PERKUJTOHET 71 VJETORI I MASAKRES KOMUNISTE TË KOPLIKUT (Foto…)

1
816
Përkujtohet 71 vjetori i masakrës komuniste të Koplikut

Përg. Ndue BACAJ, 31 gusht 2019 / AlbDreams.Net

Me daten 30 gusht 2019, në ditën nderkombëtare të të zhdukurve nga regjimet diktatoriale, është përkujtuar në qytetin e Koplikut, 71 vjetori i masakrës komuniste të Koplikut. Ky perkujtim është organizuar nga Unioni mbarkombëtar i ish të burgosurve dhe të persekutuarve politik, dega Malësi e Madhe, me kryetar z. Luigj Gega dhe sekretar z. Rexhep Curri. Ky takim përkujtimor (si dhe të tjerët) është hapur me hymnin kombëtar, duke vijuar me fjalën përshendetëse, që u bëri pjesmarrësve kryetari i unionit të ish burgosurve dhe persekutuarve politik (dega Malësi e Madhe) z. Luigj Gega, i cili në fjalën e tij pershendetëse është ndalur pikërisht te kujtesa dhe angazhimi, që kerkohet nga të gjithë familjet e ish të persekutuarve politikë, në mbeshtetje të kauzes tyre për liri e demokraci, të bashkuar rreth Partisë Demokratike.

Ndërsa unë autori i kësaj kronike (N.B.) në fjalen time solla në kujtesë per pjesmarrësit një histori të shkurtër të masakres së komuniste të Koplikut të 28 korrikut -29 gushtit të vitit 1948, masaker në të cilen u torturuan e masakruan 56 burra e gra, dhe u vranë pa gjyq katër burra (Taro Keqi, Nikë Mrak Rexha, dom Aleksander Sirdani dhe dom Pjetër Çuni), si dhe vdiq një femijë i sapo lindur, ketu në hetuesin-burg të Kopikut.

Këtë takim e përshendeti edhe kryetari i Partisë Demokratike të Malësisë Madhe z. Anton Kokaj, i cili ndër të tjera i ftoi ish të persekutuarit dhe trashigimtarët e tyre për më shumë angazhim e bashkëpunim në të ardhmen, per të venë në jetë aspiratat dhe idealet e të pareve të tyre, që u sakrifikuan pë liri e demokraci kundër regjimit komunist, kur sot trashigimtarët e komunizmit gjakatar e kriminal janë rikthyer në pushtet e qeveri…

Ndërsa z. Besim Ndregjonaj kryetar i unionit mbarëkombëtar të ish të burgosurve dhe persekutuarve politikë, i pranishëm në këtë takim perkujtimor, ndër të tjera deklaroi se në Shqipëri janë 4500 të vrarë dhe të pushkatuar, të cilët ende nuk kanë një varr. Kjo ditë e 71 vjetorit të masakrës së Koplikut dhe të zhdukurve nga diktatura duhet të jetë ditë reflektimi dhe jo ditë kur politikanët mjaftohen me statuse në facebook. Takimin e pershendeten edhe pjesmarres të tjer si Fran Xhaj e Nikë Pera, ndersa spikatë me fjalët e saja intelektualja, mesuesja dhe poetja e njohur znj. Mimoza Rexhvelaj, e cila është e bija e ish të burgosurit politik, të ndjerit Xhelal Cufi.

Me pas unioni i ish të burgosurve dhe persekutuarve politik Shqiptar, u ka dorzuar familjeve te disa prej të vrarëve e burgosurve nga diktatura komuniste çertifikatë mirënjohje. Vlen të shënohet se në perkujtimin e 71 vjetorit të masakres komuniste të Koplikut ishin prezente disa media, si TV-të (e Shkodrës dhe Koplikut), dhe Zëri i Amerikës (VOA), me gazetarin e saj të palodhur z. Pëllumb Sulo.

Pak histori nga masakra komuniste e Koplikut

Në Malësi të Madhe, në ish bashkinë Koplik, ngjitur me ish rrugën nacionale (Shkodër-Hot) në hyrje të qytetit, në krah të djathtë duke ardhur nga Shkodra ndodhet në vend sot i “harruar”, por para 71 viteve ishte tmerri i Malësorëve nacionalistë dhe familjeve me zë të kësaj treve. Në këtë vend, në ndërtesën (mulli bloje) të ish pronarëve të nderuar Ahmet Osja e Tomë Zefi, shteti komunist i ardhur në pushtet me grykën e pushkës, kishte instaluar një tip hetuesie apo dege të punëve të brendshme, ku grumbulloheshin, torturoheshin dhe ekzekutoheshin pa gjygje, të gjithë ata nacionalistë e familje të mira e të pasura, që nuk e mbështetnin shtetin e komunistëve, që na kishin instaluar armiqtë shekullorë sllavo-lindorë.

