Partia Kristian Demokrate nëpërmes anëtarit të kryesisë Ndue Lazri

1
1822
Ndue Lazri

Ndue Lazri (Reagim i PKD)

REAGON NË LIDHJE ME EMIGRACIONIN

Shteti dhe politika shqiptare ne 27 vjen emigracion masiv te shqiptareve, asnjehere nuk jane interesuar për këtë pjesë të popullsisë, që është thuajse gjysma e popullsise reale që ka vendi ynë. Madje popullsia më aktive, sepse emigrantët janë larguar në moshën më aktive në kërkim të punës. Kur themi gjysma e popullsisë, nuk ekzagjerojmë, sepse veteë ne Itali e Greqi janë mbi 1 milion e 300.000 emigrantë të regjistruar shqiptarë. Po sa të tjerë janë nëp shtetet e tjera europiane e deri në Amerikë e Australi?

Kjo pjesë e popullsisë, në mënyrë të paligjshme për kaq vite me radhë, është e privuar nga njëra prej të drejtave më të rëndësishme të njeriut, ajo e pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë për të zgjedhur nëpërmjet votës, qoftë për t’u zgjedhur. Me votën e emigrantëve vazhdimisht është spekulluar. Kanë rezultuar si votues emigrantë që nuk kanë qene fare ne territorin shqiptar në periudhën e votimeve, pra dikush e ka hedhur votën në mënyrë të paligjshme në emëe të tyre. Madje një herë në Shkodër ka rezultuar votuese edhe një vajzë 4 vjeçe që jeton në Suedi. Partitë e mëdha kanë paguar biletat e udhëtimit të qindra emigrantëve, që ata të vinin të votonin në Shqipëri. Këtu ka dy shkelje ligjore: E para se kemi të bëjmë në mënyrë indirekte me blerjen e votës. Dhe e dyta sepse me pranimin e biletës vota është e deklaruar para se të hidhej në kuti, pra nuk sigurohet fshehtësia e votës.

Ka disa vite që emigrantët në mënyra të ndryshme i kërkojnë qeverisë dhe shtetit shqiptar të sigurojë mundësinë dhe të drejtën që t’u krijojë kushtet të votojnë për zgjedhjet politike në Shqipëri në vendet ku ata punojnë e jetojnë. Kjo kërkesë ka rënë gjithnjë në vesh të shurdhër. Federata Nacionale e Shoqatave Shqiptare në Itali, dy vjet më parë futi në parlament një peticion që iu dorëzua të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkohej mundësia e votimit nga emigrantët në vendet ku ata jetojnë e punojnë. Por asnjë deputet nuk tha qoftë edhe një fjalë për këtë peticion. Në samitin e diasporës që u bë nëntorin e kaluar në Tiranë, kryeministri Rama tha që edhe këtë herë nuk ua sigurojmë dot mundësinë që të votonio atje ku jeni, por ju ftojmë të vini në Shqipëri te votoni. Pra nuk u sigurohet një e drejtë demokratike, në një kohë që vetë Rama më samit u tha përfaqësuesve të emigrantëve që ekonomia shqiptare ecën vetëm me paratë që emigracioni sjell në Shqipëri.

Atëherë shtrohet vetvetiu pyetja: – Kur emigrantët luajnë një rol kaq të madh në ekonominë e vendit, pse nuk u jepet e drejta që ata të kenë përfaqësuesit e vet të ligjshëm në parlamentin shqiptar, që të kontribuojnë edhe në formulimin e miratimin e ligjeve të rëndësishme të shtetit? Qeverisë shqiptare nuk i intereson një gjë e tillë, sepse do të ndryshonin raportet e përfaqësimit në parlament e qeveria do të binte.

Një tjetër çështje: Për gjysmën e popullsisë që është në Shqipëri, qeveria ka 15 ministri të ndryshme. Kurse për gjysmen tjetër të popullsisë që është jashtë nuk ka asnjë ministri, ka vetëm një drejtori diaspore, e cila nuk ndihet dhe nuk luan asnjë rol në jetën dhe interesat e emigrantëve. Qeveria e Kosovës, që është një shtet më i vogël dhe më i ri, ka një Ministri të Diasporës, e cila funksionon si nje mikroqeveri për diasporën. Ajo ka drejtorinë e arsimit, që ndjek problemet e mbarëvajtjes së shkollave shqipe në diasporë dhe i ndihmon ato me libra e me fonde. Ka drejtorinë e kulturës që interesohet dhe ndihmon qendrat e kulturës shqiptare në diasporë e ndjek me interes edhe aktivitetet e tyre, madje mbështet edhe me fonde. Ka drejtorinë e mbrojtjes së investimeve që bëjnë emigrantët kosovarë në Kosovë etj.

Përse të mos e ketë qeveria shqiptare një Ministri të tillë, në të cilën te punojnë përfaqësues nga emigracioni, njerëz të përgatitur e me vizion europian, që i njohin mirë problemet e e migracionit.

