PD, frikë të madhe nga PBD

0
421
Bashkim Kopliku

(Botuar në Durrësi Bulevard on Line, 05.05.2019, dhe print më 06.05.2019)

E ka trembur shumë PD-në, lindja e një partie të djathtë, e Partisë Bindja Demokratike, parti e deklaruar se i përket spektrit të partive popullore evropiane (PPE). Kushdo që arrin të kuptojë përtej asaj që thuhet formalisht, nuk i rrëshqet dot konstatimi i frikës, apo dhe tmerrit të PD-së, që nuk mbulohet dot, as nga akuzat për gjoja lidhje të PDB-së me PS-në, as nga denigrimi i drejtuesve të PBD-së; ajo që i heq maskën qartë PD-së, është vetë ky sulm i menjëhershëm i saj kundër PBD-së!

Të shpresojmë se PBD do të jetë vërtetë ajo që po premton: një parti e Djathtë, e denjë për të qenë simotër me partitë PPE. Do të ishte një fat i madh për Shqipërinë: do të mbushesh një vakum i madh në politikën tonë, mungesa e një partie të tillë.

Dalja e PBD-së tani, para zgjedhjeve lokale të qershorit 2019, ka të mirën e madhe se i jep asaj që në nisje një eksperiencë zgjedhore shumë të nevojshme, duke e parapërgatitur për zgjedhjet politike pas dy vjetësh.

Po përse ka kaq frikë PD-ja ekzistuese?!
Sepse janë katër grupe të fuqishme që do të kalojnë tek PBD-ja, duke shkretuar PD-në. Në vijim po i përcaktoj këto grupe.

1— Një bazë e gjerë e përkrahësve të PBD-së, që në nisjen e saj, janë të gjithë ata të djathtët, që PD i tradhtoi gjatë transformimit të saj, nga një parti e djathtë, në një parti pa asnjë kahe politike reale, as majtas as djathtas; një parti që me populizmin skandaloz, premton çdo gjë, edhe kundër principeve bazë të çdo partie të PPE, vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet. Janë këta militantë të dikurshëm të PD, që nuk mundën të pranojnë kurrsesi situatën e brendshme krejtësisht antidemokratike të PD, ku mbretëron një regjim antidemokratik e policor i një grupi uzurpator që kanë kapur partinë, e as mund të bëhet më fjalë për liri fjale, zgjedhje të lira e të ndershme brenda partisë, për procedura demokratike brenda PD, që dikur kanë qenë “kryefjala” e PD-së. Këta janë baza e natyrshme e PBD.

2— Në pritje, me shpresë se vërtetë do të vijë një zgjidhje e gjendjes së të djathtës shqiptare, janë një pafundësi anëtarësh të PD, që janë “qëndrestarët”, ata që kanë vite që përpiqen më kot, nga brenda PD-së, për t’i bërë “reset” PD-së, për ta kthyer në programin e situatën e saj të fillimit, të 1991. Këta janë një masë idealistësh, që nuk kanë pasur aftësinë të kuptojnë atë që kuptuan ata që krijuan PBD: nuk i bëhet dot më reset PD-së! Nga këta, përditë do të ketë kalim, nga PD në PBD, pa pritur të provohet PBD në zgjedhjet lokale që po afrohen.

3— Janë përkrahës të PBD, edhe të rinjtë, që sapo vendosin të jenë aktivë në jetën politike të vendit të tyre, e që aspirojnë për principet e djathta evropiane, një qeveri të vogël dhe efikase, dhe një veprim individual, qoftë në pronë, qoftë në të gjithë aktivitetin shoqëror e kolektiv, të bazuar në rolin e individit me liri ekstreme veprimi, natyrisht brenda ligjit. Fluksi i tyre do të ndryshojë drejtim, nga PD tek PBD.

4— Një rezervë e ardhshme për të mbushur radhët e PBD, janë edhe ato “delet”, që shkojnë bindshëm pas dashit (grupit uzurpator të PD-së), duke kujtuar me naivitet se kjo PD-ja aktuale është akoma ajo “partia e djathtë” e 1991-shit. Këta do të sulen drejtë PBD, sapo të kuptojnë ndryshimin real të PBD nga PD. E për këta, arritjet e PBD në zgjedhjet lokale të qershorit, do të jenë një thirrje e parezistueshme: të gjithë do të sulen tek PBD!

Katër grupet që përmenda më lart, përbëjnë një rrezik real për PD-në, prandaj dhe ajo po dridhet nga frika. Janë këto katër grupe që do ta kthejnë PD në një parti si ato komunistet aktuale shqiptare, si ato me të cilat ka vite që nuk ka turp e bën rëndomtë aleanca zgjedhore PD-ja, si ato parti që kur dalin vetëm në zgjedhje, nuk arrijnë dot as te “0,07 %” të votave.

Uroj që ne shqiptarët, pavarësisht kaheve politike, më së fundi të kuptojmë se vendit i duhet një parti reale e djathtë, anëtare e denjë e PPE, e duhet të mos lejojmë që PD-ja të arrijë që me diversionet e saj, që i ka në zanat tash sa vjet, të shkatërrojë edhe PBD-në, siç ka shkatërruar sa e sa nisma të tjera demokratizuese të së djathtës evropiane shqiptare.

Bashkim Kopliku

Anëtar i Kryesisë së PD, nga viti 1991 deri në vitin 1997,
kur u zbua nga PD, në thyerje të çdo germe të Statutit të saj, dhe të Ligjit

Bashkim Kopliku
Mobile&Whatsapp&Viber: +355(0)672858090
(In DEUTSCHLAND: 004915771187972)
Phone: +355(0)52 223663
E-mail: [email protected]