Pajtim Xhelo poezi

0
421
Pajtim Xhelo - bregdet

Nëse një ditë

Kur nipat të më pyesin një ditë
“Në jetë shtrove rrugë, hodhe hapa?”
Në kujtimet e mia do hedh dritë,
Dhe kokën do ta kthej për një çast prapa.
Ngushtë do ndihem miqt’ e mi të vjetër,
Nuk na sollën për qejf në këtë botë,
Mbase besuam në një jetë tjetër,
Atë që ish e menduam të kotë.
Jehonë e shkurtër në shkretëtirë,
Një puhizë e ëmbël që nuk zgjat,
Si gjëmim shurdh që shuhet ndaj të gdhirë,
Brezit tonë i zgjodhën këtë fat.
Dreqfat, i detyruar, i vështirë,
Kundër tij nuk ngrihej dot asnjeri,
Nuk bëmë dot gjë të madhe, të mirë,
Veç të keqen përbuzëm me burrëri.
Miqtë e mi, nuk është pak dhe kjo,
Ne e folëm të mirën, po nën zë,
Të keqes që çirrej i thamë: “Jo!”,
Rrugëtuam në mjegull përgjithnjë.
Shtruam rrugë, çelëm shtigje të tjerë,
Miliona hapa hodhëm mbi to,
Për vete nuk menduam asnjëherë,
Sikur të qe e tjetërkujt ajo.
Në se do pyesin nipat një ditë:
“Nuk të lodhi kjo jetë kaq e gjatë?”
Kohës së vjetër do t’i dal në pritë,
Mbase do duket e errët si natë.
Kur menduam se kish zbritur liria,
Ngritëm zërin tonë të na dëgjonte,
Varrit, përbaltur, u ngrit poshtërsia,
Syrin e lirisë nis të verbonte.
E pritëm gjatë atë të uruar,
Pse Zot na i solle veç me një sy?
Ujqit e vjetër e paskan verbuar,
Braktisur, liria po hesht aty.
Nëse nipat do pyesin një ditë:
“Ku e gjetët këtë liri pa sy?”
Kohës së re do t’i dalim në pritë…
Veç koha shurdhmemece rri aty.

Pajtim Xhelo, 19 maj 2020


Nuk je shqiptar

Po të thërmojnë kujtesën kombëtare,
Ndërsa të burgosën në shtëpi,
Po a ka mbetur gjak e racë shqiptare?
Po ju mbajnë në pranga, në robëri.
Një Neron qesh e këndon në ligësi,
Tek ndjen dhëmbjet e shpirtit të shqiptarëve,
Nuk erdhi nga deti Bajlozi i zi,,
Që po nëpërkëmb nderin e të parëve.
Qenka ngrit Gjergj Elez Alia nga varri,
Në sytë e motrës së tij po sheh lotë,
Më tej Bajlozin që turret si i marri,
Ku janë trimat? Po bredhin nëpër botë.
Po ku janë djemtë dhe vajzat shqiptare?
Vajmedet, i paskërkan mbytur në tmerr!
Bajlozi po hapte me mijëra varre,
Qeshte në shëmti, po brenda ndihej vrer.
” Pse po qan?- Gjergj Alia motrës i tha,
– Akoma ato lotë s’të janë tharë?
Po shoh vetëm varre, të vdekur nuk ka.,
Ku janë dhjetëmilionë shqiptarë?
Ku janë Leka, Pirro dhe Kastrioti?
Po Teuta,, Eleni dhe Bubulina?
Shqipërinë Zonjë e krijoi Zoti,
Bastardët po e zhbëjnë në tavolina.
Ti që sot hesht, kur kriminelët shikon,
Si ngritën flamurin antikombëtar,
Ç’pret nga politikanët, apo harron,
Ata nuk kanë as gjak, as gen shqiptar.
Gjithë Shqipëria sot është në zi,
Politikanët Lirinë na e vranë,
Mijëra varre për ty demokraci,
Po hapin ata që shqiptarë nuk janë.

