PËRKTHIMI I FOTOGRAFISË

0
805

Letër ambasadorëve (8)

Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!…

Shkruan: Shefqet DIBRANI, 05.09.2019

Të nderuar Ambasadorë dhe përfaqësues të Misioneve Ndërkombëtare në Kosovë, Kosova ka një elitë intelektuale që është rritur dhe emancipuar nën frikën e përgjimit të “Partisë Shtet”. Elitë që ka përjetuar traumat e shantazhit komunist, dhunën komuniste, përçmimin dhe degradimin moral, atëherë nga eprorë të sigurimit shtetëror, tash elita intelektuale e Kosovës, po përjeton izolim, linçim dhe degradim nga bijtë e vet plëngprishës të cilët kanë arritur tua mbyllin gojën gati të gjithëve. Për më keq elita intelektuale është duke përjetuar edhe nënçmimin, përbuzjen dhe shpërfilljen e Ambasadorëve dhe të përfaqësuesve të Misioneve Ndërkombëtare në Kosovë. Për shkak të asaj kohe që kishin përjetuar tmerr, të paktën në këto vitet e pasluftës elita intelektuale në Kosovë, është dashur të ketë një tretman ma të mirë dhe të vlerësohej ashtu si e meriton.

Pavarësisht rrethanave historike që kaloi vendi ynë, pavarësisht izolimit, injorimit dhe shantazhit që kishin, në çdo periudhë historike, Kosova kishte një elitë kryengritëse e cila është vënë në ballë të proceseve dhe ndryshimeve, të paktën ka pas përpjekje të tilla për t’iu prirë proceseve, ashtu siç kemi edhe tashti disa përpjekje për të reformuar institucionin përkatës, por edhe atëherë janë penguar nga dikush, sikurse tashti që po pengohen nga rrjetëzimi i klaneve dhe grupeve të interesit, të cilat kanë arritur të mbajnë popullin nën zapt, për të mos shkuar e për të mos i dëgjuar intelektualët, prandaj këto nisma nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara, për vet faktin se nuk janë përkrahur sa duhet nga turma popullore. Çuditërisht pjesë e turmës dhe e masave u bë edhe Bashkësia Ndërkombëtare, edhe Ambasadorët e vendeve mike të akredituar në Kosovë, por edhe përfaqësues të tjerë nëpër Misione Ndërkombëtare në Kosovë, d.m.th. nuk ishin në funksion të momentit, prandaj nuk janë përkrahur intelektualët të cilët deshën të bëjnë reforma dhe ndryshime.

Marrë nga interneti

Mospërkrahje e intelektualëve nuk mund të kategorizohet si vullnet qytetar, në kohën kur kemi një vetëdije të ulët qytetare dhe një rrjetëzim të fuqishëm. Kjo shtresë gjithmonë është më e lehtë për tu nënshtruar nga pushtetarët, kurse koha e internetit dhe e rrjeteve sociale ka qit në pah edhe militantë dhe përkrahës voluntar të këtyre rrjetëzimeve kriminale, që pa fije pengese po i kryejnë detyrat për grupet e interesit, të cilat si duket janë pozicionuar nëpër udhëheqje politike a shtetërore. Kjo kategori e vullnetarëve, e cila kryesisht është pa pagesë, edhe pse janë kategori me ngritje të ulët qytetare, edhe pse kanë pak arsimim, janë në gjendje të ta bëjnë gjyqin mediatik në një afat rekord. Në anën tjetër me sa kemi njohuri askush nuk është përballur përpara drejtësisë për fjalën e pamatur publike, dhe nuk dimi nëse organet e sigurisë dhe të drejtësisë kanë bërë përpjekje për ta ndal e ndëshkuar këtë avaz.

Në këtë vazhdë të diskriminimeve mediatike kategorizohen fyerjet, shpifjet dhe akuzat e rënda, që bëhen në adresë të intelektualëve, për ti detyruar ata që të heqin dorë nga përpjekja për të bërë reforma dhe për ta ndryshuar gjendjen. Për fat të keq, kjo kategori e intelektualëve u detyrua të hesht edhe për mungesë vullneti që patën Ambasadorët dhe Misionet Ndërkombëtare në Kosovë për ti përkrahur e për ti mbështetur, e pse jo edhe për ti ruajtur. Thjesht intelektualët po heshtin nga pamundësia e tyre për të vepruar, për tu përballur me secilin që shpif e gënjen nëpër rrjetet sociale, dhe duke mos parë dritë diku në tunel, dhe duke mos shpresuar se do të mbështetën e do të përkrahen nga Ambasadorët e vendeve që kanë investuar shumë në Kosovë, Elita Intelektuale e Kosovës po detyrohet të heshtë.

