Për ty, Tokë Arbërore

0
499
Zymer Mehani - Yje të qiellit tim

Zymer Mehani

I

Kjo tokë
Nëpër të cilën hecim ne sot
është e mbushur me lavdi plot
Kjo tokë
Që zgjon erën në ag –
e mbushur plot lavdi
n’çdo derë e n’çdo prag
Kjo tokë
Më falni, kurrë s’bëhet e huaj
për të jap dhe kokën,
me çdo çmim e ruaj.

II

Mbi tokën time arbërore
Hapërova së pari
ku varret i ka i pari
Mbi tokën time dardane
Në Pranverë rrezet vezullojnë
e lumenjtë gurgullojnë
Mbi tokën time me vlerë
Fluturojnë shqiponjat në qiell si përherë
s’pushojnë asnjëherë
Mbi tokën time
Legjenda dhe balada këndohen
dhe këngët kreshnike për të kurrë s’mbarohen
Mbi tokën time
Në atdheun tim,
Alpet Shqiptare plot bardhësi, zbardhëllim
Mbi tokën time
Lulëkuqja harliset,
në qiell kokën lartëson,
e mua poetit zemra gjak m’pikon
Toka ime
E dashur dhe më e mira,
e ngjyer me gjak nëpër turbullira.


Përballë hasmit

*Zahirit, Edmondit, Hakifit*
(I kujtojmë dëshmorët e atdheut, në përvjetorin e rënies)

Ju shpesh qëndruat ballë për ballë me stuhinë
E armikut shekullor urrejtjen ia patë dhe mërinë
Dhe hakun ia dhatë e nam të madh latë…..
E sot qëndroni lisa në erë, në borë e në shi
Emrat tuaj të artë mbiemrin e kanë LIRI….

Zahir, o trim i Llapit ilirik, i dalë nga epika
Me krenari i rreshtove ushtarët në rreshta e në pika
Dashurinë për atdhe me dëshmorët bashkë e ndave
E qiellit tonë ia ktheve kaltërsinë ti me një tufë yllësie
Me Edmondin, Hakifin,… Adem Jasharin, flakadan lirie

Ju rrugën e vazhduat nëpër dallgë e nëpër erë
E zemrat tuaja për liri të atdheut u përflakën çdoherë
Si rreze dielli, kur agimet e kaltra t’përgjakura u dukën
Ashtu dhe ju me gjakun tuaj këtë truall e skuqët

Në rrugën e brezave, Zahir, me Edmondin e Hakifin
Me dashurinë për atdhe, që e kishit në zemër
Porsi shqipet fluturonit lartësive më të epra
E sot për ju flet gjaku juaj, sakrifica dhe vepra

Ju, dhembje e dashuri për atdhe i kishi te damaret
Që ju digjte prush si flakët dhe zjarret
Dhe drejt vdekjes shkuat bashkë, ku ju priste prita
Aty ratë për të mos vdekur, u kthyet në petrita

Shumë e vogël para jush, Zahir dukej vdekja
Sepse për atdhe, flamur e komb e madhe ishte etja
Ju zemër na dhatë të duam, por edhe të urrejmë
Na mësuat të jemi të fortë, të qëndrojmë e ngadhnjejmë

Unë poeti si në vegim shoh dëshmorët varg e varg
Prej të parit tek i fundit, kushedi sa janë larg
Por unë ua di fshehtësitë dëshmorëve ç’mendojnë
Ua di çdo dëshirë dhe e di çfarë ëndërrojnë

O ata janë yje vezullues lart në qiellin e atdheut
Janë yje të përflakur, të përpjekur me retë
Ata janë të njëjtë, të gjithë janë të lartë
Janë njëjtë prore të fortë, janë njëjtë prore të zjarrtë…