(PA)VARËSI PREJ KUJT?!

0
852

AV. XHABIR ZEJNUNI

Një person mund të hyjë në histori jo vetëm falë aftësive të veta, por edhe falë aftësive të të tjerëve”! (XH.Z.).

Rastësisht, lexova sot (12) tek Gazeta Panorama shkrimin “Akuzat për nxitjen e trazirave në Shqipëri, çfarë deklaroi Ismail Qemali para se të largohej nga Athina” e gazetarit Aurenc Bebja. Ky shkrim, i referohej një shkrimi të gazetës “Le Temps” të datës 9 qershor 1909, ku Ismail Qemali reagonte ndaj akuzave që i bëheshin atij për nxitjen e trazirave në Shqipëri. Korrespondenti nga Athina i kësaj gazete, njoftonte si vijon mbi reagimin e Ismail Qemalit.

Në fillim, Ismail Qemali deklaron se “Unë i kundërshtoj këto zhurma me mohimin më të plotë dhe më formal. Janë armiqtë politikë dhe kundërshtarë të Partisë Liberale që i përhapin këto shpifje. Të më akuzosh për kryengritjen e Shqipërisë është shpifje e pastër”.
Deri këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur. Por, më tej Ismail Qemali, bën disa deklarata të tjera të “çuditshme”, të cilat je vlen që të analizohen modestisht.

I.Q. “Sa i përket aspiratave kombëtare të Shqipërisë, ato janë aq legjitime dhe konsistente me ruajtjen e Perandorisë dhe të ekuilibrit ballkanik se as unë, as ndonjë patriot shqiptar nuk do të turpërohemi t’i shpallim ato”.
XH.Z. Pra, sipas Ismail Qemalit “aspiratat kombëtare të Shqipërisë” kanë rëndësi dhe “janë aq legjitime dhe konsistente” vetëm nëse ato lidhen “me ruajtjen e Perandorisë dhe të ekuilibrit ballkanik”. Dhe se këto “aspirata kombëtare” as Ismail Qemali dhe “as ndonjë patriot shqiptar nuk do të turpërohet t’i shpallin ato”. Por, gjithmonë duke pasur parasysh “ruajtjen e Perandorisë dhe ekulibrin e saj ballkanik”. Në rast të kundërt, pra nëse do cënohej “ruajtja e Perandorisë dhe ekulibri i saj ballkanik”, atëherë “aspiratat kombëtare të Shqipërisë” mund të humbisnin “legjitimitetin dhe konsistencën” e tyre. Si rrjedhojë, këto “aspirata kombëtare të Shqipërisë” nuk do të mund të hidheshin në diskutim jashtë kontekstit të sipërpërmendur.

I.Q. “Që prej kur i shërbej Perandorisë, kurrë nuk kam munguar të punoj për të pajtuar interesat e përgjithshme të saj me interesat e veçanta të Shqipërisë, sepse këto interesa identifikohen në gjithçka dhe kudo”.
XH.Z. Pra, për Ismail Qemalin, ja ka vlejtur shumë që ai të punonte “për të pajtuar interesat e përgjithshme” të Turqisë me “interesat e veçanta të Shqipërisë”. Në radhë të parë, sipas Ismail Qemalit janë interesat e përgjithshme të një pushtuesi 500 vjeçar, që ai i shërbeu me zell të madh dhe pastaj janë interesat e veçanta të atdheut të tij. Nëse do ishte me të vërtetë i tiji ky atdhe!

I.Q. “Perandoria Osmane nuk mund të ishte ndër fuqitë e qytetëruara të botës, nëse nuk do të ruante pronat e saj evropiane dhe të respektonte me përpikmëri sistemin kushtetues”.
XH.Z. Që Turqia ka qenë një fuqi e madhe ushtarake, ajo dihet botërisht. Por, se çfarë qyteterimi i ka sjellë botës kjo fuqi ushtarake, Ismail Qemali nuk na e shpjegon më konkretisht. Dhe ekzistencën e kësaj “fuqie të qytetëruar të botës”, Ismail Qemali e lidh me faktin e “ruajtjes së pronave të saja evropiane dhe të respektimit me përpikmëri të sistemit kushtetues”. Nuk kuptohet se cilat kanë qenë pronat europiane të Turqisë dhe si i siguroi ajo këto prona, duke pasur parasysh pozicionin gjeografik të këtij shteti. Përveç pronave të Ballkanit natyrisht. Ndërsa “respektimi me përpikmëri i sistemit kushtetues”, supozohet se i referohet atij të Turqisë.

