PËR MALËSINË E MADHE

0
927
Gjekë Marinaj with Lindita and Tonin Marinaj, Richardson, 2008

Gjekë Marinaj me Lindita dhe Tonin Marinaj, Richardson, 2008

Të dashur miq,

Pas periudhës adoleshente, gjithë jetën ia kam kushtuar demokracisë dhe proceseve, që ia mundësojnë pushtetin popullit, e jo zyrës. Për mua Malësia e Madhe është e madhe, sepse e kam shumë afër zemrës dhe falë ligjeve të fizikës, sa më afër ta kesh një materie aq më e madhe të dukët. Por të gjithë e dimë se madhësia jashtë parametrave metrikë nuk është gjithmonë iluzion. Ashtu si nuk është iluzion për mua as dashuria dhe respekti, që ushqej thellë në shpirt për çdo familje dhe individ të Malësisë së Madhe.

Kjo është arsyeja që unë nuk kam as gjykimin intelektual, as fuqinë shpirtërore, që të anohem nga njëra apo tjetra forcë politike në Shqipëri. Demokracinë nuk e bën emri, që kanë partitë apo faktori politik por komponenti njerezor, populli. Është kolatike gjendja obskurantiste e divergjencave politike, që e kanë ndarë popullin në dy pjesë thuajse të njëtrajtshme. Me keq, kultura politike shqiptare është indikative e realitetit, që nëse je mbështetës i së djathtës, je automatikisht armik i së majtës dhe anasjelltas.

E vërteta është se një fenomen i tillë nuk ekziston midis malësorëve apo shqiptarëve Katolikë, Ortodoksë dhe Myslimanë. Kjo ndoshta për vetë faktin se këtu vepron logjika njerëzore me Zoti në mes. Në kontrast, ndoshta politika është në një gjendje të tillë kaotike, sepse ka kundërshtarin e zotit dhe mungesën e arsyetimit si subjekt. Ne të gjithë e dimë se edhe zoti ka djallin si kundërshtar, por ne si malësorë dhe popull nuk jemi të ndarë në mes si obitarë ose të zotit ose të djallit. As partitë politike dhe politikanët nuk duhet të vlerësohen si katalistë, ose të mirës ose të keqes. Aq më pak të gjykojmë njëri-tjetrin si të tillë.

Pikërisht ngaqë Shqipëria vuan sfida të madha ekonomike, demokracia e vërtetë duhet të ofrojë opozitë idesh, jo divergjenca njerëzore.

Dhe unë vetëm kësaj cilësie demokratike ia kam kushtuar jetën time personale, intelektuale dhe akademike. Ndaj duke u kërkuar mirëkuptimin, mos prisni prej meje, që të urrej gjysmën e malësoreve dhe të dua gjysmën tjetër, sepse urrejtja nuk është esencë e qenies sime. Të gjithë malësoret së bashku përbëjnë kromozomet e identitetit tim human. Unë dua që kur të vij në vendlindje, të përqafoj me të njëjtën dashuri dhe respekt Mimozën, Ramadanin, Sytkiun, Toninin…

Dëshiroj që edhe këtë herë, në krye të Malësisë së Madhe të jetë Tonin Marinaj. Jo se është i përzgjedhuri i Partisë Socialiste, apo sepse kundërshtari i tij politik, nuk është i denjë për këtë përgjegjësi politike (sepse nuk ia di asnjë të keqe – përkundrazi nëna ime ma ka thëne se ai i ka bërë mirë shumëkujt në Malësi). Dëshiroj Toninin sepse e kam kushëri dhe vëlla, sepse e njoh më mirë se askush si njeri i dedikuar për proceset demokratike, sepse ka bërë një punë të admirueshme për këto katër vjet, që ka qenë Kryetar Bashkie dhe sepse ia dua të mirën krejt Malësisë së Madhe.

Gjatë rrugës tuaj për tek kutitë e votimit, mendojeni mirë zgjedhjen që bëni. Votoni për Malësinë, jo për partitë politike. Asnjëra parti nuk e do Shqipërinë më pak se tjetra, por secila do me çdo kusht, që të jenë në krye të saj. Ju duhet të jeni, jo mekanizmi tërheqës, por forca shtytëse e këtij procesi demokratik.

Paçi fat në votime dhe zoti qoftë me të gjithë ju. Zoti qoftë me atë, që do e bëjë më mirë punën e Kryetarit të Bashkisë për Malësinë e Madhe.

Me shumë dashuri dhe respekt,
Gjekë Marinaj