Analizë
Përgatiti Prof. Zymer Mehani
Emri i shkrimtarit tonë të njohur Hivzi Sulejmanit për të gjithë është i njohur. Ndihmesa e tij në fushën e letërsisë shqiptare është e dukshme. Veprimtarinë e tij letrare e zhvilloi në shumë fusha, shkroi: poezi, tregime, novela e romane, por prirjen e tij e dëshmoi edhe në fushën e dramaturgjisë. Janë të njohura veprat e këtij shkrimtari, si romanet “Njerëzit” dhe “Fëmijët e lumit tim”, pastaj novela “Era dhe kolona”, tregimet dhe poezitë, pjesët dramatike etj.
Varësisht nga afiniteti, do të jeni përqendruar edhe në llojet e krijimevet artistike-letrare që do t’i keni lexuar. Por, nxënës të dashur, në mesin tuaj sigurisht ka mjaft dashamirës të tregimit. Një vëllim i veçantë i tregimeve me titull “Ëndrra e korbit” është botuar në kuadër të lektyrës shkollore, autor i të cilit është shkrimtari Hivzi Sulejmani. Në këtë libër janë përmbledhur tregimet “Ëndrra e korbit”,”Lojë zullumqari”.”Urimi”,”Sytë e dritares”,”Këngë”,”Ndeshje futbolli”,”Kërshëria e tepruar”,”Qemania”,”Letrat prej së largu” dhe “Lotët”.
Këto tregime për fëmijë, si dhe krijimet për të rritur të gjinive dhe të llojeve të ndryshme, kapërthejnë tematikë të llojllojshme. Tregimi “Lojë zullumqari” është një rrëfim i bukur që gjithsesi do ta pëlqeni. Axha Rrahman një ditë dimri bisedon me trumcakët, të cilëve u ka qitur disa herë grurë.
Mirëpo, ata s’kishin guxim të afroheshin te dritarja ku e kishte hedhur grurin, sepse druanin nga nipi i xha Rrahmanit dhe maçoku i tij. Ata fill e për pe i shpjegojnë axhës Rrahman se si veprojnë nipi dhe maçoku i tij. Axha Rrahman një ditë thërret nipin dhe maçorrin. I pyet se si sillen me trumcakët, por ata përpiqen t’i bishtnojnë së vërtetës. Ai u afrohet dhe ua kap veshët. Ata ndiejnë dhembje. Gjyshit i japin besën se kurrë më nuk do t’i vrasin trumcakët.
“- Atëherë u morëm vesh pra. Mblidhni mendtë tash e mbas dhe mos i bëni zullum kujt. S’ka gjë më të keqe se të jesh zullumqar. Dhe jo vetëm kaq. Zullumqarin duhet luftuar gjithmonë e gjithkund! Kështu thonë burrat.” Kështu u thotë gjyshi dhe ata nuk e thyejnë besën.
Tregimet e Hivzi Sulejmanit kanë një porosi të qartë e njerëzore.
Kanë përmbajtje që lidhet drejtpërdrejt me jetën dhe kohën. Në masë të madhe dominon lufta kundër së keqes, kundër dhunës e reprezaljeve. Rrëfimet, edhe pse të këtilla, kanë një ngrohtësi karakteristike. Lexohen me interesim dhe nuk të bëhen të mërzitshme. Dialogu është i gjallë, gjuha e pasur me shprehje, ndër të cilat edhe ato të marra nga goja e popullit e që tregimin e bëjnë më të fuqishëm dhe më karakteristik, kurse dialogun më funksional. Secili nga tregimet e vëllimit “Ëndrra e korbit” përmban diçka të veçantë që do të mbetet në kujtesë, prandaj këto tregime lexohen edhe nga shtresa të ndryshme lexuesish.
Ishte nje veper e shkelqyer e Hivzi sylejmanit
a ban nje petje, si du e ta shkruajm ta gjejm kret lektyren
Komentet janë mbyllur.