Partitë politike nuk e duan ndryshimin, e duan pushtetin dhe vazhdimësinë!

0
362
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 28.05.2019

Thyerja shpirtërore dhe humbja e shpresave të popullatës shqiptare për jetë në Kosovë nuk është e çastit. Deri të kjo erdhi si rezultat i mashtrimeve të gjata të pushtetarëve të pasluftës dhe klasës poltike në përgjithësi.

Dëshprimi i madh i popullatës fillon pas aktit të rishpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008-të, e që unë e preferoj ta quaj si akt i njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Siq u vërtetua në dekadën e parë të pavarësisë, marrja e kompetencave ekzekutive dhe ligjore nga ndërkombëtarët, nga ana e partive politike në pushtet nuk ishte kuptuar si një përgjegjësi shtetërore, por si një mundësi për të vjedhur pasuritë publike dhe plaçkitur buxhetin e shtetit.

Secila parti që erdhi në pushtet, varësisht prej fuqisë politike dhe shkathtësisë zhvatëse e vjedhën dhe plaçkitën çdo gjë në këtë vend.

Përmes të ashtuquajturit “Proces i Privatizimit”, të njëtat parti dhe të njëjtit politikan në pushtet përvetësuan çdo gjë, i uzurpuan të gjithë tenderët duke i shndërruar në prona të tyre dhe familjarëve të tyre të gjitha pasuritë publike, filluar nga fabrikat, uzinat, dhe tokat bujqësore duke i lënë pa punë dhe pa hise në privatizim qindramijëra punëtorë.

Punësimet partiake dhe familjare nëpër institucione dhe kompani publike, përveqse u shndërruan në dukuri shëmtuese të vendit, thyen të gjitha shpresat qyetarëve për punësim dhe jetë dinjitoze në shtetin e ri të Kosovës.

Liderët partiak i ndanë pushteti, i bashkon korrupsioni dhe krimi i organizuar

Situata paradoksale, ku lideret shtetëror nuk merren vesh mes vete për interesin e shtetit, por merren vesh aq lehtë për interesat meskine të tyre, paraqet anën më të shëmtuar të “medaljes” së Kosovës së pavarur.

Situata pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, shënon fillimin e humbjes së shpresave të qytetarëve dhe katandisjen e jetës institucionale në Kosovë.

Përderisa opozita kosovare e vitit 2014 (VLAN) qëndroi e bashkuar për afro 6 muaj duke u thirrur në interesin e shtetit e qytetarëve, brenda natës u nda për interesa personale të liderëve partiakë.

Zgjedhjet e ardhshme, test i radhës për qytetarët

Pavarësisht faktit se kur mbahen, zgjedhjet e ardhshme do të jenë një test i radhës për qytetarët, ku do të shihet qartë sinqeriteti dhe serioziteti i qytetarëve, do të testohet vullneti i elektoratit, se a do t’u qëndroj besnik edhe më tutje partive shpresëthyerëse dhe liderëve të tejinkriminuar, se a do t’i qëndroj besnik klasës politike apo do të ndëshkojë kusarët politikë që ua thyen të gjitha shpresat për jetë në këtë vend!?

Nëse vërtetë populli e do ndryshimin, atëhere në zgjedhjet e radhës duhet t’i ndëshkojë të gjitha subjektet politike aktuale me mos dalje në zgjedhje. Vetëm bojkotimi i tërësishëm i procesit zgjedhor do të ndëshkonte politikanët e inkriminuar si dhe do të alarmonte faktorin ndërkombëtar.

Me bojkotimin e zgjedhjeve fillon epoka e re dhe e mirëfilltë e opozitarizmit qytetarë, për shkak se sot në Kosovë nuk kemi opozitë por vetëm klasë kusarësh politikë që i vardisen njëri-tjetrit për pushtet.
Tragjikomedia e opozitës kosovare fillon dhe përfundon tek gjahu i pushtetit.

Nuk ka si të jetë ndryshe, kur një parti opozitare që pretendon të marrë pushtetin i vardiset partisë politike që deri dje ishte pjesë e kapjes së shtetit.

Për këtë arsye dhe shumë të tjera si kjo, nuk mund të arrihet ndryshimi i dëshiruar pëmes “votës së lirë” për shkak të përafrimit të pushtetit me opozitën dhe kapjes së tmerrshme të institucioneve shtetërore nga mafio-politika dhe nëntoka kriminale.

Kap njëri, ç’kap tjetri, më i zi i riu se i vjetri

Janë disa terma që i shkojnë për shtati realitetit të krijuar brenda subjekteve politike, si bie fjala; të kapura, të zaptuara, të zëna pëng apo të uzurpuara nga grupet e interesit.

