Shkruan: Florim Zeqa, 10.12.2020
Arsyeja pse ne shqiptarët e kemi problem ta pranojmë realitetin politik ashtu siq është, është se ne fillimisht nuk mund ta tejkalojmë veten, subjektin që i takojmë, nuk arrijmë ta sfidojmë simpatinë dhe as urrejtjen kemi ndaj një subjekti politik apo politikani të caktuar.
Nga simpatia nuk i shohim gabimet e politikanëve që adhurojmë, nga urrejtja nuk i pranojmë sukseset e kundërshtarëve politikë. Ky është defekti më i madhë dhe i patejkalushëm i shumicës së shqiptarëve.
Në një vend ku gënjeshtra dhe mashtrimi i politikanëve e sundojnë e vetëdijen e qytetarëve, është e vështirë të ndodhin ndryshime dhe aq më pak të priten rezultate pozitive.
Sundimtarëve politik është duke i kontribuar jashtëzakonisht shumë edhe shkalla tepër e ulët e zhvillimit ekonomik, e cila është duke ndikuar jashtëzakonisht negativisht në ngritjen e vetëdijes qytetare.
Nuk ka ku bjen më poshtë vetëdija qytetare, përderisa të votohen të njëjtat parti politike dhe të njëjtit politikanë që ua bën jetën ferr, që ua thyen shpresat dhe humbën dashurinë për vendin, e aq më keq, kur vota e qytetarit blihet me shuma të vogla dhe të papëfillshme parashë nga kusarët politikë.
Qytetarët e hipnotizuar nga kusarët politikë të shekullit 21, sikur i janë adaptuar jetës në varfëri dhe varësi ekstreme nga ndihmat e mjerueshme sociale që marrin nga buxheti i varfër i shtetit.
Edhe pse në gjendje të mjerueshme sociale, fanatikët partiakë, të hipnotizuarit dhe vartësit e kësaj skene politike, janë të gatshëm ta durojnë njëri-tjetrin për çfarëdo lloj sharje apo ofendimi në baza familjare, por jo edhe kritikat ndaj liderëve partiakë.
Qytetarët e vendit tashmë janë mësuar të jetojnë duke numëruar aferat korruptive dhe skandalet e politikanëve, por jo edhe sukseset e tyre, për shkak se ato mungojnë dhe as që shihen në horizont.
Mediat gjithnjë janë në pritje të lajmeve bombastike dhe janë në garë, se cila do të jetë e para që përhapë lajmin për skandalet e pushtetarëve, për të rritur shikueshmërinë dhe klikueshmërinë e portaleve.
Pas çdo skandali, si gjithnjë televizionet janë në garë mes tyre, se cili do t’i sjellë e para në studiot televizive akterët e aferave korruptive dhe bartësit e skandaleve, përfituesit e dhjetra e qindra miliona eurove nga buxheti i shtetit për ta dëshmuar “pastërtinë” e tyre para qytetarëve të vendit, duke u bërë kështu hallka e fundit që përfitojnë nga megaskandalet e orkestruara të skenës së korruptuar politike.
Edhe kur çdo gjë bëhet publike përmes mediave, prokuroria dhe gjykatat e larta të shtetit mbyllin sy e vesh dhe heshtin, ndërsa avokatët fërkojnë duart dhe presin në radhë për të mbrojtur të akuzuarit eventual për vjedhjen e buxhetit të shtetit.
Kjo është pasqyra reale e shtetit më të ri dhe më të izoluar, më të pasur me resurse nëntokësore, por më të varfër në kontinentin evropian, me politikanët më të pasur në rajon, por me skemat më të varfëra sociale në Ballkan, e shtetit të vetëm në kontinentin evropian pa sigurime shëndetësore për qytetarët, anipse e kemi nivelin më të lartë të sëmundjeve të rënda dhe kancerogjene në kontinentin evropian.
Si pasojë e keq-qeverisjes dhe hajnisë së organizuar në nivelet e larta shtetërore, nepotizmit dhe korrupsionit endemik në të dy nivelet e qeverisjes, qytetarët i kanë humbur shpresat për një të nesërme më të mirë në shtetin për të cilin dhanë shumë dhe priten jashtëzakonishtë gjatë.
Liderëve partiakë dhe politikanëve në përgjithësi nuk po ju intereson më zhvillimi ekonomik i shtetit dhe as mirëqënja e qytetarëve, por vetëm pushteti dhe privilegjet që ju sigurojnë pasurim të shpejtë, punësim të familjarëve dhe militantëve partiakë nëpër institucione shtetërore, të cilët më pas i shfrytëzojnë si mburojë për mbrojtjen e pushtetit nga kundërshtarët politik.