Paralajmërimet luftënxitëse të komisioneri për Zgjerim të BE-së, Johanes Hahn

0
368
Johanes Hahn

Gjergj (Bajram) Kabashi, Revista Drini18 maj 2019

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johanes Hahn:

“…marrëveshja që do të arrihet mes dy vendeve (Kosovës dhe Serbisë, vër. ime) do të jetë shumëpërfshirëse. Një vend qendror në marrëveshje do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Pra, marrëveshja do të përfshijë shumë pjesë të një rebusi, të cilat shpresojmë që së bashku të japin një panoramë shumë të bukur…”

– ka thënë ndër të tjera Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johanes Hahn.

* * *

Gjergj Kabashi
Gjergj Kabashi, gazetar

Pra do të bisedohet ndërmjet dy vendeve, për çështjet e brendshme të vendit tjetër (Kosovës, në këtë rast!) me ndihmën e presionin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj palës së dobët!

Ja se si në marrëveshjen e paralajmëruar e të diktuar nga shteti i Serbisë, zë vend “çështje e Republika Srpska-Kosovo i Metohija” !

* “Një vend qendror në marrëveshje, do ta zërë çështja e pakicave, sepse ka shumë serbë në të gjithë territorin e Kosovës dhe jo në një zonë të caktuar të Kosovës” – thekson Hahn.

A e kuptuat?
Paska shumë serbë “në gjithë Kosovën, dhe jo vetëm në një vend”? A thue, ore injorantët e politikbërjes në shtetin e Kosovës, që vazhdoni të grindeni e haheni me njëri-tjetrin si “qentë e çartur”,- e që pastaj nuk po keni kohë të thelloheni në fatin e vendit tuaj, për udhëheqjen e të cilit jeni të caktuar, a nuk ka Kushtetutë vendi juaj dhe a nuk parashikohet në të mbrojtja e integritetit territorial?

A nuk paska Serbia pakica që u shtrikan në gjithë territorin e saj, por vetëm Kosova?!…
Pse nuk u përmendkan të drejtat e njëjta, sipas asaj që cilësohet si frymë europiane, si zgjidhje që duhen të jenë të njëjta për të gjithë njësoj, edhe çështjet e pakicave të shumëta në Serbi, sidomos asaj shqiptare të Luginës së Preshevës dhe asaj “Boshnjake”-Shqiptare në Sanxhak?!

Po, ju e dini që në Serbi ka shumë pakica, madje ma shumë se në çdo shtet tjetër, por ju heshtni edhe kur është fjala për Shqiptarët e Luginës, pasi që njëzet vite ishit të nënshtruar prej saj e duhej ta merrnit me të mirë agresorin për faktet që vetëm ju i dini, thuajse Kosova ishte agresorja e jo viktima, e jo ajo që iu nënshtrua gjenocidit të rëndë e mizorive serbomëdha, nga të cilat mezi e shpëtoj NATO-ja.

Të drejtat sovrane që u parashihkan për pakicën serbe në gjithë Kosovën, që u dashka të dhurohen si “zgjidhje kompromisi të të dyja palëve“, në të vërtetë të Serbisë e “bashkësisë ndërkombëtare” në një anë, dhe Kosovës, në anën tjetër, a nuk mund të jenë zinxhirë gjemborë nën “këmbët” e dobëta të shtetit të Kosovës, do të thotë që Kosova Kurrë, ama bash Kurrë, nuk mund të ketë ardhmëri si shtet normal, pra nuk mund të qetësohet e stabilizohet!

Nëse kjo që e thotë Hahn do të realizohet, kjo nënkupton që “bashkësia ndërkombëtare” do që t’ia mbajë enën projektit serbomadh edhe në rastin e Kosovës, duke e shndërruar pakicën 3-4 përqindshme serbe brenda vendit në faktor destabilizues, një shtet brenda shtetit, mu ashtu siç do e synon Serbia, që ta mbajë të destabilizuar e të dobët shtetin e Kosovës, për ta sulmuar e ripushtuar në një moment të volitshëm për te.

Prandaj, negociatat në mes të dy shteteve, Kosovës e Serbisë, duhet të jenë plotësisht të barabarta, duke mos lejuar në asnjë mënyrë e rrethanë që pakica e vogël serbe të shndërrohet në gozhdim të shtetësisë së Kosovës.

Vetëm kur çështjet e pakicave në të dy shtetet do të trajtohen e kenë të drejta të njëjta, vetëm në atë kohë mund të thuhet që kemi arritur tek pajtimi, në bazë të frymës jodiskriminuese europiane dhe të barazisë mes të dyja palëve.

Çdo trajtim i veçantë e në bazë të të ashtuquajturit diskriminim pozitiv, mund të sjellë deri tek pasojat e rënda destabilizuese për Kosovën e rajonin. Mos ta heqim nga mendja se kjo që e paralajmëron Hahn është nxitje për luftë në rajon, për shkak se është veprim e synim tepër i anshëm, në favor të interesave të Serbisë.