Pushteti i Maqedonisë Veriore egërsisht e ngulfat fjalën e lirë dhe mendimin ndryshe!
Nuk kanë kaluar as 24 orë nga publikimi i intervistës time në lidhje me pengesat (veton) nga pala bullgare kundër Maqedonisë Veriore në procesin e anëtarësimin në BE, përveç pengesave që mua personalisht mi krijon ky pushtet, me ndërprerjen e rrymës elektrike (jo për herë të parë) dhe pengesa të tjera, e kanë bllokuar edhe intervistën në faqen e Institutit ku është publikuar, për ta pamundësuar leximin e saj nga të interesuarit. Për këto arsye e ripublikoj këtu tekstin integral të intervistës, që ta lexojnë lirisht të interesuarit.
Lexojeni së paku përgjigjen e fundit në këtë intervistë dhe gjithçka do ta keni të qartë!
(20.XI.2020)
ISSD ∆ Institute for Security Studies and Development
Intervistë ekskluzive me kryetarin e Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe të Arteve, me seli në Shkup, prof. Abdulla Mehmeti. Intervistoi Selim Ibraimi @CSSDMacedonia.
PËR RINGJALLJEN E FANTAZMAVE NGA E KALUARA NË REALITETIN E SOTËM TË INTEGRIMEVE GLOBALE
(Në lidhje me historinë e mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore për çështje të historisë, gjuhës dhe identitetit të popullit maqedonas)
CSSD: z. Mehmeti, sipas jush ku qëndron problemi i tensioneve të reja në mes Shkupit dhe Sofjes?
MEHMETI: Tensionet e ngritura ditëve të fundit mes Sofjes zyrtare dhe Shkupit kanë një histori të mëhershme, që varësisht nga konfigurimet gjeopolitike në rajon, herë janë ngritur në nivele të larta, si gjatë ditëve të fundit, e herë janë heshtur, por asnjëherë nuk janë shuar plotësisht, duke lënë hapësirë për manipulime dhe ndërhyrje në rrethana të reja. Mes pushteteve në këto dy vendeve, të elitave intelektuale, qarqeve të ndryshme politike dhe shkencore ka pasur përplasje të kohëpaskohshme, të cilat kryesisht kanë qenë të fokusuara në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve dhe popujve në të kaluarën, për çështje të historisë, të kulturës dhe sidomos të gjuhës. Ngritja e tensioneve gjatë ditëve të fundit ka ardhur si pasojë e këtyre mosmarrëveshjeve, të cilat e kanë motivuar kushtëzimin e këtyre ditëve të palës bullgare për hapjen e bisedimeve të Maqedonisë Veriore për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Qytetarët e Maqedonisë Veriore, një pjesë të qytetarëve bullgarë dhe diplomacitë e shteteve anëtare të BE-së i ka befasuar ky ndryshim radikal i qëndrimeve të palës bullgare, në momentin më të papërshtatshëm dhe të papritur, në prag të anëtarësimit të Maqedonisë Veriore, bashkë me Shqipërinë, në BE. Këto mosmarrëveshje shumica kanë besuar se ishin tejkaluar tri vjet më parë, me nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim, mirëkuptim dhe fqinjësi të mirë mes këtyre dy shteteve, të nënshkruar në Shkup, më 1 gusht të vitit 2017. Të mos harrojmë se, absurditeti i qëndrimit aktual të palës bullgare lidhet edhe me faktin se, marrëveshja për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë mes këtyre dy shteteve është nënshkruar në gjuhën bullgare dhe në gjuhën maqedonase, gjuhë të cilën tani pala bullgare e konteston, siç e ka kontestuar edhe para kësaj Marrëveshje, gjuhën maqedonase duke e cilësuar si normë dialektore të gjuhës bullgare. Ky qëndrim i palës bullgare ndaj gjuhës maqedonase është shumë më i hershëm, por kësaj radhe është ngritur në problem mes dy shteteve, në nivelet më të larta të pushteteve në këto vende dhe të