Pellazgët në Optikën e Herodotit

0
1937

Aristotel Mici

Esse

Rrëfimet e para
Ideja për të shkruar këto radhë në formën e meditimeve rreth lashtësisë pellazgjiko-ilire, dhe etnogjenezës sonë të herëshme, më lindi duke lexuar librin madhor të Herodotit, të cilin tashmë e kemi të përkthyer në shqip nga mathematikani i njohur, Prof. Aleko Minga.
Vepra e Herodotit “Historitë” ka si bosht ngjarjesh luftën mes ushtrisë së vogël helene dhe ushtrisë së stërmadhe të perandorisë persiane. Kjo luftë zgjati më shumë se dy dekada, nga viti 500 Para Krishtit, deri në vitin 479. Në këtë hark kohor ushtria e vogël helene do të rrëfente episode heroizmi të papara, që do të kulmonin me betejat e famshme si ajo e Marathonës, e Salaminës dhe e Termopileve.

Po libri i Herodotit,- siç shkruan edhe Prof. Minga,- s’ është vetëm rrëfimi i kësaj lufte, përkundrazi, është një vepër që sjell një informacion tepër interesant për mbarë botën e njohur të kohës së tij, për mjaftë vende e popuj të tjerë të Europës e Azisë së Vogël dhe të Mesme.

Shikuar nga kjo anë, vetiu, duke lexuar Herodotin, u kapa nga kureshtja për të gjetur sado pak gjurmë nga koha e lashtësisë pellazgjike dhe ilire e stërgjyshërve tanë pararendës, duke nisur qysh nga periudha e mugët e qytetërimit Minoik dhe ajo e themelimit të Tebës dhe deri tek rrëfimet për Apoloninë.

Dhe vërtetë emërime pellazgjike fillojnë të duken që në librin e parë të veprëas “Historitë” të Herodot, ku shikojmë të shkruhet: “….një pjesë e rëndësishme e qytetarisë të dymbëdhjetë qyteteve janë nga Eubeja, të cilët nuk kanë të drejtë të quhen “jonianë”, me ta janë përzier kadmianë, driopianë, fokianë, të dëbuar nga vendi, molosë, pellazgë nga Arkadia. Në këtë rast mollosët dhe pellazgët vetëm sa dalin midis popujve të tjerë në këtë pjesë të veprës, për t’u dukur pastaj dhe më shumë më pas. Po në librin e pare të veprës autori na rrëfen dhe zakonet dalluese të etnive a po bashkësive fisnore të asaj kohe të lashtë; “Pellazgët, – tregon ai,- nuk kanë emigruar kurrë, askund, ndërsa helenët ishin një racë që udhëtonte shumë.”, Libri I- parag.56.

Dhe më tej shton: “Helenët, kur u shkëputën prej pellazgëve, ishin të dobët, po, duke u nisur nga këto fillime të ulta, u rritën aq sa përfshin një numër të madh popujsh që u bashkuan me ta; në veçanti shumë pellazgë u ndërthurën me ta krahas disa popujve të tjerë barbarë. Më duket se pellazgët që mbetën barbarë dhe flisnin një gjuhë johelene, nuk u rritën kurrë shumë.” . Duhet të theksojmë se Herodoti në këtë episod Pellazgët i konsideron më të herëshëm se helenët, përsa kohë që pohon se “helenët janë shkëputur prej pellazgëve, dhe jo këta, pellazgët, prej helenëve.

Eshtë me interes historik të shikojmë se në veprën e tij Herodoti, përveç pranisë së herëshme të pellazgëve, trajton edhe ndikimin e kulturës egjyptiane në trevat e Heladës antike; dhe këtë realitet ai nuk e tregon me hamendje, po me shembuj të ndryshëm si në kapitullin “Prejardhja egjyptiane e perëndive dhe orakujve helenë. Në faqet e këtij kapitulli lexojmë të dhënat e autorit lidhur me besimin e asaj kohe në Heladë: ”Emrat e thuajse të gjitha hyjnive kanë ardhur në Heladë prej Egjyptit. Sipas kërkimeve të mia më del se ato (perënditë) kanë prejardhje barbare (johelene), por unë besoj se kryesisht janë me prejardhje egjyptiane, me përjashtim të Poseidonit dhe Dioskurëve, Herës, Temidës, Hireve dhe Nereidave; të gjitha hyjnitë dhe emrat e tyre i gjen në Egjipt që prej kohësh të stërlashta.

Këtu po përsëris ç’thonë vetë egjiptianët. Sa për hyjnitë, emrat e të cilëve më thanë se nuk i njohin, mendoj se emrat e tyre ua kanë vënë pellazzgët, përveç Poseidonit. Këtë Hyjni helenët e kanë njohur prej libianëve. Pra, edhe në këtë rast, Herodoti i njeh pellazgët jo vetëm si më të herëshëm se helenët, po edhe që kanë ndihmuar në formimin e tyre kulturor dhe shpirtëror, krahas ndikimit egjyptian.

Për Lashtësinë e Pellazgëve
Tek shikon në veprën e Herodotit këtë bashkëjetesë dhe përzjerje eksperience midis tribuve fisnore në trevat e para-helladës dhe Helladës së lashtë, kërkojmë të dime se cilës periudhe historike i takojnë këto rrefime? Në të vërtetë, Herodoti nuk ka shenuar ndonjë datë fikse rreth këtyre ndikimeve pellazgjike, po nga shtjellimi i ngjarjeve në vepër, merret vesh se kemi të bëjmë me vazhdimin e kulturës Kreto-Mikene, përgjatë mijëvjeçarit të dyte para Krishtit, po gjithisesi para Luftës së Trojës. Si pikë referimi për këtë anë, mund të merret në konsideratë themelimi i qytetit të Tebës, që gjendet dhe sot e kësaj dite në Beoti të Atikës. Emri antik i këtij qyteti është një dëshmi e gjallë e ndikimit të kulturës egjiptiane në viset e Heladës, sepse pikërisht këtë toponim, Teba, ka pasur edhe ka edhe një qytet në Egjiptin e lashtë.

Ndërkaq, për këtë çështje, pra për vjetërsinë e pellazgëve, vetë Herodoti, në librin e katërt të veprës, në paragrafin 145, na jep një episode, që përshkruan konfliktin midis argonautëve dhe pellazgëve, që nga mund të të bëjmë një deduksion lidhur me kohën e stërlashtë të pellazgëve. Pra në këtë paragraf na rrëfehet se: “Mbasi pasardhësit e argonautëve u dëbuan me forcë nga Lemnosi prej pellazgëve, po nga ata pellazgë që rrëmbyen gratë athinase në Brauron, ata ikën me anije prej Lemnosit për në Lakedemoni. Aty ata ndalën në malin Taiget dhe ndezën një zjarr. Kur e panë këtë lakedemonët, dërguan një lajmës, për të mësuar cilët ishin dhe nga vinin. Pyetjeve të lajmësit ata iu përgjigjën se ishin minianë, pasardhës të heronjëve, që patën lundruar me anijen Argo, të cilët zbritën në Lemnos dhe këtu zë fill prejardhja e tyre. Lakedemonët e dëgjuan tregimin për zanafillën e minianëve dhe pastaj dërguan një lajmës tjetër, këtë herë për t’i pyetur për ç’qëllim kishin ardhur në vendin e tyre dhe përse kishin ndezur një zjarr. Ata iu përgjegjën se ishin dëbuar nga pellazgët dhe se ishin kthyer në tokën e etërve të tyre, çka ishte shumë e drejtë ta bënin.”

Nga kjo histori, që rrefen konfliktin midis argonautëve dhe pellazgëve, nxjerim deduksioni se pellazgët i përkasin, të paktën, kohës së mithit të argonautëve, rreth 1500 vjet para Krishtit. Pra indirekt Herodoti na tregon se pellazgët kanë pasur një histori të stërlashtë që fillon me kohën Minojane dhe vazhdon pastaj me qytetrërimin Kreto-Mikenas. Ashtu, ata janë “zemra” e qytetërimit të Mesdheut, nga arteriet e së cilës do të dalin pastaj popuj apo etni si ilirët, helenët, trakët, thesprotët, dorët maqedonët, mollosët epirotët e të tjerë. Pra, pellazgët, natyrshëm na shfaqen si pararendës të këtyre tribuve, a po etnive të lashta, veç do të ishte me interes po të ndriçohej më qartë edhe prejardhja dhe përhapja e tyre tokësore.

Për sa i takon origjinës së tyre, po të pranohet karakteri indoeurpian i pellazgëve, atëherë ata duhet ta kenë burimin nga ato treva, prej nga janë shpërngulur edhe tributë e tjera indoeuropiane. Ajo që vlen të theksohet, është se ata ndodheshin qysh më parë në viset ku erdhën dhe u vendosën tributë helene gjatë mijëvjeçarit të dytë para erës sonë”.

Po ndërkaq, duhet të kihet parasysh se në viset, kur përmenden dhe qenë vendosiur pellazgët, vise këto që gjenden edhe në veprën e Herdotit, ka pas ekzistuiar një popullsi prehistorike, gjë që vërtetohet edhe në disa krahina të Shqipërisë. Në librin e tij, Arti shkëmbor në Shqipëri, Prof. Korkuti, duke u mbështetur në vepra konkrete të gjetura të arit shkëmbor, arrin në përfundimin se artisti primitive i kohës prehistorike ka pas gdhëndur në shkëmbenjtë e shpellave figura prej aktivitetit njerëzor qysh nga koha e neolitit, 3500 vjet para erës së re. Kështu që në ato rrethana të jetës prehistorike, do të ishte me shumë interes të shiheshin edhe gjurmë të komunikimit midis pellazgëve dhe indigjenëve, a po edhe mundësisë që vetë pellazgët të kenë qenë banorët indigjenë në ato treva të gadishullit ballkanik, a po të brigjeve të ndryshme të Medheut.

* * *

Dhe në vazhdim të marrëdhënieve midis pellazgëve dhe helenëvë, Herodoti do të përforcojë idenë se jo të gjitha zakonet Helenët i kanë marrë prej egjyptianëve. “Siç do ta shpjegoj, – shkruan ai,- gjithë zakonet helenët nuk i kanë marrë prej egjyptianëve, po prej pellazgëve. Prej pellazgëve kanë marrë edhe gdhendjen e shtatoreve të Hermesit me organin e ngritur. Në të gjithë Heladën , athinasit ishin të parët që e morën këtë zakon: të tjerët e mësuan prej tyre. Ndodhi kështu sepse një numër pellazgësh erdhën të banonin në vendin që në atë kohë e kishin zënë athinasit, që konsideroheshin si popull helen.

Prandaj edhe pellazgët filluan t’i këqyrnin si helenë. Për t’i kuptuar duhet të njohësh misteret e Kabireve – rite që kremtohen në Samothrakë dhe janë me prejardhje pellazge, meqë pellazgët që erdhën të banonin bashkë me athinasit, patën jetuar më parë në Samothrakë dhe Samothrakasit i kishin mësuar ritet prej tyre. Athinasit, pra, – sipas Herodotit, – ishin helenët e parë që gdhendnin shtatoren e Hermesit…, sepse e kishin mësuar prej pellazgëve. Pellazgët tregojnë një rrëfenjë të shenjtë për këtë, e cila bëhet e njohur gjatë mistereve të Samothrakës.

“Më parë, siç kam dëgjuar në Dodonë,- vazhdon të tregoj Herodoti,- pellazgët gjatë të gjitha flijimeve që kryenin u luteshin “perëndive” pa përmendur ndonjë emër, a po epitet të veçantë, sepse nuk kishin dëgjuar ende për gjëra të tilla… Shumë kohë më vonë mësuan emrat e perëndive të ardhura prej Egjiptit- përveç atij të Dionisit, të cilin e mësuan shumë më vonë. Pas një farë kohe u këshilluan me orakullin e Dodonës, që është orakulli më i lashtë i Heladës dhe atëherë ishte i vetmi. Pellazgët e pyetën orakullin nëse duhet t’i pranonin këto emra perëndish që u patën ardhur prej barbarëve. Orakulli u tha se duhej t’i pranonin. Dhe pikërisht qysh atëherë ata përdornin emrat e perëndive, kur kryenin ritet e tyre dhe helenët e kane trashëguar këtë zakon prej pellazgëve.

Por vetëm dje ose pardje, si të thuash, helenët mësuan prejardhjen e çdo hyjnie, apo nësë kanë ekzistuar gjithmonë dhe çfarë pamje kishin. Me që mendoj se Homeri dhe Hesiodi kanë jetuar jo më shumë se katërqind vjet para meje dhe ishin ata që krijuan një teogoni (pemët e familjes së perëndive) për botën helene, ata u dhanë emra atyre, caktuan nderet për ta dhe fushat që mbulonin dhe na thanë ç’pamje kishin.

Nga këto që zura në gojë më sipër, pjesa e parë e tyre janë pohime të priftëreshave në Dodonë, kurse e dyta, ajo që i përket Hesiodit dhe Homerit, është mendimi im.”

* * *

Është kuptimplot fakti që Herodoti po thuajse në të gjitha rastet, kur pikëtakohen ndërveprme midis pellazgëve dhe helenëve, të parët, pra pellazgët i konsideron si pararendës të helenëve, gjë që duket edhe në faqet e librit të VII të veprës, (parag.94, 95), ku lexojmë: “Sipas helenëve, kur jonianët jetonin në atë pjesë të Peleponezit, që tani quhet Akea, domethënë para se Danau dhe Ksuti të vinin në Peleponez, ata quheshin pellazgë egalianë. Më vonë morën emrin jonianë sipas Jonit, të birit të Ksutit.
Dhe në paragrfin më poshtë autori vazhdon: “Edhe banorët e ishujve të Egjeut kishin prejardhje pellazge, po më vonë u quajtën jonianë për të njëjtën arsye si edhe jonianët e dymbëdhjetë qyteteve, që ishin shpërngulur nga Athina”.

Duke lexuar Herodotin, gjithnjë të bije në sy mendimi i tij për t’i quajtur fiset helene si akejt, athinasit, jonianët me origjinë pellazgë siç thotë edhe paragrafi, që pason: “Në kohën kur pellazgët zotëronin atë që tani quhet Heladë, athinasit një popull pellazgë, quheshin kranaj (nënvizimi im, AM).

Nga fjalët e cituara dhe të vizuara më sipër, që lexohen në paragrafin 44, Lib. VIII, nuk është e vështirë të dalim me tre deduksione:
1) Së pari, Herodoti na tregon se ajo, që në kohën e tij, quhej Helladë, dikur ka qenë vend i zotëruar nga Pellazgët.
2) Së dyti, “athinasit kanë qenë një popull pellazg”
3) Së treti, në kohën e zotërimit nga pellazgët, athinasit quheshin kranajë.

Për apelativin e dikurshëm të athinasve, emrin e tyre “kranajë”, e quaj me vend të ndalemi duke komentuar rreth prejardhjes së kësaj fjale, që me sa na duket ka origjinë pellazgjike. Po të arsyetojmë gramatikisht, vemë re se në rrënjën e fjalës Kran-aj, zanorja e parë “a” e rrënjës , si pasojë e fleksionit fonetik për krijimin e numrit shumës, kthehet në tingullin “e”, duke na dhënë trajtën e shumësit të emrit “krenaje” (toskërisht “krerë)”. Me një fjalë, kemi rastin kur shumësi i emrit formohet prej fleksionit fonetik dhe jo me mbaresë a po me prapashtesë. Ja disa shembuj të ngjajshëm, kur shumësi i emrit formohet si në në rastin e emrit Kranaj, që na treguar Herodoti.

Po e nisim me emrin “dash” ( trajta e shquar= dashi).
Trajta e pashquar njëjës = një dash, kurse shumësi i pashquar i këtij emri bëhet = ca desh. Të marrim edhe shembullin e emrit “ka-u”, njëjësi i pashquar = një ka që e bën shumësin e pashquar me ndryshimin fonetik të zanores a në e = ca qe; në
këtë rast zanorja “e” ka qillzuar (palatalizuar) bashkëtingëlloren grykore “ k” në “q”, pra, një ka = ca qe. Po ka edhe raste, kur krahas ndryshimit fonetik me apofoni, shumësi i pashquar merr edhe prapashtesë, ose mbaresë, siç mund të jenë shembujt: një vëlla= ca vellezër, një kunat= ca kunetër, një lab = ca lebër.

E përsërisim, si për përforcim të gjykimit, se duke u mbështetur në këtë dukuri fonetike të apofonisë, të ndryshinit të a në e, që është ende e gjallë në gjuhën shqipe, apelativi “kranaj” i athinasve të vjetër, del “krenaj” , pra krerë, a po “krenarë” .Kështu fjala “Kranaj”, në veprën e Herodotit, është një detaj më tepër që forcon mendimin rreth pellazgjishtes, si gjuhë e pararendësve për popujt e vjetër të Ballkanit dhe të shqiptarëve të sotëm, gjithashtu.

Po në këtë faqe të librit Herodoti shkruan se athinasit, “në kohën e mbretërimit të Kekropit ata morën emrin kekropidë. Më pas, kur mbret u bë Erehteu, ata ndrruan emrin në athinas, dhe, kur Joni, i biri i Ksutit u bë kreu i ushtrisë athinase, u quajtën jonianë, sipas emrit të tij.”

Në shikimin e Herodotit pellazgët shtriheshin jo vetëm në Athinë, po edhe në Pelloponez: “Sipas helenëve,-shkruan ai,- kur jonianët jetonin në atë pjesë të Peleponezit, që tani quhet Akea, domethënë para se Danau dhe Ksuti të vinin në Peleponez, quheshin pellazgë egalianë”. Po kështu edhe banorët e ishujve të Egjeut, kishin prejardhje pellazge, po më vonë u quajtën jonianë për të njejtat arsye si edhe jonianët e dymbëdhjetë qyteteve, që ishin shpërngulur nga Athina”.

Kështu, duke vëzhguar hapësirën optike të Herodotit, shohim se ai shtrin shumë gjerë kufijtë e botës së pellazgëve, ku përfshihen territoret e Helladës të Ilirisisë,Thrakisë, Maqedonisë, Thesalisë, Thesprotisë, Frigisë. Pra, siç del nga shenimet e Herodotit, pellazgët janë paraardhës të helenëve, ilirëve, molosëve, thesprotëve.

Orakulli i Dodonës
Siç duket në gjihë veprën e tij, Herodoti ka qënë dhe një dijetar shetitës, që kish gjesdisur shumë vende të botës së vjetër. Dhe kudo që vinte, ai përpiqej të gjellinte fakte dhe ngjarje, që i dukeshin interesante për historitë, që kish marrë përsipër të shkruante. Nga moria e ngjarjeve m’u duk me interes të veçoja midis të tjerave edhe rrrëfimin për dy orakujt, atë të Heladës dhe atë të Libisë. “Egjiptianët,- shkruan Herodoti, – tregojnë sa vijon: priftërinjtë e Zeusit të Tebës më thanë që dy gra, në fakt priftëresha, ishin rrëmbyer në Tebë prej disa fenikasve.

Ata kishin marrë vesh se njera nga gratë ishte shitur në Libi dhe tjetra në Heladë. Sipas tyre këto gra ishin të parat që themeluan dy orakuj në këto dy vende. Kur i pyeta si mund të flisnin me kaq siguri, m’u përgjegjen se kishin bërë një kërkim të kujdesshëm për këto dy gra. Dhe, megjithëse nuk ia kishin dalë t’i gjenin, kishin zbuluar më pas atë çka po më thoshnin për to.

Kjo është ajo që më thanë priftërinjtë në Tebë, por profeteshat e Orakullit të Dodonës thonë që dy pëllumbesha të zeza fluturonin që nga Teba në Egjipt; njera fluturoi drejt Libisë, tjetra aty në Dodone, pranë tyre. Kjo e fundit u ul mbi një lis dhe paskej thënë me zë njeriu se aty në Dodonë duhej ngritur një orakull i Zeusit.

.Banorët e Dodonës e kuptuan se po dëgjoni një urdhër hyjnor dhe u bindën të bënin ç’u tha pëllumbesha. Priftëreshat thonë se pëllumbesha që shkoi në Libi u tha libianëve të ndërtonin orakullin e Amonit, një orakull tjetër të Zeusit. Kështu thoshin priftëreshat e Dodonës, nga të cilat më e vjetra quhej Promenia, e dyta Timareta dhe më e reja Nikandra. Edhe dodonasit e tjerë që banonin rreth e rrotull tempullit, pajtoheshin me këtë.

Tani do të them mendimin tim sesi ka ndodhur kjo. Sikur vërtetë fenikasit t’i kishin rrëmbyer priftëreshat dhe t’i kishin shitur njerën në Libi dhe tjetrën në Heladë, kjo e fundit, sipas meje, do t’u ketë qenë shitur tesprotëve (banorë të Çamërisë – shenimi im AM.), të cilët e patën çuar në vendin që tani quhet Heladë, vend që në atë kohë quhej Pelazgji“ (Herodoti, Historitë, f.124, Libri II, parag. 56).

Kështu, duke lexuar dhe komentuar rreth këtij episodi, që ka të bëjë me zanafillën orakullit të Dodonës, e kemi shumë të qartë të kuptojmë se si Herodoti përkatësinë e orakullit të Dodonmës ua jep banorëve të Threspotisë. Ndër kohë, duke qenë se edhe ky orakull ishte ngritur nga zëri hyjnor i Zeusit, siç cicëroi pëllumbesha, vetëkuptohet vetiu që Zeusi si Hyjni i ka përkitur, po atij vendi, që ka qenë quajtur Pellazgji. Dhe për ta konfirmuar më shumë këtë ide, le të përmendim edhe fjalët e Homerit në Iliada, ku tregohet se : “Akili i lutej Zeusit Pellazgjik të Dodonës”(Iliada, XVI-223)

Ndër kaq, theksojmë se në kujtesën dhe në optikën e Herodotit pellazgjia datohet historikisht në kohë më e lashtë se Helada, siç edhe u tha më sipër.
Në këtë rast, duke lexuar këto pjesë të veprës së Herodotit, lind dëshira për të mësuar më shumë rreth kohës dhe vendbanimeve të pellazgëve.

Shtrirja Gjeografike e Pellazgëve Si kuptohet nga vepra e Herodotit, pellazgët janë banorë të vjetër të zonave jug-perëmdimore të ballkanit dhe më gjërë. Ata dëshmohen më të hershëm se helenët, dhe kanë qënë të vendosur në trevat, që gjendeshin në brigjet detit Adriatik, detit Jon , detit Egje, të detit Mesdhe si edhe në ishujt e këtyre detrave si Korfuzi, Lemnos , Lesbos, Imbros, Hidra, Samothrakë, e deri në Kretën e laregët. Shtrirja gjeografike e pellazgëve të stërmoçëm,-sipas Prof. Dh. Pilika,- nis nga Itaka, Leukada, Akarnania, Etolia, Tesalia, Iliria, deri në Labeati, duke përshkuar, Mollosinë, Trakinë, shumë ishuj të Egjeut, Etrurinë etj.

Kurse studjuesja shqiptare, poliglotja, Nermin Vlora Falaschi, përfshin në territorin e Pellazgjisë edhe trojet italiane. “Në Itali,- shkruan ajo,- gjenden vende që ende e ruajnë emrin e parë me prejardhje pellazgjike, si janë: “Le Isole Pelasgie” (Ishujt Pellazgë), në jugë të Sicilisë. Afër Firences është fshati Pelago, ashtu si gjendet edhe vendbanimi mjekues Le Terre Pelasgie; në veri të Italisë, afër Padovës gjendet toponimi Shën-Pellazgu. Gjithë këta emra vendesh na kujtojnë të parët e përbashkët.”

Në Itali,-sipas N.Vlorës,- po thuajse të gjitha onamastikat që mbarojnë me “-ona”si Kortona, Sulmona, Arona, Verona, Gemona, Ankona, Cetona, Bibona, Cremona etj., kanë prejardhje pellazge”. Kurse fjalori francez “Nuveau Petit Larousse “ bën këtë përkufizim lidhur me pellazgët:

“Pellazgët, popull shumë i lashtë, që jetonte në periudhën para historike në Greqi, në Arqipelagun në brigjet e Azisë së Vogël dhe të Italisë,…në përgjithësi konsiderohet se Trakët e lashtë, Frigët, Lidët, Etruskët, Epirotët, Ilirët, Italianët, dhe Shqiptarët e sotëm janë degë kryesore të Pellagëve”.

“Po në atë botë aq të gjërë “zemra kryesore e prjardhjes së Pellazgëve, – sipas N.Vlora,- ka qenë Iliria, “Vendi i njerzëve të Lirëve”(Il nucleo centrale, forse quello originario dei pelasgi era l’Iliria, il “Paese dei Liberi”)

Si në vazhdim të informacionit rreth lashtësisë së pellazgëve, dhe vend-ndodhjes së tyre, po përmendim edhe një shenim të Prof. Sh.Demirajt, që shkruan se “etnonimi pellazg dëshmohet së pari në Iliadën e Homerit, ku paraqiten si banorë të Larisës pjellore” Kurse në veprën tjetër, “Odisea” , Homeri i gjen pellazgët deri në ishullin e Kretës, gjë që e lexojmë tek fjalët, që Odiseja i thotë Penelopës: “Në këtë ishull banojnë akejtë, eteokretët, kydonët, dhe pellazgët hyjnorë”.

Gjithkush që ka sadopak njohuri për kulturën Minoike të Kretës, e merr me mend nga këto fjalë të Odisesë, se pellazgët janë banorë të kohës Minoike, domethënë na dalin vendës, që në krye të mijëvjeçarit të dytë para Krishtit, jo vetëm në trevat e Adriatikut dhe të Jonit, po edhe në ishujt e Egjeut, si Kreta, që nga fillon qytetërimi Minoik, që e përmendëm. Për këtë arsye dhe studiuesi francez, d’Anxhely, i bindur për origjinën e lashtë të kretianëve, do të shkruante për ta: “Populli i Kretës nuk është gjë tjetër veçse popull i pastër pellazgjik”.

Jo më kot Homeri i quan “hyjnorë” pellazgët. Kjo, mbasi, si e kemi parë edhe më sipër, ata, pellazgët, ishin themeluesit e shenjtëroreve pagane dhe të orakujve. Për këtë aftësi të tyre, një autor antik, Skymi pranon rrëfimet e Herodotit, duke pohuar se “Pellazgët ishin themeluesit e tempullit të Dodonës”.

Edhe Tuqidhidhi, tjetër historian Helen, që vjen në kohë pas Herodotit, tregon se pellazgët janë më të vjetër se helenët; ky autor duke përmendur pellazgët, pranon se
pellazgët kanë qenë ndër të parët që i quajtën grekët me emrin helenë.

Ndërsa studiuesi francez, Robert d’Angely, mendon se pellazgët kanë qenë popullata bazë e kulturës Kreto-Mikene dhe pellazgjishtja ishte gjuhë e përgjithshme e gjithë botës së atëhershme, kurse gjuha helene ishte ende në ngjizje e sipër. Sipas tij, gjuha helene ishte akoma e pazhvilluar, dhe, s’qe e punuar aq mire, sa të shkruheshinm me të dy poemat Iliada dhe Odisea. “Ne jemi të detyruar të pranojmë se epopeja helene u shkrua në fillim në gjuhën pellazge”(Enigma, d’Angely, f.134). “Si rrjedhim, sipas tij, në fillim ato (poemat) duhet të kenë pasur një tekst pellazg, që ka shërbyer më vonë si model për greqishten. Gjithnjë, sipas d’Angeli, “Poemat homerike gjatë pesë shekujve kanë ekzistuar vetëm në gjuhën pellazge”.

Duke mbështetur mendimin e Herodotit, se gjuha pellazge është gjuha “mëmë” ose e “vatrës” d’Anxhely, pohon se raca dhe gjuha helene janë me origjin pellazge… se jonët, akejtë, eolët dhe dorët, që përbëjnë stërgjyshërit parahistorikë të helenëve, ata dolën nga elementi pellazgjik autokton të Greqisë… Pellazgjishtja,- shkruan ai,- ishte një gjuhë universale e gjithë racës së bardhë. Gjithë gjuhët e tjera, sipas këtij studiuesi, kanë dalë si bija të pellazgjishtes, siç mund të jenë helenishtja, trakishtja, ilirishtja, maqedonishtja. Madje, për të treguar se helenishtja ka dalë vonë, studiuesi d’Anxhely, kujton fjalët e Homerit, që thotë se emri DANAJTË ka qenë një emër i përgjithshëm për gjithë helenët që morën pjesë në Luftën e Trojës….së fundi, ata sipas vendeve, u quajtën dhe danaj dhe akej…

Pra në kohën e Homerit a po në veprat e tij nuk njihej as emri Helen, as emri grek,
po dëgjohej apelativi, që tregon Homeri danaj ose akej. Më vonë, edhe poeti latin, Virgjili, do të verë në gojën e Laokontit apelativin Danaos dhe jo emrin Helen apo grek, kur ai shqipton thënien e njohur si postulat: “Timeo Danaos et dona ferentis” që do të thotë se “nuk u besoj danajve edhe kur të japin dhurata”.

Ndërkaq, R.d’Anxhely, duke u mbështetur edhe te mendimi i Herodotit lidhur me prejardhjen e gjuhëve të vjetra të gadishullit ballkanik nga pellazgjishtja, del në përfundimin se kjo gjuhë, pra pellazgjishtja, është një gjuhë shumë e lashtë universale, e cila në trajtën më të gjallë, na është transmentuar e përpiktë dhe e plotë në formën e gjuhës së sotme shqip” (d’Angely- Enigma, f. 122;. ; kështu,” Sot shqiptarët ruajnë trupin themelor të kësaj gjuhe të vjetër pellage.”

Në vazhdim të idesë së më sipërme, lidhur me origjinën e gjuhës shqipe, Prof. N.Vlora shkruan se “është me interes të kuptohet që midis popujve me prejardhje pellazgjike, vetëm “shqiptarët e sotëm” njihen si të vetmit dhe autentikë mbijetues të atij qytërimi pellazgjik shumë të lashtë, i cili u bë i vetmi fener pluskues i popujve me të cilët pati kontakte.” Për të vërtetuar ç’ka është thënë më lartë, Prof. Vlora, na paraqet një dëshmi shumë të rëndësishme, e cila kësaj radhe del nga “Encikopedia e Madhe Greke”,(Vëllimi xix,f.873), ku shkruhet: ”Stërgjyshërit e Shqiptarëve të sotëm, Pellazgët, kanë jetuar në periudhat para-historike në pjesën më të madhe të botës që njihej, asokohe, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlerë të jashtëzakonshme.

Meqë sapo cituam përfundimet e një enciklopedie greke, e cila trajton problemin e pellazgëve, le të qendrojmë edhe pak në atë truall, për të lexuar se çfarë shkruan një jurist dhe orientalist i mirënjohur grek, N.P. Elefteriadhi, në veprën e tij “Greqia Pellasgjike Para-Helene”, Athinë,( 1931, f.124):

“Sipas dëshmive të të lashtëve, ata, pellazgët, që banonin veçanërisht në trojet helene, kishin banuar, madje, shumë kohë më parë se të shpërthente Lufta e Trojës, edhe në mbarë Italinë, në Sicili, në Azinë e Vogël, në gadishullin Iberik, në Francën Jugore, dhe në shumë vende të tjera, ku flitej e njëjta gjuhë pellazgjike; kështu ata qenë vendas kohë më përpara se të arrinin helenët në trojet e tyre të sotme”.

Dhe pastaj, po në atë libër, në faqen 132, lexojmë:
“Atëherë pellazgët përbënin një “Botë të madhe Pellazgjike”, prej së cilës përfitoi qytetërimi grek, që uzhvillua në një periudhë shumë më të vonëshme, që është një karakteristikë e asaj bote origjinale dhe të ndriçuar.”.
Kurse në faqen 133, tek e njëjta vepër, shikojmë këtë gjykim të autorit, Elefteriadhi, lidhur me greqishten, gjuhën e tij amëtare:
“Prandaj, edhe gjuha greke u formua në strukturën e saj përmbajtëse, nga gjuha shumë e pasur Pellazgjike”.

Për gjeneralin Mardonius
Shtojmë se studiuesi, R.d’Angely, bindjen e tij që pellazgjishtja ka qënë mëma e gjuhëve nga kanë dalë gjithë gjuhët e vjetra në trevat e gadishullit ballkanik dhe më gjerë, e mbështet jo vetëm në informacionet dhe imazhet, që ka rreth pellazgëve të qytetërimit Kreto-Mikenas, ose të Luftës së Trojës, po edhe gjatë kohës se vet Herodotit. Kjo ide demonstrohet qartë në përshkrimin që i bëhet gjuhës së përdorur nga orakujt, si e shikojmë konkretisht në kapitullin e tetë të veprës së Herodotit, ku tregohet një episod, që ka të bëjë me gjeneralin e ushtrisë persiane Mardonius. Pas betejës detare të Salaminës, ai vendosi të fushonte në Thesali, me qëllim që të kalonte atje dimrin vetëm me një pjesë të këmbësorisë, që e shoqëronte Kserksin në ekspeditën e tij kundër Greqisë.

Mardoniusi gjatë kësaj kohe deshi të këshillohej me orakujt e Greqisë për planet e veta dhe për këtë qëllim dërgoi një njeri me emrin Misi, që ishte me prejardhje nga qyteti Europusi i Karisë. Ky Misi, ndërmjet orakujve të tjerë u këshillua edhe me atë të Apolonit në Ptoos, që u përkiste Tebanëve dhe ndodhej në Beoti. Atë e shoqëroin tre tebanë, që qenë porositur të kopjonin mbi tabelëza tekstin e orakullit. Por kur hynë në vendin e shenjtë, priftëresha nisi të bënte fat-thënën në gjuhën barbare, domethënë pellazge, sipas Herodotit. Ndërsa tre tebanët ngelën të shtangur, të befasuar, sepse po dëgjonin një gjuhë pellazge, atje ku ata prisnin të dëgjonin të flitej gjuhë helene. Atëherë njeriu nga Karisa, Misi, i cili e kuptonte fare mirë gjuhën që fliste orakulli, ua mori nga duart tebanëve tabelëzat edhe shkroi vetë në ato atë, që thoshte fat-thëna, duke e deklaruar se profetesha po e tregonte fat-thënën në gjuhën pellazge të Karisë.

Pra, studiuesi d’Angely, me anë të këtij fragmenti, të shkëputur nga vepra e Herodotit, rikonfirmon faktin se pellazgjishtja ka qenë gjuhë masive jo vetëm në periudhen e qytetërimit Kreto-Mikenas, dhe të kohës së Homerit, po edhe gjatë dekadave të Luftës Greko-Persiane. Dhe për këtë realitet linguistik, studiuesi i shkruan se “Arti i fat-thënies, i atribuohet pellazgëve të Greqisë, të Azisë së Vogël, të Italisë dhe të Medheut. Si rrjedhim nuk do të kishte asgjë befasuese dhe të jashtëzakonshme, që profeteshat dhe gjithë personeli i këtyre tempujve të fat-thënies, që e kishin prejardhjen nga pellazgët, të flisnin gjuhën pellazge si gjuhë amëtare, që veç kësaj flitej nga gjithë popullata e Helladës, me përjashtim të një elite të vockël të huaj drejtuese. Por ajo që e bën faktin vërtet interesant nga pikëpamja jonë, është se provon që të gjitha të ashtuquajturat gjuhë të ndryshme, si karishtja, frigishtja, likishtja e tj, nuk ishin gjë tjetër veçse variacione të lehta ose pa rëndësi të gjuhës së gjerë pellazge.

* * *

Përshtypje të veçantë do t’i ketë pas bërë Herodotit rrëfimet për priftëreshat, që themeluan orakullin e Zeusit në Tebë dhe atë të orakullit në Dodonë. Ai shkruan për to, duke rrëfyer se ishin shitur si skllave nga fenikasit, dhe vazhdoin të punonin për thesprotët. Nuk është e vështirë që tek ky paragraph të dalim me deduksionin tjetër se kemi të bëjmë përsëri me një terren të vazhdimësisë pellazgo-ilire: Ndërsa punonte si skllave për thesprotët, ajo, priftëresha themeloi një shenjtërore të Zeusit nën hijen e një lisi që rritej aty. S’ka asagjë të jashtëzakonsme në këtë që bëri, sepse ajo pat shërbyer në shenjtëroren e Zeusit në Tebë dhe pa tjetër do të mendonte e do të kujtonte Zeusin në këtë vend të ri. ((Herodoti- Historitë, f. 124- Libri –II- Parag.56).

Pra, siç e lexojmë në vazhdimësi të episodit, Herodoti rithekson edhe një herë faktin informuese, se qoftë orakulli i Dodonë, qoftë faltorja për Zeusin janë lokalizuar në mjedisin e thesprotëve, të cilët kanë qenë dhe janë fise ilire në trojet e tyre.
Dhe në kohën, që priftëresha themeloi orakullin, “u tha njerzëve që motrën e saj e kishin shitur në Libi po ata fenikas, që e kishin shitur edhe atë vetë.

Më pastaj Herodoti dëshiron të japë arsyetimin e tij lidhur me personifikimin e murgeshave si shpendë që flasin. Lidhur me këtë dukuri animizuese ai pohon: “Mendoj që dodonasit i quajtën gratë pëllumbesha, sepse ato ishin të huaja dhe gjuha e tyre dukej si cicërim zogjësh. Ata thonë që pas një farë kohe pëllumbesha foli me zë njeriu, sepse atëherë ajo foli në gjuhë që e kuptuan. Sa kohë që fliste në gjuhë të huaj, atyre u dukej se cicëronte, sepse si mund të flasë një pëllumbeshë me zë njeriu? Kur thoshnin se pëllumbesha ishte e zezë, nënkuptonin që gruaja ishte egjyptiane.

Për Alfabetin e Pellagjishtes
Me tregimin e tij rreth orakullit të Dodonës, Herodoti na jep mundësinë që të marrim me mend lidhjet midis civilizimeve të antikitetit të herëshëm. Dalja e fenikasve në rrëfim, krahas elementeve të jetës egjyptiane, flet për ndikimin dhe lidhjen kulturore të botës së Mesdheut. Dihet se Egjypti dhe Babilonia qenë kulme të ndritura zhvillimi, për atë kohë të vjetër antike, kurse fenikasit, si lundërtarë të guximshëm dhe tregëtarë të zotë, i përhapën këto qytetërime përmes kolonizmit me ngujimet e tyre.

Po më e rëndësishmja, që duhet thënë për ta është fakti se dy mijë vjet Para Krishtit, fenikasit shpikën alfabetin prej 22 shkronjash; ky alfabet ka qenë shumë më i thjeshtë se hieroglifet ose kuneifomat babilonase; në bazë të tij është krijuar alfabeti grek, e prej tij janë përpiluar të gjithë alfabetet e tjerë të ditëve tona. Këtë ide Herodoti na e sqaron në vepër, kur shkruan: Fenkasit që erdhën me Kadmin në Heladë, u vendosën në tokën që përmenda, në Beoti, dhe Tanagra; mes shumë njhohurive të tjera, futën te helenët edhe alfabetin fenikas”(Libri V- parag.58).

Mbase nga alfabeti fenikas, në fillim të herës, pa dalë ende, alfabeti grek, mund të jetë krijuar alfabeti i pellazgjishtes; ekzistenca e të cilit mbrohet nga disa autorë, si R.d’Anxhely, që pohon se “ka pasur shkronja të quajtura pellazgjike në Europë dhe në Azi të Vogel”. Dhe studiuesi arvanitas, A. Kola, në librin e tij shenon se mjeshtrit muratorë nga Fenikia “iu mësuan helenëve një mënyrë të re shkrimi, duke kombinuar alfabetin ekzistues pellazg me gërma fenikase”. Këtë mendim ka edhe studiuesja N. Vlora, e cila në librin e saj “Prona Gjuhësore dhe Genetike” shkruan se “rrasa e varrit të ishullit të Lemnosit është shkruar me alfabetin pellazgjik”, f.31

Për këtë epigraf ajo thotë se “konsiderohet shumë i vështirë për t’u interpretuar. Por, duke e vështruar me vëmendje atë mbishrim, që nga fjalët e para, kuptohet se është shkruar në gjuhën pellazgo-ilire dhe merret vesh vetëm me anë të shqipes. Ndër kohë, në një libër tjetër, ajo, duke analizuar mbishkrimin e Lemnosit, ka arritur të zbërthej kuptimin e disa fjalëve, të ktij epigrafi, të cilave u ka gjetur kuptimin identik me gjuhën e sotme shqipe. Nga ato fjalë, të shkruara me alfabetin e pellagjishtes, po shenojmë sa për konkretësi disa prej tyre, që studiuesja i ka vendosur përbri shqipes dhe italishtes në librin e saj “L’Etrusco Lingua Viva” f.68:

Pellazgjisht zi = shqip = zi, = italisht = lutto,
Pellazgjisht ar = shqip = ar = italisht = oro,
Pellazgjisht pa = shqip= pa(me pa) = italisht = vide
Pellazgjisht mori = shqip = mori = italisht = preso
Pellazgjisht fis = shqip= fis =italisht = parente,
Pellazgjisht lot shqip = lot = italisht = lakrime.

Përpjekje të ngjajshme, për të shpjeguar pellazgjishten me anë të fjalëve që përkojnë me gjuhën shqipe si nga ana leksikore dhe kutimore, ka bërë në librin “Enigma” edhe d’Anxhely. Ja disa nga këto fjalë që puqen, ( izoglosa) në pellazgjisht dhe në shqip:

Jam = jam
Kam = kam
Gluha = gjuha
Nip = nip
Uku (ulku) = ujku
Mënia = mëria
Hije = hije (si siluet) e të tj.
(Nga libri Enigma, f. 114-115)

Të tilla raste me fjalë, që përkojnë, pra me izoglosa, që flasin për ngjajshmëri lesikore midis shqipes dhe etruskishtes e ilirishtes ka hulumtuar në një vepër të tij edhe profesori francez Z. Mayani, i cili apelativin “mesap” ai e shpjegon me rrënjën e fjalës ‘mëz” ose “maz-i”, toponimin “Tribale” e shpjegon me togfjalëshin “mal me tre maja (ball-e)”, po ashtu interpreton edhe toponimin e ngjajshëm Trimal(tri maja), për këtë rast përdor si përforcim të idesë edhe një emër të përveçëm Trimalchion (the hero of the Satirikon of Petronius Arbiter); Dalmatia”vjen nga rrënja e fjlës “dele”, po kështu fjala “uc- ulk” ka dhënë fjalën “ujk”, në etruskisht “vulci”, në ilirisht “oulkinion”,prej së cilës ka prejardhur toponimi “Ulqin”; “barza” e rumanishtes, “lejleku”, shqip = i “bardh”

Epigrafi i Lemnosit
Shenojmë se Prof. N. Vlora, duke vërejtur se ishulli Lemnos përmendet disa herë nëper kapitujt e veprës së Herodoti, se ky ishull, siç del dhe nga vepra e Herodotit, ka qenë i banuar prej pellazgëve qysh nga koha e Argonautëve e deri në periudhën e Luftës Greko-Persiane, pa tjatër edhe më vonë, se në këtë ishull janë zhvilluar perleshje dhe beteja luftarake, zbulimi i një epigrafi të vjetër tek një rrasë varri çmohet si një gjetje historike dhe gjuhësore, prandaj ajo rrasë varri ruhet në Muzeun Arkeologjik të Athinës.

Po me që ai mbishkrim është i shkruar me një alfabet më të herëshëm se sa alfabeti i vjetër grek, pra me alfabetin pellazgjik, ky epigraf merr shumë vlerë lidhur me hipotezën e prejardhjes së gjuhës shqipe nga pellazgjishtja. Për katë arsye linguistja N.Vlora i ka analizuar interpretimt e shumë fjalëve të këtij mbishkrimi, duke menduar se ashtu ajo arrinte qëllimin e saj, që, kryesisht me anën e kuptimit leksikor të fjaleve , të argumentonte se gjuha shqipe është vazhdim i pellazgjishtes dhe ilirishtes.

Mirëpo ky arsytim, me sa duket, bie ndesh, me gjykimin e disa studiuesve të gjuhësisë, në Tiranë, që sugjerojnë se duhen pasur parasysh dhe dukuritë e evolucionit fonetik të gjuhës shqipe. Kështu, tek komenton rreth mbishkrimit të Lemnosit dhe përafërsisë së gjuhës së këtij epigrafi me etruskishten dhe pellazgjishten, Prof. Sh.Demiraj shkruan në librin e vetë se çdo krahasim midis shqipes së sotme dhe të çdo fjale të një gjuhe tjetër të lashtë, nuk mund të jetë skencërisht i mbështetur, në qoftë se nuk mbahen parasysh rregullsitë e evolucionit të sistemit fonetik të gjuhës shqipe (Sh.Demiraj-libri i cituar më sipër, f. 49).

