PËR ZYRTARIZIMIN E GJUHËS SHQIPE, JO TË GJUHËS QË E FLASIN MBI 20% E QYTETARËVE NË MAQEDONINË VERIORE!

0
433
Abdulla Mehmeti
Abdulla Mehmeti

Abdulla Mehmeti

Ju faleminderit për kaq sa keni mundur të bëni, por mos rreni! Ndonjërit nga këta politikanë a mos i shkruan në dokumentet personale, në vend të emrit dhe mbiemrit të tij: ,,personi me gjatësi trupi 2 m”, ose ndonjë cilësi tjetër fizike apo mendore në vend të emrit personal?

Sa shumë politikanë dhe parti e paskan zyrtarizuar gjuhën shqipe! Nuk e kuptuam për në cilin shtet e kanë fjalën dhe për cilën gjuhë! Sa për në Maqedoninë Veriore, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj kirilik, gjuhë tjetër në përdorim zyrtar është gjuha që e flasin mbi 20% e qytetarëve të këtij shteti, sipas Kushtetutës dhe ligjit, edhe me ndryshimet e reja kushtetuese edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, të sapo hyrë në fuqi.

Në Kushtetutën e Maqedonisë Veriore dhe në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe nuk përmendet me emrin e saj, madje as me fusnotë, por si gjuhë që nënkuptohet në bazë të kushtëzimit politik, sipas përqindjes së qytetarëve që e flasin atë.

Edhe pse nuk mund të ndodhë, ta paramendojmë që në rrethana të jashtëzakonshme numri i banorëve shqiptarë në këtë shtet mund të falsifikohet dhe zvogëlohet nën 20%, gjuha shqipe e nënkuptuar në bazë të kësaj përqindje, a do të jetë në përdorim zyrtar? Sigurisht që jo! Çka don të thotë kjo?

Pse talleni me shqiptarët?!

(16 janar 2019)