin e vjetër gregorian, të njohur si alla-turka, pra nga 14 deri më 22 nëntor. Qenë tetë ditë të gjata të ngjeshura me mbledhje e diskutime e po ashtu edhe tetë ditë feste për ngjarjen e madhe.
Para delegatëve shtrohej detyra të shqyrtonin tre alfabetet kryesore dhe prej tyre të hartohej alfabeti i ri. Rrugët qenë tre, pohon Gjerasim Qiriazi, nënkryetar i kongresit.
1) Nëse duhet të përshtatnin njërin nga tre alfabetet kryesore:
të “Stambollit” të “Bashkimit” dhe të “Agimit.”
2) Nëse duhet t’i kombinojnë të tria në një.
3) Nëse duhet t’i lënë mënjanë të tria dhe të adoptojnë një tjetër krejt të ri.
Diskutimet vazhduan gjatë për disa shkronja, me argumente pro e kundër. Së fundi u pa se qe e pamundur të shkriheshin në një dhe atëherë u vendos të mbahej alfabeti i Stambollit me disa ndryshime dhe krahas tij, të përdorej një tjetër me shkronja latine, si më praktik për shtypjen e librave dhe transmetimin e telegrameve me kodin Mors. Kjo zgjidhje kompromisi qe e domosdoshme që Kongresi të mos dështonte. U vendos të mbahej një kongres tjetër në Janinë pas dy vitesh për gjuhën e letërsinë e ndërkohë të shihej ecuria e alfabeteve të miratuar. Për shkak të Luftës Ballkanike, kongresi i paracaktuar në Janinë nuk u mbajt, po ndërkohë alfabeti latin u konfirmua gjerësisht, ndërsa ai i Stambollit u la mënjanë, u harrua.
Komisioni nuk e kopjoi në mënyrë mekanike alfabetin e Stambollit, po kreu disa thjeshtësime dhe pasurime përpara se t’ia paraqiste mbledhjes plenare të Kongresit. Luigj Gurakuqi qe ai që shpalosi para delegatëve germat e të dy alfabeteve te dërrasa e zezë që u vendos në krye të sallës.
Pranimi i dy alfabeteve, sado që qe një zgjidhje kompromisi, u bë që Kongresi të mos dështonte, prandaj dhe nuk ngjalli reagime.
Ndërkohë nuk mungonin as shembujt pararendës. Gjermanët, për shembull, prej kohësh përdorin dy alfabete, njërin latin e tjetrin gotik dhe askujt s’i shkon mendja të ankohet.
At Gjergj Fishta dhe Dom Ndre Mjeda, të dy shërbyes fetarë dhe dijetarë të shquar, mbajtën qëndrime të kundërta për sa i përket alfabetit. Shkaku qe se ata u përkisnin dy klubeve të ndryshme, At Gjergj Fishta qe i “Bashkimit” ndërsa Dom Ndre Mjeda i shoqërisë “Agimi”.
Prof. Shaban Demiri, autoritet në fushën gjuhësore, shkruan se Kongresi i Manastirit vlerësohet me të drejtë si ngjarje e rëndësishme në historinë e popullit tonë, sepse forcoi e çoi edhe më tej lëvizjen kombëtare. “Fryma e mirëkuptimit që karakterizoi delegatët e Kongresit pa dallim krahine dhe feje, dëshmon qartë se shqiptarët dinë t’i kapërcejnë dasitë dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët, kur ngrihen mbi pikëpamjet e ngushta vetjake. E ky është mesazhi më kuptimplotë që na ka përcjellë Kongresi i Manastirit”.