PËRGJËRIM DREJTUAR ZOJËS SË POMPEI˗t

0
567
Ave Maria

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë. Amen!

O Mbretëreshë e madhërishme e fitoreve, o Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, para emrit të së cilës gëzojnë qiejt dhe dridhen humnerat! O Mbretëreshë e lavdishme e Rruzares! Ne të devotshmit bijtë e tu, të mbledhur shpirtërisht në Tempullin tënd të Pompei˗t (në këtë ditë të kremte), shprehim ndjenjat e dashurisë së zemrës sonë e, me besim të plotë prej bijsh, të shprehim mjerimet tona.

Nga froni i mëshirës, ku je e ulur si Mbretëreshë, hidhe, o Mari, shikimin tënd të dhembshur mbi ne, mbi familjet tona, mbi Italinë, mbi Europën, mbi botën! Ki dhembshuri për ankthet e travajet që hidhërojnë jetën tonë! Shiko, o Nënë, sa rreziqe në shpirt e në trup, sa fatkeqësi dhe pikëllime na shtrëngojnë!

O Nënë, kërko për ne mëshirë nga Biri yt hyjnor dhe fitoji me butësi zemrat e mëkatarëve! Janë vëllezërit tanë dhe bijtë e tu që i kushtojnë gjak Jezusit të ëmbël dhe trishtojnë Zemrën tënde tejet të ndjeshme. Tregohu për të gjithë ajo që je, Mbretëreshë e paqes dhe e faljes!

Të Falemi, Mari…!

Është e vërtetë se ne, të parët, megjithëse jemi bijtë e tu, me mëkate kryqëzojmë përsëri në zemrën tonë Jezusin dhe shporojmë akoma zemrën tënde.

E rrëfejmë: meritojmë dënimet më të ashpra, por ti kujtohu se, mbi Golgotë, mblodhe bashkë me Gjakun hyjnor, testamentin e Shpëtimtarit ndërsa po vdiste, që të shpallte si Nënën tonë, Nënë të mëkatarëve. Ti, pra, si Nënë e jona, je Mbrotësja jonë, shpresa jonë. Dhe ne, ndërsa rënkojmë, shtrijmë drejt teje duart përgjëruese, duke thirrur: Mëshirë!

O Nënë e mirë, ki mëshirë për ne, për shpirtrat tanë, për familjet tona, për të afërmit tanë, për të vdekurit tanë, mbi të gjitha për armiqtë tanë dhe për shumë që e quajnë veten të krishterë, e megjithatë e fyejnë Zemrën e dashur të Birit tënd! Mëshirë sot kërkojmë me përgjërim për kombet e shthurura, për gjithë Europën, për gjithë botën, që e penduar të kthehet tek Zemra jote! Ki mëshirë për të gjithë, o Nënë e Mëshirës!

Të Falemi, Mari…!

Denjohu, o Mari, të na dëgjosh me dashamirësi! Jezusi ka vendosur në duart e tua të gjitha thesaret e hireve të tij dhe të mëshirave të tij. Ti rri, e kurorëzuar Mbretëreshë, në të djathtën e Birit tënd, e shkëlqyeshme me lavdi të pavdekshme mbi të gjitha koret e Engjëjve. Ti e shtrin pushtetin tënd aq sa janë të shtrirë qiejt, dhe ty toka dhe krijesat të nënshtrohen. Ti je e gjithëpushtetshme për nga hiri, ti, pra, mund të na ndihmosh, sepse si bij mosmirënjohës dhe të padenjë për mbrojtjen tënde, nuk dimë kujt t’i drejtohemi. Zemra jote prej Nëne nuk do të lejojë të na shohësh neve, bijtë e tu, të humbur! Foshnja që shohim në prehrin tënd dhe Kurora mistike që shohim në dorën tënde, na frymëzojnë besim se do të na dëgjohet lutja. Dhe ne besojmë plotësisht në ty, lëshohemi si bij të dobët në krahët e më të butës mbi të gjitha nënat, dhe, që sot, prej teje presim hiret e shumëdëshiruara.

Të Falemi, Mari…!

Të kërkojmë bekimin e Marisë!
Një hir të fundit ne të kërkojmë, o Mbretëreshë, që nuk mund të na e mohosh (në këtë ditë tejet solemne). Na jep të gjithë neve dashurinë tënde të vazhdueshme dhe në mënyrë të veçantë bekimin amënor!

Nuk do të shkëputemi prej teje pa na bekuar. Beko, o Mari, në këtë moment Papën. Shkëlqimeve të lashta të Kurorës sate, triumfeve të Rruzares sate, prej të cilave ti thirresh Mbretëresha e fitoreve, shtoje edhe këtë, o Nënë: jepi triumfin Fesë dhe Paqen shoqërisë njerëzore! Beko Ipeshkvijtë tanë, Meshtarët dhe në mënyrë të veçantë të gjithë ata që kanë zell për nderin e Shenjtërores sate! Beko, më në fund, të gjithë anëtarët e Tempullit tënd të Pompei˗t e të gjithë ata që përhapin devocionin për shenjten Rruzare!

O Rruzare e bekuar e Marisë, zinxhir i ëmbël që na lidh me Hyjin, lidhje dashurie që na njëson me Engjëjt, kullë shpëtimi në sulmet e ferrit, port i sigurtë në anijembytjen tonë, ne nuk do të të lëmë më kurrë!

Ti do të jesh për ne ngushëllim kur të jemi në grahmat e vdekjes, ty puthjen e fundit në çastin e vdekjes. Dhe fjala e fundit e buzëve tona do të jetë emri yt i këndshëm, o Mbretëreshë e Rruzares së Pompei˗t, o Nëna jonë e shtrenjtë, o strehë e mëkatarëve, o ngushëlluesja më e madhe e të trishtuarve! Qofsh kudo e bekuar, sot e përgjithmonë, në tokë e në qiell! Amen!

Të Falemi, Mbretëreshë…!

Përktheu:
Nikolin Sh. Lëmezhi