Zymer Mehani
1.
Libri ‘’Besa e Besimit” (kushtuar dëshmorit, Besim Berisha) është shkruar me ndjenja të fuqishme duke i ofruar lexuesit trazimin e pastaj edhe qetësinë shpirtërore.
Emri i Besim Berishës lidhet ngushtë me liribërjen, çlirimin dhe pavarësinë e vendit tonë, me qëllimin e vetëm, për të jetuar të lirë në vendin e tyre brezat që do të lindin.
Besimi me shokët e tij, u ekzekutuan nga dora gjakatare serbosllave, por jo, ata kurrë nuk u nënshtruan. Pra, ata u vranë, në radhë të parë pse ishin shqiptarë, si dhe për shkakun se gjithmonë e kishin ngritur zërin për padrejtësitë e mëdha historike që po i bëheshin popullit tonë me vite dhe dekada nga regjimet antishqiptare.
Ndërgjegja e Besimit dhe e shokëve të tij nuk lejonte që të pranohej nëpërkëmbja e të drejtave të popullit të tyre.
Lavdi përjetësisht jetës së Besim Berishës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë, anekënd trojeve shqiptare! Le t’i përkujtojmë me krenari përjetësisht!…
2.
Besim Berisha u lind më datën 20.8.1976, në fshatin Sharban të Malësisë së Gallapit. Familja e tij është me tradita të lashta patriotike. Babai, Ragipi dhe nëna, Adilja me shumë mund e kishin rritur djalin, bashkë me fëmijët e tjerë, në kushte tejet të vështira ekonomike dhe politike, ashtu siç po rriteshin edhe të gjithë fëmijët tjerë shqiptarë, si qytetarë të rendit të dytë nga padrejtësitë shoqërore dhe njerëzore, që ushtroheshin ndaj nesh nga regjimi gjakatar serbo-jugosllav.
3.
E autori N. M në portalin e Radios KOSOVA E LIRË për Besim Berishën do të thotë:
“Prindërit e tij, Ragipi e Adilja, Besimin e kishin fëmijën e parë, prandaj për ta ai kishte qenë edhe frymëzimi jetësor për të ngritur një familje të madhe, të shëndoshë e të mëkëmbur ekonomikisht. Pas tij atyre u lindën edhe gjashtë fëmijë të tjerë: Blerimi, Bukuria, Sahadetja, Hasimi, Valentina dhe Burimi. Ndonëse në ambient malësie, ku gurgullima e gurrave dhe cicërrima e zogjve përbëjnë të vetmen ritmikë të pandërprerë të jetës natyrale, kjo çerdhe familjare bujqësore e blegtorale kishte arritur të krijonte kushte solide jetese, në të cilat djemtë dhe vajzat e Ragipit e të Adiles po rriteshin të shëndetshëm e me edukatë.
Në kohën kur pushtuesi serb zbatoi politikën e apart’heidit racist dhe kur shqiptarëve në Kosovë iu ngushtuan mundësitë për mbijetesë ekonomike, madje edhe biologjike, babai i dëshmorit Besim Berisha, më 1990 emigroi në Austri, ku punoi për ta siguruar ekonomikisht familjen e tij të ngushtë në Sharban. Herë pas herë ai po vinte në vendlindje për të parë anëtarët e familjes e për t’u çmallur me fëmijët e tij. Në atë kohë, ai e kishte lënë Besimin në klasat e shkollës fillore të Sharbanit. Pastaj, Besimi kishte regjistruar dhe kishte përfunduar shkollimin e mesëm në degën e gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës, paralelja në Besi. Tani ishte koha kur shqiptarët ishin të privuar nga e drejta të shkolloheshin në gjuhën e tyre dhe në institucionet publike, prandaj Besimi nuk vijoi shkollimin e mëtejmë, por iu përkushtua punëve në bujqësinë dhe blegtorinë familjare.
Besimi i ri, në vitet ’90 të shekullit 20 po vërente qartë mungesën e perspektivës për popullin e vet dhe rininë shqiptare, prandaj e kishte ndarë mendjen të mos vazhdonte studimet, i bindur se gjendja e cila mbretëronte nuk do të mund të zgjaste pafundësisht dhe se rrethana të reja do të vinin patjetër një ditë. Ai, edhe pse i ri në moshë, kishte provuar hapat e parë të luftimit të armikut, bashkë me të rinj të tjerë nga fshati i tij dhe ato përreth, në protestat e fillimvitit të 1990-tës, te Kulina, në Lupç të Poshtëm, kur kishte rënë Elfete Humolli.
Po ashtu ishte në dijeni të faktit se edhe familja e tij ishte në sy të armikut serb, prandaj i ati ishte arrestuar ne kufirin Serbi-Hungari, derisa ai po vinte në Kosovë, nga Austria. Ishte koha kur ishte ringjallur aksioni për kërkimin e armëve nga shqiptarët, prandaj atij i ishte bastisur shtëpia dhe i ishte marrë një pushkë M-48 dhe i ishte shqiptuar dënimi me 3 vjet burg, të cilin e kishte mbajtur në vitin 1998, kur tashmë kishte filluar lufta e armatosur çlirimtare në Kosovë.
