Shkruan Prof. Zymer Mehani
Shkrimtari Ramadan M. Pasmaçiu, e ka thurur një rrëfim të bukur në vargje për fëmijë, që ka të bëjë me një kec bardhosh dhe me një ujk që rronte për mrekulli, duke ngrënë “mish e mëlçi”. Mirëpo, një ditë brodhi kot lart e poshtë, nuk gjeti gjë, e barku i mbeti fare thatë. Gjumi nuk e zinte:
“Dhe u nis për në fshat,
Duke u lutur “Paça fat
Që të gjej ndonjë dhi!
Se më griu kjo uri!”
U këput fare. Koha kalonte. Sillej andej e këndej. Më në fund ndrit edhe dielli. Ujku vazhdon të endet breg më breg:
“Kur shikon: në ca ledhe,
(Kec Bardhoshi) hante gjethe.”
T’i hidhej nuk mundte, por mendoi ta marrë punën shtruar, të mendojë mirë e mirë si t’ia bënte. Ngadalë i afrohet, e përshëndet duke e quajtur nipçe, por Kec Bardhoshi i thotë s’e nuk e njeh dhe nuk e ka takuar ndonjëherë. Por ujku ia kthen:
“Unë jam xhaxhai, vogëlush
Hajde të të push në gushë!”
Duke vështruar mirë e mirë sheh se
“Ky do të jetë ujk i vjetër
Bishë e keqe, bishë e egër.”
Pasi i bishtnon sa mundet, e lut ujkun që të shkojnë në shtëpi të tij, por në rrugë i thotë se duhet të shkojnë nga burimi meqë atje ka lënë një shok. Ujku mendon me vete:
“Kaq shumë fati s’më ka prirë,
Me dy keca mjaft të mirë.”
Keci nuk bisedonte, por mendonte me vete:
“Ujk i egër, armik je,
Nuk të zëmë besë ne.”
Ujku thotë se është plak dhe është lodhur, kurse Keci ia kthen se ka edhe pak rrugë e do të mbërrijnë te burimi. Arrijnë karrshi tij dhe Keci i drejtohet:
“U afruam në burim,
ja tek është shoku im!”,
por ujku i thotë se nuk sheh asgjë, andaj kërkon ta thërrasë atë të vijë, mirëpo keci i thotë që të ecë edhe pak. Ujkun fillojnë ta kaplojnë uria dhe nervoza, i urren fare sytë dhe mendon si ta fusë ndër thonj Kecin, dhe e lut:
“Po rrëzohem, hajde mbam”
Keci Bardhosh i thotë se
“S’ma hedh dot”,
kurse
“Ujku thotë: s’kuptova, si???”
Ja, e merr vesh tani!”
Kështu, dëgjohet një zë i thekshëm deri në re:
“Ujk, o ujk, mos lëviz!
Ju hodh Murrua mbi kurriz!”
Në këtë mënyrë përfundon ky rrëfim i bukur për Kecin Bardhosh dhe për grabitqarin, egërsirën që “hante mish edhe mëlçi”. Për ta mësuar këtë rrëfim të bukur, ju nxënës të dashur, do ta keni fare lehtë, sepset regimi është i qartë dhe interesant, është thurur me mjeshtëri. Ka një rimë e ritëm të përshtatshëm dhe lexohet me ëndje. Ju, fëmijë të dashur, librin e Ramadan M. Pasmaçiut “Tregim për Kecin Bardhosh” mund ta gjeni në mesin e shumë veprave të botuara në kuadër të lekturës shkollore për shkollën fillore.