diplomacisë evropiane, që nënkupton problem serioz për Maqedoninë Veriore, në fund të rrugës së saj për anëtarësim në BE. Dyshimet tona na çojnë në marrëveshjet e fshehta mes shteteve ballkanike në të kaluarën dhe në fillim të viteve të nëntëdhjeta, ato që janë bërë publike dhe ato që nuk janë të njohura për opinionin, si marrëveshja Millosheviq-Micotakis, e vitit 1992, për ndarjen e Maqedonisë, një vit pas shpalljes së pavarësisë së saj. Rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme dhe tensionet e ngritura kohë pas kohe, në mënyrë të sinkronizuar, bllokimi i Maqedonisë në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike, dy dekada me radhë nga Greqia, me pretekst ndryshimin e emrit të shtetit, një kontest i cili u zgjidh me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, përmes Marrëveshjes së Prespës, në vitin 2018. Por, duke i ndjekur me vëmendje këto zhvillime dhe zhvillime të tjera, shihet qartë se mund të ketë ndonjë marrëveshje të fshehtë mes Sofjes dhe Athinës zyrtare, që ky proces të pengohet me çdo kusht, kësaj radhe nga pala bullgare, duke marrë si pretekst çështjet historike, të gjuhës dhe identitetit të popullit maqedonas. Këto çështje nuk janë thjesht kërkesa politike të palës bullgare, të cilat mund të vendosen në tavolinën e bisedimeve dhe me ndonjë kompromis të zgjidhen, por shihet qartë se me përfundimin e këtij procesi, kontesteve të planifikuara dhe koordinuara mirë mes shteteve fqinje të Maqedonisë Veriore, pretendohet mohimi i të drejtës së popullit maqedonas për identitet të veçantë, me këtë edhe të së drejtës për shtet të pavarur etnik të Maqedonisë Veriore. Pa hyrë në detaje të hollësishme, në historinë e këtyre çështjeve të pambyllura nga e kaluara, duhet të përkujtojmë se shtetet fqinje të Maqedonisë, Bullgaria, Greqia dhe Serbia mbajnë barë të rëndë historike për copëtimin dhe ndarjen e rajonit gjeografik të Maqedonisë në të kaluarën, si me Marrëveshjen e Bukureshtit të vitit 1913, por edhe një sërë marrëveshjesh të tjera mes tyre, politike, diplomatike dhe ushtarake, para dhe pas kasaphanës mbi hartën e rajonit gjeografik të Maqedonisë, në Bukuresht. Bullgaria asnjëherë nuk ka hequr dorë nga ëndrra e saj e Shën Stefanit, e vitit 1878, e penguar më pas nga Fuqitë e Mëdha në Kongresin e Berlinit. Pse të mos dyshohet se një marrëveshje e fshehtë gjatë viteve të fundit mund të jetë lidhur mes Greqisë dhe Bullgarisë, që u ka leverdisur të dyja palëve; që Bullgaria do të heq dorë përgjithmonë nga pretendimet e saj për pjesën e Maqedonisë së Egjeut (Jugore), ndërsa për kompensim të fitojë të drejtën për “duar të lira”, duke siguruar përkrahjen e Athinës zyrtare për kushtëzimin dhe gjunjëzimin e Maqedonisë Veriore, me synim ta shndërrojë hap pas hapi në shtet të dytë bullgar. Këtë e qartëson edhe dinamika dhe lehtësia e arritjes së dy marrëveshjeve (historike) në një distancë kohore prej një viti, të Marrëveshjes për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore dhe e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, për ndryshimin e emrit të shtetit. Në lidhje me këto dyshime të bazuara, siç duket është punuar gjatë kohë edhe me disa forca politike vendëse në Shkup, të cilat mund edhe të mos e kenë kuptuar qartë dhe deri në fund strategjinë e fshehtë të shteteve fqinje në dëm të shtetit të Maqedonisë Veriore, në një perspektivë më të largët.
CSSD: z. Mehmeti, a kanë të drejtë bullgarët në këtë çështje?
