Partia Demokratike po falsifikon Historikun e saj

0
1479

Bashkim Kopliku, kryetari i parë i Seksionit të PD të URT Durrës
[Gazeta Bulevard Durrës, 17.06.2016]

Në vijim do t’ju tregoj, bazuar në një ngjarje konkrete, të jetuar personalisht këto ditë, sesi po mundohen të falsifikojnë historinë e PD-së, ata në kupolën politike të PD-së aktuale, pa e çarë kokën fare se akoma janë gjallë shumica e protagonistëve dhe dëshmitarëve të kohës, e rrena do t’u ketë këmbët e shkurta.

Më dt. 13.06.2016, rreth orës 12, Xhodë (Ramazan) Beja, më thirri nga mbrapa në rrugë, dhe pasi bëri muhabetete gjatë për një historik gjimnazesh etj., më kaloi në një muhabet si anësor, si kot, që po jua sjell në vijim

Më tha se kishte nisur që para dy-tre vjetësh, të shkruajë historikun e PD-së Durrës, por e kishte ndërprerë, sepse nuk po e afronte dhe kryetari i PD Durrës, Osman Stafa …(Siç do ta kuptoni më poshtë, zoti Stafa, duke qenë vetë një demokrat i ditëve të para, natyrisht shumë më i vjetër se Xhoda, bile dhe më i vjetër se vetë PD-ja, nuk ka qenë dakord me rrenat e Xhodës). Xhoda vazhdoi të më thoshte, se tani, pas ikjes së së Atij, po mendonte ta vazhdojë shkrimin e historikut të PD Durrës. Pastaj, sa po ndaheshim, më pyeti, prapë si koti, për datën e krijimit të seksionit të PD në URT (Uzina e Radiove dhe Televizorëve Durrës). I thashë se mbledhja e krijimit të seksionit duhet të jetë bërë me 14.2.1991. Pastaj erdhe çudia kryesore, në vijim:
Xhoda më pyeti, se kush ishte zgjedhur kryetari i parë i Seksionit. Shtanga, e pashë në sy, por nuk po i luante qerpiku. Në vijim, bisedën e mëtejshme po e riprodhoj dialog:

Unë: “Xhodë, vërtetë që nuk e di se kush është zgjedhur kryetari i parë i seksionit të PD-së së URT Durrës?”
Xhoda: “Reshit Rexha është zgjedhur, apo jo?”
I ndjeri Reshit Rexha, ishte një shok i yni në URT, që e kishte dajë Xhodën. Reshiti ishte një njeri shumë i mirë, shumë i aftë teknikisht, e që ishte marrë me aktivitet në favor të PD-së, që para krijimit të seksionit, por si njeri që nuk kishte tendencë të fliste para shumë njerëzve, pra në publik, bisedat e tij ishin më tepër të karakterit kokë më kokë, “në kafe”.
Le të kthehemi tek biseda me Xhodën.
Unë: “Xhodë, po kusht ta tha, se ka qenë zgjedhur Reshiti?”
Xhoda: “Ma tha Ideal Sheshi, që ka qenë delegat në mbledhjen e krijimit të seksionit, bile ma ka dhënë me shkrim, e kam letrën në shtëpi.”
Unë: “Po Artan Hoxhën a e ke pyetur, sepse edhe ai ka qenë delegat? Vetëm ata të dy kanë qenë.”
Xhoda: “Po, e kam pyetur, por nuk mban mend se kush u zgjodh”.

A thua vërtetë t’i ketë thënë kështu Artani: ne ishim të pandarë me Artanin, që nga shkurti i 1991, e deri në vitin 1992, kur u bë Ministër i Tregtisë së Jashtme?!
Sa për Idealin, tani që po shkruaj më telefonoi i indinjuar për shpifjen e Xhodës, dhe do të bëjë ballafaqim me të me dëshmitarë.
Nejse, po vazhdoj me dialogun e datës 13.06.16:
Unë: “Ja ta pyes njëherë Idealin, sepse po më çudit shumë me sa po më thua sot.”
Unë tentova t’i telefonoj Idealit, por nuk arrita të lidhesha; ishte me pushime jashtë Durrësit. Xhoda u shqetësua.