Pajtim Xhelo, 17 maj 2020


LETËR MIKUT TIM

Që kur je larg gjërat ndryshuan,
Unë s’shkova ta pija kafen atje,
Zërat e lartë keq më acaruan,
Kur ishim të dy askënd nuk vinim re.
Dikur s’di as vet si këmbët më çuan,
Anëdetit malli më nisi atje,
Kohën e vjetër mendimet kujtuan,
Me mjegull e mbuluan kohën e re.
E di, m’u bë sikur isha edhe dje,
Pa do prisja pak që të vije dhe ti…
Mbeta vetëm, askush nuk u ul atje,
Veçse nuk ndieva as trishtim, as mërzi.
Hodha një sy te tavolina tjetër…
Djali flokëverdhë nuk ishte aty.
Për një çast m’u duk se bota e vjetër
Ishte arratisur së bashku me ty.
Në ballin e tij lexohej trishtimi,
Gishtat e hollë lëviznin papushim,
Nga sytë qiell, si nga perëndimi,
Një fijëz jete rrëzohej si qortim..
Eh miku im, erdha dhe ditën tjetër
Edhe të nesërmen në agimin e ri,
Disa ditë ndoqa jetën e vjetër,
Po nuk e pash më djalin me sytë gri..
” Vdiq – më sqaroi baristi zëshuar
-Vdiq , pa askush nuk i erdhi në varrim,
Morëm vesh fatin e tij të trishtuar,
Djalin dhe gruan kish humbur.Eh, ç’mallkim! ”
Në rëmba gjaku vërshoi tërbuar,
Botën mallkova,pa e dënova keq,
Në jetën time nuk pata guxuar
T’i bërtisja Zotit pse botën nuk e ndreq.
E di miku im që të ligështova,
Mos ki dert, nga varri po kthehem tani,
Ca trëndafila të freskët i çova,
Tek ai klub kafen më nuk do ta pi!

15 maj 2009, Pajtim Xhelo


Nën qerpik

Sa fshehu lotin nën qerpik Afërdita,
Yll’ i ditës zbriti rrezet përmbi vesë,
Mbi thinjat e detit agimin e prita,
Zgjova jetën , e urova : “mirmëngjes!”
Kur bridhnin akoma yjet nëpër qiell,
Nat’ e majit përkundëte dashurinë,
I përgjumur, atje tej, një shpirt po ndiell,
Ca burime melodish për njerëzinë.
Po rrëshqiste mjegulluar Afërdita,
Po përhumbej në të thellën kaltërsi,
Me rrezet e para lozonjare prita,
Nga yllësitë të zbrisje edhe ti.
Tejane, ku nata e majit u fsheh,
Syri i ri rrëzoi ngjyra ylberi,
Ninulla e gjumit u fashit, u zbeh,
Buzët me nektar prisja unë i mjeri.
Buzët t’i kafshova, të kërkova ndjesë,
I shijshëm si rrushi ishte ky nektar,
Rrezet kishin vjedhur ato pikla vesë,
Dhe buzët të ëmbla bëhen në behar.
Fshehur lotin nën qerpik si Afërdita,
Putha sytë, krip’ e lotit më shijoi,
Thinjë deti dhe lot të kripur të prita,
Erdhe plot nur kur dita e re agoi.
Erdhe kur mëngjesi zgjat hijet nën diell,
Mbi flokë ndrin vesa, loti nën qerpikë,,
Fluturonin ca lejlekë nëpër qiell,
Shpërfillin lartësinë, nuk kanë frikë.
Shkëmbit, anëdetit, valët po këndojnë,
Pulëbardhat nëpër dallgë ftojnë ne,
Llokoçiten hijet, dridhen, po s’harrojnë,
T’i veshin botës një pranverë të re.
Sa fshehu lotin nën qerpik Afërdita,
Yll’ i ditës zbriti rrezet përmbi vesë,
Me shpirtin nëpër këngë unë të prita,
Botën tjetër e braktisa në harresë.

Pajtim Xhelo, 16 maj 2020