Dy fjalë…
Të shkruash një libër, sado modest, për një figurë shumë të njohur të artit shqiptar, përveç angazhimit maksimal të natyrshëm, është dhe një përgjegjësi shumë e madhe. Kjo për disa arsye, por kryesorja qëndron tek aftësia për të arritur atë që ke objektiv, dhe që përputhet me qëllimin tënd. E kjo ndërlikohet kur personazhi i zgjedhur, pa asnjë mëdyshje është një artiste, që e ke admiruar që në fëmijëri me një adhurim të vazhdueshëm, që nuk është ndalur asnjëherë ndër vite, madje është rritur në progresion të drejtë, edhe pse nuk e ke patur fatin për ta parë apo takuar dreitpërdrejt.
Pavlina Mani ka hyrë në kujtesën time që kur drejtonte emisionet për fëmijë dhe unë isha një prej tyre, që sidomos të shtunave ngulesha para televizont për ta parë. Me kalimin e viteve, pasioni im për të lexuar për artin, me naivitetin e adoleshencës së atëhershme dhe më pas të rinisë së parë shkonte paralelisht me ndjekjen e rubrikës “Teatri në Ekran“, apo filmave shqiptarë qe i vetmi ekran në Shqipëri, TVSH, transmetonte të premten mbrëma (teatrin) dhe të dielën paradite (film shqiptar). Aty kam njohur e admiruar magjinë e artit skenik dhe të interpretimit, duke veçuar natyrshëm Pavlina Manin.
Nuk isha e vetmja dhe, kujtoj që në bisedat shoqërore të kohës e shfaqja pëlqimin tim për këtë aktore duke gjetur dhe mbështetjen e të tjerëve. Me kalimin e viteve, jeta të hedh në të tjera shtigje, por asnjëherë pa harruar pasionin për artin, sidomos atë aktoresk dhe pa ndryshuar asnjëherë mendim lidhur me artisten e preferuar.
Ndryshimi sistemit, i shoqëruar me zhvillime jo pak të dhimbshme, kufizoi mundësinë e informacionit apo ndjekjes se zhvillimeve artistike në Tiranë dhe pse interesimi për to nuk mungonte. U deshën të kalonin shumë vite, që të mund të kishe informacion më të gjerë për atë që ndodhte në Teatrin Kombëtar (pasi ato të rretheve thuajse u shuan në këtë periudhë). Ndonëse “përpija” çdo informacion për familjen Mani, kisha peng që Pavlinën nuk e kisha takuar asnjëherë. Me largimin e tyre drejt SHBA-së, kjo dëshirë mbeti vetëm ëndërr dhe as që e mendoja se një ditë do të mund të komunikoja më Pavlinën, qoftë dhe përmes teknologjisë.
Do të ishte nëntori i vitit 2017, komunikimi i parë më Pavlinën, me shkrim, përmes Facebook-ut të djalit të saj, Bendisit që ma krijoi këtë mundësi. Ishin disa rreshta falenderimi për postimin nga ana ime të disa fotomontazheve të atyre interpretimeve të Pavlinës, që mund të gjendeshin në Youtube dhe që unë i kisha nxjerrë e ruajtur për qejfin tim. Më pas patëm dhe dy komunikime po në të njëjtën mënyrë, por që unë i lexoja e rilexoja e emocionuar.
Erdhi nëntori i vitit 2018. Data ishte 13-të dhe Pavlina mbushte 70-vjeç. Gjatë gjithë vitit 2018 mendoja për diçka të veçantë për këtë 70 vjetor dhe arrita të bëj disa video me fragmente nga interpretimet e saj në skenë e ekran, si dhe një shkrim shoqëruar me një video urimi me foto, që i publikova në portalin tim “gazetapjacë.com“, si dhe në facebook-un e Bendisit. Data 22 nëntor do të ishte pikënisja e asaj që për mua do thoshte shumë. Komunikova për herë të parë në telefon me Pavlina Manin. Zëri i saj i veçantë më fliste me mjaft dashamirësi nga ana e tjetër e telefonit dhe për mua ishte realizimi i një ëndrre të fjetur, por që tashmë u zgjua.
