PD deklaratë zyrtare, mbështet vendimin e Francës për mos-hapjen e negociatave për Shqipërinë

0
382
Kashahu

Propozimi i tyre është interesant

Partia Demokratike ka dalë zyrtarisht pro kërkesës së Francës, për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë e Maqedoninë.

Ajo madje, e konsideron interesante, idenë e Francës për bllokimin e zgjerimit të BE-së.

“Franca i ka artikuluar qartë arsyet e refuzimit. Teza e partneritetit të privilegjuar që ka dalë në media nuk është tezë zyrtare e qeverisë franceze, dhe e ka thënë qartë ambasadori francez në Beograd.

Franca ka në shënjestër rimodelimin dhe modernizimin e procesit të integrimit.
Është një ide interesante që duhet parë me detaje.

Në thelb është rimodelimi i procesit të zgjerimit në dimensionin që ndihma që i vjen shteteve që aspirojnë integrimin, në momentin që bëhen anëtarë përshkallëzohet, në mënyrë që të thellohen proceset integruese.

Nëse do të jetë paketa në këtë këndvështrim, do të ishte shumë motivuese”, ka thënë sekretari i PD-së për Marrëdhëniet me Jashtë, Arben Kashahu, gjatë një interviste për A2.

Ai tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë dështuar në ambicien e tyre për çeljen e negociatave dhe të fajësosh Francën, Holandë e Danimarkën, është alibi e kotë.

“Franca, Hollanda dhe Danimarka përbejnë kockën e Bashkimit Europian, kanë luajtur një rol deciziv në zgjerimin e BE-së, janë shtete që kujdesen për zhvillimin e marrëdhënieve me vendet që aspirojnë anëtarësimin”, tha ai.

Sipas sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë të PD-së, “harxhohet shumë energji për t’i vënë fajin vendeve të ndryshme.

Të gjithë e dinë kush e ka fajin, Shqipërinë nuk e rrezikon Holanda ose Franca, por vetëm një njeri”.

Për të, kryeministri Rama vazhdon të mos njohë kushtet e Bundestagut, që i cilëson si “udhërrëfyesin për zgjidhjen e krizës”.

Ai shton se tashmë “ndërkombëtarët kanë rënë në pozita artikulimi pothuajse të njëjta me Partinë Demokratike, ku jo vetëm nuk mohohet se ekziston një krizë politike por zgjidhja e saj përbën tashmë një prioritet, siç deklaroi edhe kandidatja për ambasadore të SHBA, Yuri Kim, përballë Senatit në Uashington.”

(TemA)