ARIF EJUPI
Ditë më parë Fondi për Letërsi, Art e Kulturë “Brezi 81”, ka botuar librin në vargje “Fusha e heshtjes” të autorit Avni Azizi.
Ky libër me rreth 96 poezi gjatë këtij vikendi është prezantuar para lexuesit tonë në mërgim, në dy qendra të njohura të artit dhe të kulturës, siç janë Cyrihu dhe Gjeneva.
Sidomos interesim të madh për këtë përmbledhje poezish ka pasur në Gjenevë. Mbase kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e përqendrimit të mbi 15mijë mërgimtarëve shqiptarë në këtë Republikë dhe kanton të Zvicrës.
Një ambient i përshtatshëm pune në sallën festive “Mahatma Ganthi” në Plainpalais të Gjenevës, ka mundësuar që për tri orë rresht poetë e studiues të fushës së letërsisë të japin vlerësime, dhe vërejtje nga më të ndryshmet mbi librin ”Fusha e heshtjes” të autorit Azizi.
Fragmente nga jetëshkrimi i poetit dhe eseistit Avni Azizi, ka shkëputur Nerxhivane Sejdiu Ferati, moderatore e këtij organizimi të mirëfilltë letrar.
Ajo, tha se Avniu, si pjesëtar i Lëvizjeve ilegale për çlirimin e Kosovës, spikati me aftësitë e tij të jashtëzakonshme në organizimin e celulave në treshe.
Në të njëjtën kohë udhëhoqi dhe redaktoi revistën “Çlirimi” organ i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, e cila me gjithë rrezikun e vazhdueshëm për jetën editohej në Prishtinë.
Po ashtu punoi me përkushtim edhe në gazeta e revista të tjera të kohës si: ”24 Orë” etj.
Deri me tani Azizi ka botuar librat ”Buzëqeshjet e thyera” dhe “Fonemat e ribërjes”.
Në fund të viteve të 90-ta së bashku me shumë shokë të ilegales Avniu u inkuadrua në radhët e UÇK-së, së cilës i ngeli besnik deri në çlirimin definitiv të Kosovës.
Ai,nga kjo periudhë ka mbajtur edhe ditar, të cilën pret që ta nxjerrë në dritë në formë kujtimesh në një të ardhme të afërt.
Jetëshkrimi i Azizit u plotësua edhe me disa të dhëna të tjera deri tash të panjohura për opinionin.
Shoku i fëmijërisë dhe i idealit të përbashkët Ekrem Qerimi, tha: “Me Avniun më ka lidhur gjithçka, e veçanërisht jeta në ilegalitet.
Ai, Avniun e përshkroi si një fëmijë të zgjuar e të dashur, duke thënë që i tillë mbeti edhe kur u burrërua.
Gjithnjë modestë e solidar, ai vazhdimisht përkrahu shtresën e të shtypurve, që mjerisht në Kosovën e robëruar ishte pjesë shumicë.
Me shpirtin e tij të njohur prej luftëtari të paepur Avniu u mundua të fusë frymën atdhetare në çdo familje shqiptare. Ne shokët e ilegales e njohëm me emrin konspirativ si Korabi, i përpjekjeve të pandërprera për ribërjen e Shqipërisë së plotë.
Pozitë e tij ishin thirrje për kryengritje ndaj atyre që nëpër shekuj na diskriminuan dhe na ç’veshën, edhe nga e drejta për të jetuar.
Qerimi vargjet e Azizit i konsideron si vargje me porosi të qartë. Ai thotë nëpërmjet këtyre vargjeve mësohet respekti për gjakun dhe sakrificën, e të gjitha atyre që ranë në mbrojtje të atdheut.
Ndërkaq, redaktorja dhe poetja e shumë librave dhe studimeve Violeta Allmuça, në pamundësi për të qenë edhe fizikisht në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore të pranishmit me vlerat e librit në shqyrtim i ka njohur nëpërmjet një punimi të përmbledhur kritik.
Ky punim para pjesëmarrësve është lexuar me shumë seriozitet dhe qartësi nga veprimtari dhe dashamirësi i fjalës së shkruar artistike Irfan Musmurati.
Allmuça me librin e saj “Vallëzimi i frymës” të botuar fillimisht në anglisht, pastaj dhe në shqip ka mbërritur majat e suksesit. Ajo, arritje të lakmueshme ka shënuar edhe në fushën e kritikës letrare.
Duke vështruar me vëmendje çdo fjalë e varg, në cilësinë e redaktores së librit “Fusha e heshtjes” Azizin e vlerëson si një krijues të rrallë, që shkruan vetëm në të tashmen.
Allmuça vije në përfundim që Azizi, me fjalën e tij të peshuar mirë,dhe stilin e tij plotësisht të veçantë do të mbetet në marrëdhënie të përhershme me poezinë dhe lexuesin.
Ky autor i afirmuar përveçse i dhuron lexuesit këtë libër me vlerë i ofron edhe fjalë të reja, pasuri për bibliografinë dhe leksikun e gjuhës sonë.
Referuesi tjetër i kësaj ore letrare Ilir Manxura, emër i njohur i letrave tona mbetet i mahnitur jo vetëm me thellësinë e mendimit, por edhe me bukurinë e fjalës së Azizit.
Manxura, porosit që poezitë e Azizit të lexohen pahezituar sepse në to lexuesi gjen porosi me vlerë për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare.
Kurse, Arian Duriqi, një vlerësues tjetër me një përvojë të gjatë në gazetari e publicistikë dhe bashkëveprimtar i poetit Azizi, mendon që përmbledhja në vargje “Fusha e heshtjes” është krejtësisht origjinale, dhe në nivel të duhur artistik.
Duriqit, i bën përshtypje strofa e ndërtuar me shumë mjeshtëri nga Azizi. Sipas tij lexuesi i vëmendshëm në këtë libër mund të gjej të gjitha figurat stilistike, që nga krahasimi e deri te anafora.
Pas përfundimit të vlerësimeve kritike për pjesëmarrësit u lexuan disa poezi të përzgjedhura.
Ato me shumë takt e finesë artistike i deklamuan krijueset në mërgim Fatime Kalimashi-Hoti, Nerxhivane Sejdiu Ferati, dhe vajza e autorit Deltina Avni Azizi.
Fizionomia e vërtetë kësaj ore letrare iu dha edhe me paraqitjen e Grupeve muzikore të Gjenevës “Gëzuar” dhe “Rapsodët”.
Këto shoqëri kulturore në përpjekje për të ruajtur trashëgiminë tonë kulturore, edhe në mërgim interpretuan këngë e valle të bukura të treva tona.
Kurse adhuruesit e muzikës klasike mbetën të mahnitur me ekzekutimin e shkëlqyer në piano të Liri Gari.
Më pjesëmarrjen e saj këtë promovim libri e nderoi edhe zonja Xhevrie Faruk Osmani, deputete në Parlamentin Gjenevës.
Kurse institucionet e shtetit të Kosovës u përfaqësuan si zakonisht nga zoti Ramadan Avdiu, konsull i përgjithshëm i vendit tonë në Gjenevë.
Në fund të këtij takimi letrar autori Avni Azizi, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit.
Veçmas, mirënjohje shprehu për familjen Maliqi-Rexhaj, falë së cilës u realizua ky promovim në qytetin e bukur të Gjenevës, cilësuar nga krijues vendorë e ndërkombëtarë djep i artit, kulturës dhe diplomacisë botërore.