Pëllumb Xhufi: Greqia dhe Serbia po blejnë politikanë shqiptarë

0
585

“Kush ka vilë në ishujt grekë, me kë bëjnë pushime…”

Historiani i njohur Pëllumb Xhufi e sheh një rast të izoluar ngjarjen e Bularatit, ku mbeti i vrarë minoritari grek Konstantinos Kaçifas. Në një intervistë për “Panorama”, Xhufi e cilëson sjelljen e tij ekstremiste të ndikuar dhe nga qarqet nacionaliste, që duket se frekuenton në Athinë.

Sipas Xhufit, në Greqi ka një patologji antishqiptare. Historiani shpreh shqetësimin se varrezat masive të ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore mund të kthehen në vend pelegrinazhi, me rrezik provokime të rënda.

Duke komentuar debatin e e fundit në qeverinë greke, që solli dhe dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Kotzias, që lidhet me fondet sekrete për individë dhe media për promovimin e Greqisë ose mbylljen e gojëve kritike ndaj saj ai shprehet:  “Unë e kam parë dhe në mënyrë praktike kur më është mohuar rasti që edhe të shprehem për çështje që lidhen me Greqinë nga media të caktuara. Kur kam dashur të them diçka, që e kam parë me interes publik, nuk më është lejuar ose në rastin më të mirë, emisioni nuk është bërë për shkak të mungesës së palës tjetër, që duhet të më kundërshtonte. Më kanë ndodhur edhe raste që t’i shoh në restorante të mira gazetarë dhe përfaqësues të mediave të drekojnë me përfaqësues të shtetit grek, me një konsull etj.

Nuk është e ndaluar të takosh apo drekosh me një diplomat të huaj. Më bënte përshtypje fakti se kisha një precedent me ato media, ku emisioni im dështonte apo deklarata ime censurohej ose kalohej e shkurtuar dhe unë nuk kuptoja se përse për një çështje me Greqinë kjo media nuk shprehet. P.sh. e imagjinoni dot që për ngjarjen e djeshme të Bularatit, kjo media të mos shkruante fare ose të godiste qeverinë shqiptare, duke mbajtur anën e Agimit të Artë?! Kjo ka ndodhur në të shkuarën. Në këtë rast, unë do të mendoja që media x është e financuar nga fondet sekrete të Ministrisë së Jashtme greke.

Financimet sekrete të vendeve të huaja ne i kemi hipotezuar, por deklaratat nga vetë përfaqësues të qeverive të tyre e tregojnë hapur këtë gjë. Millosheviçi e tha hapur në Parlamentin serb se kishte përdorur 10 milionë dollarë për të influencuar në Shqipëri. Këto janë gjëra që bëhen nga shtetet dhe ne duhet të kemi shtetarët tanë që t’i luftojnë dhe kontrollojnë këto fenomene dhe jo të jenë ata vetë përfitues të këtyre fondeve. Prandaj, unë them se duhet një vetting edhe në media, edhe në shkencë, në politikë po e po.

Duhen parë cilët politikanë bëjnë pushime në Greqi, me kë i bëjnë, kush ka vilë në ishujt grekë, cilët gazetarë financohen për pushime në Greqi, cilët ushtarakë po ashtu. Të gjithë zullumet i kanë bërë. Politikanët shqiptarë mund të jenë shitur dhe për një vizë apo për një trajtim mjekësor jashtë shtetit. Kjo ka ndodhur me Greqinë, me vendet e BE-së, me Turqinë dhe me SHBA-të etj. Çdo shtet e bën, këtë mund ta kemi bërë edhe ne kur kemi qenë dikur shtet, kur është punuar për interes të shtetit. Kjo kërkon një shtet juridik të konsoliduar. Ne kemi pasur politikanë që janë mburrur që jam mik i kësaj ambasade dhe atij shteti, sa nuk kanë thënë që jam bashkëpunëtor i atij vendi”, shprehet Xhufi.