PARADOKSI DHE DOGMAT IDEOLOGJIKE

1
671
Islami - komunizmi, signs

Letër ambasadorëve (10)

Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

PARADOKSI IDEOLOGJIK

Të nderuar Ambasador dhe staf diplomatik, ka 20 vjet Kosova është nën “VËZHGIM TË DREJTPËRDREJT NDËRKOMBËTAR”, por po ndodhin paradokse të llojit të vet, ndërsa për gjendjen e përgjithshme të gjitha palët vlerësojnë se nuk është e mirë. E formulova kështu për të qenë i pranueshëm nga elita patriotike e cila bashkë me juve po e udhëheqin vendin drejt një kaosi të përgjithshëm. Kosova për vite me radhë ishte nën protektoratin ndërkombëtar dhe varej nga këshillat e juaja. Kurse Bashkësia Ndërkombëtare, për këto 20 vjet, paska nxjerr këtë elitë të dobët udhëheqëse, d.m.th. se edukimi i dobët i kësaj gjenerate iu vë edhe juve përpara përgjegjësisë, prandaj nuk ka vend për entuziazëm dhe as për kritika të njëanshme të cilat janë bërë bajate, e aq më pak kur thirrje të tilla i bëhen turmës për të seleksionuar këtë e atë partner tuajin të gjertanishëm, i cili tashmë qenka kriminel, por drejtësia hesht kundruall tyre.

Në vendin tim po aplikohen standarde të dyfishta që kanë prodhuar paradoks ideologjik. Si duket e keqja përvetësohet kollaj, ndërsa defektet riparohen ngadalë, andaj edhe rezultatet duhet të ndahen proporcionalisht, megjithatë me një vullnet të përbashkët këto defekte mund të evitohen, të riparohen e të tejkalohen me sukses. Këtu nuk kemi pse të dyshojmë, por duhet vullneti juaj dhe i vendeve tuaja për të krijuar distancim nga kriminelet, në mënyrë që populli ti njeh, e pastaj edhe të ndërmerren veprime konkrete!

Niveli i tanishëm udhëheqës, ka bërë që askush të mos jetë i kënaqur, veçmas gjenerata e re e cila është e zhgënjyer. Sipas disa analizave, në Kosovë mbetet e kënaqura vetëm klientela dhe grupet e interesit që janë bërë milioner, pa pasur fabrika dhe ndërmarrje profitabile. E kjo ka ndodhur në një Kosovë të vogël dhe në një shtet të varfër, si pjesë e kontinentit të vjetër i cili karshi shqiptarëve po prodhon paradokse të njëpasnjëshme?!…

Ne jemi të sigurt se gjithë kjo katrahurë nuk ka mundur me ndodhur pa e parë syri juaj. Jo pak klientela dhe grupet e interesit kanë folur në emrin tuaj dhe të qeverive tuaja, duke mos përjashtuar as mundësinë e një bashkëpunimi dhe të një përkrahje nga përfaqësues e misionar të demokracisë, të cilët në vend të misionit diplomatik, paskan pasur interesin e vet personal. Megjithatë po e ri përsërisim se gjendja në Kosovë nuk është aq tragjike dhe nuk është aq kriminale sa po thuhet, përkatësisht sa po shkruan shtypi në gjuhën shqipe i cili drejtohet nga një klientelë tjetër në shërbim të klaneve politike. Ky shtyp dhe këto media më shumë po përçojnë imazhe negative se sa kanë bërë përpjekje për të dal nga kjo amulli dhe nga kjo gjendje, prandaj ndërhyrja juaj është domosdoshmëri dhe shpëtim për Kosovën.

Përderisa qeveritë e vendeve tuaja, nuk janë të gatshëm për të themeluar një ekip që do të udhëhiqte Vetting ndaj strukturave politike, e kemi të vështirë ta ndryshojmë gjendjen. Por kur të ndodhë një Vetting i kësaj natyre, duhet fillimisht të nis brenda partive politike, për të parë se si janë sistemuar, (jashtë rregullave dhe normave të partisë), klientela dhe grupet e interesit të cilët tashmë kanë prekur kudo organizimin politik e shtetëror, nga niveli më i ulët deri në atë qendror.

