– Nga EUGJEN MERLIKA
“Sa më i madh të jetë pushteti, aq më i rrezikshëm është shpërdorimi i tij.”
BURKE (1729 – 1797), burrë shteti e shkrimtar anglez
Më 5 mars, në portalin e gazetës “Dielli”, ishte vënë tregimi i z. Reshat Kripa, “Epitafi”. 5 marsi, dita e vdekjes së Stalinit, besoj se ka përkuar rastësisht me botimin e atij tregimi rrënqethës, por edhe sikur t’ ishte ndryshe, ai do t’ishte nga shkrimet më të përshtatëshme, për të pasqyruar një nga shfaqjet më tragjike t’asaj bote staliniane, që mbretëroi e patrazuar në gjysëm shekulli të historisë shqiptare.
Autori na paraqet një ngjarje të vërtetë, të cilën ka patur fatin t’a mësojë rastësisht, duke e shpëtuar për një qime nga shuarja e saj në errësirën e harresës, në të cilën kanë përfunduar mjaft simotra të saj në “republikën” staliniane të Enver Hoxhës. Për fuqinë e saj mbresore dhe larminë e problemeve që shtron para lexuesit, të cilët lidhen jo vetëm me të shkuarën e errët, por edhe me të sotmen e amullt dhe t’ardhmen e vagët të shoqërisë sonë, besoj se është një nga veprat më t’arrira të këtyre 25 viteve. Për këdo që e lexon, përsiatja në vetvete bëhet e detyrueshme, kaq tragjik është subjekti që trajtohet në kornizën e njërës prej veprimtarive më besnike e më shprehëse të regjimit, asaj të Sigurimit të Shtetit, e po aq i fuqishëm është mesazhi që përcjell, me shkak pasojat e tij në jetën shqiptare të tre brezave.
Në qendër të tregimit, që i ngjan më shumë një dokumentari se një filmi artistik, është historia e një familjeje normale qytetare në Vlorën e viteve 70, ajo e familjes Canaj, përbërjen dhe fatin e së cilës e mësojmë nga një epitaf, i shkruar mbi pllakën e varrit të përbashkët. Agroni, një inxhinjer elektrik me interesa për librat, një mesnatë tetori 1974 arrestohet nga Sigurimi, që kërkon prej tij një deklaratë bashkëpunimi me të. I vendosur në kundërshtimin e tij, mbas dy muajsh i thirrur një mbrëmje në zyrën e hetuesit, gjëndet para një skene të llahtarëshme : bashkëshortja 42 vjeçare dhe vajza 15 vjeçe dhunohen seksualisht nga dy hetuesit para syve të tij që është i lidhur e nuk mund të lëvizë. Thirrjes për ndihmë të vajzës nuk mundet t’i qëndrojë më : “N’atë çast nuk durova më. Logjika nuk kishte më forcë.” Pranon të bëjë kompromisin me djallin e të padisë veten dhe shokët për biseda të lira, të cilat kishin si bosht alternativat që jepte regjimi : “Ose të ruanim personalitetin tonë, ose të ktheheshim në lakenj që gëzonin frutet e servilizmit të tyre.”
Pasojat janë të menjëherëshme, shokët arrestohen, zhvillohet gjyqi, njëri ekzekutohet, tjetri merr 12 vjet burg, ndërsa Agroni dhjetë të tillë. Dërgohet në Spaç, ku gjen një mjedis tepër të ftohtë, sepse “Atje shoku im nuk pranoi as të më fliste me gojë. Për të un isha një tradhëtar. Ndoshta kishte të drejtë, por ai nuk i dinte kushtet që më detyruan t’a bëja një gjë të tillë. “ Mbas gjashtë muajsh nëna, e plakur shumë, i vjen në takim, për t’i thënë se gruaja dhe vajza “ndodheshin në qiell”. Do të njohë të vërtetën e plotë mbas dhjetë vjetësh, kur kthehet në shtëpi e gjen nënën, i vetmi njeri që i qëndroi pranë në tragjedinë e tij. E vërteta është e shkruar në një copë letër të Lumturisë, bashkëshortes fatkeqe :
“I dashur Agron!
Në çastin që po të shkruaj këto rradhë kam pirë lëngun vdekjeprurës. Fuqitë po më lenë. Në momentet e fundit dua të tregoj shkaqet e veprimit tim. A e mban mënd natën e Sigurimit ? Ajo nuk mbaroi atje ku e le ti. Akti i fundit u luajt pasi na hoqën nga ajo dhomë. Ne u bëmë prè e akteve shtazarake t’atyre dy banditëve. Kur u kthyem në shtëpi Irida ishte çmëndur, ndërsa un isha e çoroditur. Vajzën u detyruam t’a shtrojmë në spitalin psikiatrik, ku i dha fund jetës së saj të njomë.
Pas disa ditësh vura re se në barkun tim po rritej fëmija e një krimineli. Ky fakt dhe turpi që ndiej për të dalë para syve të tu më detyruan të marr vendimin e vetëvrasjes.
Të puth me mall për vete dhe për Iridën. E jotja Lumturia.”
Shkurtimisht ky është tregimi. Sikur t’ishte vetëm një vepër letrare do të ngushulloheshim pak se mbetet një fantazi, sado makabre, e autorit. Por ngjarja është një nga episodet tragjike të realitetit të panjohur shqiptar të diktaturës komuniste. Fatkeqësisht nuk është i vetmi, as i pari as i fundit. “Ne mund të bëjmë çfarë të duam, askush nuk na e pret dorën.” Më thonte një oficer Sigurimi kur isha i arrestuar. Plotfuqia e kësaj bishe gjaksore ishte e padiskutueshme dhe shpërdorimi i saj ishte praktikë pune e përditëshme. Sigurisht, nuk do të ishte e drejtë të përgjithësohej dukuria deri në këtë shkallë të kriminalitetit, por as që mund të përjashtohet si një fantazi dashakeqe shkrimtarësh.
