Parlamenti izolues

0
575
Musa Sabedini

Nga Musa Sabedini

Kosova nuk ka nevojë për ndarje e as për paragjykime e sulme të ulëta. Të gjithë e duan Kosovën njëjtë, ama këto ditët e fundit do të jenë më të rëndat dhe më vendimtaret për ne dhe për të gjithë ata që po mundohen për të na korrigjuar në gabimet tona trashanike.

Më herët, krejt këtë punë të mbrapshtë dhe të pa shije që po e bënë Parlamenti dhe deputetët e saj e kisha quajtur “Parlament terrorizues” dhe këtë e kisha argumentuar. Kurse tani po e quaj “Parlament izolues”. Këto dy epitete, ky Parlament dhe këta deputetë i kanë fituar nga fakti se këta ligjvënës e bënë horë një Kosovë, na bënë horë edhe neve para botës, me pamje aq të vrazhda, duke përdorë edhe gaz lotsjellës brenda, skena këto që terrorizojnë qytetarinë e një vendi. I njëjti Parlament dhe të njëjtit deputetë, tani për shkak të interesave kryekëput personale dhe kurrë kombëtare apo shtetërore, tallen me ne, me Kosovën dhe popullin.

Ata me vetëdije e duan izolimin e Kosovës nga Evropa, duan që Kosova të stagnojë. Nga “Parlamenti izolues” qytetarët e Kosovës nuk mund të presin asnjë mrekulli, madje nuk mund të presin as që një deputet si këta t`i kryej as obligimet minimale ndaj vullnetit qytetar.

Paramendoni se në çfarë sikleti e ka sjellë Kosovën kjo strukturë dhe paramendoni që nesër, ose shumë afër, duhet të bisedohet me Serbinë për vijën kufitare në Karaçevë dhe Zahiraj, në pjesën lindore të Kosovës dhe prej këtyre deputetëve pritet të ratifikojnë marrëveshjen.

Mali i Zi u tregua i drejtë me Kosovën, e assesi me politikanët tanë, kur lëshoi pe, ose kur na dha një mundësi për të ecur përpara. Për një raport të Bulliqit, që tashmë të gjithë e dimë se ishte raport politik dhe jo profesional, synohet me vetëdije izolimi i Kosovës. Ne, edhe ashtu jemi të izoluar dhe të humbur në raport me Evropën, por të paktën gjërat që varen nga ne dhe që nuk janë të imponuara nga të tjerët, duhet t`i kryejmë pa shtyrje e pa ndërhyrje.

S`kam pritur e as nuk kam besuar që Ramush Haradinaj të tregohet kaq naiv në vendimmarrje. Ramushi praktikisht po e pranon fundosjen e tij në qeverisje. Kur je i pari të ka hije edhe të merresh vesh me shumicën dhe, edhe të lëshosh pe kur është në pyetje interesi i përgjithshëm i vendit. Me këtë stil të të punuarit dhe sidomos me kulturën e ulët politike të treguar në foltoren e Kuvendit, Ramush Haradinaj, nuk mund të përfitojë asgjë, përkundrazi vetëm sa mund të pësojë humbje të autoritetit në publik.

Kosova dhe klasa politike e saj nuk e kanë idenë se çfarë na pret në të ardhmen evropiane, sa detyra duhet të kryhen e sa obligime janë para nesh si shoqëri. Është koha e fundit që ky Parlament, që me vetëdije po çon Kosovën nga izolimi i mëtejmë, ta ratifikojnë demarkacionin dhe të mos mbetemi peng të njerëzve analfabet e përrallëtarë.

Kosova nuk ka nevojë për ndarje e as për paragjykime e sulme të ulëta. Të gjithë e duan Kosovën njëjtë, ama këto ditët e fundit do të jenë më të rëndat dhe më vendimtaret për ne dhe për të gjithë ata që po mundohen për të na korrigjuar në gabimet tona trashanike.

Kosova nuk duhet të udhëhiqet nga Kanuni, e as nga odat e nga çiftelitë e ahengjet e natës. Kosova pret ta krijojë një ushtri të politikanëve që logjikojnë me kokën e tyre dhe që vendimet i marrin mbi bazën e interesave të popullit që i ka votuar dhe që pret prej tyre.

E përmenda qëllimisht Karaçevën dhe Zahirajt, sepse janë dy fshatra kufitare që pritet të debatohen gjatë demarkacionit me Serbinë. Paramendoni se si do të sillen ky Parlament e këta deputetë të papërgatitur totalisht përballë këtij kontesti shumë më specifik e më delikat se Qarkori e Zhlebi.

Policia serbe, legalisht shkel tokën e Kosovës dhe asnjëherë Qeveria apo Parlamenti ynë nuk kanë diskutuar për këtë problem. Mos të flas për Zahirajt, një lagje e humbur pas luftës, një fshat i vogël, por me shumë pasuri nëntokësore. Serbia nuk e ka lëvizur rastësisht kufirin në këtë pjesë.

Dëshpërimi nga kjo klasë politike ka nisur kaherë dhe, dorën në zemër, nuk janë të gjithë të pazot e të paditur, sepse ka prej tyre që meritojnë respekt për angazhimin që bëjnë, por fatkeqësisht 70 për qind të tjerët janë të paaftë e të dobët në shumë nivele e fusha.

Dërgoi për publikim, Arif Ejupi, gazetar