I.Q. “A mund të injorojë Turqia shërbimet që shqiptarët i dhanë çështjes liberale gjatë revolucionit të korrikut të vitit të kaluar dhe dobinë për atë të ekzistencës së një Shqipërie të mirëorganizuar si një pjesë integrale e Perandorisë”?
XH.Z. Aspak. Këtu bëhet fjalë për lëvizjen xhonturke të vitit 1908, ku shqiptarët kontribuan më së miri. Por, jo në dobi të tyre. Pasi edhe vetë Ismail Qemali e lidh dobinë e kësaj lëvizjeje xhonturke me “atë të ekzistencës së një Shqipërie të mirëorganizuar si një pjesë integrale e Perandorisë” dhe jo jashtë saj. Pra, sipas Ismail Qemalit vetëm brenda Perandorisë Osmane mund të realizohej “ekzistenca e një Shqipërie të mirëorganizuar”. Kurse jashtë, absolutisht që jo. Se sa ishte e mirëorganizuar Shqipëria gjatë 500 viteve të pushtimit turk, dihet tashmë.

I.Q. “Shqiptarët, me guximin e tyre të njohur dhe pozitën gjeografike të vendit të tyre, janë elementi i vetëm i aftë për të ruajtur autoritetin e Perandorisë Osmane në Evropë. Politikanët e regjimit të ri do të kryenin gabimet më të rënda politike nëse nuk e pranonin këtë të vërtetë”.
XH.Z. Në fakt, vitet në vijim konfirmuan thënien profetike të Ismail Qemalit, pasi edhe sot në viset shqiptare po ndjehet akoma autoriteti i Turqisë. Dhe politikanët e rinj të atyre viteve ishin të parët që i shërbyen kësaj vazhdimësie shekullore. Plus politikanët aktualë.

I.Q. “Shqipëria dëshiron të lidhë fatin e saj me atë të Perandorisë Osmane dhe sistemin kushtetues të cilin ajo është gati të shërbejë, por ajo kurrë nuk do të lejojë që të trajtohet si një racë inferiore ose të vendoset nën kujdestari”.
XH.Z. Në fakt, Shqipërise ju lidh fati i saj, kundër dëshirës së vet me “Perandorinë Osmane” dhe “sistemin kushtetues” të po kësaj Perandorie për 500 vite me radhë. Fakti që Shqipëria sipas Ismail Qemalit “kurrë nuk do të lejojë që të trajtohet si një racë inferiore ose të vendoset nën kujdestari”, i referohet fuqive të tjera dhe jo Perandorisë Osmane mbas këtij pushtimi 500 vjeçar. Dhe kjo “kujdestari hyjnore” e Turqisë po vazhdon edhe në ditët e sotme.

Kur përfundon së lexuari këtë shkrim, kushdo habitet, pasi nuk arrin të kuptojë se si një shërbëtor kaq i devotshëm i Portës së Lartë, u akuzua për “nxitje trazirash në Shqipëri”. Ndaj kujtë, përsëri nuk kuptohet.

Nga sa më lart, shtrohet ndonjë pyetje.

Cilat ishin arsyet që e shtynë Ismail Qemalin të shpallte pavarësinë e Shqipërisë me 28 nëntor 1912, në kundërshtim me idetë dhe aspiratat e tija për Perandorinë Osmane, së cilës ai i shërbeu me zell kaq të madh për disa dekada me radhë?

Mos vallë Ismail Qemali nuk u shty vetë, por e shtyu tjetërkush që të shpallte pavarësinë e Shqipërisë(….)?!

12.07.2019.