Marrë nga interneti

Pavarësisht se çfarë thotë teoria mbi fjalën e lirë publike, ne mendojmë se nuk ka fjalë të lirë publike kur cenohet personaliteti i intelektualit dhe kur cenohet siguria shtetërore. Vetëm atëherë kur mediat luajnë rolin e prokurorëve dhe hetuesve, pa drojtje ndërhyjnë në çështjet e drejtësisë, prandaj shpifin kundër miqve, kundër aleatëve dhe Misioneve Ndërkombëtare në Kosovë, ku pa fije frike ua nxijnë jetën me gënjeshtra të pa kripta etj.

“Fjalë e lirë”, nuk mund të konsiderohet shpifja dhe rrena, veçmas atëherë kur lëndohet personaliteti i figurave publike. Vetëm tek ne në Kosovë mund të ndodhë, kur një injorant të përrallisë, kurse “mediat e lira”, ta bëjnë gropën pa u frikësuar se duhet të japin llogari për veprimin dhe fjalët jo të sakta.

Të nderuar Ambasadorë, intelektualët shqiptarë po shantazhohen për çdo ditë, nga bandat e kriminalizuara që janë kapërthurur nëpër parti politike e në institucione shtetërore. Ata tashmë janë drejtues dhe përfaqësues të cilët për çdo ditë përqafohen dhe fotografohen me juve dhe me përfaqësues të Misioneve Ndërkombëtare në Kosovë. E çuditërisht edhe përpara jush ata po deklarojnë se edhe ata janë kundër korrupsionit, flasin kundër hajnisë e kundër nepotizmit, në kohën kur vet vjedhin sa munden dhe nepotizmin e kanë zgjatur edhe për në shekullin tjetër.

Ata janë analfabet, prandaj bëjnë shumë gabime në të folur dhe në të shkruar, por ata nuk ndalen së këshilluara, kurse elita intelektuale duhet të zbres në nivelin e tyre përndryshe do të satanizohet. Sot flasin për vlera, ata të cilat për vete nuk i kanë, flasin për arritje që nuk i kanë parë kurrë, flasin për lirinë të cilën ua grabitën atyre që luftuan, flasin për demokracinë teknokrat të LKJ-së, dhe çuditërisht atyre iu besohen reformat dhe pritet shumë nga ta, madje vetëm ata po përgëzohen edhe nga Ambasadorët të cilëve iu kanë prezantuar fotografi të falsifikuara, CV-të e përmirësuara.

Kështu zinxhiri i së keqes po zgjatet e zgjatet deri në marrëzi, prandaj është krijuar kjo mjegull e cila ka prodhuar këtë kaos të gjithmbarshëm, nga i cili shoqëria jonë sall vetëm nuk mundet me dal kurrë, pasi rrjetëzimi i grupeve kriminale është më i fuqishëm se sa elita intelektuale, andaj pengohen reformat e domosdoshme. Janë këto arsye pse insistojmë se kjo krizë morale mund të tejkalohet vetëm nëse Bashkësia Ndërkombëtare dhe vendet mike kanë vullnet dhe mirëkuptim për t’i ndihmuar intelektualët të cilët janë të gatshëm për tu angazhuar sa më shumë.

Kjo thirrje e vazhdueshme bëhet si domosdoshmëri intelektuale, sepse grupet e interesit s’kanë drojën e drejtësisë as të sigurimit të shtetit, veçmas ju duhet të reagoni kur ato grupe vazhdimisht flasin e këlthasin për partneritetin e përhershëm që kanë me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata udhëtojnë të papenguar drejt këtyre vendeve, dhe për ta bindur popullin se kanë mbështetjen tuaj lëshojnë deklarata e akuza kundër intelektualëve në Kosovë. E kjo ka ndodhur edhe gjatë vizitës së tyre në Bruksel, Berlin, Londër dhe SHBA. Sigurisht kjo bëhet vetëm sa për të krijuar panik dhe pasiguri tek intelektualët. Në anën tjetër qëndron intelektuali dhe qytetari i rëndom i cili është izoluar dhe injoruar përpara syve të Ambasadorëve dhe përpara syve të Misioneve Ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.

