USHQIMET E RREZIKSHME QË HAMË PËRDITË, DUAN NJË KONTROLL MË RIGOROZ NGA STRUKTURAT E KONTROLLIT USHQIMOR
Arben Çokaj
Zyra e Bashkëqeverisjes në bashkëpunim me Autoritetin e Kontrollit Ushqimor më kanë kthyer këtë përgjigje, në lidhje me problemin që unë kam ngritur për sasinë e nitrateve në frutat dhe perimet, që tregëtohen në Shqipëri.
Greentest është një pajisje e thjeshtë, e cila të krijon idenë, për ekzistencën e nitrateve apo nititeve në një produkt të caktuar ushqimor. Ajo nuk është një pajisje profesionale, që përdoret në laboratore të ndryshme. Por me anë të saj, marrim një informacion brenda pak sekondave, se një produkt ushqimor, frut apo perime, përbën rrezik për shëndetin tonë, pastaj, njeriu vepron sipas dëshirës.
Perceptimi im është se ushqimet tona nuk kontrollohen si duhet, dhe përmbajnë sasi të larta dhe jashtë normales, jo vetëm të pesticideve, hormoneve etj. por edhe të nitrateve dhe nitriteve. Kështu që edhe qëllimi im, për ta ngritur këtë problem, ishte një apel për struktrurat tona shtetërore të sigurisë ushqimore, të cilat, padyshim, duhet të bëjnë më shumë, dhe në mënyrë të vazhdueshme, kotrolle për ta mbrojtur konsumatorin shqiptar nga ushqimet e rrezikshme, dhe që dëmtojnë shëndetin e tyre.
Shpresoj dhe uroj, që strukturat tona të kontrollit ushqimor, do vijnë me kohën, duke treguar më shumë kujdes për ushqimin tonë, pasi ne jemi në fund të fundit, ajo që ne hamë përditë! Dhe nuk është viktimë vetëm populli, që konsumon ushqimet e rrezikshme, por edhe këta që merren e paguhen për këtë punë!
Ja përgjigjia, që më erdhi me email, në lidhje me problremin e ngritur:
Përshëndetje Arben Çokaj,
Përgjigje ndaj kërkesës tuaj me Numër: 70023
I Nderuar z. Çokaj, Në përgjigjje të shqetësimit që Ju ngrini, AKU, sqaron se: Me informacionin që disponojmë si dhe gjykimit të specialisteve për sa i përket përdorimit të aparatit Greentest për matjen e nitrateve në produktet ushqimore, rezulton se:
• Bazuar në të dhënat që jep vetë kompania prodhuese, ky aparat nuk është i destinuar për përdorim në laborator, por vetëm për përdorim individual privat.
• Në referencat dhe materialet promovuese të saj, firma prodhuese nuk përmend ndonjë laborator ose trupe inspektuese diku në botë që përdor aparatin në fjalë, për matjen e sasisë së nitrateve në produktet ushqimore.
• Aparati mat sasinë e nitrateve vetëm në pikën ku hyn sonda e tij në produkt, nëpërmjet matjes së përshkueshmërisë elektrike në atë pike dhe thellësi produkti. Bazuar në videot ilustruese, vendosja e sondës në pika dhe thellësi të ndryshme të të njëjtit produkt, jep rezultate të ndryshme, me diferenca të konsiderueshme nga njeri-tjetri.
• Nuk mund të lëshohet një Raport-Prove duke bërë matjet me aparatin në fjalë, pasi në kolonën Metoda/Referenca të këtij raporti, nuk mund të shkruhet p.sh. “konduktiviteti me Greentest”, sepse kjo nuk është një metodë standarde ose e brendshme, e vlerësuar dhe e verifikuar sipas të gjithë rregullave nga institucionet përkatëse.Po ashtu në vijim shtojmë se: Duke qenë se ështe evidentuar që ky aparat nuk ështe i destinuar për përdorim në laboratorë, pasi nuk mund te japë raport-analize me metoda konfirmuese. Aktualisht projekti i laboratorëve do të kryejë ne vijim trajnime për inspektoret dhe laboratorët për përdorimin e testeve të shpejta (përfshirë nitratet dhe nitritet në fruta-perime si dhe aditivet e shtuar e ngjyruesit, ku të specifikohen pajisjet për perdorim nga inspektorët dhe për laboratorët, të cilat kanë nevojë për teste konfirmuese të metejshme.
“Analizat e plehut (nitratet) kryhen në QTTB, kurse nivelet e mbetjeve apo kontaminatëve në ISUV (por, per nitratet dhe nitritet nuk jepet informacion në listen e shërbimeve). Në lidhje me nivelin maksimal të lejuar të nitrateve në produktet ushqimore, inspektorët e AKU, gjatë kontrolleve zyrtare, ku objekt është edhe marrja e mostrave të produkteve për t`u analizuar në laborator, i referohen legjislacionit në fuqi: Udhëzim 19 date 17.11.2010 “Për metodat e marrjes së mostrave dhe analizimit për kontrollin zyrtar të nivelit të nitrateve në produktet ushqimore”, Udhëzim Nr. 1 datë 05.02.2016 “Për vendosjen e niveleve maksimale për disa kontaminues në produktet ushqimore”.