Shtëpia e familjes Berisha ishte bastisur e trazuar edhe në vitin 1981, pas demonstratave të zhvilluara në Besi, afër Prishtinës dhe aksionit të demonstruesve kundër kolonës së policisë speciale jugosllave, me ç‘rast ishte çarmatosur kjo polici. Në këtë aksion kishte marrë pjesë edhe xhaxhai i Besimit, Shaipi.
Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Beteja në Prekaz e fillimmarsit të vitit 1998 dhe flijimi heroik i Komandantit Adem Jashari, e frymëzuan Besim Berishën për të gjetur shteg për t’iu bërë krah UÇK-së. Që nga ajo kohë, shpirti i tij i trazuar nuk mund të qetësohej dhe pas formimit të njësiteve të para të UÇK-së në zonën e Llapit e të Shalës, në Qershor 1998, ai ishte i gatshëm të mobilizohej e t’u bashkohej luftëtarëve në vijat e frontit. Prandaj, edhe ky çast erdhi, kur lufta dhe organizimi i UÇK-së u shtri
edhe në fshatrat e Gollakut që kishin komunikim të drejtpërdrejtë me fshatrat e zonës së Llapit.
Kësisoj, Besimi ishte ndër të parët pjesëtarë që iu bashkua njësitit të UÇK-së, i formuar në Sharban. Ai u angazhuar në UÇK, në tetor 1998, përmes luftëtarit Bedri Gubetini, bashkë me të cilin, por edhe me Muhamet Gubetinin, Ejup Maqedoncin etj., ishte pjesë e njësitit “Buna 26” të Brigadës 153 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila operoi në frontin tërthor që nga Zllasha e deri në Sharban e Rimanishtë, madje duke përfshirë edhe një pjesë të brendisë së qytetit të Prishtinës dhe e cila u komandua nga eprori i talentuar dhe me përvojë, Adem Shehu.
Njëkohësisht, Besimi edhe shtëpinë familjare e kishte vënë në dispozicion të luftës çlirimtare, duke e shndërruar bazë të UÇK-së dhe në strehë të popullatës së shpërngulur nga fshatrat e rrezikuara nga zjarri i armikut. Në këtë shtëpi, sikurse edhe në tërë fshatin Sharban, gjatë dimrit të viteve 1998-1999 dhe pranverës së 1999-tës, ishte vendosur një numër i madh i popullatës së shpërngulur nga vatrat e veta, e cila qëndroi aty deri pas fillimit të fushatës së bombardimeve nga NATO-ja dhe kur trupat e shfrenuara serbe filluan ta zbatojnë planin ushtarak të kreut të shtetit, “Patkoi”.
Më 18 Prill të vitit 1999, pushtuesi serb ndërmori ofensivë të gjerë në të gjitha zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në të gjitha frontet e luftimeve, pa përjashtuar vendbanimet me popullsi civile. Ai shfrytëzoi edhe kushtet klimatike me shi e mjegull, kur nuk mund të zhvillohej as fushata bombarduese nga NATO, për të dëmtuar UÇK-në dhe për të masakruar e deportuar popullsinë shqiptare nga trojet e veta.
Kjo fushatë vazhdoi edhe më 19 Prill, kur popullata e strehuar në Sharban dhe ajo e fshatrave të tjera përreth u detyrua të largohet në drejtim të Prishtinës, duke u dyndur në fshatrat Grashticë e Makovc, ku u bë masakër e tmerrshme mbi popullatën civile. Atë ditë, nga shtëpia e vet u larguan edhe familjarët e Besimit, nëna, motrat e vëllezërit, kurse ai qëndroi në fshat, i ngarkuar me detyra të caktuara.
Ndërkohë, i vëllai, Blerimi, i cili po ashtu ishte i angazhuar në detyra logjistike, i kishte shoqëruar familjarët deri në Prishtinë. Atë ditë, në afërsi të lagjes së Brajshorëve, Besim Berisha kishte rënë në pritën e trupave serbe, me ç‘rast u përjetësua në altarin e lirisë. Trupin e tij e kishin varrosur bashkëluftëtarët në vendin e rënies, më 20 Prill 1999. Ndërsa disa ditë më vonë, pas tërheqjes së trupave pushtuese serbe nga fshati, u bë rivarrimi i tij në Sharban. Në vjeshtën e vitit 1999, pas çlirimit të Kosovës, eshtrat e dëshmorit Besim Berisha u sollën në Varrezat e Dëshmorëve në Kodrën e Diellit në Prishtinë, ku sot prehen të qetë nën flakërimin e rrezeve të arta mëngjesore të diellit.
Besimi ishte i martuar me Fatmire Krasniqin nga Makovci. Lavdia e tij shkëlqen në përmendoren e ngritur në fshatin ku ishte lindur dhe ku u përjetësua, në Sharban”.
Zymer Mehani, Podujevë, më 17 janar 2021