Xhoda: “Po leje se e sqarojmë më vonë.”
Unë: “Desha ta dëgjoj me veshët e mi se çfarë thotë Ideali. Nejse, po vij ta shoh pak letrën që të paska shkruar Ideali”.
Xhoda: “Jo, nuk e kam letrën, se ma mori prapë”.
Unë: “Xhodë, po ti para disa minutash më the se e ke “letrën” në shtëpi! Nejse, mos po bën gjë shaka me rolin e harraqit: ti vetë e di shumë mirë se kush është zgjedhur kryetari i parë i seksionit të URT Durrës?!”
Xhoda: “Po ti nuk je zgjedhur, se më ka thënë vetë Ideali se Bashkimit nuk ia vari njeri, u ul nga fundi i sallës, por ne e thirrëm në presidium”.

Unë, gjatë dialogut të mësipërm, në asnjë moment nuk i kisha përmendur Xhodës se kryetari i parë i Seksionit kisha qenë zgjedhur unë. Pra, padashje Xhoda e nxorri se e dinte fare mirë se kush ishte zgjedhur kryetari i parë i Seksionit të PD në URT në vitin 1991, por po bënte një lojë. Në fakt, nuk kishte asnjë mundësi që Xhoda të mos e dinte mirë se unë isha kryetari i parë i Seksionit të URT Durrrës, sepse dhe në fushatën për deputet që u pat bërë për mua, veç pakë ditë pasi isha zgjedhur kryetar Seksioni, mars 1991, ky fakt thuhej në të gjitha takimet elektorale, ku shpesh dhe Xhoda kishte qenë prezent krah meje.
Nejse, po vazhdoj me muhabetin e sotëm:

Unë: “Xhodë, po e “kënaqke” me historikun e PD-Durrës. Po e bëke si Partia e Punës, që kur filloi të bëjë historikun e PPSh-së në nivel lokal, për shembull të Durrësit, Shkodrës etj., veteranët komunistë, nuk u besonin syve, se dilnin emra njerëzish që nuk kishin pasur absolutisht ato poste që u ngjisheshin nga “xhodat” e porositur nga PPSh. Dhe nuk përmendeshin sa e sa drejtues lokalë, vetëm e vetëm se më vonë ishin “goditur nga Partia”. Po gënjen Xhodë, je bërë si komunistët vakti.”

Unë i bëra me dore, duke u larguar i trishtuar. Ky njeri, Xhoda, më hiqesh si shumë mik!
Pyeta disa vetë të njohur të përbashkët me Xhodën, dhe më thanë të gjithë se Xhoda është në rregull me mend, bile ka kujtesë më të mirë se një i ri. Pra, Xhoda rezulton se ka veçse probleme karakteri. E natyrisht që Xhoda nuk vepron nga mendja vet, por me porosi të kupolës politike të PD-së së sotme.

Kështu që e ndjeva për detyrë të bëj publik sa më lart. Kjo me shpresë se do të reagojnë disa nga ata qindra dëshmitarë të fakteve të asaj kohe, bile dhe pjesa e ndershme që akoma është brenda PD-së, duke kontribuar për të vërtetën, e duke luftuar mashtrimin: nuk mund të ketë të ardhme një popull që nuk kontribuon për të vërtetën!

Në vijim po jap faktet e zgjedhjes së kryetarit të Seksionit të PD në URT:

Seksioni i PD u krijua me datën 14.02.1991.
URT (Uzina e Radiotelevizorëve Durrës) kishte mbi mbi 700 punonjës, ku pothuaj të gjithë ishin me arsim të mesëm, dhe mbi 40 vetë ishin me arsim të lartë.
Në URT, gjatë janarit e shkurtit të vitit 1991, filloi një aktivitet i gjerë në mbështetje të PD. Ishin dhjetëra vetë që diskutonin për krijimin e seksionit të PD në ndërmarrje.

