PËRMASAT E KRIMIT SHTETËROR SERB NË KOSOVË

0
635
...edhe ne dëshmojmë

Recension për librin “… edhe ne dëshmojmë” të autorëve Shaip Emërllahu, Ahmet Selmani dhe Salajdin Salihu

Xhelal ZejneliXhelal Zejneli

Përmasat e krimeve makabre serbe në Kosovë, nuk mund të kuptohen mirë pa e lexuar librin “… edhe ne dëshmojmë” të autorëve Shaip Emërllahu, Ahmet Selmani e Salajdin Salihu. Libri është dëshmi e gjallë e kalvarit apo e golgotës shqiptare të viteve të fundit të shekullit XX. Vitet e fundit të shekullit XX ishin të kobshme për shqiptarët e Kosovës. Në ato vite, kuçedra serbe para se të jepte shpirt, u përpoq të shkaktonte gjakderdhjen e fundit në Dardani. Ia lidha shaminë time në kokë … dhe fundin tim, që të mos dallohej nga policia, nga paramilitarët. “Jo”, më tha, “nuk mund ta mbaj shaminë në kokë”; e zgjidhi, e hoqi nga koka. Djali, ndonëse ende s’i kishte 14 vjeç, kishte hedhur shtat. Për të mos e hetuar pushtuesit e uniformuar, shumë prej tyre me maska në fytyrë, i thashë tim biri që ta ulte kokën. Por, ai nuk u pajtua. Kolona e njerëzve, me zemra të ngrira shkonte drejt vdekjes. Paramilitari ia nguli sytë e egër pikërisht Albanit tim. Urdhëroi që ai të delte nga kolona. Unë ia shtrëngova krahun. Paramilitari edhe njëherë uluriti me sa zë që kishte. Unë e shtrëngova tim birin Albanin akoma më shumë. Paramilitari, me helmetë mbi kokë, me çizme të mbathura, me këmishë antiplumb, me tytën e automatikut drejtuar mbi mua, me bajonetën frikësuese të ngjeshur në tytë, iu afrua kolonës së njerëzve dhe u përpoq të ma rrëmbente djalin nga dora. Unë s’e lëshova dot. Paramilitari m’i zgurdulloi sytë, m’i ngërdheshi dhëmbët, ma ngjiti bajonetën në fyt, më shau në gjuhën e vet. Që të mos pësoja unë, Albani më tha: “Nënë, lëshomë!” Paramilitari, i shoqëruar nga rreth 30 policë e paramilitarë të tjerë, ma shkëputi prej dore djalin. Albani shkoi drejt murit të vdekjes pa bëzajtur fare. Unë fillova të bërtas, dola nga kolona, iu afrova murit të ekzekutimit, ku priste breshërinë im bir. Ai, për të më kursyer, më tha: “Vazhdo rrugën nënë, bashkëngjitju kolonës”. Ndonëse para çastit të vdekjes, më pyeti për Albertin, djalin tim, tjetrin; më pyeti dhe për gjyshin e vet. Pa ia dhënë përgjigjen, një goditje e tmerrshme me kondakun e pushkës më kishte përplasur për toke. Arrita të shoh Albanin t’i delte para paramilitarit, me duart e njoma të fëmijës. Iu bashkëngjita kolonës së fëmijëve, të grave, të pleqve, të të sëmurëve. Sapo i bëra ca hapa, dëgjova breshërinë e plumbave. Mësova se Albanin tim 13-14 vjeçar e kishin vrarë.

            Kjo është një prej dëshmive të shumta të gjalla për tragjedinë kosovare në vitet e fundit të shekullit XX, të mbarimit të mijëvjeçarit të dytë, që jepen në librin “… edhe ne dëshmojmë” të Shaip Emërllahut, Ahmet Selmanit e Salajdin Salihut.

