Përfundon me sukses edicioni i 10-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmbërësve në Nju Jork IFFNY

0
175
IFFNY-2021

Përgatiti E.B., Nju Jork

Festivali Ndërkombëtar i Filmbërësve në Nju Jork (IFFNY) është një nga festivalet e njohura të filmit në Nju Jork që lidh audiencën amerikane me kinemanë ndërkombëtare. Me rastin e 10-vjetorit, festivali shënoi një tjetër moment historik – 100 filma për nder të 10 viteve të historisë së suksesshme të festivalit. Këtë vit, edicioni i 10-të i festivalit IFFNY u mbajt më datën 21-24 maj, 2021.

Nga 891 aplikime nga e mbarë bota, 100 finalistë u përzgjodhën në listën zyrtare të programit për vitin 2021. Filmat ishin përfaqësues të gjashtë kategorive, përkatësisht: filmi me metrazh të gjatë artistik, filmi me metrazh të shkurtër, filmi dokumentar me metrazh të gjatë, filmi dokumentar me metrazh të shkurtër, filmi i animuar dhe video muzikore. Finalistët garuan për çmime të festivalit dhe të jurisë, e cila përbëhej nga: Larry Moore, Victoria Yakubova Schneid, Robert Haufrecht, Asis Sethi dhe Sabrina Moreno.

Festivali i filmit IFFNY çdo vit shfaq projekte filmike nga kineastë me renome si dhe ato të rinj. Është themeluar në vitin 2012 dhe udhëhiqet nga regjisorja, producentja dhe skenaristja e mirënjohur Mrika Krasniqi, me Ibër Deari si Selektor i Festivalit dhe Amina Zhaman, Drejtoreshë Artistike.

“Përmes festivalit IFFNY është prezantuar puna e shumë artistëve që kanë marrë pjesë. Këtë vit për shkak të vitit jubilar vendosëm të pranojmë më shumë projekte. Ka patur llojshmëri të filmave nga 43 vende të botës.

Festivali Ndërkombëtar i Filmbërësve në Nju Jork ka qenë një pikëtakim shumë i mirë sidomos për ne artistët që vijmë nga trojet shqiptare, që të vizitojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe vendin shumë të rëndësishëm për artin, Nju Jorkun dhe të shohim botëm dhe njerëzit që vijnë nga e gjithë bota. Nga të gjithë shtetet e ndryshme që marrin pjesë në festival, ne çdoherë takohemi më një kulturë të re, edhe prezantohemi me një gjuhë të re. Kjo ka qenë një ndër eksperiencat më të mira, sidomos për mua si regjisor ka qenë një përvojë shumë e veçantë, jo vetëm të shikoj filma por edhe t’i vlerësoj ato,” tha në një intervistë për Klan Macedonia regjisori i shquar dhe Selektori i Festivalit të Filmit IFFNY, Ibër Deari.

Në mesin e artistëve shqiptar të pranuar zyrtarisht në edicionin e 10-të të festivalit të filmit IFFNY 2021 ishin: Spartak Pecani me filmin “Bolero in the elder house / Bolero në vilën e Pleqve” (Shqipëria) në kategorinë filmi artistik me metrazh të gjatë; Arbër Krasniqi me filmin “Back home” (Kosovë), Ambra Cani me filmin “Sonja” (Shqipëri) dhe Besnik Prekazi me filmin “Fair Play” (Kosovë) në kategorinë filmi me metrazh të shkurtër; Merita Çoçoli me filmin dokumentar me mentrazh të gjatë “Nezo” (Maqedonia e Veriut); dhe Kenan Gurgurovci me filmin dokumentar me mentrazh të shkurtër “The Shadow of the Rain / Hija e Shiut” (Kosovë).

Spartak Pecani fitoi çmimin “Regjisori më i Mirë” (Best Director Award) për filmin artistik “Bolero në vilën e Pleqve”, përfaqësim nga Shqipëria. Arbër Krasniqi fitoi çmimin “Arritje e Jashtëzakonshme në Regji” (Outstanding Achievement in Directing) për filmin “Back home”, përfaqësim nga Kosova.

“Urime të gjithë fituesve të festivalit IFFNY 2021, Edicioni i 10-të. Festivali Ndërkombëtar i Filmbërësve në Nju Jork këtë vit kishte moton ‘Një dekadë e festimit të kinemasë’. Ka qenë një udhëtim mbresëlënës dhe sfidues sidomos këto dy vitet e fundit. Por ne ishim të vendosur të vazhdonim misionin tonë pavarësisht nga pandemia dhe të promovonim veprat e kineastëve nga e gjithë bota. Festivali IFFNY sa vjen e rritet çdo vit dhe sot është kthyer në një platformë globale dhe në një simbol i miqësisë dhe krijimtarisë,” u shpreh Mrika Krasniqi, themeluesja dhe drejtuesja e festivalit IFFNY në Nju Jork.

