Gani I. Mehmeti
Ka disa ditë që masa e lëvizjes është zbutur, por nuk është hequr krejt.
Edhe ashtu, deri dje moti ishte i ftohtë dhe nuk i shkonte mendja dikujt të lëvizte as gjatë ditës. Dje ishte mot i nxehtë dhe me diell. Por, sot është edhe më nxehtë. Ndoshta nesër do të jetë edhe më nxehtë se sot, kjo sepse ne jemi duke shkuar drejt muajit qershor që moti duhet të nxehet.
Nejse, ne e kemi fjalën për sot. Sot dolëm të gjithë familjarisht. Shkaum deri në park, ku zakonisht shkojmë atje pse ka edhe lodra për fëmijët, ka lisa të gjatë e të shpeshtë dhe ka hije të mira, ka edhe vende me diell, çka mund të zgjedhësh. Po, ka edhe ulëse druri për të pushuar.
Ka më shumë se një vit, po, ishte krejt viti i kaluar, pra vera e 2020-tës që në park shumë pak njerëz kanë dalë, edhe kur dilnin, dilnin e rrinin pak kohë e ktheheshin.
Viti i kalaur, pra 2020-ta ngjante sikur njerëzit kishin humbur fare! Nuk mundje të shihje në 20 metra një njeri ose edhe më rrallë! Të dukej sikur je në një shkretëtirë! Pse, shkretëtira nuk është ndryshe, vetëm një vend ku nuk ka njerëz, se aty, ku nuk ka njerëz, nuk ka as shpezë. Prandaj, nuk ka lëvizje, nuk ka gjallëri, nuk ka asgjë.
E sot…
Sot, me të shkuar në qendrën e qytetit, pse andej e kemi rrugën ne për tek parku, dukej krejt më ndryshe. Sot ishte mbushur qyteti me njerëz, rrugët ishin përplot, lëvizjet ishin të mëdha dhe gjallëria ishte ngjallur. Dukej sikur njerëzit kishin dalë edhe nga dheu, ashtu ishte i mbushur qyteti.
Ne në Kosovë nuk është moti që e përjetuam luftëm dhe dimë shkatërrimet e bëra nga armiku! Këtu, nuk kishte shkatërrime, kishte pastërti në nivelin më të lartë. Por, meqë për një vit e tre muaj lëvizjet herë ishin tejet të kufizuara e herë tërësisht, qytetin nuk ka pasur kush ta shkatërrojë edhe ashtu, pse nuk ishte armiku njeri! Vetëm ermiku njeri shkatërron, ai ka bërë shumë në drejtim të shkatërrimit të vetvetës, të vendit dhe të natyrës.
Kësaj radhe ishte një armik i padukshëm, prej të cilit njerëzit sikur po përpiqeshin të fshiheshin e të iknin nga kontakti prej këtij armiku. Ky armik e lodhi mbarë botën deri sa mjekësia zbuloi vaksinën kundër tij, apo edhe i erdhi koha të ndalet, të zvogëlohet a kush e di se si e çka!
Kishte edhe të tillë që nuk po e besonin ekzitencën e këtij armiku! Por, ata që u përballën me të, nga të gjitha shtresat e nga të gjitha moshat, na thërrisnin që të ruhemi prej tij.
Sipas informatave nga mediet ky armik mori shumë njerëz, mund të themi përpara kohe dhe i dërgoi në amshim! Disa prej të tillëve i njoha edhe unë, madje kisha lidhje familjare me ta, si, djali i tezes, djali i dajës e kështu me radhë. Kisha të njohur edhe disa tjerë që u përballën me të dhe i shpëtuan, prej të cilëve edhe mjekë.
Si do që të jetë, njerëzit shkuan. Në kosovë mori mbi dy mijë për një vit. Ndërsa lufta, vetëm për tre mua pa 12 ditë, llogaritur nga 24 mars deri më 12 qershor, kishte marrë mbi 13 mijë njerëz! Përveç kësaj, vendi ishte shkatërruar në masë të madhe. Shumë shtëpi ishin djegur, shumë tjera ishin plaçkitur. Vendi ishte i mbushur me mina dhe ku do që shkilje, ndjeheshe i pasigurtë, pse vdekjen mund ta gjeje kudo.
E, kjo pandemia mori njerëz, vendin e la prapa , pse nuk guxonin të dilnin të punonin, duke u ikur kontekteve të njeriut me njeriun, por shkatërrim vendi e shtëpish nuk kishte, prandaj ishte më i lehtë.
Qoftë e kaluar dhe shkoftë sa më shpejt e tërësisht kjo pandemi që njeiu të jetë i lirë!
PANDEMIA IKËN, POR, KUR DO TË IKË PANDEMIA NJERIU KUNDËR NJERIUT?!