            Fëmija 13-14 vjeçar, i vetëdijshëm se nuk mund të ballafaqohet me helmetat e hekurta, me çizmet ushtarake, me këmishët antiplumb, me tytat e automatikut, me bajonetat … me vetëdije shkon drejt vdekjes, drejt murit të pushkatimit, murit të ekzekutimit. Për të mos pësuar edhe e ëma, asaj i thotë: Lëshomë nënë, le të më marrin. Ti shko. Ndonëse ballë për ballë me vdekjen, Albani 13-14 vjeçar nuk harroi ta pyeste të ëmën për të vëllain – Albertin dhe për gjyshin. Ende pa e marrë përgjigjen e së ëmës, breshëria e plumbave e ndërpreu pranverën kosovare. Ishte ky marsi i thyer. Banka e Albanit në shkollë përgjithmonë mbeti e zbrazët.

            Libri “… edhe ne dëshmojmë” flet mbi krimet e ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë të armatosur deri në dhëmbë, të veshur, të mbathur e të pajisur me helmeta të hekurta, me këmisha antiplumb, me çizme ushtarake, me tyta automatiku drejtuar drejt njeriut të pambrojtur, me bajoneta frikësuese. Kjo soldateskë dhe kjo falangë e lemerishme serbe është e mbështetur nga këmbësoria tmerrndjellëse, nga topat, autoblindat, tanket, helikopterët ushtarakë, nga aeroplanët bombardues, nga granatimet, raketimet … Dëshmitë flasin për fshatra të rrethuara, për shtetrrethim, për bastisje shtëpish. Njerëz të pambrojtur, të paarmatosur, të strukur nëpër tavanet e shtëpive, nëpër stalla e bodrume, për t’u shpëtuar bastisjeve të pushtuesve serbë. Dëshmitë flasin për nxjerrjen e njerëzve prej shtëpive të tyre, për ndarjen e burrave prej fëmijëve e grave, për kolonën e njerëzve të pafuqishëm, të fëmijëve, të grave shtatzëna, të të sëmurëve, të pleqve, të njerëzve të paralizuar. Dëshmitarët e gjallë të golgotës shqiptare flasin për sharje, fyerje, ofendime, rrahje, lëndime, gjakosje, plagosje, tortura, djegie me shufra të skuqura, përdhunime, vrasje, ekzekutime me gjakftohtësi, pushkatime masive, breshëri automatiku. Ky libër na jep të dhëna për djegien e shtëpive, të lagjeve, të fshatrave; për djegien e njerëzve të gjallë, për djegien e kufomave. Rrahjet, torturat, lëndimet, plagosjet, vrasjet bëhen në dhomë, në stallë, në bodrum, në oborr të shtëpisë, në prag të derës, në rrugë, në sheshin e katundit, nëpër kodra ku i grumbullonin fshatarët, skaj brigjeve të përrenjve, të lumenjve. Kufomat hedhen nëpër lumenj, nëpër puse. Brenda në pus hedhen kufomat, mbi ta hedhet lënda shpërthyese. Armiku ua vë zjarrin, jo vetëm kufomave, por edhe të plagosurve. Pushtuesi përdor plumba dum-dum. Fëmijën e vrasin para nënës, para prindërve, babanë e rrahin, e torturojnë, e vrasin para fëmijëve. Armiku nuk vret menjëherë. Njëherë torturon, masakron, pastaj vret. Vëllain e vrasin para vëllait, para motrës. Dy djem të një prindi, i vrasin para syve të babait, të nënës. Katër djem i vrasin para syve të prindit. Armiku, pushtuesi serb plaçkit, kërkon para, ar dhe marka gjermane. Ti ia jep, por ai, i pangopur përsëri kërkon. Ti përsëri i jep, por ai, i deformuar në kokë, në atë çast të vret në vend, para të gjithë anëtarëve të pafuqishëm të familjes. Paramilitarët, policët, dëshmon libri “… edhe ne dëshmojmë” i këtyre tre autorëve të sipërthënë, flasin edhe shqip, një shqipe të pasigurt. Nga kjo del se shumë prej tyre ishin serbë të Kosovës. Fqinji serb vret fqinjin e vet shqiptar. Paramilitarët, policët dhe ushtarët pushtues serbë shajnë UÇK-në, I. Rugovën, NATO-n, Uiliam Vokerin, Bill Klintonin. Nëpër vendet e pushkatimeve masive gjen pjesë trupi të njeriut, veshë, tru njeriu, gishta, duar, krahë, gjymtyrë të ndryshme, koka të ndara nga trupi. Aty gjen edhe sende të të vrarëve: dorëza, këpucë, orë dore, kuleta etj. Ky është libër i varrimeve, i zhvarrimeve dhe i rivarrimeve. Nëpër varre sheh kufomë pa kokë, në ndonjë varr tjetër sheh vetëm pjesën e poshtme të trupit. Të vrarët janë të moshave dhe të gjinive të ndryshme: fëmijë në bark të nënës, fëmijë dyvjeçar, plak 100 vjeçar. Vriten edhe të paralizuarit. Nëna e ushtarit të UÇK-së pritet copa-copa.

