PAUL CELAN-POETI TRAGJIKËS NJERËZORE

0
1682

Paul Celan (1920-1970), poet i tragjikës njerëzore, me prejardhje hebreje, një ndër poetët më të njohur të shprehjes gjuhësore gjermane, autor i disa librave me poezi, autor edhe i Fugës së vdekjes(Todesfuge), të cilën unë e pata përkthyer nga gjuha gjermane dhe e pata publikuar, që në vitet e 70-ta, në shtypin e atëhershëm shqiptar në ish Jugosllavi.

Todesfuge ,që në shqip i bie Fuga e vdekjes, është realizimi më i bukur i poetit Paul Celan. Atë duhet kuptuar si metaforë poetike;si kontrapunkt të jetës dhe vdekjes, të pikëllimit dhe të gëzimit, të dritës dhe errësirës. Duke u nisur nga nocioni titullor “Fuga” mund të pohohet me plot të drejtë se intencë e vetme e poetit ka qenë që të lidhë komplekset tematike brenda një tërësie. Në këtë Fugë të vdekjes kemi katër nocione kryesore, katër komplekse tematike:

1. Qumështi i zi i agimit(Schwarze Milch der Frühe),
2. Njeriu që luan me gjarpërinj (Ein Mann…spielt mit den Schlangen),
3. Ai shkruan në Gjermani (Der schreibt…nach Deutschland), dhe
4. Varri në ajër (Ein Grab in der Luft), por temë kryesore e kësaj poezie është “Qumështi i zi i agimit”, ndërsa temë përcjellëse është “Njeriu që luan me gjarpërinj” kurse bartës i gjithë kësaj është subjekti: ne(wir), dhe : ai(er). Veta e parë : ne (wir), është shprehje e identifikimit monolog, ndërsa veta e tretë: ai(er), është shprehje e qartë e distancës objektive.Për më tepër edhe ne edhe ai janë të ndërthurur mes veti dhe baras të transponuar në gjithë tekstin poetik.

Ndërkaq në lidhmërinë intensive dhe të vulosur të komplekseve është turma e të robëruarve:ne(wir) me kompleksin e atij” njeriut që luan me gjarpërinjt” e që në fakt konkretizon kobin. “Qumështi i zi i agimit”haset që në vargun e parë dhe përsëritet sipas principit të imitimit edhe tri herë,sepse në fakt kjo është tema e parë kryesore e “Fugës së vdekjes”dhe paraqet tymin e zi të krematoriumit.”Qumështi i zi”është i lidhur me atributin e gjenitivit të”Agimit”(Schwarze Milch der Frühe),dhe i jep figurës një dimension më të thellë.Agimi këtu nuk simbolizon çastet e para të ditës,por periudhën më të tmerrshme të historisë së hebrenjëve.

Figura e “qumështit” paraqet ekzistencën lakuriqe, ndërsa atributi “i zi” simbolizon kërcënimin,kobin, vdekjen,që paralajmërohet që në titull.Bartësi i dytë tematik i “Fugëa” është:ai (er).Poeti e quan “njeri” pra “njeri që luan me gjarpërinj”,”një njeri banon në shtëpi” dhe “luan me gjarpëeinj”, “shkruan në Gjermani”, dhe “i ndjell qent e vet”,”i thërret hebrenjt e vet”, “na dhuron një varr n’ajër”, “luan me gjarpërinj dhe ëndërron”. Ai(er),si subjekt karakreristik kalon në emërtimin vdekje dhe pikërisht këtu Fuga e vdekjes e P. Celanit arrin kulmin e vet poetik: Vdekja është një mjeshtër nga Gjermania (Der Tod ist ein Meister aus Deutschland). Këtu këputet zinxhiri i asociacionit dhe kështu bëhet shprehje e momentit historik:fati i hebrenjëve në Luftën e Dytë Botërore. Përndryshe pirja e “qumështit” të”zi”të”agimit” për çdo ditë e fiton këtu kuptimin konkret në momentin e konfrontimit me”njeriun” në duart e të cilit është fati i hebrenjëve të robëruar.”Njeriu” me sy të kaltër” (sein Auge ist blau” personifikon kobin e hebrenjëve.Por çelësi i të kuptuarit të Fugës…ofron asociacione të përgjithshme e të njohura ,ato janë të lidhura me dy emra karakteristikë:

“Floku yt i artë Margaretë,
Floku yt i artë Sulamitë”

Margareta flokë artë është në fakt tipi i vajzës gjermane ,pa ngjyrë si klishe banal me funksion kontrasti…
Sulamita ndërkaq është e dashura e poetit nga “Kënga e Këngëve” në Bibël.Ajo është antipod i Margaretës gjermane…

……..

FUGA E VDEKJES

Qymështin e zi t’agimit ne e pijmë në mbrëmje
ne e pijmë në mesditë në mëngjes dhe natën
ne pijmë dhe pijmë
ne hapim një varr n’ajër,aty s’është ngushtë për t’u shtrirë
një njeri banon në shtëpi dhe luan me gjatpërinj
ai shkruan
ai shkruan kur në Gjermani floku yt i artë Margaretë
po ngryset
ai shkruan dhe del para shtëpisë dhe yjet ndriçojnë
me fishkëllimë i ndjell qentë e vet
i thërret dhe hebrenjtë e vet pranë dhe urdheron hapjen
e një varri në tokë
na urdhëron që tash të jehojë muzikë vallëzimi
Qumësht i zi i agimit ne ty të pijmë natën
ne ty të pijmë në mëngjes dhe në mesditë ne ty të pijmë
në mbrëmje
ne pijmë dhe pijmë
një njeri banon në shtëpi dhe luan me gjarpërinj
ai shkruan
ai shkruan kur në Gjermani floku yt i artë Margaretë
po ngryset
floku yt i përhimtë Sulamitë ne hapim një varr
në ajër aty s’është ngushtë për t’u shtrirë
na urdhëron groponi më thellë në tokë ju të tjerët këndoni
dhe vallëzoni
i shtrëngon prangat dhe vringpllojnë sytë e tij të kaltër
më thellë lopatën vazhdoni këngën dhe lojën
Qumësht i zi i agimit ne ty të pijmë natën
ne ty të pijmë në mesditë dhe në mëngjes në ty të pijmë
në mëngjes
ne pijmë dhe pijmë
një njeri banon në shtëpi floku yt i artë Margaretë
floku yt i përhimtë Sulamitë ai luan me gjarpërinj
ai thërret vallëzoni vdekja më e ëmbël vdekja është
mjeshtër
nga Gjernania
ai thërret bini lahutës më ngrysur dhe do të ngritemi në ajër
si tymi
dhe do keni varrin në mjegulla aty nuk do jetë ngushtë
Qumësht i zi i agimit ne ty të pijmë natën
ne ty të pijmë në mesditë vdekja është mjeshtër
nga Gjermania
ne ty të pijmë në mesditë vdekja është mjeshtër
nga Gjermania
ne ty të pijmë në mbrëmje dhe në mëngjes ne pijmë dhe
pijmë
vdekja është një mjeshtër nga Gjermania syrin e ka të kaltër
ai të qëllon me plumb saktë
një njeri banon në shtëpi floku yt i artë
ai na i ndërsen qentë e vet ne na dhuron varrin në ajër
ai luan me gjarpërinj dhe ëndërron vdekja është mjeshtër
nga Gjermania
floku yt i artë Margaretë
floku yt i përhimtë Sulamitë

(Shqipëroi: Isak Ahmeti)