Problemi që shtrohet ende sot, mbas një të katërt shekulli të ndryshimit të regjimit, është raporti i shoqërisë dhe institucioneve tona politikë me këtë të kaluar të turpëshme, e cila është një vazhdë shumë e gjatë shkeljesh të dhunëshme të të gjitha parimevet të të drejtave të njeriut. Qëndrimi ndaj saj, të cilin popuj të tjerë në kushtet tona e kanë përcaktuar që në vitet e para, mbetet ende i mjegulltë, i paqartë, i dyfishtë se dënojmë me fjalë krimin, por nuk lejojmë të dënohen ideatorët e krimit, bartësit apo zbatuesit e tij. Madje politika shtyhet edhe më tutje, të ndalojë çdo mundësi proçedimi të përgjegjësve të krimeve, të cilët gëzojnë statuse të posaçme, që u lejojnë të kenë edhe privilegjet ekonomike si pensionet dyfishe, edhe sodisfaksionet morale apo garancitë politike që u jep projekt reforma e re.
Është për t’ardhur keq që organet e Drejtësisë janë kaq të ndrojtur, sa që nuk marrin asnjë nismë, as vetiake, për të hapur paditë në raste shkeljesh flagrante edhe të dispozitave të kohës, mbas të cilave fshihen kriminelë të çdo lloji, për proçeset e së kaluarës. Sigurisht këtu ndikon për keq edhe mungesa e vullnetit apo frika e qytetarëve për të paditur krime si ai i tregimit në fjalë, apo të tjerë të llojit. Kohët e fundit në Rumani janë dënuar ish oficerë të burgjeve për krimet e tyre kundrejt të dënuarvet, ndërsa tek ne kjo bisedë mbetet një tabu e paprekëshme, cilado qoftë ngjyra e pushtetit.
Populli i përndjekur nga regjimi, që e ka paguar atë dukuri me jetë dhe dhjetra vitesh privim lirije e të drejtash, ka dëshmuar, në këta 25 vjet, një durim dhe sens të shtetit të jashtzakonshëm. Asnjë rast vetëgjyqësie nuk ka patur, i është besuar Shtetit dhe institucioneve të tij detyra e rivendosjes së Drejtësisë. Por Shteti ka qënë krejtësisht i paqenë n’atë drejtim. Deri kur ?
Edhe duke mbajtur parasysh kartonët e kuq që deputetët socialistë, burra e gra, i ngrenë në Kuvend, kur bëhet fjalë për propozime që shkojnë n’atë drejtim, duke marrë në mbrojtje kriminelë të tipit të hetuesve të tregimit, në bazë të normave juridike ndërkombëtare, çdo gjykatës apo prokuror, para dukurish të tilla, mund të proçedojë në mënyrë vetiake, para dënimesh si ai i Havzi Nelës, Vilson Blloshmit apo Genc Lekës, por edhe përdhunimit të dy shqiptareve nga ana e hetuesve të Vlorës.
Në vitet 80 në Grabian të Lushnjes u arrestua një murator, Mehdi Çeliku. Mbas disa muajsh, në të cilët bashkëshortja e tij, Adelina, nënë e katër fëmijëvet, thirrej vazhdimisht në hetuesinë e Lushnjes, për të dëshmuar kundër të shoqit, kam qenë dëshmitar i një ngjarjeje tragjike, i vetëvarjes së saj. Më vonë u muar vesh se kishte vdekur në hetuesi edhe burri. Ish hetuesi Z.S. jo vetëm që nuk dha llogari për dy vdekje që rëndonin drejt për së drejti mbi të por, me qeveritë demokratike, arriti të bëhet këshilltar juridik i një ministri të rëndësishëm.
Deri kur do të vazhdojmë të heshtim për krimet e shkuara, që krijojnë shtratin e ngrohtë edhe për kriminalitetin e sotëm në gjirin e institucioneve shqiptare ? Këto e të tjera pyetje pa përgjigje na shtron tërthoras tregimi i z. Reshat Kripa, ashtu sikurse qindra e mijra episode të njohura e të panjohura të së shkuarës sonë diktatoriale. Jemi i vetmi Vend ish komunist n’Evropë që bëjmë veshin e shurdhër ndaj këtyre domosdoshmërive, jo vetëm përsa i përket parimevet të drejtësisë, që nuk njohin parashkrim, por edhe të barazpeshave morale e paqtimit, kushte të nevojshme për të shkuar përpara, pa e mbajtur kokën mbrapa.
“U interesova edhe për dy kriminelët që u bënë shkaktarët e kësaj tragjedie. Mësova se vazhdonin të jepnin leksione për demokracinë. Ky ishte paradoksi i kohës në të cilën jetonim.”
Kështu e përfundon tregimin, shumë të bukur të tij, autori. Deri kur do të jemi Vendi i paradokseve dhe i absurditeteve ? Kjo është pyetja që na shtron epitafi me tre emrat e viktimave të pafajshme në varrezat e Vlorës dhe këta katër vargje :
“Në jetë nuk patët gëzim
Njerëzit ju kishin harruar
Por Zoti me përdëllim
Ju dha lirinë e amëshuar !”
Mars 2016
(Një i burgosur 10 vjet në Spaç i tregoi redaksisë së voal.ch se hetuesi që i ka kryer këto dy vrasje është Zamir Stefani – shenim i redaksise)