Nga grupi nismëtar i PD-së për Durrësin, më prunë në shtëpi një projekt-program, duke më kërkuar të angazhohesha. Hezitoja sepse isha skeptik ndaj PD-së, meqë shihja se në krye të saj po vendoseshin shumë anëtarë të Partisë Komunistë (PPSH) apo persona të lidhur ngushtë me komunizmin, por edhe njerëz me figurë jo të pastër morale; dyshoja se mos e gjitha ishte ndonjë grackë apo lojë e PPSH.

Si nga ndërmarrja ime, si dhe nga ndërmarrja ngjitur, UEM (Uzina Elektromekanike Durrës), më kishin kontaktuar dashamirës duke më kërkuar të aderoja me PD-në, kjo sepse kisha popullaritet atë kohë: vetëm rreth 7 muaj para isha zgjedhur nga kolektivi kryeinxhinier i URT, kjo pasi 15 vjet përpara isha dënuar që nga inxhinier të punoja për një vit punëtor, për t’u “edukuar politikisht pranë klasës punëtore”, për qëndrime politike të gabuara. Këta dashamirës më përsërisnin: “Shumë punonjës kanë vënë kushtin që po u fut kryeinxhinier Kopliku në PD, futemi dhe ne; duhet të angazhohesh ti Bashkim, dhe njerëz të ndershëm si ti, se përndryshe do të mbetet antikomunizmi në duar të horrave?”

Në këtë situatë, më datë 14.02.1991, u organizua mbledhja e krijimit të Seksionit të PD, e cila u shty për ora 15:15, duke pritur që të kthehesha unë nga një shërbim në Tiranë.
Kur unë hyra në sallë, ishin brenda mbi 150 vetë, të cilët brohoritën ardhjen time, dhe nuk lejuan të rrija në fund të sallës, ku u drejtova unë, por më vendosën në presidium, ku ishin dhe dy të deleguarit e Komisionit nismëtar të PD Durrës, zoti Ideal Sheshi dhe zoti Artan Hoxha, të cilët i njoha për herë të parë atë ditë.

U hodhën në votim dy kandidatura, Bashkim Kopliku dhe Vaso Marto. Votimi u bë i fshehtë, dhe Bashkim Kopliku fitoi shumicën e votave.

Pastaj u zgjodh kryesia e Seksionit, me anëtarë zotërinjtë që vijojnë

–Vaso Marto, inxhinier elektronik
–Bamir Bebeziqi, inxhinier elektronik;
–Kujtim Kito, inxhinier elektronik;
–Ebro Vokshi, teknik elektronik;
–Genc Durresi; inxhinier elektronik;
–Reshit Rexha, teknik mekanik, projektues;
–Qani Qalliu, mekanik në repartin e stampave.

Pas disa muajsh, kësaj kryesie iu shtuan edhe zotërinjtë:

–Çezar Biturku, inxhinier elektronik;
–Enrik Pisutlli, inxhinier elektronik;
–Robert Çezari, inxhinier mekanik.

Nga fundi i vitit 1991, seksionet në ndërmarrje filluan të mos funksiononin sepse u krijuan seksionet në lagje.

Bashkim Kopliku, pak ditë pas zgjedhjes kryetar i Seksionit, praktikisht u shkëput nga ndërmarrja sepse kandidoi për deputet në Kuvend, duke marrë mandatin e deputetit pas fitores më 31.03.1991, e pastaj me radhë ishte në disa funksione të larta në Parti e shtet, deri sa nga mesi i vitit 1997, u përjashtua nga të gjitha funksionet në Parti, sepse ishte kundër mendimeve e veprimeve të shumicës së udhëheqjes së PD-së.

Bashkim Kopliku
ish-Deputet, ish-kryetar i bashkisë Durrës, ish-zëvendëskryeministër etj. në periudhën 1991-1997

Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 223663;
Mob: +355 672858090;
E-mail: <[email protected]>
optional: <[email protected]>