            Në librin “… edhe ne dëshmojmë” mu si në veprat e Markezit, lumi mbart kufomat, njerëzit e pambrojtur ikin të shpëtojnë kokën, pa ditur se ku ikin, pa ditur se ku shkojnë. Kolona e njerëzve shkon në Shqipëri, në Maqedoni, kudo në trojet shqiptare. Dëshmitë flasin për Prishtinën të rrethuar nga soldateska dhe nga falanga e regjimit të Beogradit. Paramilitarët, policët dhe ushtarët serbë janë të shfrenuar. Shpesh janë të dehur. Dëshmitarët okularë thonë se disa mbase duhet të kenë qenë edhe të droguar. Vrasjet ndodhin në të gjitha kohët e ditës: në mëngjes, në drekë, pasdreke, në mbrëmje, në mesnatë.. Vrasjet kryhen edhe duke e goditur njeriun me gurë në kokë, duke e sharruar njeriun me motosharrë përgjysmë. Masakrat ndodhin sidomos në vitin 1998-99, në fshatra dhe qytete, në Likoshan e Male të Gropës, në Poklek e Kotlinë, në Bella Cerkë e Celinë, në Krushë të Madhe e Krushë të Vogël, në Matiçan e Llukarë, në Makoc e Lybeniq, në Llabjan e Studimë, në Rahovec e Reçak, në Rogovë e Prekaz. Masakër në Makoc, Llukare, Grashticë, Qirez, Reçak … Disa skena në këtë libër përshkruhen si në romanet gotike, serbët e vrasin burrin. Gruaja orvatet t’i ndihmojë burrit. E vrasin dhe gruan. Fëmija i vogël mbetet duke qarë pranë prindërve të vrarë. Kudo gjen kufoma pa njërën këmbë, pa dy krahë, njerëz të therur në fyt. Kudo has në kufoma që i kanë ngrënë qentë, eshtra të djegur.

            Gazetarë nga bota: nga Holanda, Turqia, Brazili, Spanja … përpiqen të njoftojnë botën për këtë Natë Bartolomeu, të lemerishme, mynxyrëmadhe, të gjatë mbi një shekull, për këtë Natë të Kristaltë që zgjat ç’prej vitit 1877 nga koha e luftës ruso-turke, për këtë eksod biblik, për këtë kalvar, golgotë, holokaust. Por Kosova, si një mal i vetmuar përballë historisë, e patundur qëndroi. Fëmijën dyvjeçar, Dibranin, e gjetën të gjallë përmbi kufomën e së ëmës, të vrarë, të masakruar, të hedhur në lumë.