Pastaj një Vetting i tillë duhet bërë për kreun e partisë për tu bindur se disa nga kryetarët janë të zgjedhur pa qenë anëtarë i partisë të cilën e drejtojnë, që pastaj, për vite të tëra, në Kuvendet Zgjedhore, janë rizgjedhur pa pasur kundërkandidat dhe pa lejuar të votohet në mënyrë të fshehur. Të gjithë betohen në miqësinë e tyre të përhershme me SHBA-të dhe BE-në, madje në profilet e tyre nëpër rrjetet sociale nxjerrin edhe fotografi si dëshmi se me kënd takohen dhe kush i mbështet pikëpamjet e tyre kriminale. Pra kryetarët e tillë, kryesisht janë zgjedhur në mënyrë antistatutare, por Ju i keni pranuar, jeni takuar dhe madje disa (që cilësohen ndër më kriminelet), i keni përkrahur!? Ata janë të kriminalizuar, ose vijnë si mbetje e strukturave komuniste, ndërsa të gjithë e dimë se SHBA-të, më shumë se një shekull udhëheqin luftë të gjithanshme antikomuniste.

Duke i llogaritur këto rrethana, ne mendojmë se nëse dëshironi të prodhoni një gjeneratë të re, të pastër dhe jo të kriminalizuara, fillimisht ai Vetting do të duhej të përqendrohej te kryesitë e partive të cilat janë përgjegjëse për rrjetëzimin e klientelës së kriminalizuar, pastaj nëse ky Vetting do të shtrihej në organet tjera të partisë siç janë “Këshilli i Përgjithshëm”, “Këshilli Nacional”, e të ngjashme, ju do të zbuloni se mbi 70% e tyre janë klientelë e grupeve kriminale që janë sistemuar pa merita dhe në kundërshtim edhe me rregulloret e partive përkatëse. Pra pjesa dërmuese e drejtuesve partiak, janë sistemuar pa iu nënshtruar formave të brendshme zgjedhore, andaj vetvetiu shtrohet pyetja se çka mund të pritet nga kjo gjeneratë, edhe nëse është nën moshën tridhjetëvjeçare, edhe nëse i ka të rregullta të gjitha gradat akademike, kur të gjitha avancimet brenda partisë i kanë të realizuara në kundërshtim me rregullat e brendshme dhe duke u bërë levë e grupeve të interesit, duke u shtyrë me bërryla dhe duke i eliminuar elitën intelektuale dhe veprimtarët e devotshëm partiak.

Një Vetting formal mund të bëhet edhe tashti me “Listat Zgjedhore”, për të parë se çfarë ka ndodhur, jo vetëm tek një subjekt politik, por pa përjashtim. Ata që do t’i zgjedh populli nga këto lista do të prodhojnë përsëri kriza të tjera politike, sepse kriza morale tashmë në shpirtin dhe vëmendjen e tyre ekziston. Kjo s’ka dyshim pasi me dhjetëra figura publike dhe intelektual, vetëm një natë para se të mbylleshin ato lista, janë futur si kuadër nëpër parti, janë sistemuar dhe kanë pranuar të jenë pjesë e strukturës politike pa qenë kurrë anëtarë të asaj partie. Nga kjo që thamë, ku ka krim më të madh se sa në emër të demokracisë lejohen këto manipulime dhe pastaj Ju Ambasadorë të nderuar, i pritni në takime dhe shpresoni në një udhëheqje të dinjitetshme nga njerëz të padinjitetshëm, gjeneratë kjo me moral kaq të vrarë, që kanë pranuar me u sistemuar në njëzet emrat e parë nëpër Listat Zgjedhore.

