Parlamenti Rinor i Kosovës, ishte zë i fuqishëm i ndërgjegjësimit tonë kombëtar

2
286
Agron Maliq Jaha

(Brenda këtij artikulli do të gjeni edhe një incizim të vitit 1990, ku zoti Agron Jaha, ish-mësimdhënës i biologjisë jep detaje nga helmimet enigmë në komunën e Podujevës)

Më 26, 27 dhe 28 maj të vitit 1989 në Lubjanë të Sllovenisë, mbahet Kongresi i 13-të, i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Jugosllavisë.

Ky tubim karakterizohet me pakënaqësi të shumta. Të rinjtë e Serbisë dhe Malit të Zi, të ndikuar nga mentorët e tyre ekstremistë në Beograd dhe Titograd, tani Podgoricë, i sabotojnë punimet e këtij Kongresi. Ashiqare vërehej që ata synim kishin pushtetin absolut dhe dominimin mbi kombet e tjera të Jugosllavisë.

Të ardhmen e tyre sikur e shohin në mitingje, ku edhe shfaqin hapur apetitet e tyre ekspansioniste ndaj Republikave tjera të Jugosllavisë, sidomos ndaj Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

Kësaj çmendurie epshndjellëse me një erë të dukshme gjaku, me diskutimet e tyre të guximshme më herët iu kishin kundërvënë në Beograd,delegatët e këtij forumi rinor nga Kosova, Bajrush Morina, Behxhet Binaku, Afrim Igrishta, Bekim Gashi etj.

Sidomos fjalimi përmbajtjesor dhe i argumentuar i Bajrush Morinës, gazetar në javoren “Zëri“ të Prishtinës, pati bërë jehonë kudo.

Ai në cilësinë e delegatit nga ky forum rinor i Kosovës, pati shpalosur argumente të shumta mbi diskriminimin e popullit tonë, nga ana e Jugosllavisë komuniste, me theks të veçantë nga Serbia.

Si pasojë e këtyre përçarjeve të thella merr fund edhe ekzistimi i kësaj organizate rinore me ndikim në jetën shoqërore dhe politike të ish-Jugosllavisë.

Këtë anarki e shfrytëzojnë disa ish-studentë të dalluar të Universitetit të Kosovës, dhe në janar të vitit 1990, me në krye Blerim Shalën, Halil Matoshin, Ylber Hysën, Astrit Salihun, Mufail Limanin, Agron Jahën, Jahir Ahmetin, Hazir Rekën, Fadil Grajçevcin, Naser Mekollin, Osman Shahinin etj, iniciojnë formimin e një Shoqate rinore me emrin “Parlamenti Rinor i Kosovës.”

Falë këtij organizimi të shkëlqyer të rinisë sonë studentore shthuret Lidhja e Rinisë Socialiste e Kosovës, nga e cila në mënyrë masovike largohen të gjithë të rinjtë.

Përpjekjet e Beogradit për ta mbajtur këtë organizatë rinore në Kosovë, gjallë edhe formalisht nëpërmjet kukullave të tij Redjep Hodza, minoritar goran dhe Ljuan Koka, minoritar jevg dështojnë.

Ngase, në Parlamentin Rinor të Kosovës, brenda një harku shumë të shkurtër kohor anëtarësohen mbi 100 mijë të rinj. Ata nga ky moment bëhen pjesë e të gjitha zhvillimeve dhe proceseve në vend.

Me punën e tij të guximshme dhe revolucionare bije në sy Agron Maliq Jaha, udhëheqës i Parlamentit Rinor të Kosovës-dega në Podujevë.

Ai me bashkëpunëtorët e tij harton projekte konkrete dhe me bazë të qëndrueshme në kundërshtim të tendencave dhe përpjekjeve serbo-sllave për zhbërjen e autonomisë së Kosovës.

Brenda një muaj vetëm në komunën e Podujevës, krijohen mbi 70 nëndegë të Parlamentit Rinor të Kosovës.

Meqë statuti i Shoqatës parashihte që udhëheqës i degës apo nëndegës mund të jetë çdo i rinj i moshës 18 deri 30 vjeç, me propozimin e z.Agron Jaha, në krye të Parlamentit Rinor të Kosovës –nëndega në Orllan të Podujevës, vije Zahir Qerim Pajaziti, atëbotë 27 vjeç.