Nga verifikimi i kryer në listen e shërbimeve të derguara nga ISUV, evidentojmë se nuk jepet informacion për sherbimin e nitriteve dhe nitrateve në fruta-perime, por vetëm analizimi i pesticideve. Pavarësisht kësaj, Çështja e mbetjeve, është sigurisht në vëmendjen e AKU, por, duhet të përmendim faktin që kemi me mijëra ton të eksportuara fruta-perime, drejt vendeve të BE, (e jo vetëm) dhe nuk kemi njoftime për mbetje pesticidesh nga sistemi i informimit të shpejte Europian, (RASFF) ku Shqiperia është e pranishme. (për dy vjet jane evidentuar vetëm dy raste ), ndërkohë që vendi ynë ka eksporte mbi 50 mijë ton në vit. Kjo tregon se kjo çështje është më tepër e zmadhuar se sa reale, por, gjithësesi AKU, në bashkëpunim edhe me struktura të tjera ka në vëmendjen e saj edhe këtë aspekt ashtu si të gjitha aspektet e tjera të sigurisë ushqimore.
Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin,
Zyra e Bashkëqeverisjes
Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje
Faleminderit,
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
Por një specialist i kontrollit ushqimor, sqaron:
E lexova.
E para: I panevojshem argumenti per Greentest, thjesht kane perkthyer diku.
E dyta: pranojne qe nuk behen nitratet dhe nitritet ne Shqiperi, as AKU, as ISUV, as ministria e bujqesise nuk ka standarte e protokolle.
E treta: nitritet behen ne QTTB në Fushe-Kruje thone, nje genjeshter e neveriteshme, pasi atje behen analiza per plehrat, jo per ato qe flet ti dhe gjithe bota (Jane maskarenj).E katerta: ne vend qe te flasin per standarte analizash, flasin per teste te shpejta!!!
E pesta: justifikohen qe bejne shumë eksporte, ky nuk eshte argument shkencor, pasi analizat flasin, pse nuk tregojne analizat? Edhe pse duhet thene qe grumbulluesit interesohen tek fermeret, qe te perdorin korrekt pesticidet. Po prodhimin e vendit kush e kontrollon?
Te panevojshem udhezimet qe përmendin, derisa nuk ka laboratore qe te beje analizat. Hipokrizi e hapur.Skandaloze shprehja: “nga verifikimi i listes te ISUV… keto analiza nuk behen”, po pse moj AKU, bordello është, nuk e dini ju qe nuk behen keto analiza.
Te pakten e pranojne edhe pse me marifet, duke u perpjekur ta fshehin me QTTB.
Unë i shkrova përsëri një mesazh Zyrës për Bashkëqeverisjen, me këtë përmbajtje:
Përshëndetje Zyra e Bashkëqeverisjes.
Faleminderit për përgjigjen tuaj.
Arsyeja që ju pata shkruar, ishte se ekziston një perceptim i përgjithshëm publik, se ushqimet në tregun shqiptar nuk kontrollohen sa e si duhet, gjë që edhe ju e konfirmuat pjesërisht me përgjigjen tuaj.
Tani si mund të veprohet për të rritur kontrollin ushqimor dhe gamën e specifikën e këtyre kontrolleve? Si mund të kontrollohen frutat e perimet për hormone, kimikate të ndryshme, nitrate e më gjerë? Kjo mendoj se duhet të përbëjë shqetësim edhe për ju.
Unë e bleva Greentest, nisur nga nevoja për të patur një pajisje, që na orienton të paktën, se ky ushqim mund të jetë ose jo i rrezikshëm. E unë nuk e konsumoj një ushqim, nëse e vërej se del i tillë. Pavarësisht saktësisë së Greentest. Por kjo mbetet një zgjidhje individuale. Dëshira ime ishte që strukturat e shtetit shqiptar si AKU etj. që merren me këto punë, të kenë ekspertizën laboratorike dhe mbështetjen e duhur ligjore, që të mos lënë ushqime të rrezikshme në tregun shqiptar, duke patur edhe të drejtën për ndëshkime dhe bllokime të atyre ushqimeve të rrezikshme dhe të tregtarëve, që tregtojnë ushqime të rrezikshme në tregun shqiptar.