Deri më sot nuk kam parë vullnet të grupeve kriminale për tu zmbrapsur, për tu tërhequr dhe për të mos u përzierë edhe në zgjedhjet e radhës. Për paradoks të të gjithave, kemi politikan të sëmurë dhe madje edhe të paralizuar, të cilët menduakan deri në natën e varrit, të mos lëshojnë pe, nga frika e ndëshkimit që mund të bie mbi ta. Ky mentalitet është dashur të çrrënjoset që moti, por nuk është vonë as tani. Bashkësia Ndërkombëtare në Kosovë, Ambasadorët e akredituar në Kosovë, është mirë nëpërmes trysnisë për ti detyruar grupet e interesit për të hequr nga mendja se për të qenë i privilegjuar, fillimisht duhet me u veshur me petkun politik ose me pushtetin shtetëror. Po ashtu duhet me u çrrënjosur ky botëkuptim se për të jetuar i privilegjuar duhet me u rreshtuar në partitë politike, d.m.th. në Kosovë ka nevojë për tua çrrënjosur bindjen se pa qenë në hierarkinë politike nuk mundesh për ta rregulluar bazën ekonomike duhet me u kapërthurur majave të politikës.

Kjo klientelë menduaka se kështu vjen mbështetja ndërkombëtare, të cilës, dorën në zemër nuk po iu mungon, pasi misione diplomatike e tjetër fare po shoqërohen e fotografohen me ta, kurse në anën tjetër nuk janë duke treguar vullnet të mjaftueshëm dhe as gatishmëri për tu reformuar e ndryshuar. Për fat të keq nuk po ndodhë asnjë përkrahje për iniciativa të reja të cilave iu prijnë intelektualët e devotshëm dhe ata që nuk janë të korruptuar, gjë që ka ndikuar , për tu krijuar ky dëshpërim kaq i madh. Thjesht, Ambasadorët nuk u treguan të guximshëm për të folur pa ekuivokë, për ta zgjatur gishtin drejt kriminelëve, drejt atyre që e lypin ndëshkimin publik, kurse në anën tjetër bëjnë thirrje të mos votohen kriminelet dhe partitë që kanë kriminel.

Ky mentaliteti është një paradoks i llojit të vet, i cili mund të kuptohet vetëm atëherë kur Ambasadorët dhe Misionet Ndërkombëtare do të kuptojnë, se të gjitha qortimet e tyre në adresë të klasës politike, do të amortizohen përmes një fotografie, qoftë ajo e rastit e cila po përkthehet si votë mbështetëse e Ambasadorit, përkatësisht e shtetit përkatës, d.m.th. deri aty ka shkuar mendja e politikanit dhe grupeve kriminale për ta gënjyer popullin e vet, prandaj Ambasadorët dhe përfaqësuesit e Misioneve Ndërkombëtare, do të ishte mirë për ta korrigjuar e përmirësuar pozitën dhe qëndrimin e tyre karshi strukturës politike për të cilën flitet se është e kriminalizuara. Diplomatët besoj se e kanë të qartë se nuk është kah funksionon, d.m.th. diçka nuk është në rregull.

Është mirë t’iu thuhet Ambasadorëve se kjo kastë politike, edhe nëse qortohet nga Ju, nuk e ka aq dert, pasi atyre po ju mjaftuakan fotografimet dhe buzëqeshjet e juaja, qofshin ato buzëqeshje të ftohta, sepse përmes përkthimit, ngrohtësinë demagogjike e krijojnë mediat e kriminalizuara, të cilat ka 20 vjet po e mashtrojnë popullit e vet, duke u bërë pasqyrë e rrejshme për realitetit që duken në Kosovë, qoftë karshi ndërkombëtarëve dhe në anën tjetër rrejshëm informojnë për gjoja se e paskan përkrahjet tuaj të gjitha ato grupe kriminale, kundër të cilave është drejtuar gishti.

Se elita intelektuale ka bërë përpjekje për reforma kemi mjaftë shembuj, por ata zëra mbyten brenda subjekteve politike duke i penguar, linçuar dhe përjashtuar nga partia. Pastaj strukturat e dyta dhe të treta të këtij rrjetëzimi e kanë vrarë fjalën e lirë, e kanë penguar votën e fshehtë dhe nuk lejojnë nisma të reja qofshin ato edhe për reforma apo nisma që i sjellin progres substancial vendit tonë.

