PËRMBLEDHJE QË SJELL GËZIM E BUZËQESHJE TE FËMIJËT

0
564
Nuhi Potoku - Këngë zogjsh

Botime të reja

LIBRI “KËNGË ZOGJSH” I AUTORIT, NUHI POTOKU

Zymer Mehani

Poeti i talentuar, Nuhi Potoku, këtyre ditëve për lexuesit e vegjël nxori nga shtypi vëllimin poetik “Këngë zogjsh”. Kjo përmbledhje e këtij autori të dëshmuar fëmijëve përmes vargjeve ua ka sjellë gëzimin dhe buzëqeshjen, por edhe gjithçka që është e mirë dhe e dëlirë, ashtu siç janë të pastra edhe zemrat e fëmijëve, si ngrohtësinë prindore, ledhatimet e gjyshit dhe përrallat e gjyshes, lojërat e vogëlushëve, ëndrrat dhe dëshirat e çupave dhe të çunave, tiparet e bukura të stinëve të vitit, atmosferën e gjallë të jetës shkollore, shembujt e heroizmit të trimave luftëtarë, jetën e shtazëve dhe të bimëve etj… etj.

Posa më ranë në dorë poezitë e autorit Potoku, m’u dha rasti për t’i shënuar disa meditacione në lidhje me poezinë e tij, për atë që shpreh dhe përmban ajo si fuqi artistike, njohëse, argëtuese, por mbi të gjitha edhe edukative e arsimore.

Mendojmë se kjo përmbledhje me vjersha për fëmijë, e shkruar nga një poet talent, siç është Nuhi Potoku, vërtet na bind se ekzistuaka mundësia dhe qenka e mundur që për botën e bukur fëmijërore në të cilën dhe me të cilën jeton dhe punon vetë autori (pasi që është mësimdhënës), atë botë të mrekullueshme ta paraqesë dhe ravijëzojë edhe nëpërmjet imagjinatës së zhvilluar dhe të fjalës së bukur artistike me shije e stil.

Shumë lexues të vegjël, pre jtyre edhe nxënës të autorit Nuhi Potoku, nga vëllimi poetik “Këngë zogjsh” presin argëtim, edukim dhe hare, e sidomos e presin atë që është e natyrshme, tërheqëse dhe e pranueshme për fëmijët, atë që poetët e rritur ua kanë borxh fëmijëve- vargjet me karakter edukativ, argëtues dhe njohës. E të gjitha këto i ka arritur me vargjet e veta autori penartë Nuhi Potoku.

Poeti i talenturar, Nuhi Potoku në vargjet e këtij vëllimi ka arritur të pasqyrojë tablot e jetës fëmijërore me tërë laryshitë, peripecitë, dëshirat, krajatat dhe andrallat e shumta me fjalë të zgjedhura dhe të kuptueshme për vogëlushët.

Autori Potoku dëshiron që me fjalë e vargje fëmijët t’i nxisë për mësim dhe t’u tregojë për gëzimin që ua sjell ai në jetë. Dhe mu ky është qëllimi kryesor që autori ia ka parashtruar vetes, pra, fëmijët të edukohen për mësim dhe punë, ngase këto janë burime të mirëqenies së tyre dhe hapa të sigurt që dërgojnë drejt ardhmërisë së tyre të lumtur.

Meqë përmbledhja “Këngë zogjsh” është e dedikuar për moshat më të reja- për fëmijët, s’do mend se gjuha e përdorur në këtë vëllim është e thjeshtë, e kulluar dhe e kuptueshme për fëmijët. Pra, edhe fjalori është i kapshëm për fëmijët. Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me moshën fëmijërore.

Motivet e trajtuara në poezitë e autorit Nuhi Potoku janë jeta dhe marrëdhëniet në familje, dashuria prindore, respekti ndaj gjyshit e gjyshes, jeta shkollore, dashuria dhe admirimi për mësuesen, gjuha shqipe, heronjtë e kombit, natyra e vendlindjes etj.

Metri dhe rimimi i vargjeve janë të ndryshëm dhe tejet karakteristikë me melodicitetin e këndshëm. Po ashtu edhe figuracioni i fjalëve është i mjaftueshëm. Më tepër hasim krahasime, metafora, hiperbola, e sidomos alegorinë (te poezitë për kafshët dhe bimët).