Rajoni – 25/03/20
Parlamenti i Kosovës votoi me 82 vota pro rrëzimin e qeverisë Kurti. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Isa Mustafa ka deklaruar se ky vendim nuk e bën as të kënaqur por as të zhgënjyer.
Në një emision televiziv në Kosovë, Mustafa i cili është iniciuesi i mocionit që rrëzoi qeverinë, tha se brenda koalicionit ka patur ndasi të thella.
“Ka pasur kërkesa nga BE për heqjen e tarifës dhe vazhdimin e dialogut dhe masat e SHBA-së që për herë të parë janë marrë ndaj Kosovës dhe për herë të parë jemi ne viktima të sanksioneve dhe jo Serbia, që i ka bërë gjithë të këqiat ndaj Kosovës. Si dhe shkarkimi i Minsitrit të punëve të brendshme dhe adminsitratës publike Agim Veliu. Nëse i keni parë sot debatet, shihej se vlohej diçka nga brenda dhe nuk ishte diçka që shkonte krejtësosht në rregull. Mospajtimet ishin të thella, mirë që u votua mocioni“, tha ai.
Sa i përket të ardhmes ai tha se LDK nuk do të bashkëpunojë me PDK-në për formimin e një qeverie të re, por paralajmëroi se do të kërkojë bashkëpunim me AAK-në, Nismën dhe minoritetet.
“Vendimet merren në bazë të vullnetit të brendshëm të organeve dhe nuk shkojmë asesi me PDK-në. Do kërkojmë bashkëpunim me Nismën, AAK’në dhe minoritetet. Kam pasur vërejtje dhe i kam ende. Por duhet të jemi të kujdesshëm nëse arrijmë marrëveshje me AAK-në, Nismën dhe minoritet do insistojmë që asnjë prej protagonistëve të mos ketë rol të njëjtë. VV do të marrë mandatin pasi ajo është e kryer me Kushtetutë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nëqoftëse VV nuk e bën, atëherë presidenti përdor diskrecionin e tij dhe zgjedhë dikë tjetër“, shtoi Mustafa. /Opinion.al