Rinia llapjane e vendosur për të kundërshtuar me të gjitha mjetet okupimin e Kosovës, nga ana Serbisë, dhe e prirë nga z.Jaha, së bashku me Këshillin e Pajtimit të Gjaqeve, arrin t’i shuajë brenda muaji mbi 100 hasmëri, dhe ngatërresa në këtë regjion.

Sukses tjetër shënohet edhe në thjeshtësimin material dhe sendor të martesës.
Shqiptarët të papunë dhe të pa aktivitet fitimprurës me rastin e martesës shpenzonin shuma marramendëse të parave.

Ata shitnin bagëti e drithëra, madje edhe tokë për të siguruar blerjen e stolive të arit dhe pëlhurave të panevojshme.

Kjo dukuri negative e trashëguar si relikt nga të huajit, do të marrë fund njëherë e përgjithmonë në fshatin Sallabajë të Podujevës, nga e ka origjinën edhe vetë nismëtari i këtij aksioni zoti Agron Jaha.

Me rastin e martesës së njërit prej djemve të Rrahim Bunjakut, u mor vendim që çdo traditë mbetje nga të huajit, sidomos pushtuesit otomanë të flaket.

Po ashtu u vendos që të ruhen vetëm veshjet dhe gjësendet e trashëguara nga kultura iliro-dardane.

Një nga vendimet madhore që bëri bujë në këtë tubim ishte edhe ndalimi i martesave të aranzhuara apo me shkues (mësit).

Ky zakon primitiv dhe i mbrapshtë në të kaluarën kishte viktimizuar djem e vajza. Ata deri në ditën e martesës as që ishin parë në mes veti, e lere më të jenë njohur.

Agron Maliq Jaha, si një lider i vërtetë dhe i guximshëm i rinisë llapjane edhe më 15 shtator të vitit 1990,në Pollatë të Podujevës, me rastin e ceremonisë së varrimit të Besim Hashim Latifit, dhe Skënder Hamit Monollit, të vrarë mizorisht nga policia dhe ushtria gjakatare e Beogradit, mban një fjalë rasti, para mijëra pjesëmarrësve.

Ai në këtë tubim mortor thërret për qëndresë, e vazhdim rruge drejt lirisë, qoftë edhe me luftë, vetëm e vetëm që Kosova, t’i japë fund pushtimit një shekullor nga Serbia.

Mirëpo, këto iniciativa civilizuese të rinisë kosovare si rrugë e vetme kah Perëndimi i qytetëruar do t’i ndëshkojë në mënyrën më brutale regjimi komunist, në kalbje i Jugosllavisë, veçanërisht ai i Serbisë.

Nxënës dhe arsimtarë në të dyja Qendrat e Mesme të Arsimit të Orientuar të Podujevës, 66 ditë të ballafaquar me helmimin misterioz

Më 19 mars 1990 në komunën e Podujevës, ndodh helmimi misterioz i nxënëseve dhe arsimtarëve të Qendrës së Arsimit të Mesëm të Orientuar “8 Nëntori” dhe i atyre të QAMO-s “Gjuro Gjakoviq.”

Kjo gjendje e përcjellë me katalepsi deri vonë enigmatike në këto dy Qendra shkollore me rreth 3756 nxënës shqiptarë zgjat plot 66 ditë.

Arif Ejupi, atëbotë gazetar në Radio Prishtinë, edhe pas 31 vjetëve në mesin e shumë materialeve me zell dhe kujdes të veçantë e ka ruajtur edhe një intervistë të incizuar në shirit magnetofoni, me zotin Agron Maliq Jaha.

Ky material përveç që është transmetuar në emisionin më të dëgjuar të javës “Me të rinjtë.” në Radio Prishtinë, është prezantuar edhe në punën e Sesioneve dhe Nënkomisioneve, pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, të cilat shqyrtojnë tema të shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Prandaj, lexues të nderuar e sidomos Ju, të rinj të lindur pas vitit 1990, përherë të parë do ta keni rastin që të mësoni mbi të vërtetën e këtyre helmimeve, deri vonë enigmatike në Podujevë, e komuna të tjera të Kosovës.

Agron Jaha në intervistën dhënë Arif Ejupit më 25 mars 1990 jep detaje mbi helmimet në Podujevë – YouTube

Z.Jaha mbështetur në njohurit e tij prej absolventi të shkëlqyer të Fakultetit të Mjekësisë, në këtë intervistë pati ofruar argumente të plota mbi helmimin e rinisë sonë, nga ana e regjimit hegjemonistë dhe barbar të ish-Jugosllavisë.