Të nderuar Ambasadorë, a lejohet nëpër vendet tuaja, nëpër partitë e vendeve tuaja, dhe nëpër udhëheqjet partiake e shtetërore të bëhen kaq abuzime me statutin dhe rregullat e brendshme partiake. Një gjë duhet ta dini se “një hajn në Evropë ai është hajn edhe në Vatikan”, përkthyer në shqip i bienë, se një politikan i avancuar brenda partisë duke i shkelur të gjitha rregullat zgjedhore, këtë gjest do ta bart edhe në udhëheqje shtetëror, prandaj ndalojuani turrin kësaj gjenerate e cila me perfiditet po e shfrytëzon këtë tollovi për tu rreshtuar dhe për të përftuar, prandaj do të ishte më mirë që hapin e parë ta bëni qysh tashti duke i verifikuar këto lista për të parë se si i kanë rreshtuar grupet e interesit dhe një klientelë e kriminalizuar. Kjo gjeneratë nuk i duhet Kosovës, aq më pak juve për të ndërtuar partneritet dhe marrëdhënie të shëndosha.

A mund ta gjeni një shembull të vetëm në Partitë Popullore dhe Demokratike në vendet e Bashkimit Evropian dhe kudo në botën demokratike, ku ka ardhur në krye të partisë individi pa qenë kurrë anëtarë i asaj partie, ndërsa kandidati a kandidatja për kryeministër e lavdëron edhe kur e dinë se personi që lavdëron është me damkën e një funksionari të lartë komunist. Pastaj i njëjti nuk ka lejuar, (në të gjitha zgjedhjet e radhës), kundërkandidat dhe asnjëherë nuk ka lejuar për t’iu nënshtruar votës së fshehtë. Nga kjo që thamë jam i sigurt se Ju nuk do ta gjeni një rast të vetëm edhe në të gjitha vendet post komuniste që dikush është zgjedhur në krye të një partie demokratike pa qenë anëtar i saj, aq më tepër një funksionar komunist, me hipoteka nga e kaluara komuniste, i cili tashmë për fatin e keq po mbështet nga përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve. E kjo gjë nuk është aq e dhembshme, sa është trishtuese falsifikimi dhe prezantimi i tyre si kuadër i ndershëm, i pranueshëm, me të cilët ju mundeni për ti lëvizur proceset.

Të nderuar Ambasadorë, mos i përkëdhelni këta kandidat dhe këto kandidatura sepse këtë nuk e lejoni të ndodhë në vendet tuaja, as në partitë e vendeve tuaja, madje kjo nuk ka ndodhur askund në vendet post komuniste, përveç në Kosovën tonë përplot paradokse, e cila kontrollohet nga Bashkësia Ndërkombëtare, për tu shënuar edhe në Librin e Rekordeve Botërore Guinness.

Një pyetje shumë e thjeshtë mund t’iu bëhet nëse mund të pritet nga ky “Paradoks Demokratik”, që do të sjell rezultate pozitive në Kosovën, në kohën kur dihet se kjo klientelë edhe shkollimin e ka bërë me dallavere, edhe avancimin brenda partiak po ashtu e kanë bërë me dallavere, prandaj pritshmëria duket e zbehtë, pasi as në udhëheqjen e shtetit nuk do të sjellin rregullsi. Pra problemi është i thjesht, i dukshëm, por s’ka mekanizëm për ta zbatuar, pasi nuk ka as kush urdhëron për të vepruar. Të gjitha problemet e brendshme në Kosovë janë kollaj të zgjidhshme, vetëm duhet vullneti i administratës Amerikane dhe ajo e Bashkimit Evropian për të vepruar. Një preventivë qysh tash kishit mundur me zbatuar, kurse fill pas zgjedhjeve me shkuar me fazën e dytë, dhe hiq më larg, nga janari i vitit tjetër me fazën e tretë, për ta çelur syri pranverës Kosovën me shpresa të mëdha se në këtë vend po rikthehet demokracia, dhe kjo po ndodhë, përsëri falë Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Të nderuar Ambasador dhe staf diplomatik, edhe kandidatët për kryeministër nuk i keni të pastër, përjashtohen ata që nuk kanë udhëhequr vet ose partia e tyre, të tjerët janë klientelë e rafinuar e provuar dhe me përplot hipoteka, prandaj sa për ta ricikluar problemin nuk ka pasur nevojë për të organizuar zgjedhje të cilat nga buxheti i Kosovës nxjerrin shpenzime milionëshe, përmes të cilëve prodhojnë dëshpërime të reja dhe të pafalshme.