Libri “… edhe ne dëshmojmë” i autorëve Shaip EmërllahuAhmet Selmani dhe Salajdin Salihu përmban edhe fotografi rrëqethëse kufomash. Në faqen 50 të librit është fotografia e varrit të Bledarit shtatëvjeçar, e mbi varr ndodhet lapsi, fletorja, abetarja dhe një gomë. Një pranverë e ndërprerë, një mars i thyer, një karrige e zbrazët në klasën e parë fillore. Përse e vranë, kujt i pat borxh ky vogëlush që sapo kishte filluar t’i mësonte germat!? Familje të tëra të shfarosura: familja Sejdiu, familja Nebiu, familja 24-anëtarëshe e Ahmetajve; familjes Zeqiri më 25 mars 1999 ia vranë 16 anëtarë; Alma – dy vjeçe, Albani 5 vjeç, Bledari 7-8 vjeç, Albulena 10 vjeçe, Altini 10 vjeçar, Besarti 11 vjeç, Burbuqja 14 vjeçe, Nazlia 17 vjeçe, Elbasanja 19 vjeçare, Suzana 21 vjeçare etj. Në Krushë të Madhe u vranë 207 vetë. Në Krushë të Vogël serbët gjuajtën mbi 112 vetë. Prej tyre shpëtuan vetëm 6. Në Lybeniq të Pejës ata qëlluan me breshëri kundër 70 vetëve. Prej tyre shpëtuan vetëm 9 vetë. Në Lybeniq u vranë shumë anëtarë të familjes Alimehaj, të familjes Bobi, të familjes Haskaj, Avdullahaj, Bushati, Hamzaj etj. Në Lybeniq të Pejës u bënë 3 masakra. Në fshatin Studime e Ulët të Vushtrisë, më 2 maj 1999 forcat policore dhe paramilitare serbe e kanë vrarë krejt familjen 12-anëtarëshe të Nexhbedin Gërxhaliut. Libri “… edhe ne dëshmojmë” të tre autorëve të mirënjohur dëshmon se populli shqiptar përkundër shtetrrethimit, dhunës e krimit, është një popull i paepur, i pamposhtur, i pazhdukshëm, është popull vital, i fortë sa guri, sa shkëmbi, me rrënjë të futura thellë në tokë, popull që e karakterizon qëndresa epike. Ndonëse i rrethuar, i goditur, i qëlluar, ai nuk u dha, nuk ra, nuk u shtri, nuk u përul, nuk u dorëzua. Ky popull mbijetoi. Gjithkund mbizotëroi solidariteti, ndjenja njerëzore, ndërgjegjja e lartë kombëtare, dëshira për lirinë, ndjenja e sakrificës për liri.

Krimi serb në Kosovë është i paramenduar, i organizuar, i planifikuar. Është dhunë shtetërore që e ka historinë e vet. Në historinë politike të kohës së re, fillon me Naçertanien (1844) të I. Garashaninit, vazhdon në fillim të shekullit XX me Jovan Cvijiqin, me Aleksandar Beliqin, me Vlladan Gjorgjeviqin, autor i librit Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913. Kjo politikë vazhdon më pas me Pashiqin dhe me karagjorgjeviqët. E njëjta vijë politike e ngritur mbi antishqiptarizmin gjallërohet më 1937 në Klubin kulturor serb në Beograd me Elaboratin për shpërnguljen e shqiptarëve, të historianit dhe të akademikut Vasa Çubrilloviq, më vonë me projektin e Ivo Andriqit për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Serbisë e Italisë. E njëjta politikë vazhdon edhe pas Luftës së Dytë Botërore me Elaboratin e dytë të Çubrilloviqit për zgjidhjen e problemeve të pakicave kombëtare në Jugosllavi. Ideologjia serbomadhe, nacionaliste, anakronike, retrograde dhe antihistorike vazhdon me politikën e Aleksandar Rankoviqit – rankoviqizmi, dorë e hekurt, sinonim i antishqiptarizmit.