Prandaj iu drejtova Platformës suaj, me idenë, se ju keni ndikim pozitiv në strukturat më të larta të shtetit shqiptar, pasi edhe Kryeministri Rama ju lavdëron shpesh, dhe mund t’i ndikoni ato, që t’i krijojnë këto mundësi të nevojshme, për të kontrolluar ushqimet tona, pasi në fund të fundit, ne jemi produkt i atyre ushqimeve që hamë. Dhe besoj se ju do e bëni një përpjekje në këtë drejtim, duke parë edhe mangësitë që kemi në këtë fushë.
Ndërkohë unë e diskutova përgjigjen tuaj edhe me një specialist të kësaj fushe, që dëshiron të mbetet anonim. Ai më dha pak a shumë këtë përgjigje:
————–
E lexova.
E para: I panevojshem argumenti per Greentest, thjesht kane perkthyer diku.
E dyta: pranojne qe nuk behen nitratet dhe nitritet ne Shqiperi, as AKU, as ISUV, as ministria e bujqesise nuk ka standarte e protokolle.
E treta: nitritet behen ne QTTB në Fushe-Kruje thone, nje genjeshter e neveriteshme, pasi atje behen analiza per plehrat, jo per ato qe flet ti dhe gjithe bota (Jane maskarenj).
E katerta: ne vend qe te flasin per standarte analizash, flasin per teste te shpejta!!!
E pesta: justifikohen qe bejne shumë eksporte, ky nuk eshte argument shkencor, pasi analizat flasin, pse nuk tregojne analizat? Edhe pse duhet thene qe grumbulluesit interesohen tek fermeret, qe te perdorin korrekt pesticidet. Po prodhimin e vendit kush e kontrollon?
Te panevojshem udhezimet qe përmendin, derisa nuk ka laboratore qe te beje analizat. Hipokrizi e hapur.
Skandaloze shprehja: “nga verifikimi i listes te ISUV… keto analiza nuk behen”, po pse moj AKU, bordello është, nuk e dini ju qe nuk behen keto analiza.
Te pakten e pranojne edhe pse me marifet, duke u perpjekur ta fshehin me QTTB.
—————-
Mbetem me shpresë se ju do të bëni atë që është nevojshme, për ta përmirësuar punën me kontrollin ushqimor dhe në mbrojtje të konsumatorit shqiptar, që ndodh të jeni edhe vetë ju!
Ju uroj më të mirat,
Arben Çokaj
PËRGJIGJIA PËRFUNDIMTARE
Përshëndetje Arben Çokaj,
Përgjigje ndaj kërkesës tuaj me Numër: 70023
I nderuar z. Çokaj,
Në lidhje shqetesimin Tuaj, AKU informon se: Ka filluar proçesi i modernizimit të gjithë Laboratorëve. Kjo mbi bazën e programeve të BE. Gjithashtu, ka filluar marrja në dorëzim e aparaturave bashkëkohore, të cilat do të ngrenë në një nivel më të lartë, jo vetëm cilësinë e analizave që kryhen, por edhe gamën e tyre. AKU sigurisht kërkon standarte analizash dhe jo teste të shpejta, ndonëse edhe ato janë pjesë e proçesit. Njëkohesisht është në proces (lidhja e kontratës) për pajisje të lëvizshme për inspektorët, pra mjete pune të nevojshme në proçesin e inspektimit, (çanta të destinuara për këte qëllim), të cilat duke i pasur në dispozicion do të shërbejë për rritjen e cilësisë së inspektimit.
Sipas ankesës, Juve nuk ju duket argument rritja e eksporteve, e po ashtu edhe moskthimi apo mosbllokimi i ngarkesave me origjinë nga një vend, i cili eksporton produkte mbetje apo elemente, që cënojnë sigurinë ushqimore e të cilat nuk kontrollohen. Në të vërtetë ky është një argument me shumë bazë, sepse, nëse do të ishte e vërtetë ajo që Ju thoni, eksportet nuk do të kishin rritje, por ulje drastike. Në fakt kundërta është e vërtetë, eksportet janë rritur, e, do të vazhdojnë të rriten. Me keqardhje për epitetet e përdoruara, e megjithë mirëkuptimin që duam të tregojmë, vlerësojmë se duhet patur një minimum etike në komunikim.
Gjithsesi, AKU, e vlerëson shqetësimin e paraqitur dhe Ju sigurojmë se ç’do çështje që ka lidhje me sigurinë ushqimore, ndiqet me rigorozitet e me vetëdijen se mbetet akoma shumë për të bërë. Ankesat drejtuar AKU, tregojnë besimin në rritje të qytetarëve tek ky institucion dhe AKU vazhdimisht inkurajon çdo qytetar, të drejtohet pranë ketij institucioni, sepse, Siguria Ushqimore, është edhe një sfidë e përbashkët, sigurisht pa shmangur në asnjë rast detyrat dhe përgjegjësitë si Institucioni kryesor i kontrollit ushqimor.
Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin, Zyra e Bashkëqeverisjes Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje
Faleminderit,
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit