Arben Çokaj
Duhet një botëkuptim tjetër të krijohet në këtë vend, se shembja e njeriut është aq e madhe dhe vërej një formë izolimi të instaluar në tru tek këta njerëz, në lidhje me botën e qytetëruar… Nuk dinë ta kapin fillin… Kemi 27 vjet, që përsiatemi drejt një orientimi irracional, komplet të gabuar, me përpjekje të vogla, të mbytura e jo reale drejt racionales. Si një i dehur, që në rrugën drejt daljes në dritë, sheh gotën me alkool…
Shoqëria shqiptare më ngjan sikur ndodhet në një gropë – dikur e thoja këtë për shoqërinë shkodrane – dhe në përpjekje për të dalë nga gropa ku ka rënë, shtyjnë njëri-tjetrin brenda, në veprimet e tyre të pavetëdijshme! Ndonjë si ti e si unë e shumë të tjerë, dalim me vështirësi jashtë, por nuk përbëjmë masën kritike të mjaftueshme, as për ta ndriçuar këtë shoqëri, e jo më për ta orientuar atë në rrugë të drejtë.
Duhet ndërtuar konceptualisht një shkallë për të dalë nga gropa, e kjo është orientimi evropian, por sa afrohet momenti i negociatave me BE-në, psh. që mundet të na ndihmojë më shumë psiqikisht se ekonomikisht, për të dalë nga gjendja jonë letargjike, del opozita gjithmonë, si një dreq i madh, dhe synon me çdo kusht, që të mos ia lejojë kënaqësinë e suksesit pozitës. E të gjithë përfshihemi pastaj pavetëdijshëm në këtë teatër absurd, ku dominon më shumë marria…
Imagjino sikur populli jonë është një pëlhurë e madhe, e rënë përtokë… Për ta ngritur atë duhen shumë shtylla, e këta shtylla janë njerëzit e ditur që mungojë, njerëzit që duhet t’i prijnë shoqërisë sonë drejt suksesit. Këta njerëz që duhet të jenë liderët politikë, ekonomikë, kulturorë e shpirtërorë, etj. të kësaj shoqërie, mungojnë për ta ngritur këtë pëlhurë. Mungon mekanizmi kryesor, ndërgjegjësimi, shkollimi e dija racionale e shkencore, ecja me hapin e kohës. Na mungon gjuha e komunikimit dhe kuptueshmëria me botën e civilizuar. Kemi shekuj që shkelemi, e nuk ngrihemi…
Le Bon thoshte dikur për shoqëritë muslimane, se ato janë të paafta për ta kuptuar Perëndimin, që të jenë në gjendje ta imitojnë atë… E parë më thellë kjo, në domethënien e vet, ne jemi të paaftë të ngrihemi, sepse nuk arrijmë të kuptojmë mekanizmin mbi të cilin janë ngritur e mbahen vendet e zhvilluara të Perëndimit…