Fjala “zaptues”, mbase do të ishte e mirë, dhe s’do të kishte lidhmëri me “kapje” të natyrave të tjera, që i japin kësaj fjale edhe kuptime erotike, siç janë; “e ka kap” (ka bërë seks me të), e kuptime të tjera, kur dikush e “shtie” në dorë dikë.

Megjithatë fjala “uzurpatorë”, është më e përshtatshme, më e sakt dhe më ideale për shumicën e subjekteve politike nën kthetrat e uzurpatorëve, profiterëve e mashtruesve, injorantëve dhe hipokritëve, klaneve e bandave kriminale të maskuara nën petkun e pushtetit dhe opozitarëve të etshëm për pushtet nën maskën e ndryshimit dhe demokracisë parlamentare.

Kjo klasë kusarësh politikë që moti e kanë humbur legjitimitetin për shkak të mos daljes së qytetarëve në zgjedhje, ngulfatjes së demokracisë dhe jetës institucionale, duke ua kanë zënë frymën reformave dhe ndryshimeve substanciale brenda partive politike,…për të mbajtur pushtetin apo për të ardhur në pushtet përmes vjedhjes së votës së qytetarëve, gjegjësisht kontrabandimit të vullnetit të elektoratit të shprehur me votën e lirë.

Pas 17 shkurtit 2008, zgjedhjet në Kosovë, jo vetëm që nuk sollën ndryshim, nuk patën as kuptim. Një parti e vetme e mbajti pushtetin duke i ndërruar partnerët politik. Secila parti që hyri në koalicion me kapësit e shtetit doli më e djegur se tjetra, apo siq i thonë asaj fjalës; “kap njëri, ç’kap tjetri, më i zi i riu se i vjetri”.

Si pasojë e kësaj situate, qytetarët më lehtë e kanë të besojnë në fundin e botës se sa në ndryshimin që mund të sjellin subjektet aktuale, të uzurpuara dhe ngulfatura pamëshirshëm nga kusarët politikë, grupet e interesit, klanet mafioze dhe nëntoka kriminale.

Pastrimi i skenës politike nga profiterët dhe matrapazët

Gjendja e rënduar nga qeverisja e keqe, e çoroditur, antihumane, antishtetërore dhe antikombëtare e klasës politike në përgjithësi nga mbarimi i luftës e deri më sot, është produkt i privatizimit dhe monopolizimit të skajshëm të çdo gjëje në këtë vend, është produkt i degradimit institucional dhe zhvatjes sistematike të buxhetit të shtetit nga ana e drejtuesve shtetërorë dhe partiak, e cila ka prodhuar një situatë sa dëshpruese, po aq të pashpresë në mesin e popullatës.

Kjo gjendje dëshpruese dhe e mjerë ka bërë që popullata të tërhiqet nga të gjitha zhvillimet politike dhe shoqërore duke i lënë të lirë e të papenguar në veprimet e tyre skandaloze shkaktarët e gjëndjes katastrofale në vend.

Duke i duruar mbi supet e veta kusarët politik, është krijuar përshtypja sikur poullata nuk e ka guximin dhe as vullnetin për t’i hudhur në shportën e mbeturinave shkaktarët e keq-qeverisjes dhe anarkisë ligjore në vend.

Tërheqja e intelektualëve dhe forcave progresive nga zhvillimet politike të vendit ka bërë që meritat për çlirimin e vendit dhe krijimin e shtetit t’i marrin të pamerituarit dhe antivlerat, ku të papërgjegjshmit dhe pseudopatriotët i përvetësuan meritat e shumë gjeneratave që sakrifikuan për lirinë që sot e gëzojmë.

Pastrimi i skenës politike nga profiterët dhe matrapazët politik dhe nga të gjithë ata që kanë shkatërruar dhe tjetërsuar pasuritë shtetërore dhe kombëtare, duhet të fillojë me padëgjueshmëri qytetare dhe bojkotim të kësaj klase kusarësh politikë, këtyre figurave të prishura politike që rropën e çrropën çdo gjë në këtë vend.

Partitë politike të shndërruara në korporata fitimprurëse nuk e duan ndryshimin, e duan pushtetin për zhvatjen e shtetit, ruajtjen e vazhdimësisë së kontrollit mbi asetet shtetërore dhe publike, ndërkaq liderët partiak synim e kanë pasurimin e tyre të paligjshëm dhe abuzimin me elektoratin e partive dhe interesat e qytetarëve.