“Unë falenderoj themeluesen e festivalit Mrika Krasniqi e cila asnjëherë këtyre 10 viteve nuk u ndal. Ajo është një grua shumë e fuqishme, e cila na motivon shumë dhe ka bërë shumë punë të madhe jo vetëm për artistët botëror por edhe për artistët shqiptar të jemi këtu. Artistët shqiptarë kanë patur një mundësi që veprat e tyre të prezantohen jashtë vendit tonë të vogël dhe të kemi një hapësirë dhe mundësi të reja. Unë e vlerësoj shumë këtë punë dhe e shoh që është shumë e rëndësishme për çdo aktor, regjisor, skenograf, skenarist, por edhe ata që meren me muzikën e filmit. Festivali ofron një mundësi shumë të mirë dhe të lehtë për t’u lidhur me filmin nëpër botë.

Gjithashtu falenderoj edhe Ermira Babamusta e cila ka bërë një punë shumë të madhe e të fuqishme në promovimin e çdo artisti, aktori apo filmbërësi për t’a treguar veprën e tyre në botë. Po ashtu falenderoj Amina Zhaman e cila është një artiste shumë e veçantë, e cila nuk është ndalur gjithë këtyre muajve duke intervistuar çdo artist në fushat e filmit. Një falenderim i veçantë për editorin, dizajnerin dhe montazherin e festivalit Fisnik Halili nga Lumière Films dhe të gjithë ata që e kanë ndihmuar këtë vit festivalin IFFNY, “shtoi regjisori Ibër Deari.

Më 24 maj, 2021 festiali IFFNY shpalli çmimet e jurisë dhe çmimet speciale të festivalit.

Fituesit e Çmimeve të Jurisë të Festivalit IFFNY: 

Filmi më i Mirë (Best Feature Film), “Mother of Apostles” nga Zaza Buadze, Ukrainë.
Aktori më i Mirë (Best Actor for Feature Film), Greg Ellwand në filmin artistik “Jasmine Road”, Kanada.
Aktorja më e Mirë Best Actress for Feature Film, Natalia Polovinka, në filmin artistik “Mother of Apostles”, Ukrainë.

Kinematografia më e Mirë (Best Cinematography), “In my Dream” nga Murat Çeri, Tuqi.

Skenari më i Mirë (Best Screenplay), “Mother of Apostles” nga Ratha Makeenkova dhe Zaza Buadze, Ukrainë.

Dokumentari më i Mirë (Best Feature Documentary), “On the Front Lnie” nga Matteo Balsamo dhe Francesco Del Grosso, Itali.

Filmi më i Mirë me Metrazh të Shkurtër (Best Short Film), “Stuff” nga Malu Janssen, Holland.  
Aktori më i Mirë (Best Actor for Short Film), Carl Malapa, në filmin me metrazh të shkurtër Prague”, Francë.
Aktorja më e Mirë (Best Actress for Short Film), Anna Casas, në filmin me metrazh të shkurtër “The woman of the house”, Spanjë.

Music Video e Mirë (Best Music Video), “Big Yellow Taxi”, Matt Mahurin, Kanada.
Animacioni më i Mirë (Best Animation), “On/Off” nga Nicolas P. Villarreal, Argjentina.

Dokumentari më i Mirë me Metrazh të Shkurtër (Best Short Documentary), “Beyond the city skyline”, nga Tom Franz, USA.
Produksioni më i Mirë (Best Production), “King of the Party”, nga Isaac Cherem, Cecilia Parodi dhe Salomon Askenazi, Meksikë.

Fituesit e Çmimeve Speciale të Festivalit IFFNY:

Regjisori më i Mirë (Best Director), Spartak Peani, “Bolero in the Elder House house / Bolero në vilën e Pleqve”, Shqipëri.
Editimi më i Mirë (Best Editing), “Without Skin” nga Lars Bergbom dhe Christian Johansson, Suedi.
Më i miri për të Drejtat e Njeriut (Best Human Rights Award), “Corched Land” nga Antonio Ferrer, Spanjë.

Arritje e Jashtëzakonshme në Dokumentar (Creative Innovation in Documentary), Velibor Covic, “I was 10 years old”, Mal i Zi.
Arritje e Jashtëzakonshme në Regji (Outstanding Achievement in Directing), Arber Krasniqi, “Back Home”, Kosovë.
Inovacion Kreativ në Animacion (Creative Innovation in Animation), “Liliana” nga Milanka Fabjancic, Slloveni.

Çmim Nderi (Honorable Mention), “One More Jump” nga Emanuele Gerosa, Itali.
Çmim Nderi (Honorable Mention), “The Last Lightkeeper” nga Niamh Hayes, Irlandë.
Për informacion rreth aplikimit për edicionion 11, të festivalit IFFNY për vitin 2022 vizitoni www.iffny.com dhe Instagram @iffnyfestival.