IDEOLOGJIA STALINISTE DHE PARADOKSI I SHQIPTARËVE

Se gjatë gjithë historisë, shqiptarët i kanë përcjell paradokse të mëdha kjo s’ka dyshim. Lufta e Dytë Botërore përfundoi me fitoren e Aleancës Komuniste nga e cila më së shumti ka pësuar Gjermania. Ajo u nda në dy zona të interesi. Lindje dhe Perëndim. Gjermania më shumë se gjysmë shekulli barti dhembjet e ndëshkimit stalinist, por shqiptarët që jetuan në Gjermani pse krijuan Frontin e Kuq Stalinist dhe vepruan atje mbi konceptet e Organizatave Marksiste – Leniniste që iu prinin ish epror të shërbimit sekret Jugosllav. Por ishte fati tragjik i Gjermanisë, pse vazhdimisht kemi shpresuar se Gjermani e kupton më kollaj hallin e Kosovës dhe përgjithësisht të shqiptarëve nën sundimin e diktaturave komuniste.

Nuk mund të mohohet dhe as nuk duhet të anashkalohet pa u studiuar mirë si paska ndodhur që pikërisht në Gjermani të veprojnë “Fronti i Kuq Popullor”, një organizatë ekstreme staliniste, të atij Josef Stalinit që ia pa sherrin i gjithë kampi socialist, po më së shumti vet Gjermania, si dhe “Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës”, e cila është udhëhequr nga një epror i lartë i sigurimit të atëhershëm jugosllav. Cili ka qenë raporti i tyre me strukturat politike e shtetërore në Gjermani dhe si ka mundësi edhe sot e kësaj dite, bashke me sivëllezërit e tyre komunist nga LKK e LKJ, të jenë kaq aktiv në jetën publike e mediatike në Kosovë, në kohën kur paskan qenë figurat më të përfolura për krim dhe vrasje me motive politike.

Në anën tjetër Zvicra, lejonte veprimtarinë e Organizatës Marksiste Leniniste të LPRK-së, kurse për vete qysh në vitin 1940, me ligj e ka ndaluar veprimtarinë e Partisë Komuniste e themeluar qysh në vitin 1921. Partia Komuniste e Zvicrës u bashkua në vitin 1943 me Federatën Socialiste të Zvicrës në Partinë e Punës (PdA). Presidenti i saj i parë ishte Franz Welti. Themelimi i saj dukej se ishte opozitë e Partisë Social Demokratike (PS). Ndoshta kjo nostalgji vinte për vet faktin se Vladimir Iliq Lenin, kishte qëndruar si azilant në Zvicër. Ndoshta janë këto nostalgji edhe te organizata e majtë shqiptare LPRK-ja e cila emitonte doktrina të tilla. Në Zvicër, emancipimi politik ka një traditë, e cila dëshmohet qysh nga vitet 1919 dhe 1920, kur Partia Social Demokratike do të refuzojë të bashkohej me Kominternin, dhe kështu provokoi ndarjen e pjesëve të partisë nën Franz Weltin. Në Kongresin e Bashkimit të së Majtës Socialiste, më 5 dhe 6 mars 1921, që është mbajtur në Cyrih, u bashkua grupi i Weltit me “Komunistët e Vjetër”, një parti e parë komuniste e themeluar nga Jakob Herzog, qysh në vitin 1918 dhe u vendosën themelet e KPS.