KATËR SHEMBUJ QË PËRSONIFIKOJNË INTELEKTUALIT E PËRKUSHTUAR

1. REKTORI I UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS, PROF. DR. RAMDAN ZEJNULLAHU

Prof. dr. Ramadan Zejnullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës (2014-2016)

Shembulli i intelektualit kryengritës mund të merret prof. dr. Ramadan Zejnullahu, i cili pat vullnet për ta reformuar Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Ky universitet edhe sot lëngon nga ndëshkimet që ia bëri Serbia para luftës, ndërsa e majta ideologjike pas luftës e ka katandisur të tërin. Edhe pse prof. dr. Ramadan Zejnullahu, pat përkrahje të madhe nga struktura intelektuale në Universitetin e Prishtinës, përpjekjet e tij u penguan drejtpërdrejtë nga elita politike mjaftë e kriminalizuara, e cila ishte e të gjitha partive pa përjashtim.

Edhe pse masa të gjera popullore dhe grupe studentësh ishin në përkrahjen e rektorit, mungoi vullneti i Bashkësisë Ndërkombëtare, mungoi vullneti i Ambasadorëve dhe i Misioneve të tjera Ndërkombëtare në Kosovë, për ti përkrahur reformat në Universitet. Pa dyshim, Prof. dr. Ramadan Zejnullahu, u pengua nga të gjitha grupimet politike. Pas dorëheqjes së tij nga posti i rektorit, gjendja menjëherë u qetësua por niveli arsimor vazhdimisht po kritikohet, pikërisht nga heshtakët ndërkombëtar të akredituar në Kosovë, ose nga organizata që monitorojnë proceset arsimore nga vendet e tyre.

Kjo praktikë e standardeve të dyfishta duhet të eliminohet sa më shpejt, kurse populli i Kosovës pret mbështetjen e Ambasadorëve në raste të tilla. Nuk mjaftojnë deklaratat patetike pasi të mbyllen proceset, por në fillimet e tyre, atëherë kur është koha. Thirrja e Ambasadorëve drejtuar popullit të Kosovës, që të mos i votojnë kriminelet dhe as partitë që i kanë sistemuar kriminelët, pa e themeluar Vettingun, bie në kundërshtime të mëdha me praktikat reale, pasi kjo kastë e kriminalizuar, me kohë i ka eliminuar intelektualët. E ndonjë rast i rrallë që mund t’iu ketë shpëtuar, siç ishte rasti me rektorin e universitetit, atëherë futet në funksion dora e fort e shtetit e cila forcohet edhe më tepër nga heshtja në kohë të duhur e Ambasadorëve dhe organizatave ndërkombëtare që monitorojnë gjendjen në Kosovë, qoftë ai moniterim në aspektin politik apo edukativo arsimor.

2. PROKURORI I PROKURORISË SË POSAÇME TË KOSOVËS ELEZ BLAKAJ

Prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj

Prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, më 20 gusht 2018, në profilin e tij në Facebook, bëri publike shkaqet që quan deri te dorëheqja e tij, e cila lidhej me guximin intelektual për të reaguar kundër keqpërdorimeve me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe mediat në Kosovë patën shkruar se dorëheqja e tij lidhej me kërcënimet që i janë barë për punën e tij profesionale. Deklarata kërcënuese kundër tij janë lëshuar edhe nga drejtues të lart institucional dhe shtetëror. Ka pasur edhe reagime nga Ambasadorët, megjithatë prokurori Elez Blakaj, u detyrua të emigroj jashtë atdheut. Kjo është ajo e keqja e madhe. A kanë mjaftuar vetëm deklaratat e ambasadorëve në mbrojtje morale të një prokurori, jeta e të cilit ishte rrezikuar para syve tuaj nga banda kriminale për të cilat vazhdimisht flasin dhe kritikojnë Ambasadorët të cilët praktikisht pak veprojnë.

Në vend se këta Ambasador të shkonin në dy – tre zyra përkatëse dhe të kërkonin përgjegjësi vetëm nga dy – tre zyrtar në udhëheqje të shtetit, ata lëshojnë deklaratat patetike. Vetëm kaq është dashur të shkojnë në tri zyre dhe të takojnë vetëm tre persona! Pse përkëdhelen kriminelet, në vend se t’iu thoshin: “Nëse prokurorit Elez Blakaj i mungon vetëm një qime floku ju do të merreni në përgjegjësi dhe kaq. Kështu është dashur për ta mbrojtur jo aq një individ, sa për ta mbrojtur një profesionist të guximshëm, një intelektual, po më shumë për ta mbrojtur një proces të tërë dhe njëkohësit për t’i inkurajuar prokuroret tjerë për të guxuar, ashtu siç pati guximin intelektual e profesional prokurori Elez Blakaj. Edhe sa do të presim për tu sakrifikuar edhe një prokuror tjetër?!…

