Për të kuptuar e kujt është droga!

0
436

Nga Mero BazeTemA

Për të kuptuar nëse qendron dikush i rëndësishëm në Shqipëri pas kokainës kolumbiane, duhet parë kush është i mërzitur për kapjen e saj.

I dyshuari kryesor, kryeministri i Shqipërisë, që sipas akuzave mund të ishte “garanti”, ngjan shumë i gëzuar. Ka 24 orë që poston çdo dy orë nga një deklaratë rreth suksesit të policisë së tij. Biles nuk pranon asnjë meritë nga asnjë agjenci zbulimi ndërkombëtare, edhe nëse ka pasur.

Fakti që deri tani nuk ka dalë dikush nga jashtë t’i thotë të ndihmuam dhe ne, i japin të drejtën të vazhdojë të mburret. Por i gëzuar duket që është prej nga larg.

Të gëzuar duken dhe partnerët perëndimorë të tij. SHBA, BE dhe Italia e uruan zyrtarisht për këtë sukses, edhe ata shumë të gëzuar.

I dyshuari i dytë, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është në qiell të shtatë. Qyshkurse ka hyrë në atë zyrë, ai ngjan si magazinier hashashi dhe kokaine, se ka mbledhur tonelata të tëra droge, nga brenda dhe jashtë vendit. Jo që nuk ngjan i mërzitur, por duket se i është stampuar buzëqeshja në fytyrë nga aksioni.

Drejtori i Përgjitshëm i Policisë, si i dyshuari i tretë, po ashtu mezi ka pritur ta bëjë publik aksionin. E ka ruajtur drogën dhjetë ditë në shesh të tragetit t’i vinte i zoti, derisa më në fund e ka çuar në magazinën e pronarit dhe ka mbyllur aksionin. Ngjan i gëzuar dhe i emocionuar që e nisi me këmbë të mbarë punën si kryepolic.

Prokuroria po ashtu nuk më duket e mërzitur. Edhe pse është nga Tropoja dhe i duhet të vërë në hekura disa tropojanë për drogën, Hajdarmataj e mbante veten para kamerave dhe nuk dukej i mërzitur.

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave po ashtu ngjan e lumtur. Merita kryesore në kapjen e drogës i takon sektorit të skanimit në dogana dhe ata e kanë bërë punën në rregull.

Pra, gjithë piramida e shtetit, që nga kryeministri e deri tek doganieri e polici, duken të gëzuar. Për kaq shumë para dhe kaq shumë kokainë nuk kam parë asnjë mërzi nga qeveria.

Të mërzitur ngjajnë tre persona. Ilir Meta, Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

Ilir Meta me thënë të drejtën nuk duket i mërzitur për drogën, por për suksesin e policisë, dhe ka caktuar një polici tjetër të huaj për të falenderuar. Deri këtu i pranohet mërzitja për arsye politike.

Lulzim Basha është i xhindosur. Gjysma e së keqes mund të jetë xhindosje nga suksesi i policisë dhe gjysma tjetër pse trafikantët janë nga Tropoja dhe lidhje e fortë e njerëzve të tij në PD. Por do t’ia kurseja këtë të fundit. Jam gati t’ia quaj mërzitjen vetëm për pjesën e parë të saj, për atë që po i prishet skenari i akuzave të lidhjes së qeverisë me drogën.

Sali Berisha ngjan i sfazuar. Ai nuk është i shqetësuar vetëm pse është kapur droga, por pse disa tropojanë, që i ka dhe krushq, kanë vendosur ta sjellin drogën nga Kolumbia në Shqipëri. Sipas tij, faji i Shqipërisë është pse dikujt i shkon në mendje të sjellë drogë këtu. Në fakt, siç po e mësojmë, droga këtu ka qenë tranzit dhe do ikte në Gjermani. Po të jetë kështu, Merkeli duhet të bëhet vrer nga mërzia, pse duan të fusin drogë në Gjermani.

Problemi i një qeverie nuk është të ndalë planet e trafikantëve, por t’i prishë ato, duke i kapur. Dhe këtë radhë, qeveria këtë gjë e ka bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Mund të mos e lavdërojmë, pasi e ka për detyrë ta bëjë këtë gjë. Mund dhe të bëjmë sikur nuk e kemi mendjen. Por një qeveri kaq e lumtur që ka kapur aq shumë drogë, dhe një piramidë shtetërore e tëra në ekstazë, pse e kapi drogën, nuk mund të akuzohet njëkohësisht se është e gëzuar se ka kapur drogën e saj. Ashtu sikundër të dëshpëruarëve nga kapja e drogës, nuk mund t’u themi që jeni mërzitur nga kapja e drogës tuaj. Por nga dështimi i akuzave tuaja, patjetër!