Veprimtarinë e Partisë Komuniste të Zvicrës, për vete shteti Helvetik e ndaloi me ligj, ndërsa shqiptarët etnik e mbajtën frymën komuniste, marksiste leniniste dhe staliniste, në shenjë falënderimi për Evropën që i mbante në gjirin e saj. Ndoshta do të duhej të përjashtoheshin anëtarësia, se kryesia e LPK-së, krerët e “Frontit të Kuq Popullor” dhe ata të “Organizatës Marksiste Leniniste”, ishin të specializuar për këto doktrina që mbështeteshin kryesisht nga Shqipëria komuniste e diktatorit Enver Hoxha. Çuditërisht, pas vdekjes së Josef Stalinit, Enver Hoxha, do ta ashpërsojë luftën e klasave, kurse qytetit në Kuçovë do t’ia vë emrin Stalin, e pastaj do të nis një propagandë e ashpër kundër të gjitha vendeve të Paktit të Varshaves duke i akuzuar për revizionizëm, atëherë kur BRSS dhe vendet e Paktit të Varshaves bërë distancim nga diktatura e Stalinit duke i dënuar të gjitha krimet e bëra nga ai sistem.

Pas rënies së diktaturës komunist nëpër këto vende, duke përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik, kanë bërë distancim nga ai sistem, janë dënuar ato krime, përveç Shqipëria që nuk ka bërë asnjë distancim, si dhe në Kosovë që kurrë nuk u bë një Vetting (distancim), nga nomenklatura e Lidhjes Komuniste të Kosovës e as kundër doktrinave Marksiste-Leniniste, por çuditërisht atyre veprimeve kreu komunist i LDK-së nuk ua heq asnjë prese, ndërsa profesor të tjerë universitar, madje edhe studiues nga shkencat humane, e konsiderojnë të majtën marksiste-leniniste dhe Frontin e Kuq Stalinist si organizata patriotike, ndërsa dikush tjetër e cilëson si “romantizëm patriotik”.

PARADOKSI SI BESIM APO SI IDEOLOGJI FETARE

Në vendet e varfra me popullsi myslimane, kryesisht kemi parti komuniste, edhe pse Kurani dhe doktrina komuniste e përjashtojnë mundësinë e njëra tjetrës. Pra Kurani nuk lejon një myslimani të jetë komunist, sikurse edhe komunizmi nuk lejon që ata të jenë fetar myslimanë. Ky është një paradoks i cili qartë dominon edhe në vendet shqiptare, me theks të veçantë edhe në Kosovë ku e vëzhgon Bashkësia Ndërkombëtare. Studiues të kësaj teorie mendojnë se Komunizmi është një ideologji përmes së cilës mendohej të arrihej ateizmi. Në anën tjetër “Vehabizmi” është një ideologji përmes së cilës mendohet të arrihet e kundërta, prandaj edhe në hapësirën shqiptare, veçmas në Kosovë ka thirrje të shumta për ta ndjekur versionin Vehabi të Islamit Sunit, dhe kjo tendencë ka për qëllim të mos jetë falënderuese për ndihmën e Amerikës dhe të Bashkimit Evropian që i kanë dhënë vendit tonë.

Ideologjia fetare “Vehabizëm” po përdor fenë si një mjet për qëllime politike, prandaj mendohet se Komunizmi dhe Vehabizmi edhe pse kanë dallime ideologjike, kanë ngjashmëri në mënyrën e veprimit midis dy koncepteve diametralisht të kundërta. Por deri sa mendohet se komunizmi është tejkaluar, në vendin tonë ka lëshuar rrënjë Vehabizmi ideologjik, pak i njohur më parë, por kohëve të fundit dita – ditës po bëhet më agresiv, qoftë me pamjet e jashtme, (mjekra, pantallonat dhe mbulesat e grave deri në mbulesën e tërësishme me burka), e qoftë me ulërima nëpër ndeja e gazmende fetare. Tashmë besohet se dalldisja e Vehabistëve po manifestohet si nacionalizëm ideologjik po ngjallë një lloj urrejtje e cila manifestohet jo falënderuese për miqtë dhe aleatët tanë. Çuditërisht shumë lider komunist, intelektual marksist – leninist e kanë gjetur vetveten pikërisht tek doktrina e predikimit Vehabist, e kjo gjë duket sikur këto dy ideologji në kohë krizash të kenë aleanca të fshehura, ose të gjithë individët e deridjeshëm që ishin komunist, në masë të madhe janë konvertuar në ritin Vehabist, prandaj janë të tillë, atëherë shumë të egër tashmë egersisht të ashpër.