3. HISTORIANI JUSUF BUXHOVI

Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, autori i Historisë “KOSOVA”, në tetë vëllime

Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, në emisionin televiziv “Rubikon” të datës 11.07.2019, shfaqi mendime të guximshme, pasi e vërteta është guxim. Por ndodhën reagime të ashpra, siç thuhet nga ata që patën mizën pas veshi. Kryesisht reagimet ishin paragjykime të parafrazuara, kurse akuzat kundër Jusuf Buxhovit, ishin të tepruara dhe kërcënuese. Një lukuni e tërë u qua peshë kundër tij. Nëse profesionistët dhe prokurorët do të merreshin me deklaratat publike të historianit që i tha në atë emision, nuk do të gjenin asgjë për tu gjykuar si teprim a si e pavërtetë. Madje njëri nga zyrtarët më të lartë i cili prej vitesh akuzohej se i printe një organizate mbi të cilën rëndojnë akuza për vrasje të rënda me motive politike, gjatë vizitës së tij në SHBA u shpreh se, “personi që ka deklaruar, është një fosil që s’i ndihmon qartësimit të së vërtetës për vrasjet e pasluftës”, (KOHA DITORE, 16 korrik 2019).

Në atë emision, historiani Jusuf Buxhovi, deklaroi se “Lufta ka pasur shumë gjëra të këqija, pasi janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”. Kjo deklaratë e historianit, i cili ishte njëri prej themeluesve të LDK-së, pat ngjallur reagime të shumta. Kundër kësaj deklarate, kanë reaguar të gjithë krerët e partive të mëdha politike, madje edhe zyrtar të caktuar shtetëror, për ta bërë groteskun edhe më të shëmtuar, pikërisht përmes “Zërit të Amerikës”, nga Uashingtoni, një përfaqësues i shtetit duke e quajtur fosil Jusuf Buxhovin, bëri përpjekje për të krijuar një imazh të rrejshëm se ai e paska mbështetjen e SHBA-së. Çuditërisht kundër atij kërcënimi shtetëror nuk reagoi as Ambasadori i SHBA-së në Kosovë dhe askush nga Misionet Ndërkombëtare në Kosovë. Edhe ky rast u hesht për t’iu lënë stuhisë e cila po eliminon elitën intelektuale dhe figurat e njohura publike.

4. DEGËT E LDK-së NË DIASPORË

Shefqet Dibrani dhe Donikë Gërvalla, viktima të politikës teknokrate të Isa Mustafës

Në kuadër të zgjedhjeve të brendshme partiake, dy Degët e LDK në Diasporë, ajo në Zvicër dhe Gjermani, më 10 maj 2015, mbajtën Kuvendin e VIII Zgjedhor, nga i cili dolën kryetar Shefqet Dibrani, për Degën në Zvicër ndërsa Donikë Gërvalla për atë në Gjermani. Edhe pse Kuvendet ishin të rregullta, madje ai në Zvicër u cilësua ndër ma të mirët qysh prej themelimit, kryesia e LDK-së në Prishtinë dhe kryetari i saj Isa Mustafa do t’i anulojnë këto zgjedhje. As ai por askush nga kryesia nuk kanë pasur kuraje me u ulur dhe me i shqyrtuar ato parregullsi nëse ka pas. Çuditërisht edhe kësaj mënyre Ambasadorët e vendeve aleate në Kosovë dhe EPP-ja, (The European People’s Party), i bënë temena, i përulet dhe e përkrahin. Duke ua pamundësuar dy intelektalëve për të vazhduar karrierën e tyre në LDK, edhe pse i pari ishte njëri nga themeluesit kurse Donikë Gërvalla qysh në fillimet e saj, u dëshmua se metodologjia e mentalitetit komunist është bërë pjesë programore e zgjedhjeve nëpër partitë politike në Kosovë.

Deklaratat e shumta publike, reagimet dhe komentet nuk bënë punë, pasi asnjë institucion përkatës i Kosovës nuk është marrë me këtë çështje. Pra, as Prokurori i Shtetit dhe as sektorët përkatës të drejtësisë, as Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës, madje ne këtë çështje nuk janë përzier asnjë Organizatë Joqeveritare që i monitorojnë proceset zgjedhore, madje as Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe as Avokati i Popullit. Ndërsa një pjesë e mediave shpejt u rrështua kah pushtetarët duke u solidarizuar me ta për krimin që bënin mbi demokracinë e brisht kosovare dhe veçmas mbi dy intelektual që jetonin në Evropë.