MEHMETI: Qeveria bullgare nuk ka të drejtë ta pengojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE, sidomos në këto çaste vendimtare për të ardhmen e këtij shteti dhe të Ballkanit Perëndimor në tërësi. Përveç kësaj, pushteti aktual i Bullgarisë me këtë rast dëshmon se nuk është në nivel të pjekurisë së tij të nevojshme, duke pasur parasysh se këto procese nuk janë vetëm në duart e shteteve të veçanta të rajonit, të vendeve kandidate dhe të shteteve fqinje, por janë pjesë e projekteve globale gjeopolitike dhe gjeostrategjike, të cilat nuk mund t’i pengojë asnjë shtet anëtar i BE-së, edhe pse këtyre shteteve u garantohet e drejta e kushtëzimit ose vetos për shtetet kandidate në procesin e anëtarësimit të tyre. Këtë e dëshmon edhe përvoja e mëparshme e anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në NATO, përderisa forcat e kësaj Aleance kanë hyrë në Maqedoninë Verore pikërisht përmes territorit të Bullgarisë fqinje, disa vjet para se Maqedonia Veriore të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Përgjigje më e saktë, nëse pala bullgare ka apo nuk ka të drejtë për kushtëzimin e anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE, përmes aktualizimit të kërkesave të saj në lidhje me kontestimin e gjuhës maqedonase si gjuhë e veçantë dhe identitetit të popullit maqedonas, nuk mund të jepet përmes një përgjigje të shkurtë për këtë çështje, sepse kjo së pari u takon këtyre dy popujve, ndërsa ne shqiptarët, si fqinj të tyre, këtë duhet ta shikojmë nga pikëpamja e interesit tonë kombëtar. Kjo domethënë, shqiptarët duhet të jenë tepër të matur kësaj radhe, përderisa mes popujve dhe shteteve të rajonit ballkanik ka edhe shumë çështje të tjera të hapura e të pazgjidhura, të trashëguara nga e kaluara. Në këtë periudhë që po kalojmë, secili shtet dhe qytetarët e tyre, sidomos elitat politike dhe intelektuale, duhet të kontribuojnë më tepër për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e problemeve, sa të jetë e mundur më shpejtë dhe në mënyrë më të lehtë, meqë perspektiva evropiane dhe integrimet euroatlantike nuk kanë alternativë tjetër për shtet e këtij rajoni, në interes të paqes, sigurisë dhe progresi të përgjithshëm. Rruga tjetër e kalon pragun e logjikës qytetëruese dhe na kthen në shekujt e mëhershëm, në mendësinë mesjetare, të dhunës, luftërave dhe pushtimeve, siç kanë ngjarë më herët në rajonin e trazuar ballkanik.
CSSD: I kujt është Goce Dellçevi sipas jush?
MEHMETI: Njëra nga pikat e marrëveshjes së përmendur, për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore, për të cilën palët kanë rënë dakord, ka qenë edhe rishqyrtimi i historisë së përbashkët të këtyre dy popujve dhe vendeve, pastrimi i librave shkollorë dhe i literaturës tjetër nga terminologjia joadekuate dhe shprehjet ofenduese ndaj palës tjetër, si edhe rivlerësimi i disa ngjarjeve dhe personaliteteve nga e kaluara historike “e përbashkët”, siç thuhet në këtë marrëveshje. Ndër këto figura më i kontestuari ka qenë Goce Dellçevi. Unë kam shkruar më herët për këtë çështje, për të cilin ka kohë që çirren mes vete bullgarët dhe maqedonasit, qarqet politike dhe qendrat shkencore në këto dy vende, të cilat pa dashje e kanë nënvlerësuar figurën e Goce Dellçevit. Ai është rritur, edukuar dhe frymëzuar në rrethana të tjera, në kohën kur të gjithë popujt e rajonit kanë luftuar së bashku kundër sunduesit të tyre, Perandorisë Osmane. Këta sikur harrojnë se emri Goce ka qenë emri i tij përkëdhelës, ndërsa emri i tij i vërtetë ka qenë Gjergj; se është lindur në territorin që sot nuk i takon as Bullgarisë dhe as Maqedonisë Veriore. Goce është rritur dhe shkolluar në gjuhën bullgare, është frymëzuar me idetë e rilindësve bullgarë, sidomos Vasil Levskit, është përpjekur dhe ka luftuar për lirinë e Maqedonisë dhe banorëve të saj pa dallim të përkatësisë etnike, sepse ëndrra e tij dhe atdheu i tij real ka qenë Maqedonia autonome, në territorin e së cilës është lindur, në qytetin u Kullkeshit (sllavisht: Kukush), i cili sot ndodhet nën Greqi. Askush nuk mund ta kontestojë se familja e Goces nuk ka qenë me prejardhje shqiptare, siç kanë qenë edhe shumë shkrimtarë, dijetarë, veprimtarë dhe revolucionarë të tjerë të kohës, të cilët kanë qenë nga familje me rrënjë shqiptare, që kanë luftuar edhe për kauzën e Maqedonisë autonome, siç kanë luftuar, janë përpjekur dhe kanë sakrifikuar shumë shqiptarë të tjerë për lirinë e Bullgarisë, Greqisë, Serbisë, Turqisë dhe vendeve të tjera. Një popull i qytetëruar dhe historiografia e vërtetë, e shkruar në bazë të burimeve relevante dhe mbi parime shkencore, pse ka nevojë të krijojë mite të rrejshme për këto figura, përderisa ata vetë i kanë tejkaluar këto dallime shumë më herët, me idetë, veprimtarinë dhe sakrificën e tyre, për të cilat shkaqe edhe shumica e tyre janë likuiduar në rrethana tepër të dyshimta dhe nga dora e fshehtë e forcave që u kanë penguar pikëpamjet dhe vizioni i tyre për të ardhmen e përbashkët të popujve dhe shteteve ballkanike. Këtë fat të hidhur e ka pasur edhe Goce Dellçevi, i cili për bindjen tonë ka qenë një figurë që i tejkalon përmasat e koncepteve të ngushta nacionale dhe të shovinizmit të popujve ballkanikë, qysh në kohën kur ai ka jetuar dhe vepruar.
CSSD: A qëndrojnë rusët qysh nga vitet e LDB pas çështjes maqedonase dhe figurë së Goce Dellçevit dhe kombeve të reja?
MEHMETI: Rusia ka qenë shumë e pranishme në Ballkan me politikat dhe strategjinë e saj dinake, siç është edhe sot, edhe përkundër dobësimit të ndjeshëm në dekadat e fundit. Ndikimi i Rusisë ka qenë vendimtar një periudhë të gjatë për fatin e popujve dhe të shteteve të rajonit, sidomos nga Marrëveshja e Shën Stefanit dhe pas rënies së Perandorisë Osmane. Rusia ka luajtur një rol tepër perfid në rajonin e Ballkanit, edhe në raport me Maqedoninë si shtet i pavarur, jashtë orbitës së satelitëve të saj, Serbisë apo Bullgarisë. Këtë e dëshmon qëndrimi negator dhe mospërfshirja e çështjes maqedonase dhe e ish-Republikës Socialiste të Maqedonisë në Enciklopeditë Ruse të periudhës së komunizmit. Në lidhje me Gocen (Gjergj Nikollën), qëndrimi i politikës ruse ka qenë që, të shfrytëzohet figura e tij për frymëzim dhe forcimin elementit sllav dhe të ortodoksisë pravosllave ndër banorët e Maqedonisë, sidomos ndër shqiptarët ortodoksë, vllahët dhe të tjerët, të cilët kanë krijuar një kult të veçantë ndaj kësaj figure përbashkuese ndër popujt vendës në Maqedoni. Edhe sot, gati në secilën shtëpi me tradita atdhetare e revolucionare, sidomos ndër shqiptarët ortodoksë, portreti i Goce Dellçevit zë vendin kryesor, si asnjë figurë tjetër historike nga e kaluara. Kjo besojmë ka qenë edhe arsyeja e trusnisë ruse ndaj ish-regjimit komunist të Bullgarisë për sjelljen e eshtrave të Goces në Shkup. E vetmja figurë që ka dominuar edhe në zyrat e institucioneve dhe organeve të pushtetit, në të gjitha kohërat ndër banorët e Maqedonisë ka qenë Goce Dellçevi. Këtu edhe qëndron insistimi i papërmbajtur i palës bullgare dhe rezistenca e fuqishme e palës maqedonase. Përderisa të parët kanë goditur në pjesën më të ndjeshme të historisë dhe identitetit të popullit të Maqedonisë, të dytët janë vënë me çdo çmim në mbrojtjen e këtij identiteti, simbolit identifikues të mishëruar në figurën e Goce Dellçevit.
CSSD: Cili duhet të jetë pozicioni i shqiptarëve në raportet Sofje-Shkup?
MEHMETI: E para, ndër shqiptarët nuk duhet të krijohet bindje dhe jepet hapësirë në këto momente për shpërthime emocionale, kinse në emër të interesave kombëtare, përderisa këto probleme të riaktualizuara sot mes Maqedonisë Veriore dhe fqinjëve të saj janë heshtur dhe toleruar gjatë gjithë kohës edhe nga shqiptarët, si nga faktori politik dhe intelektuale edhe nga mediet dhe opinioni. Së dyti, shqiptarët, si popull vendës në Maqedoni dhe në nivel kombi, nuk është dashur të qëndrojnë indiferent ndaj këtyre zhvillimeve, qoftë edhe në rastin kur bëhet fjalë thjesht për çështje dypalëshe mes dy popujve, bullgarëve dhe maqedonasve. Nuk duhet as sot të qëndrojnë indiferent, përderisa këto probleme i tejkalojnë suazat e mosmarrëveshjeve historike mes dy popujve, duke i atakuar edhe interesat e shtetit të Maqedonisë Veriore dhe të gjithë qytetarëve të saj, ku shqiptarët janë element tepër i rëndësishëm dhe garantues të stabilitetit, perspektivës evropiane dhe të ardhmes së këtij shteti të përbashkët. Nuk përbën fshehtësi nëse themi se, as Bullgaria, as Serbia apo Greqia kanë dashur dhe mirëpritur krijimin e shtetit të pavarur të Maqedonisë Veriore, por secila nga këto shtete kanë pretenduar ta gllabërojnë atë nën sqetullat e veta, gati gjithmonë në të kaluarën, sidomos nga Marrëveshja e Shën Stefanit (1878), Marrëveshja e Bukureshtit (1913) dhe më vonë. Në rrethanat e reja, me shkatërrimin e ish-Federatës