E njëjta politikë rimëkëmbet më 1986 në SANU (ASSHA) kur u publikua Memorandumi i pseudoakademikëve serbë, i mbiquajtur nekrolog i Jugosllavisë. Ky memorandum solli në skenë triumviratin ultranacionalist serb S. Millosheviqin, V. Sheshelin dhe V. Drashkoviqin, të cilët restauruan periudhën famëkeqe të Rankoviqit. Antishqiptarizmi ishte politikë kombëtare e Serbisë. Kjo është ideologji politike obskurante, mesjetare, anakronike, retrograde, antidemokratike, johistorike në kundërshti me tendencën historike. Politika kombëtare serbe, ideologjia dhe filozofia politike serbe ndaj shqiptarëve ngërthen në thelbin e vet: krimin e organizuar, burgosjet, arrestimet, hetimet, torturat, proceset gjyqësore, dënimet drakonike, kazamatet, qelitë, birucët, gjyqtarët, prokurorët, gardianët, dëshmitarët e rrejshëm, proceset e montuara, largimin nga puna, përndjekjen e intelektualëve, shpronësimin, reformën agrare qëllimkeqe, kolonizimin e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, të ashtuquajturin grumbullim të armëve, dëbimet, shpërnguljet dhe deportimet masive për në Anatoli, politikën e tokës së djegur … Një politikë si kjo daton qysh nga koha e Krizës së parë lindore në mes të shekullit XIX, për të marrë përmasa të mëdha më 1876-77 në kohën e luftës ruso-turke, kur fillon dëbimi me forcë i shqiptarëve nga Kazaja e Nishit, nga Prokupla, Leskovci, Toplica, Kurshumlia. Kjo është një histori e krimit.

Në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX (1989-1999) krimi serb mbi Kosovën arrin përmasa marramendëse. Kemi të bëjmë me një politikë irracionale, ultranacionaliste, ksenofobike, antishqiptare. Fjala është për një ideologji unitariste, centraliste, hegjemoniste, etatiste, dominuese, kolonialiste, ekspansioniste serbomadhe. Kjo filozofi politike u ndërtua, u ndoq e zbatua nga strukturat më të larta shtetërore serbe dhe serbosllave: nga institucionet kulturore, shkencore dhe arsimore serbe, sikundër janë: SANU (ASSHA); Universiteti i Beogradit, Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë; institucionet fetare serbe, kleri dhe kisha serbe, sikundër është SPC-ja (Kisha Ortodokse Serbe); institucionet shkencore shoqërore; strukturat ushtarake serbe e serbosllave dhe institucionet, përkatësisht strukturat politike shtetërore serbe dhe serbosllave. E tërë kjo ideologji u mboll edhe në popull, nëpër fabrika, ndërmarrje, rrugë, shkolla, ndër nxënës, nëpër tekste shkollore. Kjo është në thelb një politikë bolshevike, kominterniste, sllavo-ortodokse, pansllaviste dhe bizantine, në kundërshti të plotë me vlerat e qytetërimit perëndimor, në kolizion me demokracinë euro-atlantike. Kjo është politikë e forcës, e dominimit, e shfrytëzimit dhe e shtypjes.

Etërit shpirtërorë të kësaj ideologjie johistorike ishin pseudoakademikët serbë, në krye me babain e kombit Dobrica Qosiqin, akademikun me shkollë të mesme bujqësore, vajtuesin e të ashtuquajturës çështje kombëtare serbe, kësaj murtaje të zezë të Ballkanit. Shtigjeve të tij shkojnë dishepujt e verbuar nga nacionalizmi cardushanist, garashaninist, pashiqist, sikundër janë: pseudoakademikët, hartues të Memorandumit të SANU-s (1986): Antonie Isakoviq, filozofi Mihaillo Markoviq, historiani Desimir Kresiq, demografi Millosh Macura, poeti Matija Beçkoviq. Grupit të tyre i përkasin pseudoshkrimtari Miodrag Bullatoviq (i ndjerë), pseudopoeti Gojko Gjogo, pseudoshkrimtari Moma Kapor. Intelektuali kroat Predrag Matvejeviq para do kohe botoi një artikull në Zagreb në të cilin me të drejtë kërkonte nxjerrjen para gjyqit, qoftë atij të Hagës, qoftë para ndonjë gjykate tjetër, të etërve shpirtërorë të tragjedisë në BH, në Kosovë, në Kroaci. Populli serb, për krimet e bëra në Kosovë që pasqyrohen edhe në librin “… edhe ne dëshmojmë” të Shaip Emërllahut, Ahmet Selmanit dhe Salajdin Salihut, për krimet në BH dhe në Kroaci duhet të kërkojë falje publike. Parlamenti serb duhet të miratojë dokument me të cilin do të kërkonte falje prej shqiptarëve, prej myslimanëve dhe prej kroatëve. Serbët ndodhen larg asaj që të nxjerrin një Vili Brant i cili do të përulej para viktimave të krimit shtetëror serb. Koshtunica, i fotografuar në Kosovë me kallashnikov, nuk mund ta bëjë këtë. E as që duhet ta bëjë.

