Leonora Laçi
Bindjet tona si shoqëri për integrimin në BE janë të karakterizuara nga një mosbesim i thellë, saqë vetë integrimi shihet si një thikë me dy presa. Ne preferojmë më përpara ikjen individuale drejt BE-se e pa Shqipërinë më vete, integrimin e vehtes, sesa të gjithë shoqërisë. Sikur duam t’i ikim njëri-tjetrit !!
Integrimi që kërkon Europa me standarte nuk na vjen dhe aq përshtatshëm, e integrimi që ne kerkojmë është të bëhet Europa si Shqipëria e jo Shqipëria si Europa, e kësaj i thonë kaos.
Të gjithë e kuptuam që fundqershori i zymtë për nga moti e reflektoi zymtësinë edhe mes europianëve, e përgjigjia rrjedhimisht do vinte e tillë; ekuivoke, pa ngjyrë, e akullt, diplomatike, e studiuar, jo e prerë, me gjysmë zëri, që lë hapësira për interpretime e keqinterpretime, që i “majti” në pushtet e mori si pozitive dhe i “djathti” në opozitë si negative.
Ca u gëzuan, ca u hidhëruan, disave nuk ia ndjeu, disave nuk u mbërriti as lajmi, si në çdo gjë tjetër edhe ky rast kaloi pa zhurmën e duhur, e në fakt pse duhet të kishte zhurmë më tepër ?!
Hapja apo mos hapja e procesit të integrimit nuk mundet të ketë asnjë impakt ndër ne sepse duam të dëgjojmë integrimin dhe jo hapjen e tij, jemi lodhur me pritjet disa vjeçare, politika jonë na ka lodhur dhe s’kemi më kohë për të humbur.
Në fakt, ne nuk patëm nevojë të prisnim qershorin, as këtë, as tjetrin pas tij, sepse të gjithë e ndjejmë se integrimi ynë drejt Bashkimit Europian, si vend, është shumë larg.
Europa vazhdoi avazin e shtyerjes dhe mirë bëri, se hyrja jonë në BE do ishte ulje e standarteve të saj dhe dështim i bashkësisë së shteteve që aderojnë në të.
Por të jemi të sinqertë askush nuk besojë se do ndodhte ndryshe, ashtu siç vazhdojmë me skepticizëm për Vettingun, për peshqit, për luftën kundër korrupsionit etj.
Ne i njohim qeveritarët tanë dhe e dimë që serioziteti i tyre për gjëra të tilla nuk duhet marrë seriozisht, ashtu siç e dimë që askush nuk është i gatshëm të dënojë vetën, por, përkundrazi sa më larg ta kërkojnë fajtorin.
Çdo vitë europianët thonë të njejtën gjë :-”Shqipëria ka bërë përpjekje, Shqipëria po përpiqet për plotësimin e kushteve, Shqipëria ka vullnetin për t’i realizuar kushtet për integrim, Shqipëria ka bërë progres… “
Duket sikur duan të na heqin qafe me fjalë të zgjedhura, por për këtë herë, do të dëshiroja të ishin më të sinqertë dhe jo hipokritë me vehtën dhe me ne.
Përpjekjet e Shqipërisë janë qesharake, janë aq të ngadalta sa vetë përpjekja.
Konkretisht në takimin e datës 26 qershor 2018, Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi që për Shqipërinë dhe Maqedoninë vendimi për hapjen e negociatave të merret në qershor të 2019, me kushtin që këto vende të vazhdojnë të plotësojnë kriteret e vendosura nga BE, sidomos sa i përket forcimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër krimit të organizuar. Këto hapa do të vlerësohen fillimisht nga një raport i Komisionit Europian dhe nëse progresi është i kënaqshëm do i hapet rruga negociatave.
Ndërkohë që shumica e vendeve të BE-së ishin pro hapjes së negociatave, vendet kundër hapjes së tyre menjëherë sipas Politico.eu ishin: Holanda, Danimarka dhe Franca.
Teksti i finalizuar pas takimit nxjerrë këto pika për Shqipërinë:*
1. Këshilli mirëpret progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë mbi 5 prioritetet: reforma e administratës publike, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
2. Këshilli mirëpret përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e nxit të vazhdojë me rezultate të prekshme luftën kundër trafikimit të drogave dhe kultivimit të tyre.
