Perëndimi po vë në provë Lulzim Bashën!

0
300
Basha në pikë të hallit

Mero Baze Nga Mero Baze, TemA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE dhe fqinjët tanë perëndimorë, Italia dhe Greqia, e pastaj Gjermania, Franca e më tej, kanë reaguar sot, njëra pas tjetrës, duke përgëzuar Shqipërinë për zgjedhjet e 25 prillit, duke vënë theksin në legjitimitetin e zgjedhjeve dhe nevojën që palët të respektojnë verdiktin e popullit.

Thirrjet u shtuan sot në mesditë, pasi në ekrane u shfaq Ilir Meta me gjendjen e tij të rënduar psiqike, që paralajmëroi një “dekret presidencial” që do të përmbyste zgjedhjet, dhe më pas Sali Berisha, që pasi festoi dy ditë radhazi fitoren, ishte kujtuar se votat ishin vjedhur para datës 25 prill.

Reagimit ndërkombëtar i priu ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, postimin e së cilës e pasoi zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, e më pas OSBE, qeveria italiane, gjermane, franceze etj, dolën me të njëjtin qëndrim.

E gjithë kjo, natyrisht që ka rëndësi për integritetin dhe legjitimitetin e procesit në Shqipëri, por për atë shqiptarët janë vetë të qartë.

Kjo ka më tepër rëndësi për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, pasi është një mesazh për atë.

Ato mesazhe i drejtohen atij. Nuk ishin mesazhe për të mbështetur Edi Ramën, por më shumë mesazhe për t’i kujtuar Lulzim Bashës, se duhet t’i jepte fund një historie, ku ai tërhiqet zvarrë nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, për të tentuar sërisht trazira në Shqipëri.

Për ta bërë më të qartë këtë, ambasadorja Yuri Kim e përgëzonte atë për fushatën që kishte bërë, duke e diferencuar nga Ilir Meta, të cilit i atribuohet paralajmërimi se ligji do të ndëshkojë ata që pengojnë “të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe”. Dhe ne e pamë se çfarë bëri Ilir Meta për t’ia arritur kësaj.

Sali Berisha dhe Ilir Meta në të vërtetë ishin dy minuesit e mëdhenj të fushatës elektorale të Lulzim Bashës, njerëzit që krijuan imazhin tek populli shqiptar, se opozita që po kërkon pushtet, është një opozitë anti-perëndimore, anti-amerikane, dhe mbi të gjitha një opozitë që po tenton të vijë në pushtet duke frikësuar njerëzit me vrasje, bazuar në dyshime.

Tani Lulzim Basha është para dy vendimeve të mëdha. Vendimi i parë dhe më i lehti, është të tërhiqet pas humbjes e të shkojë në shtëpi. Këtë duket qartë që nuk ka ndërmend ta bëjë, dhe kjo është zgjedhje e tij.

Por nëse nuk e bën këtë, dikë duhet të çojë në shtëpi. Dhe dy humbësit e mëdhenj janë Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Nëse Lulzim Basha ka ndërmend të rikandidojë si kryetar i PD, duhet ta nisë nga distancimi me ta. Është e vërtetë se pasi ka dështuar 8 vite, ai sa herë dështon kthehet në prehërin e Sali Berishës, i cili bën sikur i fut nja dy shpulla dhe pastaj e lë të lirë.

Tani është momenti që nëse Basha do të vazhdojë më tej, duhet t’i fusë nja dy shpulla Sali Berishës dhe të thotë që ky është një fillimi ri i imi, pa Sali Berishën. Dhe është në momentin e duhur për ta bërë.

Sali Berisha nuk është më idhulli i demokratëve, por është fatkeqësia e tyre. Një vajzë plot sharm si Ori Nebiaj, apo një djalë energjik si Belind Këlliçi, e kanë mundur atë në çdo kuti të Tiranës. Kjo tregon që demokratët janë të etur për fytyra të reja, dhe jo për një plak që nuk i del shpirti pa e djegur këtë vend.

Fakti që Ilir Meta e Sali Berisha kanë gjithë ditën që “kërcënojnë” se do nisin luftën dhe nuk do të njohin zgjedhjet dhe Parlamentin, si dhe broçkulla të tjera, dhe Lulzim Basha nuk flet, tregon se ai është ende tani nën tutelën e tyre.

Ai ende merr urdhëra prej tyre dhe nuk merr dot vendime të mëdha për veten dhe PD. Nëse është kështu, ai do ta fundosë PD-në bashkë me ta, duke i lënë fushë të lirë Edi Ramës.

Sot ai është vënë në provë për këtë çështje. Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë folur dhe i kanë lënë radhën për të folur Lulzim Bashës, nëse është dakord me ata, apo ka ndërmend t’ia nis nga e para, pa ata.

Reagimi ndërkombëtar për të mbështetur kaq fort zgjedhjet, nuk do kishte ndodhur, sikur të mos kishin folur Ilir Meta dhe Sali Berisha. Ata ngritën në këmbë Perëndimin pro zgjedhjeve, dhe pro fushatës së Luzim Bashës.

Ky është një apel që Lulzim Basha duhet të zgjedhë nëse ka ndërmend të rinisë karrierën si lider i PD. Është ora e fundit, që atë mund ta pranojë dikush si kukull e Berishës dhe Metës. As shqiptarët dhe as Perëndimi nuk e pranojnë si të tillë! E provoi më 25 prill.