Për ty, rini

0
974
Zymer Mehani, portret

Zymer Mehani

(Me rastin e 12 Gushtit-Ditës Botërore të Rinisë)

Rini, veç ti je mbretëreshë e kësaj bote
Ti je bukuria, hijeshia vetë
E gjithmonë jetoftë dëshira e jote
Që sjell përparimin, ku je ti, vërtet
Vetëm forca jote botën e ndryshon
Ti je shpresa jonë dhe e tërë njerëzimit
E sigurtë në jetë, rini ti hapëron
U shkriftë zemra jote prej galdit, gëzimit
Rini, ku je ti, është e përparuara
Aty ti ku je, është parajsa vetë
Vendimet e tua botën kanë ndryshuar
Sepse mendja jote vërtet gjykon drejt
Rini, jetë e mot rrofshin këngët tua
Shpresat për një jetë vërtet krejt të lirë
E t’u dhashtë e mbara, se kështu unë dua
Prore në jetë rrofsh me zemër të dëlirë


Sërish lulëzuat me plagë

Me mund, me lot e gjak
Furtunës i qëndruat
Harliseshit fushave të paanë
Me kurorat kuq e zi
Me petale e fleta…

Ju qëndruat të forta
Kthesave të shthurura
Me petale të këputura
E me gjethe të thyera
Të skuqura nga gjaku
Barbarisht të shkelura
Por kurrë të nënshtruara
As kurrë të pavlera
Nga gjumi ju zgjuan
Tingëllimat shqetësimtare
Dhe klithmat e llahtarshme
Në cegmë e furtunë
Në vend të këngëve të zogjve
E gurgullimës lumë
Ju goditën erëra,
rrebeshe e furtunë
Ju me krahë drejt qiellit
Të buzëqeshura, të qeta
Dashuritë e dashuruara
I kthyet në legjenda
I shndërruat në qëndresë,
Në fjalë dhe në besë
Plumbat e gjakatarit
Fletët tuaja i përshkuan
Dhe rafalet që ju ranë gjarpërisht
Pamëshirshëm ju shkelën
Me zjarr e çelik
Në këtë truall plot lavdi
Në këtë tokë arbërore
Ju rriteni, të larësuara
Në përmendore të krenarisë
Me kohë e kuptuat
Çmimin e lirisë
Në kohë të pakohë
Me duf të dashurisë
Ju prore pranveruat
Dhe n’dimra e zezonë
S’u trembët prej vdekjes
E aspak s’patët drojë
Si vdekja pranë vdekjes,
Si i vdekuri në buzë-varr
E ju prapë lulëzuat me plagë,
Me vuajtje, me trishtim
Shtatin e ngritët vrik
Duke shkundur të largëtin pikëllim
Lulëkuqe lulegjaku
Zemrat jua helmuan
Ca korba me krrokamë
Plot mllef dhe inat
Flatrat jua këputën,
Por ju prapë shumoheshit
Në Kopshtin e Trëndafilave të Kuq
Jo, dot nuk mundi t’ju zhdukë
Nga kjo tokë askush


Për ty, Arba

Për ty, Arba
Kraharori po më digjet
Nga flaka e dhimbjes
Nga çastet e pritjes
Nga vuajtjet e ikjes
Arba, për ty
Po më dridhet zemra
Si prej tërmetit Toka
Si barka në stuhi
Jam i mbytur në lot
S’mund të t’harroj dot
Pa ty, Arba
E rëndë më është dhimbja
E rëndë porsi një meteor
E rëndë sa rruzulli tokësor


Motrës sime

Syri im-
Ti je.
Ti je-
Zemra ime.
Yt vëlla,
Motërz-o,
T’kujton
Me gëzime.
Motërz,
Unë poeti,
Për Ty
Vargje shkruaj…
Je lule
Me vesë,
N’zemër
Ty të ruaj.