Askush nga shqiptarët nuk mund ta shtrijë dorën e pajtimit me fqinjët serbë, pa e marrë bekimin nga thellësitë e tokës, të martirëve të kombit me moshë prej 2-3 muaj e deri 100 vjeç, pa e marrë bekimin e Violetës dyvjeçare, nënës së të cilës, duke e goditur me breshëri në ballë, ia derdhën trutë; pa e marrën lejen e Dibranit dyvjeçar, të cilin e gjetën të gjallë mbi kufomën e së ëmës, të masakruar e të hedhur në lumë; pa e marrë nga thellësia e tokës bekimin e Albanit 13-14 vjeçar, i cili, i vetëdijshëm se ballafaqohet me helmetat e hekurta, me këmishët antiplumb, me çizmet ushtarake, me tytat e automatikëve, me bajonetat, i tha së ëmës, për ta shpëtuar të paktën atë: “Lërmë nënë, le të më marrin, ti shko, pa e marrë nga barku i tokës së Kosovës martire lejen e Bledarit, nxënësit të klasës së parë fillore, mbi varrin e të cilit ka një laps e një fletore, një gomë e një abetare. E ka vështirë shqiptari të shtrijë dorën e pajtimit, njashtu siç kërkojnë ndërkombëtarët, pa e përkujtuar Venharin 6-vjeçar, Egzonën 7 vjeçe, Arzën 11 vjeçe, Visarin vogëlush, të gjithë vëlla e motra. Të tillë ka me qindra, me mijëra. Këtë na e dëshmon libri monumental “… edhe ne dëshmojmë” të autorëve Sh. Emërllahu, A. Selmani dhe S. Salihu, libër ky që do të mund t’u shërbente autoriteteve të Tribunalit të Hagës si një dëshmi kundër kasapit të Ballkanit S. Millosheviqit dhe ideologjisë serbomadhe.

Serbia gjatë sundimit shekullor të saj në Kosovë bëri devitalizimin e saj. Shkaktoi erozionin ekonomik të saj. Në dhjetëvjeçarin e fundit të qindvjeçarit XX, politika serbe e forcës, e dominimit, e aparteidit, shkaktoi krizë humanitare, krizën e popullsisë civile, krizë refugjatësh. Serbia në Kosovë shkeli të drejtat e njeriut, shkeli të drejtat kolektive, u përpoq të shlyente kujtesën historike të popullit shqiptar, dëboi nga vatrat e veta rreth 1 milion njerëz. Kjo ishte edhe arsyeja e ndërhyrjes humanitare të Aleancës Veriatlantike (NATO-s) kundër makinës ushtarako-policore të regjimit të Millosheviqit.

“… edhe ne dëshmojmë” të autorëve të sipërpërmendur dëshmon për vitalitetin madhështor të popullit shqiptar, për qëndresën biblike të tij, për forcën e tij prej guri e shkëmbi, për rrënjët që i ka të futura thellë në thellësitë e tokës dardane.