PAVLEFSHMËRI ABSOLUTE ADMINISTRATIVE, APO KUSHTETUESE?!

0
764

AV. XHABIR ZEJNUNI

Po diskutohet pa pushim për çdekretin e Metës, me anën e të cilit ai anulloi zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Personalisht, e konsideroj çdekretin e Metës si një shkelje të Kushtetutës dhe si i tillë ai duhet të ankimohet vetëm në Gjykatën Kushtetuese.

Duke qene se Gjykata Kushtetuese nuk ekzisoton (dhe nuk dihet se kur do krijohet ajo!), po tentohet me të gjitha mënyrat dhe format që çdekretin e Metës ta konsiderojnë si një “Akt administrativ absolutisht të pavlefshëm” në bazë të nenit 110, par. 1, të Kodit të Procedurave Administrative të vitit 2015 dhe të ankimueshëm si të tillë pranë Gjykatës Administrative. E gjitha kjo në respektim edhe të Vendimit Nr. 150, datë 16.06.2017 të Gjykatës Kushtetuese, e investuar nga subjekti politik “Forca Rinia”, i cili kërkonte shfuqizimin si antikushtetues të Dekretit Nr. 10351, datë 21.05.2017 të Presidentit të Republikës “Për një ndryshim në Dekretin Nr. 9883, datë 05.12.2016 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin”. Gjykata Kushtetuese, e hodhi poshtë kërkesën e subjektit politik ankimues me arsyetimin se “Në rastin konkret, Kolegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë arsye, Kolegji çmon se ky akt nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate por në juridiksionin e gjykatave administrative dhe për këtë arsye, kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet kësaj Gjykate me objektin sipas kërkesës”.

Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese, ka të bëjë me anën formale të dekretit në fjalë, për faktin se atë kohë si pasojë e krizës së ashpër politike, Presidenti i Republikës në mirëkuptim me subjektet politike në konflikt mes tyre, shtyu zgjedhjet parlamentare nga data 18 qershor në datën 25 qershor 2017.

Në këtë rast, dekreti i Presidentit u bazua në dy elemente:
1) dakordësia mes palëve politike dhe
2) caktimi i një date tjetër të zgjedhjeve.
Në rastin konkret, çdrekreti i Metës nuk mund të konsiderohet si një “akt administrativ absolutisht të pavlefshëm”, por si një çdekret në shkelje të Kushtetutës dhe si i tillë i ankimueshëm vetëm pranë Gjykatës Kushtetuese, për arsye se këtij çdekreti i mungojnë dy elementet e përmendur më lart, duke sjellë si rrjedhojë:
1. shfuqizimin e datës së zgjedhjeve pa dakordësinë e partive politike të interesuara dhe
2. mos caktimin e një date tjetër të zgjedhjeve.

Siç shihet, rasti i vitit 2017 nuk është as i njëjtë dhe as i ngjashëm me rastin konkret.
Në bazë të nenit 92 të Kushtetutës, kompetencat e Presidentit mund të kenë natyrë “individuale”, siç janë: “a) drejtimi i mesazheve Kuvendit; b) ushtrimi i të drejtën së faljes sipas ligjit; c) dhënia e shtetësisë shqiptare dhe lejimi i lënies së saj sipas ligjit”, etj.. Që do thotë se Presidenti i ushtron këto kompetenca pa qenë nevoja që ai të këshillohet paraprakisht me subjektet e interesuara.

Por, Presidenti ka edhe kompetenca të tjera me natyrë “kolektive”. Që do thotë se ushtrimi i këtyre kompetencave ka si parakusht këshillimin paraprak me subjektet direkte të interesuara për të vendosur më pas. Germa gj) parashikon se Presidenti “Cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”. A mundet Presidenti që me iniciativën e tij individuale të caktojë datën e zgjedhjeve? JO. Në këtë rast, Presidenti duhet të këshillohet më parë me subjektet politike të interesuara dhe me dakordësinë e tyre e në respektim të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të dekretojë datën e zgjedhjeve.

Më parë ka ndodhur që për shkaqe të paprituara ose të paparashikuara nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor të mos mundësohej mbajtja e zgjedhjeve në datën e caktuar paraprakisht me dekret presidencial. Atëherë, subjektet politike të interesuara janë këshilluar me Presidentin dhe në marrëveshje mes tyre Presidenti ka shtyrë zgjedhjet në një datë tjetër. Kurse në rastin konkret, Presidenti ka çdekretuar datën e zgjedhjeve pa u marrë vesh më parë me subjektet politike të interesuara dhe nuk ka caktuar një datë tjetër zgjedhjesh. Pastaj, Presidenti është takuar me partitë e vogla politike (të cilat së bashku nuk kanë simpatizante dhe anëtarë sa një shkollë!), për t’u këshilluar me ato mbi caktimin e një datë tjetër zgjedhjesh! Me pas, Presidenti mbase do takohet me PS-në, Pd-në dhe LSI-në!

Edhe nëse në rastin konkret do merrej për bazë fakti se çdekreti i Presidentit ka natyrë administrative dhe si i tillë duhet të trajtohet, lindin probleme të tjera.

Nëse ky çdekret do konsiderohej në bazë të nenit 110, par. 1 si një “akt administrativ absolutisht i pavlefshëm” që “nuk sjell asnjë pasojë juridike”, sjell që në bazë të par. 2, “Pavlefshmëria absolute e aktit mund të konstatohet në çdo kohë, kryesisht apo me kërkesë të çdo të interesuari, nga organi publik që e ka nxjerrë atë, organi epror i tij apo organi që është kompetent të shqyrtoje mjetet ligjore administrative, si dhe nga gjykata kompetente për çështjet administrative, sipas ligjit”.

Atëherë, lindin disa pyetje.
1. Cila do jetë arsyeja që organi publik që ka nxjerrë aktin (në rastin konkret Presidenti) të konstatojë kryesisht, apo me kërkesë të çdo interesuari këtë pavlefshmëri absolute?
2. Cili është organi EPROR i Presidentit, që mund të konstatojë pavlefshmërinë e aktit të tij?
3. Nëse pranohet fakti se organi EPROR i Presidentit, është Gjykata Kushtetuese, si do e konstatojë ajo kryesisht pavlefshmërinë absolute të aktit të Presidentit, kur dihet se Gjykata Kushtetuese aktivizohet vetëm kur anikimohet prej subjekteve të interesuara dhe jo kryesisht?
4. Cili është ai organ kompetent që mund të shqyrtojë me mjete ligjore pavlefshmërinë e një akti të Presidentit?
5. Cila është në rastin konkret gjykata kompetente për çështjet administrative që mund të shqyrtojë pavlefshmërinë e një akti të Presidentit?

Përgjigjet këtyre pyetjeve, mund t’jua japin vetëm ata persona që çdekretin e Presidentit e konsiderojnë si një “akt administrativ absolutisht të pavlefshëm”, të ankimueshëm vetëm pranë Gjykatës Administrative, duke sjellë në mbështetje të teorisë së tyre Vendimin Nr. 150, datë 16.06.2017 të Gjykatës Kushtetuese.

Është problem shumë i madh kur në studiot televizive vihen përballë juristët injorante dhe injorantët juridikë. Dhe në mes tyre një gazetar po ashtu injorant dhe simpatizant i një krahu politik.