Gjatë kësaj bisede, natyrshëm i propozova idenë e shkrimit të një libri për të, dhe miratimi që mora ishte një gëzim që “më ngriti në qiell”. Ato që më njohin e dinë se jam tip i përmbajtur dhe jo shumë emotiv, por atë natë vërtet unë isha ndryshe. Madje në profilin tim personal, në rrjetin social facebook, postova me një fjali të vetme atë që po përjetoja. E kënaqur, e motivuar profesionalisht, pas një telefonate nga larg. Komentet e miqve e dashamirësve, që ndonëse pa ditur detaje inkurajonin angazhimin tim, më shtuan besimin dhe më mbushën shpirtin. Po më jepej mundësia, ndoshta për herë të parë që të bëja diçka, që e kisha dëshiruar dhe menduar shumë kohë më parë.
Një sfidë profesionale, një mal i lartë për t’u ngptur. Miratimi nga Pavlina ishte aq i rëndëshishëm, saqë nuk gjej fjalë për ta përshkruar. Zgjedhja ishte më e mira që mund të kisha, të shkruaja për artisten time të preferuar, interpretimet e së cilës i shihja e i rishihja shumë herë. Nuk rrija dot pa parë dhe pa përjetuar kënaqësinë artistike që jepnin. Më dukej sikur “bisedoja” me Pavlinën…
Që nga ai moment truri im punonte vetëm aty, ndërsa me kalimin e ditëve u shtuan komunikimet me Pavlinën, të cilat po me jepnin mundësi ta njihja jo vetem si artiste por edhe si njeri. Pas do komunikimi, pavarësisht orëve të vona në Shqipëri, ndihesha e mbushur. Pas çdo komunikimi, figura e artistes së madhe plotësohej si në pazëll, me elemente të tjera, me gjykime për artin e jetën, me kujtime dhe emocione. Gjithçka lidhet me Pavlinën, përfshirë edhe mendimet e mia për të, janë në faqet e këtij libri.
Nuk mund të rri pa theksuar që në fillim, modestinë e epërme të kësaj artisteje, që përherë në të folurën e saj ishte shumë realiste, me këmbë në tokë. Një veti kjo që e plotëson më tej figurën e Pavlina Manit si njeri, pasi si aktore flet vetë puna e saj. Modestia është është stoli e karakterit të saj përherë e vlerësuar. Piro dhe Pavlina Mani, sa janë të mëdhenj në kulturë, po aq janë tokësorë dhe në thjeshtësi. E ndërsa ditët kalonin, komunikoja me artistë të shquar të skenës dhe ekranit, kolegë të Pavlinës, të cilët jo vetenm pranuan të flisnin, por u treguan mjaft dashamirës, duke mos munguar dhe përgëzimet e inkurajimet e tyre ndaj meje për punën e nisur.
Këto ndikuan pozitivisht në vazhdimësinë e punës, dhe kjo falë Pavlinens. Në komunikimet e shumta me Pavlinën, në bisedat me të, por dhe me të madhin Piro Mani, merrja jo vetëm informacionin e nevojshëm, por dhe mjaft indicje për plotësime e ndryshime të strukturës fillestare. Ndjeja se objektivi im në librin që po shkruaja po arrihej dalëngadalë, gjithnjë falë Pavlinës dhe kolegëve të saj, emrave të nderuar të artit shqiptar. I falenderoj shumë të gjithë ato me të cilët kam komunikuar në mënyra të ndryshme, për gadishmërinë dhe gjithçka që kanë afruar e thënë për Pavlinën, duke qenë bazë reale dhe kryesore në punimin e këtij libri.
Gjatë rrëfimeve të tyre më dhuruan kënaqësi pa fund. E folura e tyre përputhej mrekullisht, e ditë pas dite me objektivin tim. Duhet të theksoj edhe diçka. Në kopertinën e këtij libri, do përballeni me një foto të njohur, që tashmë u bë abstrakte. Që në fillim, në kopertinën e skicuar në mendjen time kam vendosur që të përfshij godinën e Teatrit Kombëtar dhe kjo natyrshëm. Teatri Kombëtar ishte streha profesionale e Pavlina Manit për plot tre dekada. Pavlina aty ka gjithë karrierën e saj si aktore profesioniste.
E ndërsa kopertina u realizua kur godina e teatrit ishte akoma aty, tani që ajo nuk është më, merr një kontekst të veçantë. Nëse kam arritur atë që kam dashur, do e gjykojë lexuesi. Si asnjëherë më parë ndihem e plotësuar, se kam shkruar për një artiste të madhe, një ndër më të shquarat e aktrimit shqiptar, e rreshtuar në radhën e parë të ikonave të këtij arti magjik e të pavdekshëm.
Faleminderit, Pavlina!
Anila Dushi