SHINASI RAMA – BletaShqiptare.org, 1 nëntor 2017
Marrëzia është një gjendje në të cilën një individ nuk është në gjendje të dallojë realen nga imagjinarja, dhe kështu vepron në bazë të shtysave të momentit duke u kthyer në rrezik për veten por edhe për të tjerët. Gjendja e marrëzisë kolektive megjithatë është një fenomen specifik për kopetë kur ndiqen nga predatorët. Ama, rastis që edhe popuj të tërë kapllohen nga ajo gjendje marrëzie kolektive kur shoqëria e humb drejtimin e duhur dhe sistematikisht bën të kundërtën e asaj që duhet. Në këto kushte shumica e njerëzve, edhe ata që sillen racionalisht në kushtet ku gjenden, bëhen pjesë e një shoqërie e cila në përfundim iu nënshtrohet të marrëve të veshur me pushtet.
Dy janë zgjidhjet që i shkundin shoqëritë e kappluara nga sëmundja e marrëzisë kolektive. Një vendosja e një sundimi të dhunshëm nga një forcë, zakonisht e huaj, që imponon normalitetin e sjelljes. E dyta, është forca e natyrës. Njerëzit I detyron të bëjnë atë që duan, por natyra ka ligjet e veta dhe herët a vonë, marrëzia në lidhje me sjelljen ndaj natyrës do të ndëshkohet. Si thotë populli ynë i mencur dhe praktik, ose më mirë nga ato paraardhësit që ishin të mencur dhe praktike, “ndëshkimi i Zotit të vjen nga se pret.”
Në shtetin e marrëzisë kolektive ka ardhur ndëshkimi i paevitueshëm i marrëzive, poshtërsive, krimeve, lakmisë dhe vanitetit në formën e shiut dhe të përmbytjeve. Lë ti marrim me radhë disa nga këto procese dhe të shohim se si duke u sjellë racionalisht përfundimi ka qënë një marrëzi e jashtëzakonshme dhe në dukje pa asnjë shërim.
Së pari, njerëzit kanë bërë atë që kanë dashur. Kanë ndërtuar në tokën e bukës, në liqen, në kënetë, në det, në rërë, e me radhë. Mirëpo toka që të bëhet pjellore për tu mbjellë duhet të përmbytet, paksa… cdo vit. Popujt normalë ndërtojnë në kodra e male, me leje dhe me ngushticë të pranuar. Në atë shtet është ndërtuar ku ka pasur vend, duke injoruar cdo përvojë, cdo dijeni, cdo pritshmëri, cdo normë sjelljeje publike. Gjej tokë e ndërto shtëpi, dyqane, kafene, fabrika. Gjen vila milionerësh me mermer e me energji diellore në breg të lumit, të përroit, në mes të kënetës, buzë detit, tek grykëderdhja e lumit që vjen I tërbuar … por vetëm dy herë në vit. Dhe kjo është një sjellje që e gjen që nga Lungomarja e Vlorës deri në kënetën e Maliqit, që nga Saranda, në Vjosë, e deri në Zadrimë e në Luginën e Drinit.
Së dyti, lakmia e zyrtarëve. Për një grusht para, për korrupsion, për lidhje miqësore, si favore, dhe si përfitime të paligjshme janë dhënë leje ndërtimi, bllokimi, shkatërrimi, hidrocentralesh, kanalesh, mbikalimesh, rrugësh, urash e me radhë. Lakmia kafshërore e këtyre njerëzve që për një grusht para I kanë lënë njerëzit të cmenden, kur një nga detyrat kryesore të pushtetarit është të mbajë popullin nën frenin e normalitetit, ka qënë e pamatë.
Është dhënë e marrë më shumë rrushfet se sa ka qënë buxheti i shtetit në një vit të dhënë vetëm për leje ndërtimi. Një shtet i cmendur ku ka tre milionë banorë e tre milionë ndërtime… që janë gjithkund, ku ia ka marrë mendja, si ia ka marrë mendja, dhe lakmia dhe poshtërsia e zyrtarëve ka qënë e jashtëzakonshme. Hipoteka të vjedhura, toka të përvetësuara, ndërtime allasoj, prona të stërpronesuara me nga shtatë pronarë, hidh tulla e llac, ndërto pishina në liqen, kalceto në breg të lumit, kafene në breg të detit e kështu me radhë… merr zyrtari, kryebashkiaku 20%, në disa raste edhe 40% dhe kjo ishte puna më e preferuar, edhe se e doganierit. Vazhdon të jetë ende.