Për dallim nga të tjerët që përfitonin në kohë dhe arsyetoheshin që janë në pritje të analizave nga laboratorët zoti Agron Maliq Jaha, në cilësinë e mësimdhënësit të Biologjisë në QAMO“8 Nëntori”të Podujevës, dhe njohësit të problemeve nga fusha e mjekësisë, në kontaktet e para me të helmuarit konstaton që fjala është për substanca toksike, në formë pluhuri, të projektuara dhe të shpërndara nga shërbime të fshehta të ish-Jugosllavisë.

Atij regjimi vrasës dhe diktatorial rreth këtyre helmimeve që deri vonë ishin një enigmë z. Jaha, ia pati çjerrur maskën.

Ai me prononcimet e tij bindëse dhe të argumentuara këtë problem me pasoja të rënda për jetën e fëmijëve tanë përveç në Radio Prishtinë,e pati shtruar disa herë edhe në“Zëri i Amerikës”, ”Deutsche Welle”, ”Radio BBC” dhe ”Evropa e Lirë.”

Mbështetur në analiza të zhvilluara në laboratorë jashtë Jugosllavisë, rreth këtij problemi flet edhe eksperti i kësaj lëmie prof. Aubin Hendriksi.

Konstatimin e tij identik me atë të zotit Agron Jaha, rreth këtyre helmimeve të botuar në Javoren shqiptare ”Zëri” botimi në Zvicër, viti 1996, po ua sjellim në shtojcë të këtyre rreshtave.

Euro ZËRI – Faqe 5, 6 Prill 1996

Në mënyrë që të humben gjurmët e këtij helmimi misterioz dhe të izolohen denoncuesit e tij, regjimi komunist i Jugosllavisë, më 7 prill 1990, arreston Agron Jahën, edhe aktivistët e tjerë të këtij Parlamenti si: Fatmir Toplica, Bajram Hoxha, Naim Maloku, Shaip Azemi, dhe udhëheqësit e Kryesisë qendrore në nivel vendi Halil Matoshi e Blerim Shala.

Në atë periudhë Shala dhe Matoshi, përveç që njiheshin si veprimtarë të dalluar, njiheshin edhe si penat më të mprehta të gazetarisë në Kosovë.
Madje, Blerim Shala rreth këtij problemi pati shkruar dhjetëra artikuj në të përkohshmen ”Mladina” të Lubjanës, me pseudonimin Otto Grum.
Mirëpo, askujt kurrë s’i kishte shkuar në mendje që kjo valë e arrestimeve mund ta godas edhe të vëllain Lulzim Ali Shala, gazetar sporti në Radio Prishtinë.

Ky Aktvendim publikohet përherë të parë me lejen e mikut tim të hershëm Lulzim Ali Shala.

Ky rast flet mjaftueshëm për sjelljet kriminale të atij regjimi radikal dhe të prishur, i cili në raport me shqiptarët ishte identik me fashizmin.

Pas gjithë kësaj çmendurie dhe këtyre arrestimeve arbitrare e të montuara vjen reagimi i drejtpërdrejtë dhe serioz i diplomatit të njohur amerikan James Addison Beker.

Ai me reputacionin e tij prej avokati me famë ndërkombëtare dhe mbrojtësi të dalluar të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i bënë trysni të vazhdueshme Beogradit.

Falë këtij intervenimi human më 18 prill të vitit 1990, nga Burgu i Qarkut të Prishtinës, lirohet grupi prej tetë të akuzuarve.
Këta të rinj po mbaheshin në këtë burg nën akuzën se kinse kanë inskenuar këtë ngjarje së bashku me arsimtarë dhe nxënës të shkollave të Kosovës.

Dënimi i Gani Jakup Babatincës, Latif dhe Beqir Abdullahut ekzemplar i paparë tmerri

Në helmimin e përsëritur të nxënësve në Podujevë, më 22 mars 1990, falë shkathtësisë dhe heroizmit të pashoq të Gani Jakup Babatincës, para rrethojave të Shtëpisë së Shëndetit në Podujevë, evitohet një tragjedi e paparashikuar.

Dragan Narangjiq me të birin Tihoslavin, pjesëtarë të policisë sekrete të Serbisë, banorë të përhershëm të Beogradit, të veshur në rroba civile mundohen që në turmën e tubuar të hedhin tinëzisht grimca të pluhurit toksik.

Ganiu në atë periudhë punonte në Mensën e studentëve të Universitetit të Kosovës, dhe njëkohësisht luante në Klubin Hendbollistik ”Llapi” anëtar i Ligës së Parë Krahinore të Kosovës.