Këtu në Koplik, regjimi komunist me datën 28 korrik 1948, burgosi 56 burra e gra nga Malësia e Madhe, nga të cilët 14 nga Reçi. Disa nga emrat më të spikatur të arrestuar ishin: Taro Keqi me të atin Keq Sadiku, Mark Toma, Rexhep Lani, Mark Lekë Pjetri, Ali Malja, Tom Gjoni, Gjekë Pjetër Dushi, Maç Deda, Ali Hajdari, Sait Lani, Nikë Mark Rexhaj, dom Aleksander Sirdani, dom Pjeter Çuni etj… E këta burra jo vetëm u torturuan, por edhe u gjymtuan fizikisht derisa vdiqën kush në shtëpitë e tyre e kush në kampet e internimit e burgjet komuniste.

Por si krim pa ndëshkim mbetet vrasja tragjike nën tortura nga kriminelët e kuq të nacionalistit të paharruar Taro Keqi, trimit nga Kelmendi Nikë Mark Rexhaj, fetarëve dhe atdhetarëve dom Aleksander Sirdani dhe Dom Pjeter Çuni (sot keta dy priftërinjë të shenjtëruar si të lumë të kishes katolike), të cilet pasi i vrasin në mënyrë makabre i “varrosin” në gropën e WC ose gjirizit siç thuhet… duke i lënë pa vorr, perveç Taro Keqit, trupin e të cilit kanë arritur ta gjejnë dhe ta varrosin njerzit e tij… Vlen të cilësohet se Taro Keqi në fakt kishte qenë komandant poste në Kelmend, por si nacionalist e i ndershem nuk kishte pranuar të behej vegel e komunistëve “jugorë”, per të demtuar kelmendasit në trojet e tyre…

Komunistët ndonse e kishin inatin ketu, ata e akuzuan Taron si antar i organizates (imagjinare) nacionaliste e antikomuniste “Shqiponja me dy krena”… Taro Keqi edhe pse me duar lidhur kishte arritur të godiste hetuesin kriminel, të cilit po të mos i kishin ardhur në ndihmë shoket e tij kriminelë do ta kishte rrokur vdekja perpara Taro trimit duarlidhur…

Ndërsa dom Aleksander Sirdanin e ekzekutuan me akuzen se me 27 korrik 1948 gjatë predikimit kishte thënë: “Vëllazën e motra, nji re e zezë na ka mbulue, por mos u trembni, sepse edhe ajo do të kalojë e një re e bardhë do të vijë përsëri e na do të dalim përsëri në dritë si gurët e lumit mbas shiut kur dielli i shkelqen”, duke u bazuar në vargun e famshëm nga Eposi ynë i Kreshnikëve…

Në këtë burg-hetuesi të regjimit komunist në Koplik, u kryen edhe dhjetra krime e masakra të tjera (ku spikatë periulla 28 korrik 29 gusht 1948…), për të cilat do të duheshin qindra faqe për t’i shkruar të gjitha, por unë me këtë rast mendova të “zgjedh” një krim të veçantë e antihuman të komunistëve enveristë shqiptarë…

Në mesin e të arrestuarve e burgosurve verën e vitit 1948 ishte edhe familja e Mark Lekë Pjetrit (Gjonaj) nga Prenikajt e Reçit, ku përveç vetë Markut ishte edhe bashkëshortja e tij Prena, por edhe pjestarët e tjerë të kësaj familje të madhe si Pjetri me Zogën e tjerë. Ky “grumbullim familjar” ishte bërë që pasi të kalonin kalvarin e hetuesisë e kontrolleve, të internoheshin, sepse nga kjo familje e madhe ishte arratisur Lekë Pjetër Gjonaj, pasi edhe ky kërkohej të arrestohej si shokët e tij…

Në kushtet mizerabël të një dhome të vogël, në praninë e rreth 56 vetave, Prena, e shoqja e Markut kishte qenë shtatëzanë dhe i erdhi dita për të lindur një fëmijë, ku për këtë u kërkua që të lejohej që të shkonte në një vend tjetër për të lindur. U mendua se sado mizorë të jenë në shpirt komunistët, njerëz ishin, madje malësorë disa, por ishin gabuar pasi me egërsinë e një bishe, që nuk njeh as familje, as fëmijë, as grua, as nderë, as erzë, por as burrëri e njerëzi, nuk lejuan që Prena të largohet nga dhoma “kamp”.