3. Këshilli nënvizon që Shqipëria duhet të përforcojë përpjekjet për të pasur rezultate të matshme mbi luftën kundër zyrtarëve të lartë të korruptuar.
4. Duhen masa legjislative dhe politikat e duhura për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat anti-diskriminuese, sidomos sa i përket minoriteteve. Kërkohet nga Këshilli gjithashtu një zbatim eficient i së drejtës së pronës.
5. Këshilli kërkon forcimin e bashkëpunimit mes aktorëve politikë të të gjitha kaheve, të qeverisë dhe opozitës për reformat e lidhura me perspektivën europiane të vendit.
6. Këshilli kërkon që Shqipëria të shtojë reformat dhe ritmin e tyre për rritjen e konkurrueshmërisë dhe luftën ndaj ekonomisë informale, duke mundësuar një mjedisi të përshtatshëm për biznesin, konsolidimin fiskal dhe mirë-administrimin e taksave. Çështje për tu ndjekur edhe dhe problemi i menaxhimit të mbetjeve.
7. Këshilli përgëzon vazhdimësinë e politikës së jashtme të Shqipërisë që është në përputhje të plotë më Politikën e Jashtme dhe Sigurisë Europiane, dhe angazhimin e vendit për të luftuar terrorizmin dhe dhunën ekstreme.
8. Këshilli mirëpret rolin e vazhdueshëm konstruktiv dhe bashkëpunues të Shqipërisë në rajon dhe rritjen e dialogut me fqinjët në lidhje më çështjet dypalëshe.
9. Këshilli vlerëson pozitivisht dhe përpjekjet e Shqipërisë për të ulur numrin e aplikimeve të pajustifikuara për azil të qytetarëve shqiptarë drejt BE-së.
10. Këshilli i përgjigjet pozitivisht të gjithë progresit të Shqipërisë duke hapur rrugën për hapjen e negociatave në 2019, me kushtin që të vazhdojë përpjekjet dhe rezultatet e prekshme të 5 prioriteteve, me fokus kryesor Reformën në Drejtësi. Këshilli i kërkon Komisionit Europian të monitoroj më kujdes progresin e Shqipërisë, pasi do ta vlerësoj këtë progres bazuar të raporti vjetor i Komisionit për vendin në 2019 (* ky material është marrë nga EMA- European Movement Albania).
Mbështetur në këto pika bie në sy përseritja e herë pas hershme e termit “përpjekje”.
Përpjekja nuk është domosdoshmërisht realizim i kushteve që BE kërkon për integrim, përpjekja nuk është fitore siç do të donim të ishte, pasi fitorja nuk është tentativë për të bërë diçka por realizim i nje objektivi, në këtë rast dhënia e “dritës jeshile“ do të ishte një hap drejt fitores, një përpjekje e BE për të na dhënë një dorë.
Por a perpiqemi vërtetë ?!
Të gjithë e dimë se përpjekjet tona janë veç për tu dukur, siç çdo gjë tjetër.
Shqiptarët vazhdojnë e përpiqen, por përpjekja nuk ka një rezultat domosdoshmerisht më të mirin, thjesht ka një rezultat.
Ne bëjmë përpjekje për Vettingun, Vetting-si hajduti që thotë kapeni hajdutin për të humbur gjurmet nga vetja. Vettingu ra ne heshtje, iu mbyll goja.
Përpjekja për luftën kundër drogës, nga një Lazarat, u krijuan shumë të tilla.
Bëjmë përpjekje për një Shqipëri më të mirë por nuk e bëjmë Shqipërinë më mirë. Përpjekje për të pranueshmen dhe kjo nuk është më e mira e mundshme.
Integrimi do vazhdojë të jetë larg deri sa ne të kuptojmë që integrimi nuk është një dhuratë që Europa do na e falka, e nuk bëhet brenda ditës as për një vit, as për një dekad. Integrimi ynë duhet të bëhet brenda nesh, me bërjen e një Shqipëri model për tu ndjekur e jo model për t’i ikur, ta bëjmë Shqipërinë Europiane dhe një vend që hyrja në Bashkimin Europian të mos jetë një luks për ne, por për ata.
E deri atëherë Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët.