In memoriam
Prof. Riza Rexha (1935-2016)
Ditën e shtunë me 12 nëntor 2016 në moshën 81 vdiq në Ulqin Riza Rexha, intelektuali dhe profesori i historisë në pension. Ka lindur më 7 shkurt 1935 në Kllezën të Anës së Malit(Ulqin). Shkollën fillore shtatëvjeçare e ka kryer në Katërkollë në vitin 1951.Në shkollën normale regjistrohet në shtator të atij viti në Gjakovë, dhe aty kreu dy klasë, ndërsa klasën e tretë dhe të katërt në Prishtinë, duke diplomuar për mësues në vitin 1955.
Në shtator të vitit 1955 fillon të japë mësim në Shkollën tetëvjeçare në Ostros, ku punon deri në vitin 1957. Ndërsa më pas vazhdoi punësimin në Anë të Malit, përkatësisht në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë nga 9.2.1959 seri më 30.8.1964.
Në vitin 1964 regjistrohet në Fakultetin Filozofik në Prishtinë-degën e Historisë, ku në afat në vitin 1968 merr diplomën e profesorit.
Nga shtatori i vitit 1968 e deri në maj 1980 ka dhënë mësim në Shkollën e Mesme në Ulqin, ndërsa nga viti 1980 e deri sa doli në pension në vitin 1991, ka punuar në BVI në Ulqin.
Kudo qe punoi u dallu më punën pedagogjiko-arsimore, duke qenë shëmbull edhe për kolegët e tjerë, duke fituar autoritet të madh.Ka mbetur në kujtesë të shumë gjeneratave si profesori model për ato nxënës qe patën fat ta kenë pedagog të tyre.
Krahas punës edukativo – arsimore është marrë edhe me punë shkencore ku është paraqitur me kumtesa nga fusha e historisë. Ka botuar librat: “Ulqini në vitet e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit 1878-1881”, Art Club 1998, dhe “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912”, Art Club 2005.
Janë këto dy botime me vlerë të veçantë shkencore që janë vlerësuar lartë nga studiues eminentë të historiografisë shqiptare. Pikërisht duke parë peshën e tyre shkencore, libri i tij i parë ditë më parë ka dalur nga shtypi i përkthyer në gjuhën malazeze, ndërsa në ate gjuhë pas disa muajve do të dalë edhe libri i dytë.
Për punën e tij në dushën e arsimit dhe të shkencës është shkruar shumë në gazeta e revista si në: “Rilindja”, “Koha Ditore”, “Koha Javore”, “Bujku”, “Kosova Sot”, “Mësuesi”, “Fati”,“Polis”,”Buzuku”,”Kosova”, “Koha”, “Lemba”, “Dija”, “Malësia”, etj.
Është laureat i Çmimit vjetor të Art Clubit për vitin 1998.
Ka marrë pjesë aktive në organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore dhe shkencore në kuadër të Art Club-it, madje duke qenë kryetar i Këshillit Organizativ, ku duhet veçuar: Sesionin shkencor “Meshari” i Gjon Buzukut-monument i kulturës shqiptare (1555-1995), 19-20 maj 1995, veprimtarinë përkujtimore kushtuar Jenuz Divanit me rastin e 50-vjetorit të ardhjës së tij në Anë të Malit me 12 shtator 1997, Takimin përkujtimor kushtuar imzot Simon Filipaj me rastin e 75 vjetorit të lindjës, 1.5.2000, Sesionin shkencor ”Ulqini në rrjedhat e kohës” 26-27 maj 2000, Sesionin shkencor “Ymer Prizreni – personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, 25 maj 2002.
Të nderuar të pranishëm,
Duke vlerësuar lartë punën edukativo-arsimore dhe hulumtuese, Kuvendi i Komunës së Ulqinit i ka ndarë dekoratën “MIRËNJOHJA E ULQINIT” me 17.12.2014, me këtë motivacion: “Për kontribut në fushën e arsimit, hulumtimin dhe botimeve shkencore nga historia kombëtare shqiptare”.
Me vdekjen e tij familja humbi personin e dashur ndërsa shoqëria dhe kultura shqiptare personin e nderuar.
Ngushllimet me të përzëmerta familjes Rexha, të afërmeve dhe miqve të tij.
Lamtumirë profesori ynë i nderuar!
Dr. Nail Draga
(Fjala e rastit në mbledhjen komemorative mbajtur në Ulqin me 13.11.2016)