Ai dallonte nga lojtarët e tjerë të kësaj skuadre me zhvillim trupor dhe qëndrueshmëri fizike.

Në rreshtin në këmbë i treti nga e djathta, Gani Jakup Babatinca.

Falë këtyre aftësive ai çarmatos policin Dragan Narangjiq, i cili në ato çaste kishte nxjerr revolverin dhe donte të shtinte në nxënës, arsimtarë, prindër e gazetarë të pambrojtur.

Ganiu pamenduar për rrezikun përleshet fyta-fytas me policin serb Narangjiq, të cilin duke e mbështetur me shpatulla në mes dy plepave të bigëzuar e kafshon në dorën e djathtë dhe ia merr revolverin me silenciator (armë jo zhurmuese).

Pastaj ai tamam si një qytetar i edukuar revolverin e rrëmbyer e dorëzon në stacionin e policisë në Podujevë.
Sipas gjykimit logjik në vend që të shpërblehej për këtë akt njerëzor ai ende pa arritur mirë në vendin e tij të punës arrestohet, nga sigurimi i fshehtë jugosllav, në hyrje të Mensës së studentëve në Prishtinë.

Arrestimi i Ganiut dhe dënimi i tij me pesë vite heqje lirie janë provë e mjaftueshme se helmimi i nxënësve shqiptarë në Kosovë, ishte vepër e përgatitur dhe e orkestruar në kuzhinat e Armatës dhe Policisë sekrete të ish-Jugosllavisë.

Nga takimi ynë me Ganiun, i cili nga qershori i vitit 1995, jeton në Dortmund të Gjermanisë, mësojmë se ai në burgun e Prishtinës, Dubravës dhe Gjurakocit, pati përjetuar ferrin, së bashku me Latif Hasan Abdullahun dhe Beqir Hajdin Abdullahun, të fshatit Gllamnik të Podujevës.

Edhe këta të dy ishin dënuar nën akuzën”pengim në kryerjen e detyrës së personave zyrtar, me autorizim dhe përgjegjësi të veçantë”.

Brezat e ardhshëm duhet ta kujtojnë dhe ta admirojnë vendosmërinë dhe guximin e të rinjve të Kosovës, që në atë periudhë me tërë qenien ishin vënë në mbrojte të atdheut.

Shumica e të cilëve parapëlqyen vdekjen, se sa jetën dramë e të pështjellë, nën çizmen e armikut serb.

ARIF EJUPI

2 KOMENTE

  1. Ne kete permledhje: interviste e reportazh (ku autori eshte edhe deshmitar okular i nje akti heroik – atehere te te riut Gani Babatinca), Arifi ne bashkohanikeve te tij na kujton kohen e aparthejdit europian te fund-shekullit XX, qe ndodhte ne Kosove. Ne pak minuta ndegjuesit e lexuesit e ketyre fjaleve e rreshtave mund te hyne ne boten e anktheve e tmerreve te perditshmeris se viteve te njeqinta te ati shekulli; e kush mund te kujton kete kohe do te kujton ferrin e quajtur “jete”, kur te shanin e te quanin fyes, kur te lenin pa ngran e te quanin llups, kur te vranin e te quanin vrases.

    Agron Jaha sikur edhe vetem kete interviste ta kishte kapital kombetar, e pse mos te themi edhe njerzor, do i mjaftonte te shpallej nje altruist i pashoq; ngase koha kur u dha kjo ishte kohe kur shqiptaret vriteshin e torturoheshin vetem pse ishin shqiptare, e lere me per guxime te tilla qe nxirrnin ne pah aktet gjenocidale te pushtetit jugosllave(lexo-serb). Ne kete “pikture” te autorit kemi tabllon shume ngjyrshe te egzistences; e egzistenca, siç na deshmon Darvini, mund te behet vetem nga te qendrueshmit e te fuqishmit.

    Nuk ka dyshim se populli qendroj, por aktet heroike si te Gani Babatinces dhe strategjia e timonjereve intelektual ndikuan ne krijimin e nje sinergjie shpetimtare. Kjo “pikturë” eshte lehte e deshifrueshme edhe per te rinjet dhe gjithe te tjeret qe i leshojne nje here nje sy. S’ishin te pakte heronjet e ketille kudo ne Kosove, por te pakte jane “heronjet e pendes”, qe s’lene ne harrese heroizmin evulutiv te kombit.

Komentet janë mbyllur.