Një pjesë e tyre bëjnë propagandë për ndarje regjionale, krahinore po më shumë kjo po vërehet në planin gjuhësorë ku të gjitha kategoritë e shoqërisë, duke i përfshirë mediat, intelektualët dhe shkrimtarët kanë ra pre e ideologjisë Vehabizmit, pasi të gjithë duket se po bëjnë gara për ta shëmtuar sa më shumë realitetin jetësor dhe në planin foljor edhe gjuhën shqipe. Tashmë shkrimtarë të caktuar janë bërë daulle e predikimit fetar, dhe kjo vërehet kur secilit mendim të tyre i japin ngjyrime fetare duke e shqiptuar dhe duke e shkruar një të folme arkaike që është pjesë e dialektit të gegërishtes. Çuditërisht edhe pas përfundimit të luftës, edhe pse Rusia është treguar mjaftë agresive dhe nuk e pranon Kosovën si shtet, e majta ideologjike ende mendon se Bashkimi Kombëtar, arrihet vetëm përmes ideologjisë staliniste.

Sa i përket rrezikut nga grupet radikale me indikacione fetare, kam shkruar herë pas here duke filluar qysh në vitin 1993, por askush nuk e mori parasysh. Tashmë me Islamin Politik nuk ka problem vetëm vendi im, por me vërshimin e Islamit të pakontrolluar, tash ka telashe e gjithë Evropa dhe më tej. Paradoksi i gjithë këtij mishmashi është se shqiptarët e kanë përqafuar një të keqe më kollaj se sa të gjitha udhëzimet dhe këshillimet që i kanë sjell në vendin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër në disa vende të Bashkimit Evropian, me ligj është e ndaluar Burka, kudo në vendet publike, kurse mbulesa e kokës, sipas ritit islam, nëpër mjaftë institucione publike e shtetërore, ndërsa në Kosovë po ndodh e kundërta, madje me përpjekje të vazhdueshme për t’i sistemuar në parlament dhe pse jo nesër të kërkohet që Ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës të zgjidhet një grua e mbuluar me shami. Përveç standardeve të dyfishta që po aplikohen në Kosovë, paradoks i llojit të vet është kur vende me ekonomi gjigante nuk riatdhesojnë fëmijë të lindur në zonat e luftës, e as nuk riatdhesojnë gra me burka, në Kosovë, tashmë janë rikthyer pa llogaritur në pasojat e mundshme.

PARADOKSI SI IDEOLOGJI DEMOKRATIKE

Paradoks shumë i madh është e dhëna kur EPP dhe CDU, përkrahin publikisht LDK-në, madje pa e bërë asnjë Vetting formal mbi personalitetet e zgjedhura në LDK, dhe pa e vëzhguar fare procesin zgjedhor. Krejt ajo që ka ndodhur është një falsifikim i realitetit të cilin ua paskan prezantuar strukturat e një komunisti burokrat. Tashmë duhet të pranohet se procesi zgjedhor brenda LDK-së, ia imponojë Kosovës një garniturë të re udhëheqëse tejet e pa dinjitetshme të cilën e kontrollon një teknokrat komunist që ka ardhur me mision në krye të partisë, madje pa qenë më parë anëtarë i saj.

