Bota
Opinion.al – 15/11/19
Franca ishte një nga vendet skeptike për hapjen e negociate me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Europian.
Presidenti francez Macron në një deklaratë për mediat, pas verdiktit të Këshillit Europian, argumentoi pse Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu tha “jo“ për hapjen e negociatave. Gjithashtu, presidenti i Francës deklaroi se BE duhet të rishikojë procesin e zgjerimit, pasi sipas tij, kishte nevojë për një ristrukturim të përgjithshëm.
Ndërkohë, mësohet se Franca ka zyrtarizuar qëndrimin e saj duke dërguar një draft në Bruksel lidhur me zgjerimin e unionit. Në draft rikonfirmohet edhe njëherë angazhimi se vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Europës, për shkak të historisë, kulturës dhe gjeografisë së tyre, por ky proces duhet rishikuar.
“Një qasje e re ndaj procesit të pranimit është e nevojshme për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në terma konkret në lidhje me reformat që duhen përmbushur për sundimin e ligjit dhe përgjithësisht për të zbatuar standardet europiane. Kjo qasje duhet të shoqërohet nga një angazhim i fortë nga Bashkimi Europian në mënyrë që t’i ndihmojë ata të përballen me sfidat e shumta dhe komplekse që lidhen me zhvillimin e tyre ekonomik dhe shoqëror, të kenë komandën e kompetencave në lidhje me territorin e tyre dhe të përballen me sfidat e tyre të sigurisë dhe migracionit”, thuhet në draft.
Sipas informacioneve, bëhet me dije se drafti përbëhet nga katër pika kryesore:
- Anëtarësimi i ngadaltë, që nënkupton që bisedimet të organizohen rreth politikave që vendet kandidate do të përfshihen gradualisht.
2. Kushte më strikte, të cilat kanë të bëjnë me përafrimin në mënyrë efektive ndaj normave dhe standardeve evropiane në fushën e sundimit të ligjit, por edhe zhvillimit ekonomik dhe social.
3. Përfitime të prekshme, ku gjatë procesit parashikohen përfitime konkrete të cilat aktualisht mungojnë dhe parandalojnë që lëvizjet migratore të pengohen, duke shfaqur probleme nga të dyja palët, veçanërisht përmes rritjes së mbështetjes financiare.
4. Një proces i kthyeshëm. Procesi do të jetë i kthyeshëm për të siguruar besueshmërinë.
/Opinion.al