PËR ELITAT INTELEKTUALE DHE ELITAT POLITIKE

0
523
Abdulla Mehmeti
Abdulla Mehmeti

Kështu foli profesoresha shqiptare, Dr. Arlinda Vokaj – Shabani, në vitin 2002

Pjesë nga intervista e realizuar nga Dr. Nehat Sadiku, në Hamburg të Gjermanisë, me Dr. Arlinda Vokaj – Shabani, kryetare e Forumit Politik Shqiptar për Maqedoni dhe ligjëruese në Hamburg.

* * *

“- Zonja profesoreshë, cilat janë vetitë e elitës: a janë këto pozitat e fuqisë politike apo vetitë e zhvilluara mbi mestaren, siç janë ngritja e nivelit kulturor (kulturës demokratike politike), dijes, karizmës, efikasitetit apo bamirësisë?

Arlinda Vokaj – Shabani: Sipas mendimit tim, elitën e përfaqësojnë jo aq shumë individët-siç themi, që “kanë një pozitë të lartë shoqërore” dhe shikuar ekonomikisht, politikisht dhe sociologjikisht kanë njëfarë ndikimi apo influence shoqërore – por, sipas Robert A. Dahlit, këtu bëhet fjalë për ata që “dallohen për nga personaliteti, karakteri i tyre dhe vlejnë si shembull i mirë për shoqërinë demokratike“.

Kjo vlen pa marrë parasysh atë se dikush, sipas pozitës që ka ose jo, a ka ndikim në proceset e ndryshme politike që zhvillohen në shoqëri, ndikim apo mosndikim te bashkëkohësit e tij. Jam e mendimit që elita paraqet “rezultatin” e socializimit politik, kulturor, ekonomik apo kombëtar, posedimi me aftësitë dhe intelegjencinë dhe intelegibilitetin e prodhuar prej një kulture të zemrës dhe të dijes. Kombi shqiptar ka nevojë për një elitë apo për elita të këtilla.

Elitave të këtilla nuk mund t’u mbyllet shpejt goja, nuk mund t’ju lejohet aq lehtë ta devalvojnë kredibilitetin dhe potencialin e saj kritik, atë assesi nuk mund eliminuar, përderisa elitave të tjera – sidomos asaj politike – fundi u vjen për disa orë.”

* * *

PËR POZITËN E POPULLIT SHQIPTAR NË MAQEDONI, PAS VITIT 2001

“- Zonja profesoreshë, cili do të kishte qenë komenti i juaj për formulimin absurd të preambulës së fundit?
(Bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, sipas Marrëveshjes korrnizë të Ohrit, të vitit 2001. Shënimi im)

Arlinda Vokaj – Shabani: Jam e mendimit se shqiptarët në Maqedoni nuk janë pjesë e popullit, por popull i ndarë. Me fjalët “pjesë e një populli” qartë nënkuptohet se ajo pjesë është minioritet-pakicë, ardhacakë ose qiraxhinj të përkohshëm, pra, siç shprehet njëri prej autoriteteve më kredibile në shkencën politike, prof. dr. Mihale Antony Galabari, se “pakica e ka kuptimin e ndonjë populli pa autoktoni, pa integritet teritorial“.

Shqiptarët në Maqedoni janë trajtuar si një minoritet dhe sipas recetave të këtilla komuniteti ndërkombëtar u ka ofruar receta minimume.
Minimum është Kolegji i Shtulit, shkollim eksperimental privat në tri gjuhë, për administratorë dhe menaxhment.

Minimum është Ligji për arsimin sipëror në Maqedoni, ku nga 200 nene të tij, në asnjërin nuk përmendet fjala gjuhë shqipe ose arsimim në gjuhën shqipe.

Minimum është edhe përmbajtja e Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Aneksi A ku behet fjalë për ndryshimet e Kushtetutës, në veçanti per “Gjuhën e 20 perqindjes”, gjithëkund përsëritet refreni: “Në mënyrë plotësuese edhe në gjuhën maqedonase“. Ankesi B parasheh ndryshimin kozmetik të ligjeve, por edhe ky është i kushtëzuar nga aneksi A ose Kushtetuta. Ankesi C: ku eshte Ligji për amnisti?

Deklaratat politike nuk janë ligje. Ku ndodhet rinia shqiptare? Kush e irriton rininë shqiptare? Rinia shqiptare duhet t’u përmbahet premtimeve, marrëveshjeve dhe ata t’i jetësojë në vepër. Pra, nga minimumi i minimumeve, neve shqiptarëve na ka mbetur edhe “PJESA”.

Besoj se në Maqedoni nuk do të mbetet hapësirë për ndjenjën e mbisundimit dhe të nënçmimit, por të formohet bindja për realitetin jetësor në shtetin e përbashkët. Për fat të keq, në Maqedoni ndodhi margjinalizimi i autoktonisë shqiptare, si dhe devalvimi i shtetformësisë së popullit shqiptar, duke i falënderuar elitës politike shqiptare, si dhe faktorit ndërkombëtar. Zhveshja “politike” e popullit shqiptar do të vazhdojë edhe më tutje, këtu nuk ka për të dyshuar fare, por si do të mundëshim realitetin ta ndryshonim në favorin tonë.”

* * *

*Profesoresha Arlinda Vokaj-Shabani ndërroi jetë me dy fëmijët e saj në një aksident komunikacioni në hyrje të qytetit gjerman Hamburg, më 7 janar 2003, disa ditë pas kësaj interviste tepër domethënëse, të botuar ekskluzivisht në revistën shqiptare “Globi” në Maqedoni, më 17.12.2002.

(24.VII.2019)

Përgatiti Abdulla Mehmeti, Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, Shkup