Le të flasin zyrtarët politik nga EPP dhe CDU, çfarë iu paskan thënë partneret e tyre në Kosovë, dhe pastaj le të tregojnë se ku e kemi edhe një rast të tillë në vendin e tyre. Si ka mundësi EPP dhe CDU të pranojnë për të përkrahur një individ i cili në të gjitha rizgjedhjet nuk ka pranuar me iu nënshtruar votës së fshehur, dhe as nuk ka lejuar kundërkandidat! I thuhet edhe kësaj demokraci?!

Tashmë jemi të sigurt se mbi 70% e Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë së LDK-së, janë avancuar nëpër poste udhëheqëse duke shkelur etikën e rregullores së brendshme, kanë shkelur statusin e partisë dhe janë katapultuar me emërime e jo përmes konkurrencës duke nisur nga kandidatja për kryeministre e gjerë tek i fundit. Procesi i brendshëm zgjedhor në LDK ka shkuar në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë që aplikohet në vendet e BE-së, në vendet ku ka ndikim EPP-ja dhe në Gjermanin, andaj i lusim zyrtaret perëndimor, pasi nuk kanë pasur vullnet me i vëzhguar zgjedhjet e brendshme partiake, të mos përkrahen struktura të cilat do t’i zhgënjejnë edhe zyrtaret e EPP-së, bile në një të afërme jo aq të largët.

Ky veprim i nxituar dhe kjo përkrahje blanko do të jetë dëshpëruese. Këtë përvojë Evropa e ka përjetuar me Studentin e Universitetit në Calmare të Francës, prandaj përfaqësuesit e vendeve mike nga BE dhe SHBA-ja , është mirë me hequr dorë nga metodat që nuk kanë dhënë rezultate pozitive, sepse e gjithë kjo garniturë politike, në të gjitha partitë politike, (duke mos përjashtuar as LDK-në), kanë sistemuar grupe klienteliste antidemokratike, kriminale dhe aspak profesionale brenda udhëheqjes së tyre dhe i kanë futur edhe nëpër Listat Zgjedhore.

Diplomatët e akredituar në Kosovë, dhe përfaqësuesit e BE dhe të SHBA-së, pasi nuk kanë bërë vëzhgimin e zgjedhjeve partiake, pasi nuk kanë bërë as Vetting formal rreth Listës së Kandidatëve nëpër parti politike, do të ishte mirë vetëm ta vëzhgojnë këtë proces zgjedhor i cili nuk do të jap rezultate inkurajuese, por do të ishte mirë qysh tash t’iu vihen standarde strukturës së ardhshme, të krijohet një komision për verifikim, përkatësisht një Vetting, duke kushtëzuar me ndershmërinë dhe pastërtinë e elitës, me mundësinë për të qëndruar deputet ose person i zgjedhur në vendet udhëheqëse vetëm nëse janë të pastër.

E pasi të kryhet procesi zgjedhor, janë edhe një milion mënyra, më pozitive për të shkuar drejt qartësimit të problemeve, se sa me ia imponuar Kosovës një strukturë tjetër po aq e klientelizuar, pasi pothuajse kudo shefat e tyre nëpër udhëheqje partish, janë personat kundër të cilëve duhet të nisin proceset gjyqësor, e jo të përkëdhelen gjoja për shkak të sëmundjes së liderit apo situatës në të cilën gjendet Kosova. Pa një preventivë të duhur, do të kemi tërë një sistem me damllanë e mentalitetit komunist, që si pikëpamje është një luftë antidemokratike, anti-Bashkimi Evropian po më shumë një luftë e ashpër antiamerikane.

Ndoshta do të ishte me interes sikur të organizohej një dëgjim publik ose të bëhej një debat televiziv. Kjo do të kishte sukses vetëm nëse paraprakisht do të izolohej edhe klientela e analistëve të cilët po tallen me SHBA-të dhe po tallen edhe me Kosovën. Kjo klientelë analistësh, ka më shumë se 40 vjet që janë prezent në media dhe kudo në vendet publike, gjë që bashkë me kriminelët do të ishte mirë me i izoluar duke i futur në karantinë të gjithë së bashku!