Për këto shkelje klasike do të duhej të niseshin procedura penale, për tu ndëshkuar kriminelet që bënin krim mbi procesin zgjedhor dhe demokracinë në përgjithsi. Madje nuk ka reaguar askush nga ata Ambasadorë të cilët po thërrasin të mos votohen kriminelet dhe as partitë politike që i kanë brenda, asnjë nga përfaqësuesit diplomatik në Misionet Ndërkombëtare në Kosovë, sidomos ata që përcjellin zhvillimin e demokracisë dhe proceset e brendshme zgjedhore.

Para syve të tyre po instalohej një diktaturë të cilës i printe një teknokrat komunist i cili ka ardhur me mision në krye të LDK-së, madje në mënyrë të pandergjegjshme dhe antistautare. Por ankronike e këtyre standardeve do të mbetet se dy proceset zgjedhore në Degët e LDK-së kanë ndodhur në dy vende me demokracinë më të lartë, dhe me format më të avancuara në zgjedhjet e brendshme, por nuk patën asnjë interesim për të ndihmuar intelektualët dhe për t’ia shpëtuar fytyrën EPP, (The European People’s Party), e cila karshi Kosovës po ndjek një standard të dyfisht, veçmas kur dihet se kësaj partie i prin një teknokrat komunist që ka ardhur në krye të LDK-së pa qenë kurrë më parë anëtarë i kësaj partie.

PËRFUNDIM

Ne morëm vetëm këta 4 shembuj, pasi jemi të pafuqishëm për t’i përmendur 400 heroizmat tjerë në nivele më të ulëta për të cilët nuk merakoset askush. Të gjitha këto shkelje bëhen përpara syve të popullit dhe të intelektualëve, përpara syrit të miqve tanë dhe përpara syve të Ambasadorëve të vendeve mike. Kosova tashmë është shndërruar në një kazan në të cilin zihet gjithçka, por më së paku prodhohet demokracia për të cilën flasin të gjithë, thërrasin të gjithë, kurse vetëm kriminelet po krenohen duke na mbajtur leksione neve dhe përfaqësuesve diplomatik të akredituar në Kosovë, të cilët janë lodhur duke dëgjuar proçka të tilla nga ata të cilët janë fajtor për gjendjen e tanishme.

Janë këto arsye pse ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme për verifikimin e personalitetit të secilit kandidat që hynë në zgjedhje dhe për ata që pretendojnë për të udhëhequr vendin tonë. Në të kundërtën zhgënjimi i popullit është i madh pasi atë as nuk e pyet por as nuk e dëgjon askush.

Nga kjo qasje vijmë në përfundim se nuk duhet të fyhet intelektuali pse nuk iu prin reformave në arsim, siç ishte rasti i prof. dr. Ramadan Zejnullahu, as nuk do të ketë më prokuror që sakrifikon jetën e vet dhe të familjes siç bëri prokurori Elez Blakaj. Tashmë Kosova nuk ka as historian dhe dijetar që do ta ketë guximin e Jusuf Buxhovit për të folur qartë dhe drejtpërdrejt, dhe më nuk do të ketë as veprimtar e intelektual brenda subjekteve politike që do ta kenë guximin e Donikë Gërvallës dhe as të autorit të këtyre letrave për tu sakrifikuar, pasi nuk u lejuan të bëjnë reforma edhe pse vepronin në vendet më demokratike të Evropës, aty ku EPP, (The European People’s Party), ka rol specifik mbi demokracinë Evropiane duke përjashtuar vetëm LDK-në e Kosovës që udhëhiqet nga një teknokrat komunist i cili mision ka për ta shkatërruar LDK-në, Kosovën dhe tërë planetin demokratik.

Iu bëjë thirrje publike të gjithë Ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatik në Misionet Ndërkombëtare në Kosovë, për t’i marrë seriozisht këto vërejtje publike, nëse ata dëshirojnë për ta ndryshuar shpejt e mirë gjendjen në Kosovë, në të kundërtën pasojat do të jenë edhe më të mëdha!

Vijon…

St. Gallen, 3 shtator 2019.

*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave, në të cilët kryesisht trajtohen zhvillimet politike në Kosovë. Autori që nga viti 1984 jeton dhe vepron në Zvicër.