Mjerisht ata njerëz të pafajshëm që ishim mbyllur si majmunët apo minjtë në kafaz, për eksperimente laboratorike, u detyruan që të rreshtohen në këmbë (si gardh), por me shpinë nga Prena e shkretë që duhej të lindte një fëmijë që vetë Zoti e kishte krijuar. Në këto kushte të paimagjinuara e rrethuar si më sipër, Prena lindi një fëmijë (vajzë), ku me plaçkat e trupit të saj e të tjerëve, u mundua ta mbështillte, ndërsa kriminelët e kuq jo vetëm qeshnin, por edhe talleshin. Por fëmija i ardhur në jetë donte të ushqehej.

Nënë Prena e kishte të pamundur, pasi ushqimi në këtë vend tmerri ishte vetëm pak bukë e pak ujë sa për të mbajtur frymën gjallë. Fëmija i paushqyer, por edhe nga vapa e mizerja e krijuar bën që kjo foshnje e pafajshme të vdesë, duke iu drejtuar shpirti për në qiell, ndërsa trupi i njomë u mor për t’u varrosur nga njerëz të Prenës, sepse Prenen me të shoqin nuk i lejuan të lëviznin as për pak orë në këto ditë zie, që vetë komunistët ia kishin sjellë…

Koplik me 30 gusht 2019

1 KOMENT

  1. Çdo ditë nen sundimin e terroristeve komunistë… ka qene dite krimi. Nuk ka pase asnje dite pa krim.

    Ne komunizmin terrorist per 46 vite nuk eshte ndertuar asnje shtepi private… te gjitha shtepite private ishin te kohes 1920-1944. Ka pase edhe te periodes Otomane. Ndersa ne kohen e Komunizmit asnje absoutisht asnje shtepi nuk u ndertua!!!

    Shënim: Gabim e ke Dardan, ne e kemi ndërtur shtëpinë tonë private në kohën e komunizmit dhe shumë shtëpi private janë ndërtuar në fshatin tonë, e padyshim në të gjithë Shqipërinë. Por nuk a patur luks. Tani me dorë në zemër, duhet pranuar se komunizmi bëri krime, por edhe këta që ishin anti-komunistë bënë krime kundër shtetit komunist, e ai i persekutoi. A duhej komunimi të sillej ashtu aq egër? Kjo është tjetër punë. Por po me dorë në zemër, një pjesë e atyre që sheh në foto aty – se unë i njoh të gjithë, që këndojnë himnin e flamurit e hiqen si atdhetarë, s’kanë lanë gja pa vjedhë prona e pasuri, që nga viti 1990 e deri tani, kur kanë pasë mundësi me marrë pushtet diku. Me dorë në zemër, 80% e administratës shqiptare sot, po të kishte shtet të rregullt, si ai i Enverit, që mbrionbte interesat e shtetit dhe ishte i përgjegjshëm, do përfundonin pas hekuravbe në burg, për hajnitë e abuzimet e tyre me pronën publike. Nëse nuk shtërngohet administrata e nuk sillet sipas ligjit, ne do e kemi vështirë sot të bëjmështet, e kjo më trishton kaq shumë, sa jam ba me e vlerësua Enverin e komunizmin për aftësinë e tyre për me ba shtet e rregull mbi këtë popull të hallakatur. E ky është problemi shqiptar, se ai që bën shtet këtu, shahet nga të gjithë, se të gjithë dusan me e vjedhë shtetin, popullimn e vet! E si bëhet shteti kështu?! Regjimi komunist bëri krime, por sot ke krime të përditshme domestike, hajni e vrasje e poshtërsi të tjera, që nuk ndodhnin në atë kohë, pasi regjimi komunist e vuri rendin… Nëse regjimi i burgoste apo i vriste kundërshtarët, për 45 vjet ke patur në total as gjysmën e këtyre krimeve e vrasjeve që kanë ndodhur e ndodhin në Shqipëri në 30 vjetët e fundit. Prandaj Hobbes kishte të drejtë: më e mirë tirania, se anarkia! /AÇ

Komentet janë mbyllur.