PERGJIGJE MIKUT TIM, AKADEMIK ARDIAN NDRECES, RRETH SHKRIMIT TE TIJ PER AURON TAREN

0
413
Primo Shllaku

Primo Shllaku

I dashun Ardian, Auron Tare ka hapë nji diskutim shum delikat dhe, simbas meje, edhe të thelluem me material faktik. Por ai nuk mund ta zavendësojë Akademinë e Shkencave dhe niveli i qasjes në shkrimin e tij asht i randësisë dhe i diskrecionit akademik. Unë nuk mund t’i përgjigjem Auron Tares, sepse ai, që në fillim, shpall inkompetencën në dallimin e vlerave letrare, për të cilat dhe mbahen nalt këta dy autorë të shek. XX.

Që kritika të mos degjenerojë në përleshje fejsbukiste, ju lutem ju, anëtarit ma të ri të këtij institucioni, që Akademia ta ndjejë për detyrë të sajën të na japë sa ma shpejt nji opinion paraprak rreth çeshtjes dhe, në vijim, të dale para publikut e studiuesve specifikë të letrave shqipe me nji konkluzion shterrues. Çeshtja ka dale në facebook, por nuk asht i denjë ky rrjet social të mbajë gjithë peshën dhe seriozitetin e këtij diskutimi.

Imagjinoni se çfarë do t’i ndodhte dikujt prej studiuesve, sikur ai të përpiqej të asgjasonte me nji të rame të shkopit Pashko Vasën, treshen Frashëri dhe Ismail Qemalin me argumentin real, se ata paskëshin qenë nëpunës të naltë dhe pjesë e aparatit shtetnor të perandorisë osmane, përgjegjëse kjo, ma së paku, për ç’europianizimin e botës shqiptare.

Marrja e një opinioni nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve tashti në fillim të verës, si kohë jetë e mot e studiueme me hjedhë në tregun e mendimit shqiptar këso mënxyrash që asgjasonin fizikisht por edhe moralisht, do ta paqëtone tek njerëzit tundimin e ndershëm dhe logjik për ta mbrojtë individualisht e sporadikisht atë pjesë të kuturës kombëtare, e cila nuk u poq në arat e socializmit real e të diktaturës.

Akademia duhet të shprehë mendimin e vet dhe të krijojë nji shtrat të arsyeshëm debatesh mbi tema kaq madhore. Heshtja e Akademisë ku ju bani pjesë, do të ishte nji shprehje e moskompetencës së saj kulturologjike dhe profesionale, megjithëse i ka ata që e mbulojnë këtë sektor. Uroj që Akademia ta konsiderojë si të ligjshme dhe të arsyeshme këtë kërkesë dhe, kësisoj të vërtetohet, se ndryshimet në udhëheqjen dhe rekrutimi i elementëve të rinj që ndodhi para pak ditësh, të mos kenë qenë formale.

Me konsideratë,
P. Shllaku