Jugosllave, këto apetite janë ringjallur dhe shfaqur në forma më të sofistikuar, me ndërhyrje të herëpashershme, të drejtpërdrejta apo të tërthorta. Maqedonia Veriore, nga pavarësia e saj ka kaluar shumë sfida dhe kurthe të ngritura nga këto shtete fqinje, siç është përpjekja e fundit e palës bullgare me bllokimin dhe kushtëzimin e saj në procesit e anëtarësimit në BE. Për krijimin e kësaj situate, në momente tepër të ndjeshme për vendin dhe rajonin, nuk duhet t’i lihet faji vetëm palës bullgare, por edhe faktorëve politikë vendës, pa e përjashtuar edhe faktorin politik shqiptar. Goditjeve të sinkronizuara nga qendrat politike të jashtme, sidomos nga disa shtete fqinje, është dashur me kohë t’u jepet përgjigje e duhur. Si ka mundur të mos vërehet dhe të tolerohet, si ditë e referendumit për pavarësinë e Maqedonisë të zgjidhet data 8 shtator, në vitin 1991, kur dihet se kjo datë në histori shënon ditën e krijimit të shtetit kuisling bullgar të Vanço Mihajllovit në Maqedoni, më 8 shtator 1944? Si nuk qenka vërejtur dhe është toleruar vendosja e datës 3 Mars, dita e Marrëveshjes së Shën Stefanit për krijimin e Bullgarisë së Madhe, si ditë e Komunës së Tetovës, e qendrës politike, kulturore dhe e rezistencës kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni? Si nuk qenka hetuar dhe është toleruar, në asnjë regjistrim të popullsisë në Maqedoninë e pavarur, të mos ketë rubrikë për deklarimin e përkatësisë etnike bullgare, të kësaj bashkësie etnike që jeton në Maqedoni dhe e ndje veten si të tillë? Si nuk qenka hetuar dhe është toleruar në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë Veriore, të sjellë së pari herë në vitin 1991 dhe të ndryshuar e plotësuar dy herë më vonë, në vitin 2001 dhe në vitin 2019, në të cilën përmenden të gjithë banorët e këtij shteti sipas përkatësisë etnike të tyre, maqedonasit, shqiptarët, turqit, vllahët, serbët, romët, boshnjakët dhe të tjerët, ndërsa qytetarët që e ndjejnë veten bullgarë të mos përmenden ashtu siç janë përmendur të tjerët? Ndërkohë që, Shkupi zyrtar gjithmonë e ka ngritur çështjen e ekzistimit të pakicës maqedonase në Bullgari, madje ka pasur edhe një proces gjyqësor për këtë çështje në Gjykatën ndërkombëtare të Strasburgut. Çfarë domethënë e gjithë kjo që përmendëm? Siç duket, forca të caktuara politike në vend dhe jashtë janë munduar pandërprerë për krijimin e situatës siç e kemi sot, në prag të anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në BE, si shtet demokratik dhe i pavarur, jo si koloni e ndonjërit nga shtetet fqinje. Tani kur janë betonuar kornizat e reja për të ardhmen e shteteve të rajonit, sidomos të atyre në kuadër të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Maqedonia Veriore, por nuk bëjnë pjesë Bullgaria dhe Greqia, këto tensione perceptohen si tepër tendencioze dhe si një kujtesë e vonuar e politikës zyrtare të Sofjes dhe e qendrave të tjera në rajon, të cilat “miqësisht” pretendojnë ta mbajnë Maqedoninë Veriore nën sqetullat e veta, në ëndrrat e të cilave ende flenë fantazmat e shekujve të kaluar. Sidoqoftë, në këto lojëra politike dhe diplomatike është një fat i mirë që, shumica e banorëve të Bullgarisë, të Maqedonisë Veriore dhe shteteve të tjera të rajonit, nuk mendojnë sikurse mendojnë elitat politike që qeverisnin aktualisht në këto shtete, ndërsa kjo jep shpresë për një të ardhme më të mirë të rajonit, të popujve dhe shteteve të tij, në rrjedhat e sotme të historisë dhe qytetërimit evropian.
Intervistën e realizoi, Selim Ibraimi
Tetovë, 19.XI.2020