Vijon…

St. Gallen, 15 shtator 2019.

*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.


Të nderuar zonja dhe zotërinj

Po ua nis vazhdimin e 10 të këtyre letrave për t’i publikuar në portalet dhe gazetat tuaja!

PS. Nëse këto letra nuk përputhen me konceptet e redaksisë, ose në çfarëdo mënyre iu pengojnë në punën tuaj,
ju lutem më ktheni një mesazh për t’iu çregjistruar nga lista, në mënyrë që të mos u bezdis me dërgesa të kësaj natyre!

Paraprakisht ju faleminderit!
Autori

Letër ambasadorëve (10) / PARADOKSI DHE DOGMAT IDEOLOGJIKE

Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

…..
Shënimet për autorin mund ti gjeni edhe në Portalin zyrtar e Lidhjes së Shkrimtarëve të Zvicër:
https://lexikon.a-d-s.ch/edit/detail_a.php?id_autor=2138
SCHWEIZER SCHRIFTSTELLERINNEN UND SCHRIFTSTELLER DER GEGENWART
Dibrani Shefqet
Hechtackerstrasse 42
CH 9014 St. Gallen SG

* 03.08.1960 Kosova

[email protected]

Heimatort: Kosova

Berufliche Ausbildung und Tätigkeit: Pädagogische Hochschule.

Mitgliedschaft: Verband albanischer Journalisten von Kosova 1987. International Kultur Brücken Zürich 2001

Mitglied des ADS: Ja / Beitrittsjahr: 2003

Pjesët tjera mund ti lexoni në profilin e autorit në FB, duke shfrytëzuar lidhjet:

10/ Letër ambasadorëve / PARADOKSI DHE DOGMAT IDEOLOGJIKE
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-10-paradoksi-dhe-dogmat-ideologjike/10157764036427386/

9/ Letër ambasadorëve / DEMOKRACIA ËSHTË ABUZIM I STATISTIKAVE
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-9-demokracia-%C3%ABsht%C3%AB-abuzim-me-statistikat/10157750899657386/

8/ Letër ambasadorëve / PËRKTHIMI I FOTOGRAFISË
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-8-p%C3%ABrkthimi-i-fotografis%C3%AB/10157732267502386/

7/ Letër ambasadorëve / SHKATËRRIMI I HISTORISË SË NJË POPULLI ËSHTË DEGRADIM I VLERAVE DHE DEMOKRACISË
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-7-shkat%C3%ABrrimi-i-historis%C3%AB-s%C3%AB-nj%C3%AB-populli-%C3%ABsht%C3%AB-degradim-i-vle/10157726698052386/

6/ Letër ambasadorëve / VETTING PËR KOSOVËN
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-6-vetting-p%C3%ABr-kosov%C3%ABn/10157715083312386/

5/ Letër ambasadorëve / FYTYRA E BRUKSELIT SHIHET NË MERDARE
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-5-fytyra-e-brukselit-shihet-n%C3%AB-merdare/10157708796197386/

4/ Letër ambasadorëve / NEVOJA PËR VEPRIME PRAGMATIKE
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-4-nevoja-p%C3%ABr-veprime-pragmatike/10157701601172386/

3/ Letër ambasadorëve / STANDARDET E DYFISHTA
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-3-standardet-e-dyfishta/10157698892392386/

2/ Letër ambasadorëve / MOS BËNI GABIM
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-2-mos-b%C3%ABni-gabim/10157693536967386/

1/ Letër ambasadorëve / REFUZIMI SHPËRFILLËS
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-1-refuzimi-shp%C3%ABrfill%C3%ABs/10157690962682386/

1 KOMENT

  1. Ti veç rri atje ne Zvicer… Dhe ambasadorët ta rregullojne Kosoven ashtu qysh ki qef ti, o frikacak, qe ke ike nga Kosova ne vitin 1982… edhe tash shet pallavra patriotike… hajt more trus atje e mos shit men…

Komentet janë mbyllur.