Federata që përmendëm dhe shoqata të tjeta shqiptare në Itali, por edhe Federata e emigrantëve shqiptarë në Athinë dhe shoqatat e tjera, në mënyrë vullnetare organizojnë aktivitete kulturore, hapin shkolla shqipe me shpenzimet e tyre e luftojnë për mbrojtjen e ruajtjen e historisë, vlerave kulturore, gjuhës amtare etj. Vetëm në shoqatat që bëjnë pjesë në Federatën e Italisë janë hapur mbi 20 shkolla shqipe, ku janë regjistruar rreth 500 nxënës që kanë lindur në Itali dhe i vazhdojnë shkollat në gjuhën italiane. Një punë po kaq pasionante bëjnë edhe federata e shoqatat e emigrantëve në Greqi. Për të mos e harruar e humbur gjuhën shqipe, me këta nxënës punojnë vullnetarisht mësues të pasionuar, të cilët për punën e bërë nuk marrin asnjë lek. Shteti shqiptar, që ka publikuar disa libra në ndihmë të këtyre shkollave, nuk interesohet as për t’ua çuar librat në shkollë.

Edhe këtu lind një pyetje e natyrshme: Nëse ata fëmijë do të ishin në Shqipëri e në shkollat shqiptare, sa klasa më shumë, sa mësues më shumë do të duhej të paguante shteti për arsimimin dhe edukimin e tyre? Nuk po themi që t’u lidhet rrogë atyre mësuesve që punojnë në shkollat shqipe në emigracion, por të paktën një shpërbilm sado të vogël një herë në vit, që ata ta ndjejnë mirënjohjen e shtetit dhe kjo punë e bërë t’u njihet atyre për të drejtë pensioni.

Një problem i mprehtë dhe i rëndësishëm është edhe marrëveshja që qeveria shqiptare duhet të bëjë me shtetet ku ka emigrantë për njësimin e viteve të punës që ka emigranti në të dy shtetet për efekt pensioni. Ka vite që flitet për këtë, por d eri tani nuk është bërë asgjë, në një kohë që shtete të tjera si Maroku, Rumania etj. Kanë arritur ta bëjnë këtë gjë në marerëveshje me qeveritë e vendeve ku ka emigrantë. Tashmë ka plot emigrantë që e kenaë mbushur ose janë në prag të moshës së pensionit, ndaj një marrëveshje e tillë është urgjente dhe nuk duron zvarritje të mëtejshme.

Federatat dhe shoqatat shqiptare në emigrim, me rastin e festave kombëtare, por edhe në festa të ndryshme apo fundjava, organizojnë aktivitete të kulturore me dëshirën që të festojnë e vallzojnë nën tingujt e këngëve e valleve shqiptare. Por vërehet një fenomen që e degradon kulturën shqiptare. Në emigracion shkojnë shumë këngëtarë të tallavës, që përçojnë një nivel të ulët e gati vulgar artistik, që nuk përfaqësojnë vlerat e vërteta të kulturës e muzikës shqiptare. Këtu Ministria e Kulturës dhew shteti duhet të bashkëpunojnë me federatat e shoqatat, që të paktën në festat kombëtare të çohen këngëtarë dinjitozë.

Federata Nacionale e Shoqatave Shqiptare në Itali organizoi vitin e kaluar Ditët e kulturës shqiptare në Mantova, ku kishte ekspozita të arteve figurative e të fotografisë artistike, konferenca për kulturën e artin shqiptar, koncerte dinjitoze ku ishin ftuar edhe Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore i Tiranës dhe Ansambli i Ulqinit. Për tri ditë qyteti i Mantovës foli shqipa dhe italianët e turistët e huaj që vizitojno këtë qytet u mrekulluan me bukuritë e këngëve, valleve e kostumeve shqiptare. Madje kryetari i bashkisë kërkoi që kjo të bëhet një traditë e përvitshme.

Shteti shqiptar duhet t’i ndjekë më me vëmendje, të ndihmojë e të jetë më tepër prezent në aktivitete të këtij niveli, sepse kjo ndihmon në një integrim më tëp mirë të emigrantëve me vlerat e vërteta të vendit të vet, por edhe bën të njohur kulturën dhe artin tonë në vendet e tjera.

Anetari i Kryesise PKD-se
Ndue Lazri

1 KOMENT

  1. shok Ndue a ke mundesi qe te me kyçesh ne kontakt me ndonje person ose shoqate nga ato 30 sish qe jane ne itali qe ka vullnetin e mire te me ndihmoj per te gjetur nje pune atje çfaredo qofte?
    jam nga Kosova qe nje kohe te gjate, jam i pa pune, vize nuk me japin por vetem nese dikush me pare me siguron nje pune ose nje firme e huaj me dergon nje kontrate.
    a ka ndonje shprese te gjej nje shpetim nga kjo situate e veshtire e papunesise se gjate dhe verferise extreme?

Komentet janë mbyllur.