Së treti, politikanët e Tiranës që duhet të ishin përgjegjës për gjendjen e shtetit kanë dhënë koncesione shkatërrimtare, kanë ndërtuar rrugë nga shtatë herë, kanë ngritur ura, tunele, mbikalime e nënkalime, kanë mbjellur palma e pisha ku nuk I hynë në punë njeriu, kanë ndërtuar unaza dhe tubacione shkarkimi jofunksionale, kanë dhënë leje ndërtimi ku tam err mendja, kanë ndërhyrë në menaxhimin e zonave ujëmbajtëse dhe të ujit të pijshëm, të gjitha të vjedhura nga shtatë herë, ndoshta edhe nga dhjetë herë. Shumat e vjedhura janë marramendëse. Diku flitet për 200 milionë euro, diku për 20 %, diku tjetër për një rrugë që duhej të kishte katër kalime e tani ka vetëm dy, një urë që duhej të ishte katër metra dhe tashti është vetëm 280 centimetra e me radhë.
Së katërti, kjo ka qënë një vjedhje massive, kolektive, e mirëorganizuar në bashkëpunim në mes të politikanëve dhe të ashtuquajturve sipërmarrës, ndërtues e me radhë. Që të gjithë u sprovuan të ishin hajna të stërkualifikuar që kanë pasur ndërmend vetëm se sit ë vjedhin sa më shumë e sa më shpejt dhe të ikin në punën e vet. Që të gjithë kanë qënë të lumtur në se I kanë marrë gjysmën e parave se pjesën tjetër e merrte ose partia ose politikani ndërmjetës.
Së pesti, hipokrizia e atyre që dinë, që kuptojnë, që duhet të japin mend e nuk flasin dhe që mbijetojnë duke shitur mendjen që nuk e kanë në një vend ku mendja nuk I hyn në punë njeriu. Të ashtuquajturit intelektualë që na mbytën me shëtitjet e tyre tek Panairi I librit të një shoqërie të cmendur. Inxhinierë që lexojnë volume poezi dashurie të femrave të stërlodhura tash sa vite rropatje në shërbim të lumturisë së shumicës, tregime, novella, dhe romane gjysmakësh që mendojnë se gjysma është më shumë se e tëra, monografi mesuesish fshati që shkruajnë për familjet e tyre sikur të ishin princër, studjues që shkruajnë për gjithcka por vetëm për fushën e tyre jo.
Këtu hyjnë mediat e stërblera dhe të skaravatuara brinjë më brinjë që flasin jo vetëm kur I paguan por edhe kur iu fut një shqelm se ashtu gjejnë kënaqësi. Deri dje të gjithë këta silleshin sikur cdo gjë ishte në rregull, nuk kishte probleme. Disa universitete që nuk kanë as kualifikimet për banjo publike bëjnë seminare për të mirat e liberalizmit, dhe të tjerë japin leksione për Platonin. Dhe më e bukura është se vetëm dje dëgjoja në Kuvend se si flisnin politikanët e cmendur, të një shteti të sëmurë, me njerëz në gjendjen e marrëzisë kolektive për arritjet e tyre.
Shkurt, kjo është marrëzia kolektive. Të gjithë bashkë bëjnë secili atë që duan vetë, bëjnë atë që mendojnë se po ia zgjidhin problemin vetes dhe në fund ia fusin po vetes dhe të gjithëve. Tani ka ardhur shiu, ndëshkimi i madh i Zotit. Përmbytje gjithkah. E gjithë kjo përmbytje që po i shpërlan qytetkatundet nga zgjeba e pisllëkut dhe e mbetjeve është ndëshkimi i Zotit për marrëzinë që keni bërë tash 27 vite.
Mirëpo kjo është edhe ana argëtuese e marrëzisë. Gjithkund tjetër do të kishte një reagim, një përpjekje për të ndryshuar, për të bërë dicka ndryshe sepse kështu nuk ecet. Por jo! Cmenduria kolektive është e një niveli të tillë që të gjithë pop resin… të vijë pranvera!!!! Do të kalojë edhe dimri!!! Për një shtet me marrëzi kolektive, të mësuar të jetojë më bukë e djathë e të flejë në shtëpi të mbuluara me teneqe e llmamarina ajo që ka rëndësi është së të marrët janë pronarë!!!
Shkurt, pritet se do të bëni të kundërtën e asaj që duhet: Fundi është se do të thaheni e do të nisni nga fillimi pranverën tjetër. Kujtesën e keni të shkurtër dhe nuk doni të bëni atë që duhet. Dhe kështu do të vazhdoni. Nën udhëheqjen e politikanëve që marrin ilace se janë të marrë, më biznesmenë që duan vetëm paranë dhe për para shesin edhe nënën e vet, me zyrtarë që nuk iu rruhet për asgjë por vetëm për lekun, dhe me një popull që edhe kur ia thonë s cila është e mira e tij, prapë kujton se po e mashtrojnë dhe bën atë që nuk duhet. Kjo është edhe gjendja e marrëzisë kolektive sepse as nga ndëshkimi I Zotit nuk po nxjerrim mësim. Marrëzia nuk ka brirë.