Po poliglotja N. Vlora nuk tërhiqet nga synimi i saj për të hulumtuar rreth origjinës pellazge të gjuhës shqipe, sipas mënyrës së vetë. Për më tepër, kur pa një studim të Prof. M. Domit, botuar, më 1983, ku teorikisht flitej rreth procesit të formimit të gjuhës shqipe, Zonja N. Vlora Falaschi, u shpreh se ishte krejtësisht e një mendimi me të. Dhe, në shenjë dakortësie ajo citon një fragment prej studimit të Prof. Domit në një libër të saj: “Pa dyshim gjenden izoglosa fonetike midis shqipes dhe trakishtes. Po në këto si edhe në përkimet leksikore merr pjesë edhe ilirishtja…

Sidoqoftë, një vemendje të veçantë i duhet kushtuar edhe substrakteve para-hitorike, protoindoevropiane, ose jo-indoevropiane, që mund të kenë vepruar mbi ilirishten e, nëpërmjet saj, të kenë lënë gjurmët e tyre në gjuhën shqipe. Është kompleksi i çështjeve të lidhura me gjuhën, që është quajtur “PELLAZGJIKE” dhe me substraktin e ashtuquajtur “MESDHETAR”. Këto probleme të paleontologjisë gjuhësore që paraqesin vështirësi të mëdha, duhen parë me kujdes, duke u identifikuar reliktet përkatëse, duke u përcaktuar burimi dhe rrethanat e përhapjes së tyre. Për të marrë zgjidhje të drejtë, procesi i formimit të gjuhës shqipe, ai duhet parë në mënyrë të shumanshme dhe në aspekte të ndryshme të tij, duke pasur parasysh të dhënat gjuhësore, historike, arkeologjike, etnografike”.

Dhe, pasi parshtron këtë material studimor të Prof. Domit, Zonja N. Vlora, shpreh një si çudi, kur shkruan:”Vetëm një gjë nuk arrij të kuptoj: në Shqipëri ka dokumente epigrafike të shumta, nga ato më të lashtat pellazgjike, deri tek ata të periudhës ilire dhe të kohëve më të vonëshme, dhe ndërkohë gjuhëtarët shprehen me fjalë abstrakte dhe nuk e vënë në zbatim atë që kanë zbuluar vetë”.

Po ajo që bie në sy në të gjitha hulumtimet dhe argumentet e studiueses N.Vlora është prirja e saj që të jetë sa më pranë të dhënave të Herodotit, vendeve dhe ngarjeve, që rrëfen ai si dhe pasuesëve të veprës së tij për motivet e lidhura me botën Pellazgjike.

* * *

Herodoti, si në shumë faqe të veprës së vetë, dhe në episodet e librit të të dytë, synon të tregojë futjen e rregullave dhe riteve egjiptiane tek pellazgët dhe, pastaj përmes tyre, edhe në mjediset helene, qysh atëherë, kur po niste qytetërimi i Delfit dhe ai i Dodonës, pra për kohën, kur jeta e Heladës ndikohej fuqishëm prej modeleve të civilizimit të Egjiptit të lashtë. Kështu, ndërmjet të tjerave, Herodoti, duke përshkruar ritet e shënjta për festimin e ditës së Demetrës, shkruan këto radhë për gratë pellazgjike: “Edhe për ritet e shenjta të Demetrës, të cilat helenët i quajnë “Tesmoforia” përsëri nuk do të flas, përveçse atyre për të cilat është e pranueshme të flitet. Ishin bijat e Danaes që sollën këtë festë prej Egjiptit dhe ua mësuan grave pellazgjike” , prej të cilave u përhapën pastaj në të gjitha gratë helene.

Prej pellazgëve, tregon Herodoti, Helenët do të mësonin edhe mjeshtërinë e punimit të metaleve, të ngritjes së mureve, ndërtimi e urave, si edhe alfabetin për të shkruar.
Po në këtë kapitull të veprës Herodoti tregon se egjiptianët do të ndikonin në jetën e pellazgëve dhe helenëve edhe në anën e ligjeve qeverisëse siç e shpjegon me shembullin e faraohnit Amasi, i cili ishte një nga faraohnët e fundit të Egjiptit. Autori rrëfen për të se ”në mbretërimin e Amosit Egjipti pat gëzuar epokën e begatisë më të madhe, si nga përfitimet që kishte toka prej lumit, si nga ato që toka u jepte njerzëve.. Atëheerë ekzistonin njëzet mij qytete në Egjipt. Ishte Amasi ai që urdhëroi që çdo egjiptian duhej t’i deklaronte çdo vit të ardhurat e tij guvernatorit të provincës. Nëse nuk e bënte ose nuk i tregonte ndershmërisht të ardhurat dënohej me vdekje. Soloni i Athinës, më vonë, – shkruan Herodoti, – do ta merrte këtë ligj prej praktikës se Egjyptit dhe do ta bënte pjesë të sistemit ligjor të Athinës, ku e ruajti fuqinë përgjithmonë, sepse ishte një ligj i shkelqyer”.

Pellazgët në kohën e luftës Greko-Persiane
Dhe, në qoftë se te episodi i orakullit të Dodonës i gjemë pellazgët qysh në kohën e Tebës, në librin e gjashtë të veprës së Herodotit do t’i shohim ata edhe në fillim të shekullit të pestë Para Kishtit, nga viti 500 deri 479, e më poshtë, pra për gjatë Luftës Greko –Persiane, ku do të lexojmë këto deklarime: “Athinasit i kishin dëbuar pellazgët nga Atika – me të drejtë a pa të drejtë këtë nuk mund ta them, po vetëm po e përsërit atë që thonë të tjerët. Hekateu, i biri i Hegesandrit, në Historinë e tij pohon se athinasit vepruan në mënyrë të padrejtë.

Ata ua patën dhënë tokën e vet në rrëzë të Himetit për ngulim pellazgëve, si shpërblim për murin që ata kishin ngritur dikur rreth Akrpolit. (Histiritë, VI- Parag.137). Jo më kot “muri më i vjetër i Akropolit quhet muri pellazgjik”. Kur Athinasit e panë se kjo tokë më parë e keqe dhe që s’ vlente kurrëgjë, tanimë ishte punuar për bukuri, i kapi zilia dhe donin ta shtinin sërisht në dorë. Prandaj athinasit pa kurrëfarë shkaku tjetër i dëbuan pellazgët.

Përkundrazi, athinasit thonë se i dëbuan pellazgët me të drejtë, se pellazgët u kishin sjellë athinasve shumë bezdi: vajzat athinase shkonin atëherë për ujë në Nëntë Burimet (Eneakrunos), sepse në ato kohë athinasit dhe helenët e tjerë ende nuk kishin skllevër sherbëtorë. Sa herë që vajzat shkonin për ujë, pellazgët me një përçmim i fyenin ato. Po kjo ishte më e pakta. Në fund të fundit pellazgët i kishin kapur me presh në dorë kur donin të sulmonin Athinën. Megjithatë, athinasit u treguan më fisnikë se pellazgët çka duket nga fakti që athinasit mund t’i vrisnin ata, kur zbuluan komplotin e tyre, por nuk deshën dhe i urdhëruan ta braktisnin vendin. Kështu pellazgët e dëbuar u zhvendosën në toka të tjera, ku përfshihej edhe Lemnosi. Këto janë dy versionet, i pari është i Hekateut dhe i dyti i athinasve.”

Pastaj Herodoti vazhdon të rrëfej rreth konflikteve dhe luftimeve midis athinasve dhe pellazgëve të vendosur në Lemnos. “Pellazgët, që atëherë jetonin në Lemnos, donin të hakmerreshin ndakj athinasve. Duke e ditur kur i kremtonin athinasit festat, blenë dhe pajisën pentekontera (anije 50-remshe) dhe me to shkuan në Brauron, ku u zunë prit grave athinase në kohën e festës së Artemidës. Mbasi rrëmbyen shumë gra, u nisën me to për në Lemnos dhe atje i mbajtën ato si konkubina. Me kohë këto gra lindëm shumë fëmijë, të cilët u rritën me zakonet athinase dhe flisnin dialektin atik të helenishtes.

Këta fëmijë, kur u rritën nuk donin të bashkoheshin me fëmijë të grave pellazge dhe, në qoftë se ndonjë çun pellazg godiste ndonjë syresh, të gjithë të tjerët suleshin për ta ndihmuar. Përveç kësaj ata mendonin se kishin të drejtën të komandonin fëmijët e pellazgëve, spse ishin shumë më të fortë se ata. Kur pellazgët e mësuan këtë, u mblodhën për t’u këshilluar si të vepronin. Kur e shoshitën gjendjen patën një shqetësim të madh: nëse këta fëmijë janë të vendosur të përkrahin njeri tjetrin kundër fëmijëve të grave të tyre legjitime, mbi të cilët rrekeshin të komandonin, ç’do të bënin ata kur të rriteshin?

Prandaj pellazgët vendosën t’i vrisnin fëmijët që kishin me gratë atike, dhe bashkë me fëmijët masakruan edhe nënat e tyre. Bëma të tilla të tmerrshme në Heladë i quajnë lemniane. Por shumë vjet më vonë, – shkruan ai,- kur Kersonezi i Helespontit ishte në duart e athinasve, Miltiadhi i biri i Kimonit, në kohën e erërave etesiane, kur ato fryjnë vazhdimisht, mbrrijti me një anije nga Eleunti në Kersonez, në Lemnos dhe i urdhëroi pellazgët ta braktisnin ishullin. Efestianët u bindën, kurse në Mirna askush s’e pranonte që Kersonezi të qe pjesë e Atikës, kështu që Athinasit e rrethuan qytetin, derisa ky u detyrua të dorëzohej. Kështu athinasit, me Miltiadhin në krye, pushtuan Lemnosin”(po atje- (Paragrfi 137 f.380).

Dhe në këto deklarime të Herodotit, duhet të kemi para sysh faktin se ky informacion nuk vjen nga koha mithologjike, Kreto-Mikenase, as nga Koha Homerike, po nga periudha kur autori jetonte vetë midis atyre ngjarjeve.

Duke lexuar këto fjalë të këtij paragrafi, kuptojmë fare qartë vazhdimësinë e bashkëjetesës së pellazgëve, krahas helenëve, për gjatë disa shekujve, duke nisur nga periudha e Tebës dhe orakullit të Dodonës e deri në kohën e Luftës Greko-Persiane. Ky është një mësim që nxjerrim nga Herodoti dhe si rrjedhojë edhe arvanitasit e e periudhës së parë të Mesjetës, po edhe të kohëve më të vona mund të jenë vazhdim breznish i pararendësve të tyre pellago-ilire, siç ishin tesprotët. Natyrisht gjatë kohës së Perandorisë Bizantine mund të kenë vajtur edhe valë shtresash të tjera nga krahinat e Arbërisë. Po Sidoqoftë, popullata arvanitase shqipfolëse në trevat helene të Moresë prej shekujsh ishte shumë e përhapur, duke filluar nga malete Sulit, Konica, Korfuzi, e deri tek Paramithia , Arta, Parga, dhe më tutje si në More, Lemnos, Hidra, Spartë dhe Athinë, ku është dhe lagjja me emrin “Plaka”.

Kjo hartë shqipfolëse e përhapur në si në tërë Heladën dhe në krahinën e Morenë, e bën patriotin e shquar arvanitas, Aristidh Kolias, të deklaronte në veprën e tij se “Arvanitët janë shtetformues sepse 80 deri 90 përqind e heronjëve të Pavarësise së Greqisë janë arvanitas dhe, në parlamentin e parë të shtetit të ri grek dëgjohej shqipja po aq sa greqishtja, sa që u propozua të flitej në dy gjuhë, po që shpejtë u ndalua” Kur flet kështu Aristidh Kolias ka para sysh shumë heronj arvanitas, të cilët derdhën gjakun dhe ranë deshmorë për lirinë dhë pavarësinë e Greisë më 1821 siç janë Kiço Xhavella, Teodor Kollokotroni, Marko Boçari, Noti Boçari, Laskarina Bubulina, Kostandin Kanari, Andrea Miauli , Teodor Griva e shumë e shumë të tjerë.

Po deklarim i studiuesit arvanitas A.Kolias është shumë vëllazëror dhe mirëdashës, kur ai vazhdon të thotë: Bashkëjetesa në shekuj dhe rrënjët pellazgjike, si popuj më të lashtë në Ballkan, na nxjerrin të afërt, më të afërt se çdo popull tjetër ne përqark, prandaj të lëmë luftrat dhe të shohim miqësinë dhe perparimin.
Dendësia dhe përzjeraja e arvanitasve me popullatën helene, para revolucionit të vitit 1821, ka qenë mjaftë e dukshme; gjë që e kishin vënë re edhe dy personalitete franceze. Përshtypjet e tyre, poligloti Rober d’Anxhely, i ka përfshirë në librin e vetë Enigma,i cili, në faqen 205 të veprës, ka shkruar:”

“…gjithë territoret e mbajtura, – më 1805 përshembull,-si helene, në realitet nuk kanë qenë gjë tjetër veçse territore shqiptare dhe e vetmja gjuhë që kanë folur ka qenë shqipja. Dhe kjo gjendje në pjesën në më të madhe të këtyre territoreve vazhdon edhe sot të jetë po ajo. Me fjalë të tjera si mund ta kuptojmë dhe ta shpjegojmë Shatobrianin, kur duke folur për Athinën në veprë e tij“Itinerari i Palestinës”, e quan atë, (Athinën) “fshat shqiptar”. Po ashtu edhe Lamartini, duke folur për familjen, që u kujdes për të në Greqi, sa kohë që ishte i sëmurë, thotë fare mirë:”familje shqiptare si të gjitha në të gjithë vendin (në Greqi)….pra kemi të bëjmë me popullsi shqiptare, që ende fletë shqip”; kemi kështu një realitet të deklaruar nga dy personalitete të kulturës franceze.

O e Bukura More Idenë e bashkëjetesës së gjatë, shumëshekullore, midis helenëve dhe arvanitëve, (arbëreshëve të Greqisë) na e demonstron edhe kënga pullore “O e Bukura More”. Kjo këngë 500-vjeçare ushtinë e gjallë ende në Horën e Arbërshëve, po edhe tek të gjitha ngujimet arbërore në Itali. Kënga e ka zanafillën e vetë më 1534, me ardhjen e arvanitësve të Moresë në Piana degli Albanesi, një komune në Sicili. Këtë e dëshmon një kronikë, që ka të bëjë më një aksion detar të admiralit Andrea Doria, i cili, me urdhër të mbretit të Napolit, më 1534, komandoi atë vit 200 anije për të sjellë arvanitasit dhe helenë të Moresë në Napoli. Shumë prej tyre do të vendoseshin në katundin “Piana degli Albanesi. Nga goja e të cilëve do të dilte kënga “O e Bukra More”, që i drejtohet vendlindjes me mall, brengë dhe dëshpërim, sepse kishin lënë pas njerëzit më të dashur, që nuk do t’i shihnin më kurrë, për shkak të dhunës dhe të mizorisë se turqve, që kishin pushtuar Morenë si edhe Arbërinë:

O e bukura More,
Çe kur të lje,
Më nigje të pe.
Atje kam unë Zotin- Tate,
Atje kam unë mëmën time,
Atje kam u tim vëlla.

Mësimi i parë që nxjerrim nga kjo këngë ështe fakti që këta refugjatë arbëreshë (apo arvanitas)nuk kanë vajtur në More pas vdekjes së Skenderbeut, sepse nuk e shpëtonin dot kokën, duke lënë atdheun e zaptuar nga turqit dhe të shkonin në një vend tjetër të pushtuar po nga turqit.Mendimi është se ata atje në More duhet të jenë vendas të vjetër shekullor, Për këtë arsye ata i këndojnë me ngashërim Moresë si vendlindjes së tyre të stërlashtë- “Të Bukurës More”.

Kurse arbëreshët e ikur nga Arbëria i drjtohen mëmëdheut të tyre me apelativin Arbëri:

Arbëri,matan detit na kujton,
Se ne të huaj po jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zemra nuk harron
Që turku na la pa mëmëdhe.

Kështu edhe nga nëndialekti, a po e folmja, kuptohet se kemi dy lloj eksodesh me gen arbëror, që u v endosën në Itali, duke formuar koloni, katunde a po qyteza shqipfolëse; pra, figurativisht kemi dy rrjedha të një gjaku dhe një gjuhe, që historia për shekuj i pat ndarë në trojet e tyre dhe koha i bashkoi në shtigjet e eksodit gati biblik. Për arbëreshët e Moresë (arvanitasit), që këndojnë këngën “O e bukura More”, nuk ka diskutim që janë vendës në More (Pelepones) dhe vazhdues të stërgjyshërve të tyre, para pushtimit turk, nga koha e Bizantit, po edhe ajo pellazgo-ilire, në ato troje, ku i kishte parë dhe dëgjuar Herodoti si në More, në Lemnos, në Thesproti a po në Athinë.

Ndërkohë, edhe pse të veçuar gjeografikisht nga trungu arbëror, për arsye të ndryshme historike, arbëreshët e Greqisë i kanë rezistuar kohës, duke ruajtur gjuhën, këngët, dhe zakonet e të parëve. Gjuha e tyre amëtare është e arbërishtes së herëshme, që në gjuhësi, për veçantinë e saj, është quajtur dhe arbërishte arkaike.

* * *

Detaje dhe gjurmë nga jeta e ilirëve do të gjenden në disa kapituj të të tjerë të veprës së Herodotit, si për shembull në rastin e zakonit të martesës me para. Një herë në vit të gjitha vajzat për martesë mblidhen në një vend të caktuar. Një kasnec i ngre vajzat një nga një për t’i vënë në shitje. Zakonisht nisin nga vajza më tërheqëse. Vajzat blihen nga djemtë jo për t’u bërë skllave, por për martesë. Për këtë rast Herodoti shkruan: më i arsyeshmi për mendimin tim është ky zakon që vijon, të cilin e kanë, siç e kam dëgjuar, edhe fisi i enetëve (venetëve) ilirë. Duhet të shenojmë me këtë rast se zakoni që u jepej pare vajzave, me të cilat lidhej martesa, ishte i gjallë në Shqipëri deri në mes të shekullit të kaluar; sasija e parave, në viset shqiptare, bëhej me marrëveshje midis palëve, dhe quhej argëllëk.

Një gjurmë tjetër e pranisë ilire gjendet në librin e tetë të veprës, ku lexojmë këto fjalë: “Nga Argosi ishin arratisur në tokën e Ilirisë tre vëllezër, pasardhës të Temenit….Nga Iliria ata kaluan në Maqedoninë e Epërme dhe mbrritën në qytetin Lebea, ku u pajtuan kundrejt një pagese, në shërbim të mbretit.”

