Parqet e mbyllura, natyra tash po buzëqesh

0
397
Ilir Muharremi

Ilir Muharremi

Dielli ishte ngritur lart në qiell. Filloi të më ngrohë fytyrën, por edhe këmbët në këtë ditë të bukur pranvere në Prishtinë. Po thithja aromën e freskët të tokës dhe era që vinte andjemi maleve të gërmisë sillte oksigjenin e freskët të pemëve. Po duket që dita do të ishte shumë e bukur. Kisha kohë qysh kur s’kisha qenë në këtë hapësirë dhe tash pa njerëz me kënaqsi do shetisja. Ndjeva se sytë më ishin lodhur nga pamja e hapësirave të ngarkuara me njerëz që bëjnë zhurmë koti. Ja tek shohë maçokun e parë që kapërceu lehtë rrugën përsëri të shkretë. Më dhimbste pak qafa pasi 9 ditë isha i strukur në karantinë duke qëndruar gjatë i mbështetur mbi shpinën e karriges teksa sytë kapiteshin mbi germa të romanave, dramave dhe teori të përsëritura të filozofëve.

Sot në parkun e gërmisë nuk zhurmon mileti dëgjohet kënga e zogjve dhe vet parku nuk po i beson vetes, parku po rigjenerohet nga mungesa e njerzve që çdo ditë shurrojnë dhe dhjesin aty mbi hapësirat e gjelbërta e pastaj bythen e fshijnë me fleta që i hasin aty pranë. Unë ecja më tutje gjithmonë në drejtim të fushës së tokbashqes dhe po hyja në thellësi të saj. Mbi mua lëshohej një rreze e lehtë e diellit e cila ishte e penguar nga pemët plot fleta të cilat festonin nga mungesa e njerëzve. Rrezja shtohej nga çasti në çast. Sapo ngritja kokën lart pothuajse sytë më dhembnin nga ky shkëlqim i diellit. E unë nuk doja të fshihesha askund në hije ose të lëshohesha lirshëm mbi ndonjë shtrojë, por doja vetëm në qetësi të ndjeja mbi vete atë shkëlqim të bukur të diellit. Ta kundroja të pasqyruar mbi pemët, gjethet tamam një panoramë e natyrës pa frymorët shkatërruesit.

I penguar nga gjethet e shumta dhe bari gjithmonë ndjeja vuajtjen dhe mundimin e natyrës ose nënshtrimin e tash po e jetoja gazmendin fitimtar të fuqisë tokësore në këtë aheng pa njerëz. Nuk kishte as orë por vetëm disa minuta që ndjeja aromën e pastër të bimësisë që më pushtonte një ekstazë dehëse. Doja të shtrihesha të flija të ëndërroja e prapë se prapë të mos i largohesha kësaj magjie natyrore të vetmuar nga idiotët e përditshem e të mos kthehesha në karantinën time.

Përnjëherë ëndërroja sikur jam në grykë të Rugovës dhe poshtë vetes ndjeja gurgullimen e lumbardhit e mbi kokë më kalonte një rrymë e heshtur e ajrit e që më dukej sikur bardhoshe. Kështu kjo melodi ma pushtoi gjithë qenien time. Nuk e dija që kjo frymëmarrje ishte e imja apo e zemrës së natyrës që trokiste në shpirtin tim. M’u duk që ju dorëzova i tëri kësaj shushurime që dukej si sonetë e Vivaldit në këtë ditë të bukur pranvere pa njerëzit.

Ndjeva një kollë të rëndë afër meje, aty u shkunda nga ëndërrimi që më dehte ngadalë. Mezi i hapa sytë që më ishin verbuar nga ndriçimi i lirë i diellit i cili rëndonte mbi qepallat gjer tani që ishin të mbyllura. Ishte një kollë i një njeriu i cili pështynte barin e njomë. Mendoja në vete sa më shumë të ketë situata të tilla epidemie dhe mbyllje nga njerzimi aq më e lirë do të jetë natyra.