Ndërsa në librin e nëntë, duke pasur parasysh një vendim të një komandanti Persian, Mardonit, që synonte të bënte një sulm, duke qenë i mbështetur te profecia e një orakulli, Herodoti e komenton ate profeci, duke thënë:
Por me sa di unë, kjo thënie e orakullit që, sipas fjalëve të Mardonit, kishte të bënte me persianët, u përkiste ilirianëve dhe ushtrisë së enkeleasve dhe jo persianëve. (f.523)

Për Orakullin e Apolonisë
Mjaftë interes paraqet edhe një rrëfim i Herodotit, që lidhet me një subjek nga qyteti antik të Apolonisë; rrëfim që ka në qendër bariun Evenis.
Ishte koha kur ushtria persiane kishte pësuar disfatë në Platea dhe po bëheshin përgatitje për shpeditë detare në Jon. Ushtria helene komandohej nga Leutikidi dhe persianët nga Mardoni. Me këtë rast helenët bënë flijime nën drejimin e parashkuesit Deifon të birit të Evenisit nga Apolonia.

Babait të këtij, Evensit, shkruan Herodoti, i ndodhi një ngjarje, të cilën po e rrëfej : Në Apoloni ka një grigje delesh që i është përkushtuar Diellit. Ditën ajo, grigja, kullot përgjatë lumit që rrjedh nga mali Lakmon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut. Natën grigjën e ruajnë burra të zgjedhur nga familjet më të pasura dhe më fisnike. Zgjedhin nga një roje për çdo vit. Rëndësia e kësaj grigje për njerëzit e Apolonisë i detyrohet profecisë së një orakulli . Delet e kalojnë natën në një guvë që është disi lasrg qytetit. Këtu ky Evenisi ishte zgjedhur të ruante delet. Po një herë atë e kaploi gjumi, tek i ruante dhe ujqërit hynë në guvë dhe i shqyen rreth 60 dele. Kur u zgjua, ai pa se ç’kish ndodhur, por heshti dhe nuk i tha kurrkujt për këtë, sepse mendonte t’i zëvendësonte me dele të tjera që do t’i blinte.. Mirëpo s’ia doli dot ta fshihte nga banorët e Apolonisë.

Ata e morën vesh dhe përnjëherësh e çuan para gjyqit dhe e dënuan me humbjen e shikimit, sepse kishte fjetur kur duhej të ruante delet. Menjëherë mbasi e verbuan Evensin, delet e grigjës nuk pillnin më qingja dhe toka u shterpëzua dhe nuk jepte më fryte. Në Dodonë dhe në Delfi, kur pyetën orakujt për shkakun e kësaj fatkeqësie, që u kishte rënë në krye, morën të njëjtën përgjigje: se ishin fajtorë që e kishin dënuar pa të drejtë Evensin, rojtarin e grigjës së shenjtë, sepse perënditë i kishin dërguar vetë ujqërit; dhe ato do të vazhdonin të hakmerreshin derisa populli i Apolonisë ta shpërblente për të keqen që i bënë, me çka do t’u kërkonte dhe do ta caktonte ai vetë. Kur Apoloniatët ta bënin këtë, dhe vetë perënditë do t’i jepnin Evensit një dhuratë, për të cilën shumë njerëz do ta konsideronin atë të bukur.

Këto përgjigje që ju dhanë orakujt, apoloniatët i mbajtën të fshehta dhe ua besuan disa bashkëqytetarëve të tyre ta kryenin porosinë e Zotit. Këta qytetarë e përmbushën porosinë në këtë mënyrë: shkuan tek Eveniusi, që ishte ulur mbi një bankë, u ulën pranë tij dhe filluan të flisnin me të dhe më në fund, i shprehën keqaerdhjen për fatkeqësinë e tij; pastaj e pyetën të verbërin çfarë do t’u kërkonte apoloniatëve, sikur ata të donin ta dëmshpërblenin për të keqen që i kishin bërë. Eveniusi, që s’kishte dëgjuar gjë për orakullin, tha se do të ishte i kënaqur me disa ngastra toke (dhe përmendi emrat e qytetarëve që e dinte se zotëronin dy ngastra më të mira në Apoloni) si edhe kishin një shtëpi, që ishte më e bukura e qytetit.

Nëse do t’ia jepnin këto, shtoi Evensi, nuk do t’u mbante më mëri dhe do të ndihej mjaftueshëm i dëmshpërblyer. Kështu tha, ndërsa miqtë që i ishin ulur prane iu përgjigjen: “Mirë, Evenius! Populli i Apolonisë do të japë këtë dëmshpërblim për verbimin tënd, për t’iu bindur asaj që ia kanë thënë orakujt”. Kur Eveniusi e dëgjoi të vërtetën dhe e kuptoi se ia kishin hedhur, u zemërua shumë. Banorët e Apolonisë, sidoqoftë, ua blenë pronarëve tokën dhe shtëpinë që kishte zgjedhur dhe ia dhuruan atij. Pak kohë më pas ai mori dhuntinë hyjnore të profecisë dhe kësisoj u bë njeri i famshëm.(Lib.IX- Parag.94 -f.540)

Pikërisht të birin e këtij Evenusi, Deifonin, e kishin marrë me vete korinthasit si parashikues për flotën helene. – Lib. IX- Parag. 95- f.541)

Duke lexuar këtë rrëfim të Herodotit për bariun e grigjes së deleve, që i ishin përkushtuar Diellit, kuptojmë se Apolonia qe bërë një qendër e njohur edhe për arsyen, se pranë saj atëherë ndodhej një orakull. Po të kemi para sysh faktin se të birin e Eveniusit, orakullit të Apolonisë, Deifonin, e marrin Korinthasit si parashikues të flotës helene në betejën e tyre kundër persianëve, ky orakull duhej të vinte për nga fama, pas atij të Delfit dhe Dodonës.
Me të drejtë historianët vendin e këtij orakulli e gjejnë në fshatin Frakull; e kanë këtë ide nisur nga evoluimi fonetik zanores “O” në konsonantet buzoro-dhëmbore “V” dhe pastaj në “F”: Orakull, Vrakull, Frakaull.

Ka dhe historianë që orakullin e Apolonisë e përfytyrojnë diku pranë Nymfeut të përflakur, që rrinte i ndezur dhe nuk shuhej kurrë, po digjej me gazin, që dilte nga nëntoka. Aroma e gazit si eter i krijonte, një gjendje kontemplative orakullit, që i jepte frymëzim fantazisë së tij për të rrëfyer parashikimet.

Kështu, nisur nga këto dy ide të historianëve që e lokalizojnë orakullin në Frakull dhe se pranë orakiullit supozohet Nymfeu i Apolonisë, mund të bëjmë me hamendje konfigurimin e anës lindore të këtij qyteti antik. Dhe për ta plotësuar më mirë këtë imazh, le të kujtojmë një frazë të Herodotit lidhur me grigjen e deleve kushtuar Diellit: “….grigja kullot për gjatë lumit që rrjedh nga mali Lakmon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut” (f. 540).

Deduksioni i parë që nxjerim nga ky paragraf është se lumi (duhet kuptuar lumi Vjosa) nuk ka pas kaluar aq pranë Apolonisë, po përmes territorit të Apolonisë, mbase nëntë kilometra larg qytetit, siç është konkretisht distance midis Pojanit dhe Frakullës sot.

Deduksioni i dytë është se lumi drejtimin e ka pasur nga lindja drejt jugut për t’u derdhur pastaj në perëndim në detin Adriatik. Atëherë Orakulli i Apolonisë dhe Nymfeu i saj do të gjendeshin në të djathtë të lumit, në hapësirën midis Frakullës dhje Pojanit të sotëm.

Po i mbyll këto shenime rreth librit të Herodotit me idenë se vepra e tij madhore është një burim informacioni historik, jo vetëm për rreth botës së gjërë antike, po edhe për lashtësinë e trevave pellazgjiko- ilire, ku janë rrënjët e etnogjenezës sonë mbarë- kombëtarembëtare. Gjithësesi, kur mbaron së lexuari veprën e Herodotit, kupton dhe optikën e tij për pellazgët, të cilët ai i gjen qysh nga koha e civilizimit Kreto-Mikenas e deri tek ndeshja e tyre me Argonautët në ishullin e Lemnosit, nga Lufta e Trojës, e deri te Lufta Greko-Persiane, nga koha e orakullit të Dodonës e deri tek orakullli i Apolonisë.

Dhe ndërkaq, më së fundi, duhet theksuar se në shekujt që erdhën pas Herodotit, të tjerë historianë do të sillnin vlera të reja me veprat e tyre, “që do ta bënin historinë një mësuese të vërtetë të jetës, po Herodoti, që hodhi hapin e parë serioz dhe të dinjitetshëm në këtë rrugë, do të meritojë përjetësisht epitetin “babai i historisë, siç e ka cilësuar me të drejtë Ciceroni”

Bibliografi
Aristidh Kola, Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, shtëpia bot. 55,Tiranë, 2007
Dhimitër Pilika, Pellazgët origjina jonë e mohuar, Botimet Enciklop,Tiranë, 2005.
Herodoti, Historitë, Botimet IDK, Tiranë, 2010.
Muzafer Korkuti, Arti shkëmbor në Shqipëri,Tiranë, 2008.
Nermin Vlora Falaschi, Prona gjuhësore dhe genetike, Toena, 1997.
Nermin Vlora Falaschi, L’Etrusco Lingua Viva, Bardi Editori – Roma, 1989.
Nuveau Petite Larouse, Pris, 1950.
Revista Iliria-I , 1983
Robber d’Angely, Enigma, Toena,Tirana, 1998
Shaban Demiraj, Epiri, Pellazghët, Etruskët dhe Shqiptarët, Infbotues, 2008.


Massachusetts
15 Dhjetor 2017